E premte, 26.04.2024, 10:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Meri Lalaj: Ndarja

E premte, 01.03.2013, 09:04 PM


Ndarja

“Të rënda hekurat e burgut,

E rëndë balta e varrit,

Por më e rëndë se këto

Ndarja jonë…”

(Këngë poradecare)

Nga Meri Lalaj

E mbaj mend edhe qiellin edhe diellin e asaj dite. Bënte ngrohtë dhe isha e gëzuar sepse kisha blerë tek shitorja e mallrave me çmime të ulura, një fund kadife bojkafe me xhepa anash dhe një bluzë me katrore bezhë e kafe me mëngë të shkurtëra e me xhepa, tip këmishe sportive. E veshur kështu ngjasoja porsi gjimnaziste. Pas operacionit, më dhanë një punë më të mirë: sekretare-llogaritare e zonës. Shkruaja dhe llogarisja pagën e çdo punëtori, duke përfshirë këtu edhe normën për secilin. Në shkollë kam qenë tapë në matematikë, mirëpo falë kujtesës sime mësova përmendësh brenda muajit çdo llogaritje ditore për këdo punëtor, më ndihmonte shumë edhe makina llogaritëse, e cila punonte me një shirit të gjatë e të pafund letre.

Sekretari i partisë së minierës mbante edhe një funksion tjetër: shef zone. Vinte hera herës në kthinën e vogël si zyrë ku punoja vetëm unë e më lëshonte përmbi tryezë copëra letrash (të cilat ishin urdhëra pune), shkruar prej tij me laps të kuq. Gabimet drejtshkrimore arrinin deri në atë shkallë saqë fjala apo fjalia fillonin me gërmë të vogël e mu në mes të saj ia këpuste me gërmë të madhe. Për fat të mirë isha e zonja të lexoja çdo lloj shkrimi e gabimi.

Pra, atë ditë me diell kur ai hyri në të ashtuquajturën zyrën time, unë u ngrita vetvetiu më këmbë nga ndenjësja ku isha ulur, kurse ai u afrua dhe më më ngjeshi fort pas dërrasave të derës. Kafshova buzët me dhëmbë që të mos m`i puthte, e ai ma jargaviti fytyrën duke gulçuar e hungëritur dhe organi i tij mashkullor u plandos rëndshëm tek kofshët e mia. Nuk bëzajta. E shtyva tej me përbuzje. Tek dritareza e vockël ku merrja planet e punës së kryer prej brigadierëve, u duk koka e Hasanit. Të gjorin, e patën dënuar dhe internuar për shkak të poezive që shkruante. Shefi i zonës u largua duke i mbajtur hallatet me dorë. Ai nuk e pa Hasanin. Ndërsa Hasani më kuptoi fare mirë se në çfarë pozite isha vënë.

Sa çudi. Kur ishim të vogla bisedonim me një shoqen time për hollësira dhe patëm arritur në përfundim se komunistët janë njerëz krejt të pastër posi engjëjt nuk kanë fare organe të turpshme dhe nuk kryejnë kurrfarë nevojash fiziologjike. Kur u ktheva atë ditë pas pune në barakë lava fytyrën me ujë dhe sapun rrobash pesëmbëdhjetëlekësh, nga ai i Vlorës që përmbante shumë sodë kaustike. Vite më vonë më erdhi në vesh lajmi se këtij sekretarit i kish rënë dambllaja mu në halé duke u dhjerë.

Për një farë kohe pas asaj që ndodhi e ndieja hijen e shefit të zonës të më ndiqte pas me vështrimin e tij si prej qeni të uritur, që kërkon të të kafshojë, por nuk kisha fare frikë sepse që e vogël nuk jam trembur prej qenve dhe prej njerëzve të ligj dhe se në Ungjill sipas Mateut shkruhet: “Mos kini frikë nga asnjë njeri! Ajo që është ende e fshehur, duhet të dalë në dritë, dhe ajo që asnjeri akoma nuk e di, duhet të zbulohet… Mos kini frikë nga ata që e vrasin trupin, se nuk mund ta vrasin shpirtin.”

Por komunistët ta shqyekërkan shpirtin. Ndonëse nuk ishte e shkruar kurrkund nëpër mure parrulla: “Ndalohet dashuria!” as në qendrat e agjitacionit, as në zyrat e këshillave të lagjeve, të frontit a në zyrat e komiteteve të partisë dhe ekzekutivit, ajo parrullë gëlonte në mendjet e atyre njerëzve, të cilët drejtonin, përderisa të detyronin të mohoje babain a vëllain për arsye politike, të mohoje farefisin, miqtë e shokët, vetëm se më keqazi e pësonin zemrat e dashuruara: për shembull po të guxoje a të të shkrepte në kokë të bije në dashuri me një vajzë, që ishte e internuar familjarisht apo me një djalë të përjashtuar nga partia. Asokohe “Ndalohet dashuria!” sokëllinte e klithte ajri, qielli, toka shqiptare. Të të ndalonin të jepje e merrje dashuri ishte si të thuash një lloj shpikje torture si të të vinin për të të djegur në turrën e druve dhe ta mendosh se dashuria e vërtetë u bie në hise vetëm pak të lumturve të kësaj bote.

Pas ndodhisë me shefin, më erdhën në punë për kontroll të rreptë dy pleq të zyrave: shefi i planit, për të cilin nxirrja koston çdo muaj dhe shefi i llogarisë, ky i fundit një frikanjos i madh, nuk lanë dokument pa kontrolluar dhe nuk më gjetën asnjë gabim. Pse vallë, më kot paskësha punuar mësuese? Mendoj se mësuesia të jep një përvojë të tillë sa mund të përballësh të gjitha llojet e punërave të tjera. Patën kaluar gjashtë muaj e ia kisha marrë më së miri dorën punës së përllogaritjeve. Nuk kisha fare kohë të lirë gjatë tetëorarëshit dhe shefi kokëmadh i planit vazhdonte të ma hante dhe sfiliste shpirtin. E kuptoja, e prisja me ditë kur do të vinte fundi. Sigurisht pas plenumit të dhjetorit. Ky shefi u ngrit në mbledhje e tha se unë duhej të shkoja e të punoja sërish në minierë (mjekët më hoqën edhe raportin për punë të lehtë sepse ashtu urdhëroi shefi i kuadrit). Atëhere për ne të dy me Agronin u bë më se e qartë se na kish mbërritur e trokitur ora e ndarjes. Madje e dinim se çfarë do të ndodhte në ditët që do të vinin: Agroni do të përfundonte në burg, afërmendsh se ishin vonuar shumë për ta rrasur brenda. U vendos dhe më dërguan të numëroja vagonët, që dilnin me qymyrguri në turnin e tretë. Vajta disa net e nuk e përballova dot më. Po të vazhdoja do të vdisja. Pata qenë një bashkëshorte e mirë. Agroni ish gjithçka për mua. Nuk i pata dhënë atij vetëm dashurinë e femrës ndaj mashkullit, të gruas ndaj bashkëshortit, por përpiqesha t`i jepja edhe dashuritë e tjera të jetës të munguara: atë të nënës, babait, motrave, shokëve, miqve. Po të donte ai unë do të rrija e do të vdisja ditë pas dite për të. Pa Agronin jeta ime do të kish tjetër kuptim. E doja ashtu siç nuk do të doja kurrë njeri. Ta hajë dreqi nuk mund të ketë njësira matëse për dashurinë as metra as kilogramë e aq më pak dashuria nuk mund të matet e të vlerësohet me para. Dashurinë time po e matja me lotë. Vetëm qaja, e kënga vijon: “Se ne u ndamë me dëshpërim/ Me sy të mbushur me lotë…” Pastaj i thashë vetes: “Ndal. Bëhu e fortë!” Një llaf goje. Të bëhesh aq e fortë kur ke përballë shkëmbinj e detra dallgëshumë të cilët duhet t`i mposhtësh.

Kujtoj fare mirë çastet e fundit që kalova me Agronin: të dy u ulëm në gjunjë mbi dysheme përballë njëri tjetrit si të ishim duke u falur e më vinte të ngrija grushtet e t`i bija kokës, që ta ndieja dhimbjen më fort apo që ta pakësoja paksa atë që kisha brenda në thellësi të shpirtit. Të ndahesh do të thotë të vdesësh ditë për ditë e pak e nga pak. Agroni më pyeti me zë të ulët sa mezi e dëgjova:

-Po si do t`ia bësh?… Si do të jetosh?…- Nuk di si më erdhi e u përgjigja:

-Nuk e di… kushedi… ndoshta më vonë do të shkruaj libra… Do të bëhem shkrimtare…

Në ditët që jetova pa Agronin më kanë trishtuar së tepërmi ditët e ngrysura me shira të zgjatur kur nuk të sheh syri një copëz qielli, po gjithashtu edhe ditët e kaltërta gjithë shkëlqim dielli ma kanë lënduar shpirtin fort sepse nuk i kam jetuar. Më kanë ikur kot më kot nëpër të dielat e punës vullnetare, aksione e të tjera.

Të ndarë prej vitesh sikurse yjet ndarë prej tokës me vite drite largësi, e sa më larg të jenë këta yj aq më shumë kemi mall. Mallin e shton largësia. E ndodh që aty këtu më të rrallë ndonjë yll kuturis të rrokulliset drejtpërdrejt tokës për t`u shuar në gji të saj.

Të bëhesha e fortë kish kuptimin të harroja se isha femër, jo thjesht në pamje të jashtme pa asnjë lloj tualeti (që nuk lejohej në ato kohëra), por duhej të bëhesha burrë së brendshmi apo më mirë të ngurtësohesha, të bëhesha gur. Dhe zemrës i vura gurë të rëndë rreth e përqark. Ta pësonte vetëm zemra ime ndoshta ia vlente, veçse kish një vit që nëpër të gjithë Shqipërinë po ndërtoheshin bunkerë të betontë, një bunker për katër persona. Bunkerë e bunkerë të cilët do të na e merrnin frymën së gjalli. Bunkerë që do të na ndanin nga bota përfundimisht. E gjithë Shqipëria u bë burg.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora