| E diele, 14.04.2013, 06:05 PM |
“TI
SHQIPËRI MË EP NDER,
MË EP
EMRIN SHQIPËTAR”
Xhemail
Peci
Fragmente
nga libri me ese:
E SHKRUAR ME SHPIRT TË SHQIPËRISË
Ti
Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqipëtar,/zemrën ti ma gatove plot me dëshirë
dhe me zjarr. Kështu do të shkruante në një nga periudhat më të rëndësishme të
historisë së Shqipërisë e në një prej kohërave më të vështira kur duhej me çdo
kusht, me hir o me pahir, të bëhej Shqipëria dhe të bëhej shqiptari, Poeti i
Kombit Naim Frashëri. Dhe duke shkruar kështu, qartë, bukur dhe rrjedhshëm,
duke shkruar kështu dlirë, mirë dhe ëmbël, aq ëmbël, aq bukur, aq qartë dhe aq
zjarrtë si në një farkëtim të shqipes me zjarrin drithërues të ilirishtes, ai
në të vërtetë : Shkruante me Shpirt të Shqipërisë, prandaj edhe kishte të
drejtë kur shpesh, madje shumë shpesh vinte siglën, vinte firmën e tij si një
konstelacion gjaku në horizontin me sfonde lavdie: Bir i Shqipërisë.
Duke e
sfiduar thellë realitetin e kohës së tij, ai e bënte një gjë të tillë për hir
të një të ardhme të re, të një vizioni të ri dhe të një shprese të re për
Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Ai do të
shprehte kështu krenarinë e ligjshme të të qenunit shqiptar ashtu si dhe
dëshirën dhe të drejtën e ligjshme, sa dhe krejtësisht të perëndishme, për ta
parë Shqipërinë dhe shqiptarët, të lirë dhe të pavarur. Një qëllimi të këtillë
illuminist sa dhe fisnik, si dhe një lajtmotivi të tillë poetik, Naim Frashëri
do t’i qasej me gjithë fuqinë e fjalës shqipe, me bukurinë dhe me madhështinë
që ka ajo, por edhe me fuqinë e shpirtit të tij të madh. Duke e zgjedhur dhe
përzgjedhur fjalën, duke e gdhendur ate, duke e qëruar dhe duke e latuar ate,
Naimi do t’i falej kështu lartësisë së qëllimit, të cilit, ai dhe dy vëllezërit
e tij të tjerë, Abdyli dhe Samiu, iu kishin përkushtuar me gjithë qenien e tyre
mendore dhe shpirtërore. Një dhunti e tillë poetike, atdhetare dhe diturore,
për ta nuk ishte gjë tjetër veçse një Bekim Hyjnor në shërbim të Shqipërisë dhe
shqiptarëve.
E prapë,
edhe pse e ndiente ashtu thellë vargun, edhe pse ai e zgjithte aq shume fjalën,
sërish pyeste me të drejtë: E ku të shkruhen ndë kartë fjalët e gjuhës së
zjarrtë?
Një
gjakim të tillë e vërejmë në fakt që nga Poema e Madhe e Don Gjon Buzukut:
U Doni
Gjoni, i biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish
gja të endigluem ensëh shkruomit shenjtë, e nsë dashunit sëh botësë sanëh,
desha me u fëdigun për sa mujtah me ditunëh, me zdritunë pak mendetë e atyne qi
t’eh endiglonjinëh, për seh ata tëh mundëh mernëh saa hi naltë e hi mujtunë e
hi përmishëriershim anshtë Zotynë atyneh qi tah duonë em gjithëh zemërë.
Gjakimi
për të ndritur mendjet është në të vërtetë misioni atdhetar ì dritërrëfenjësve
të kombit shqiptar, është vizioni ì të ardhmes ì frymëzuar prej së shkuarës,
ashtu siç do të vargëzonte Dom Ndre Mjeda në poemthin Lissus:
“Dasmore
të Bahtit, t’Afërditës shkoshin,
Veshun me
gunza, e krahët e bardhë të shpërvjelun,
Vashat e
Ilirvet me koshere në krye.
E
ngrehshin valle dora dora, e këndoshin
Kreshnikët
e Ilirvet e anmiqt e ngelun,
Gadhnjyes
Bardhyllin e Perdiken thye.
…
E i
thirrshin nanat djelmenis kreshnike,
E, dalë
tui ì prapun, krushqeve ju thoshin:
Djemt e
Ilit në kushtrim së bashkut shpejtoni.
Ecni me
heshta, ecni e me armë jetike,
Hov’nju
kualve me at mëni qi të parët ju mësoshin:
Për
lulzimin e atdheut ju thrret Agroni!
…
Rrjedha
shkumbues’ e Drinit, porsi u hodhi,
Patershanen
nën dor’ e zjerm prei mënijet,
Ushtria e
jonë mbas lepravet Greqijet
Tuj
rropusun gjithshka perpara ì ndodhi.
…
Këtu,
Amazone Ilire e bind natyret,
Fis i
Hyjvet të Dodonës, Teuta mbretnote,
Kur Pinës
ferishte, per hiti detyret,
Jeten
mbretnore e rregjinin i shtote.
E të nji
mendes kreshnike të gjitha zyret
Adrijatikut
me kujdes ja trote,
E pa leje
t’Ilirisë o ‘j shej pagtyret,
Detin
shqyptar i hueji s e kalote.”
Është
prandaj pak si e rrallë që vargjet e poetëve të një kombi, apo edhe vargjet e
këngëve të një populli, bëhen kështu rrufepritësit e tij përgjatë historisë, jo
vetëm si klithje apo edhe si zemërthirrje poetike por edhe si thirrje, si
lutje, si përgjërim i përshpirtshëm, si një gjakim i përjetshëm epiko-lirik, në
përkushtimin e shenjtë për lirinë dhe pavarësinë, në lutjen e pafundshme e të
përjetshme drejtuar deri në amshim, sa Perëndisë aq edhe Shqipërisë dhe
shqiptarëve: Lum kush të rronjë, të ta shohë Zonjë…
Kështu
prandaj, me të drejtë mund të thuhet se vargu i Naim Frashërit: O malet e
Shqipërisë, do të quhet Vargu Vargmal. Titulli i Poemës së Madhe të Poetit të
Pushkëve të Bardha, të Shqiptarit të Madh e të Shkodranit të Mençur Pashko
Vasa: O Moj Shqypni, do të quhet si një Obelisk Madhështor, me Porosinë e Madhe
sa dhe aktuale: Feja e shqiptarit është shqiptaria…
Ka të
drejtë poeti dhe studiuesi Agim Vinca, kur me shije të hollë poetike në një nga
vargjet e tij shkruan: Poezi Shqipe, Nëno Moj!
Duke
gjakuar për të shkruar qartë, bukur, lirshëm, rrjedhshëm e me përkushtim të
theksuar poetik, në ligjërimin e tij të kulluar e në qëllimin e tij të
shenjtëruar për t’i bërë shqiptarët sa më shqiptarë, duke dashur t’ua ngjallte
dashurinë për atdheun dhe për madhështinë dhe për begatinë e tij, Poeti i
Kombit, Gjergj Fishta shkruante: Edhe hana le ta di/edhe dielli le t’ketë pa, /
se përçark k’saj rrokullije, / si Shqypnia i vend nuk ka. Dhe më tej, në një
vjershë tjetër, si për inat të padrejtësive dhe të djallëzive historike që u
janë bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve, Fishta do të thërriste me gjithë forcën e
zemrës dhe të shpirtit të tij: Jo po a s’desht hasmi Shqypni, / jo po a s’desht
hasmi shqyptar, /qe pra sot po ka Shqypni, / qe pra sot po ka shqyptar’.
E thënë
ndryshe, Shqipëria duhej të bëhej me hir o me pahir. Në një gdhendje të tillë
të vargut e në një formësim të tillë të ideve, në një vargënim dhe në një
ligjërim të tillë dhe aq të përkushtuar, Fìshta e thoshte për të satën herë se
një thirrje e tillë s’ishte gjë tjetër përpos se një sfidë që duhej ta bënin
Shqipëria dhe shqiptarët së bashku. Një ligjërim i tillë epik, nuk ishte gjë
tjetër veçse ligjërim i ligjshëm i gjakut të gjyshërve dhe stërgjyshërve të
shqiptarëve atdhetarë, nëpërmjet të cilit Gjergj Fishta, ashtu si edhe në
publicistikën e tij, e rikthesonte fuqinë ripërtëritëse të shqiptarëve si komb,
fuqinë dhe dhuntinë e sakrificës më sublime, të flijimit e të vetëmohimit epik
me përmasat monumentale të eposit të kreshnikëve, ku i mundën katallanat dhe
bajlozat ardhur si lubi mbi tokat e shenjta të Shqipërisë Mëmë.
E si
vetëtimë lirie është vargu i poetit Dom Ndre Mjedja: LIRINË E KENI JU, NA HEKRA
KEMI. E vetëtimat shpërndaheshin mbi Detin Adriatik. Është një klithmë e
përgjakur e Shpirtit të Shqipërisë drejtuar Kontinentit të Lirisë, atje përtej
Oqeanit Atlantik: “NA PA EMËN KËRKUND, PA ATDHE, NA JEMI/ SHËRBËTORËT E
T’HUEJVE NËPËR VENDET TONA”.
KA
PERËNDI EDHE PËR SHQIPËRI, DHE FORCA NGADHËNJEHET NGA DREJTËSIA, EDHE KUR FATI
I POPUJVE TË VEGJËL KA DALUR NGA PORTAT E MËDHA, JA TË VDESIM E JA TË RROJMË,
ËSHTË E JONA SHQIPËRIA, linte TESTAMENTIN E TIJ SI NJË SHPIRT I MADH E VIGAN I
VET SHQIPËRISË MËMË, PLAKU I URTË E BURRI I FORTË I VLORËS TRIME, ISMAIL
QEMALI.
UNITETI I
IDEVE ËSHTË MË I FORTË SE UNITETI I SHTETEVE, shkruante Samiu i Frashëllinjve,
me një qartësi lapidare e gjithmonë: ME SHPIRT TË SHQIPËRISË, për hir të
ardhmërisë së saj e të shqiptarëve, në Programatikën e Tij Monumentale:
Shqipëria çka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet?
Fustanella
e Ilirisë Shqipëri.
O gjiri
ku pimë sisë…
Shqipëria
valle gjaku.
Si Vallja
e Osman Takës Shqipëria.
Shqipëri
e kuqe, Shqipëri e sertë, treqind kryengritje në katërqind vjet.
Sos për
mua e sos për ti, po për gjithë Shqipëri.
Sa herë
që Tomorr Tarabaoshi ngre kokën përpjetë, dhe sa herë që Rozafë Zhgabonja
fytyrën diellore e ngre qiellit përmbi retë, në mbrojtje të shenjtërisë së
shpërfillur e të nëpërkëmbur, për rrufepritës mëton t’i ketë vetë Adem
Jasharët, Burrat me Ballë Shqipërie - atje në lartësitë e saj të shenjta ku
ngjiten vetëm zërat e zemrave të saj, vargjet vargmal bashkë me epikën
kreshnike e me të bëmat e heronjve të vet legjendarë, ashtu siç porosiste
Naimi:
S’jemi
turq e as kaurë.
Mos e
thoni këtë kurrë.
S’jemi
grekër as bullgarë,
Jemi
vetëm shqipëtarë,
S’jemi
grekër as bullgarë,
Turq e
serbë nuke jemi,
Jemi
vetëm shqipëtarë,
Këtë emër
nder e kemi!
Historia
e Shqipërisë pra mund të shkruhet edhe me vargjet e me kryevargjet e poetëve të
saj. Mitrush Kuteli, një nga shkrimtarët e fatit tragjik në letrat shqipe, fat
ky që e shtynte të shkruante në një letër dërguar familjes nga burgu, se
letërsia është edhe një fushë ku gëlojnë gjarpërinjtë, kishte të drejtë kur
thoshte se edhe me mbishkrimet e përmbajtjeve poetike në gurët e varreve, mund
të shkruhet historia e shqiptarëve.
Poetët e
një kombi e parandiejnë dhe e parathonë të ardhmen e tij. Ata ngjajnë aq shumë
me orakujt e Dodonës. Dodona - një tempull i lashtë pellazgjik, në afërsi të
Janinës – qendër e Molosëve, e në faltoren e Dodonës, nëpërmjet fluturimit të
pëllumbave dhe fërshfërimes së gjetheve të një lisi të moçëm, orakujt
parashikonin fatet e njerëzve.
Tek ka
pirë ujë në gurrën e frymëzimeve epike të kombit të vet, Gjergj Fishta e ka
parandie fatin e atdheut dhe fatin e kombit të tij, në vjershën e tij
Shqipnisë:
T’falem,
Shqipni, ti i shpirtit tim dëshiri!
…
Këtu
trima lejnë gjithmonë, pse ti je nana
E armëve
n’za, që shndrisin durert e t’lumit,
Kah vdes
për ty i rreptë e trim si zana.
Eden
n’Ballkan ti je; ti prej t’Amshuemit
N’Ballkan
je shkrue Mbretneshë mbi fiset t’tana:
Hip
fronin, pra e sundo, Shqipni, m’t’liruemit.