E shtune, 27.04.2024, 05:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: E shkruar me shpirt të Shqipërisë

E diele, 14.04.2013, 06:05 PM


“TI SHQIPËRI MË EP NDER,

MË EP EMRIN SHQIPËTAR”

Xhemail Peci

Fragmente nga libri me ese:

E SHKRUAR ME SHPIRT TË SHQIPËRISË

Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqipëtar,/zemrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr. Kështu do të shkruante në një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë e në një prej kohërave më të vështira kur duhej me çdo kusht, me hir o me pahir, të bëhej Shqipëria dhe të bëhej shqiptari, Poeti i Kombit Naim Frashëri. Dhe duke shkruar kështu, qartë, bukur dhe rrjedhshëm, duke shkruar kështu dlirë, mirë dhe ëmbël, aq ëmbël, aq bukur, aq qartë dhe aq zjarrtë si në një farkëtim të shqipes me zjarrin drithërues të ilirishtes, ai në të vërtetë : Shkruante me Shpirt të Shqipërisë, prandaj edhe kishte të drejtë kur shpesh, madje shumë shpesh vinte siglën, vinte firmën e tij si një konstelacion gjaku në horizontin me sfonde lavdie: Bir i Shqipërisë.

 

Duke e sfiduar thellë realitetin e kohës së tij, ai e bënte një gjë të tillë për hir të një të ardhme të re, të një vizioni të ri dhe të një shprese të re për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

 

Ai do të shprehte kështu krenarinë e ligjshme të të qenunit shqiptar ashtu si dhe dëshirën dhe të drejtën e ligjshme, sa dhe krejtësisht të perëndishme, për ta parë Shqipërinë dhe shqiptarët, të lirë dhe të pavarur. Një qëllimi të këtillë illuminist sa dhe fisnik, si dhe një lajtmotivi të tillë poetik, Naim Frashëri do t’i qasej me gjithë fuqinë e fjalës shqipe, me bukurinë dhe me madhështinë që ka ajo, por edhe me fuqinë e shpirtit të tij të madh. Duke e zgjedhur dhe përzgjedhur fjalën, duke e gdhendur ate, duke e qëruar dhe duke e latuar ate, Naimi do t’i falej kështu lartësisë së qëllimit, të cilit, ai dhe dy vëllezërit e tij të tjerë, Abdyli dhe Samiu, iu kishin përkushtuar me gjithë qenien e tyre mendore dhe shpirtërore. Një dhunti e tillë poetike, atdhetare dhe diturore, për ta nuk ishte gjë tjetër veçse një Bekim Hyjnor në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

 

E prapë, edhe pse e ndiente ashtu thellë vargun, edhe pse ai e zgjithte aq shume fjalën, sërish pyeste me të drejtë: E ku të shkruhen ndë kartë fjalët e gjuhës së zjarrtë?

 

Një gjakim të tillë e vërejmë në fakt që nga Poema e Madhe e Don Gjon Buzukut:

 

U Doni Gjoni, i biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gja të endigluem ensëh shkruomit shenjtë, e nsë dashunit sëh botësë sanëh, desha me u fëdigun për sa mujtah me ditunëh, me zdritunë pak mendetë e atyne qi t’eh endiglonjinëh, për seh ata tëh mundëh mernëh saa hi naltë e hi mujtunë e hi përmishëriershim anshtë Zotynë atyneh qi tah duonë em gjithëh zemërë.

 

Gjakimi për të ndritur mendjet është në të vërtetë misioni atdhetar ì dritërrëfenjësve të kombit shqiptar, është vizioni ì të ardhmes ì frymëzuar prej së shkuarës, ashtu siç do të vargëzonte Dom Ndre Mjeda në poemthin Lissus:

 

“Dasmore të Bahtit, t’Afërditës shkoshin,

Veshun me gunza, e krahët e bardhë të shpërvjelun,

Vashat e Ilirvet me koshere në krye.

 

E ngrehshin valle dora dora, e këndoshin

Kreshnikët e Ilirvet e anmiqt e ngelun,

Gadhnjyes Bardhyllin e Perdiken thye.

E i thirrshin nanat djelmenis kreshnike,

E, dalë tui ì prapun, krushqeve ju thoshin:

Djemt e Ilit në kushtrim së bashkut shpejtoni.

 

 

Ecni me heshta, ecni e me armë jetike,

Hov’nju kualve me at mëni qi të parët ju mësoshin:

Për lulzimin e atdheut ju thrret Agroni!

Rrjedha shkumbues’ e Drinit, porsi u hodhi,

Patershanen nën dor’ e zjerm prei mënijet,

Ushtria e jonë mbas lepravet Greqijet

Tuj rropusun gjithshka perpara ì ndodhi.

 

Këtu, Amazone Ilire e bind natyret,

Fis i Hyjvet të Dodonës, Teuta mbretnote,

Kur Pinës ferishte, per hiti detyret,

Jeten mbretnore e rregjinin i shtote.

 

E të nji mendes kreshnike të gjitha zyret

Adrijatikut me kujdes ja trote,

E pa leje t’Ilirisë o ‘j shej pagtyret,

Detin shqyptar i hueji s e kalote.”

 

 

Është prandaj pak si e rrallë që vargjet e poetëve të një kombi, apo edhe vargjet e këngëve të një populli, bëhen kështu rrufepritësit e tij përgjatë historisë, jo vetëm si klithje apo edhe si zemërthirrje poetike por edhe si thirrje, si lutje, si përgjërim i përshpirtshëm, si një gjakim i përjetshëm epiko-lirik, në përkushtimin e shenjtë për lirinë dhe pavarësinë, në lutjen e pafundshme e të përjetshme drejtuar deri në amshim, sa Perëndisë aq edhe Shqipërisë dhe shqiptarëve: Lum kush të rronjë, të ta shohë Zonjë…

 

Kështu prandaj, me të drejtë mund të thuhet se vargu i Naim Frashërit: O malet e Shqipërisë, do të quhet Vargu Vargmal. Titulli i Poemës së Madhe të Poetit të Pushkëve të Bardha, të Shqiptarit të Madh e të Shkodranit të Mençur Pashko Vasa: O Moj Shqypni, do të quhet si një Obelisk Madhështor, me Porosinë e Madhe sa dhe aktuale: Feja e shqiptarit është shqiptaria…

 

Ka të drejtë poeti dhe studiuesi Agim Vinca, kur me shije të hollë poetike në një nga vargjet e tij shkruan: Poezi Shqipe, Nëno Moj!

 

Duke gjakuar për të shkruar qartë, bukur, lirshëm, rrjedhshëm e me përkushtim të theksuar poetik, në ligjërimin e tij të kulluar e në qëllimin e tij të shenjtëruar për t’i bërë shqiptarët sa më shqiptarë, duke dashur t’ua ngjallte dashurinë për atdheun dhe për madhështinë dhe për begatinë e tij, Poeti i Kombit, Gjergj Fishta shkruante: Edhe hana le ta di/edhe dielli le t’ketë pa, / se përçark k’saj rrokullije, / si Shqypnia i vend nuk ka. Dhe më tej, në një vjershë tjetër, si për inat të padrejtësive dhe të djallëzive historike që u janë bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve, Fishta do të thërriste me gjithë forcën e zemrës dhe të shpirtit të tij: Jo po a s’desht hasmi Shqypni, / jo po a s’desht hasmi shqyptar, /qe pra sot po ka Shqypni, / qe pra sot po ka shqyptar’.

 

 

E thënë ndryshe, Shqipëria duhej të bëhej me hir o me pahir. Në një gdhendje të tillë të vargut e në një formësim të tillë të ideve, në një vargënim dhe në një ligjërim të tillë dhe aq të përkushtuar, Fìshta e thoshte për të satën herë se një thirrje e tillë s’ishte gjë tjetër përpos se një sfidë që duhej ta bënin Shqipëria dhe shqiptarët së bashku. Një ligjërim i tillë epik, nuk ishte gjë tjetër veçse ligjërim i ligjshëm i gjakut të gjyshërve dhe stërgjyshërve të shqiptarëve atdhetarë, nëpërmjet të cilit Gjergj Fishta, ashtu si edhe në publicistikën e tij, e rikthesonte fuqinë ripërtëritëse të shqiptarëve si komb, fuqinë dhe dhuntinë e sakrificës më sublime, të flijimit e të vetëmohimit epik me përmasat monumentale të eposit të kreshnikëve, ku i mundën katallanat dhe bajlozat ardhur si lubi mbi tokat e shenjta të Shqipërisë Mëmë.

 

E si vetëtimë lirie është vargu i poetit Dom Ndre Mjedja: LIRINË E KENI JU, NA HEKRA KEMI. E vetëtimat shpërndaheshin mbi Detin Adriatik. Është një klithmë e përgjakur e Shpirtit të Shqipërisë drejtuar Kontinentit të Lirisë, atje përtej Oqeanit Atlantik: “NA PA EMËN KËRKUND, PA ATDHE, NA JEMI/ SHËRBËTORËT E T’HUEJVE NËPËR VENDET TONA”.

 

KA PERËNDI EDHE PËR SHQIPËRI, DHE FORCA NGADHËNJEHET NGA DREJTËSIA, EDHE KUR FATI I POPUJVE TË VEGJËL KA DALUR NGA PORTAT E MËDHA, JA TË VDESIM E JA TË RROJMË, ËSHTË E JONA SHQIPËRIA, linte TESTAMENTIN E TIJ SI NJË SHPIRT I MADH E VIGAN I VET SHQIPËRISË MËMË, PLAKU I URTË E BURRI I FORTË I VLORËS TRIME, ISMAIL QEMALI.

 

UNITETI I IDEVE ËSHTË MË I FORTË SE UNITETI I SHTETEVE, shkruante Samiu i Frashëllinjve, me një qartësi lapidare e gjithmonë: ME SHPIRT TË SHQIPËRISË, për hir të ardhmërisë së saj e të shqiptarëve, në Programatikën e Tij Monumentale: Shqipëria çka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet?

 

Fustanella e Ilirisë Shqipëri.

O gjiri ku pimë sisë…

Shqipëria valle gjaku.

Si Vallja e Osman Takës Shqipëria.

Shqipëri e kuqe, Shqipëri e sertë, treqind kryengritje në katërqind vjet.

Sos për mua e sos për ti, po për gjithë Shqipëri.

 

Sa herë që Tomorr Tarabaoshi ngre kokën përpjetë, dhe sa herë që Rozafë Zhgabonja fytyrën diellore e ngre qiellit përmbi retë, në mbrojtje të shenjtërisë së shpërfillur e të nëpërkëmbur, për rrufepritës mëton t’i ketë vetë Adem Jasharët, Burrat me Ballë Shqipërie - atje në lartësitë e saj të shenjta ku ngjiten vetëm zërat e zemrave të saj, vargjet vargmal bashkë me epikën kreshnike e me të bëmat e heronjve të vet legjendarë, ashtu siç porosiste Naimi:

 

S’jemi turq e as kaurë.

Mos e thoni këtë kurrë.

S’jemi grekër as bullgarë,

Jemi vetëm shqipëtarë,

S’jemi grekër as bullgarë,

Turq e serbë nuke jemi,

Jemi vetëm shqipëtarë,

Këtë emër nder e kemi!

 

Historia e Shqipërisë pra mund të shkruhet edhe me vargjet e me kryevargjet e poetëve të saj. Mitrush Kuteli, një nga shkrimtarët e fatit tragjik në letrat shqipe, fat ky që e shtynte të shkruante në një letër dërguar familjes nga burgu, se letërsia është edhe një fushë ku gëlojnë gjarpërinjtë, kishte të drejtë kur thoshte se edhe me mbishkrimet e përmbajtjeve poetike në gurët e varreve, mund të shkruhet historia e shqiptarëve.

 

Poetët e një kombi e parandiejnë dhe e parathonë të ardhmen e tij. Ata ngjajnë aq shumë me orakujt e Dodonës. Dodona - një tempull i lashtë pellazgjik, në afërsi të Janinës – qendër e Molosëve, e në faltoren e Dodonës, nëpërmjet fluturimit të pëllumbave dhe fërshfërimes së gjetheve të një lisi të moçëm, orakujt parashikonin fatet e njerëzve.

 

Tek ka pirë ujë në gurrën e frymëzimeve epike të kombit të vet, Gjergj Fishta e ka parandie fatin e atdheut dhe fatin e kombit të tij, në vjershën e tij Shqipnisë:

 

T’falem, Shqipni, ti i shpirtit tim dëshiri!

 

Këtu trima lejnë gjithmonë, pse ti je nana

E armëve n’za, që shndrisin durert e t’lumit,

Kah vdes për ty i rreptë e trim si zana.

 

Eden n’Ballkan ti je; ti prej t’Amshuemit

N’Ballkan je shkrue Mbretneshë mbi fiset t’tana:

Hip fronin, pra e sundo, Shqipni, m’t’liruemit.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora