E premte, 26.04.2024, 04:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Ford, djali i artë i Hollivudit

E merkure, 30.04.2008, 08:38 PM


Harrison Ford
"Indiana Jones", puna e fundit e Harrisonit dhe filmi që pritet të shënojë një rekord të ri fitimesh

Filmat, paratë, dashuritë e një prej miteve të gjalla të kinemasë

Është votuar si njeriu më seksi në botë dhe është i vetmi aktor që çdo dhjetëvjeçar pune i ka shtuar llogarisë së tij bankare plot 100 milionë dollarë vetëm nga filmat. Aktualisht ka përfunduar aventurën e fundit të "Indiana Jones", ndërkohë që vazhdon të shijojë jetën, fëmijët dhe marrëdhënien me aktoren Calista Flockhart

Të jesh në një dhomë me Harrison Ford nuk është e lehtë. Ai është një aktor luftarak, por një person jashtëzakonisht privat, të cilit nuk i pëlqen kur vëmendja dhe kurioziteti i të tjerëve drejtohen për nga jeta e tij personale. Kjo tërheqje është një nga pikat e forta të karizmës së tij ndër vite. Kur e sheh përballë aktorin më të famshëm të Hollivudit e ke të lehtë të besosh gjithë vlerësimet dhe superlativat, të cilat i janë bashkangjitur emrit të tij prej vitesh. Ai është vërtet një burrë i pashëm e që të përçon energji sapo i atakon sytë. Edhe pse fytyrën ia përshkojnë rrudha, që e bëjnë edhe më tërheqës nga trupi, nuk i jep më shumë se 35 vjeç moshë. Në pjesën më të madhe të filmave të tij ai është heroi pozitiv. Shpesh heroi i jetës së përditshme, i cili i ndodhur në momente të vështira apo edhe dramatike, nga njeri i thjeshtë shndërrohet në shpalosësh vlerash të rralla njerëzore, që sikur shfaqen papritmas nga hiçi. Një nga veçoritë e Ford është se ai kurrë nuk i ka bërë vetes reklamë, nuk i ka pëlqyer lustrat e tepërta. Thjesht ka punuar me zemër e me mend dhe kjo ka bërë që të jetë një ndër aktorët më të paguar të Hollivudit të të gjitha kohërave e njëherazi një person shumë i respektuar, edhe për sa i përket jetës së tij personale dhe integritetit moral. Në tërësi, filmat e tij i kanë futur në llogarinë bankare mbi 1 miliard dollarë dhe çdo dhjetëvjeçar ai ka marrë jo më pak se 100 milionë dollarë për punën e tij. Ja ku tani, pas një heshtjeje relativisht të gjatë në ekran, ai rishfaqet me heroin e tij të famshëm, por edhe shumë të preferuar, arkeologun e palodhur dhe guximtar Indiana Jones, rol që e katapultoi atë më së pari në listën e aktorëve më të rëndësishëm të Hollivudit. Kjo trilogji ka qenë një ndër prodhimet më të suksesshme kinematografike të të gjitha kohërave. Por si e ka përjetuar ai rimarrjen e rolit të preferuar pas një periudhe relativisht të gjatë nga filmi i fundit, pra pas 27 vitesh? Aktori, që mban mbi vete edhe votën si personi më seksi i planetit, sigurisht që i ndjen mbi supe të 65 vitet e moshës së tij, por në thelb e shpirtërisht mbetet i njëjti person, sikurse edhe personazhi i tij: këmbëngulës, punëtor, i tërhequr, idealist dhe shumë, shumë pasionant. Po a ndihet tani pas kaq kohësh disi më ndryshe? "Jo. Aspak. Rikthimi ishte shumë zbavitës, pasi bëhet fjalë për një personazh shumë interesant, me një imagjinatë e rrethana të jashtëzakonshme, që të bëjnë, veç të tjerash, të përjetosh një aventurë të rrallë, në të cilën përfshihen emocionet, por edhe sforcot fizike. Sikurse edhe unë, Indiana Jones nuk e pëlqen ankesën, apo fajësimin e të tjerëve. Ai thjesht bën punën e tij dhe mundohet që ta bëjë atë sa më mirë", rrëfen Ford. Sipas tij, xhirimet e filmit, i cili është i pasur me efekte speciale, janë bërë sipas shkollës së vjetër kinematografike dhe kjo e ka bërë aventurën më të prekshme dhe më reale, ndryshe nga filmat e tjerë, ku kompjuteri është futur në çdo sekuencë. Filmi, veç të tjerash, ka edhe skena ku personazhit kryesor i duhet që të performojë shumë edhe fizikisht. Për një gjë të tillë, Ford ka kryer shumë stërvitje dhe rezultati i tyre duket edhe sot e kësaj dite në trupin tepër të tonifikuar. Është i njëjti trup në fakt që jemi mësuar ta shohim edhe në filma të tjerë të rëndësishëm Ford, pas filmave të parë "Indiana Jones", "Patriot Game", "The fugitive", "Air Force One". Në këto filma spikat, përveç trupit, edhe një karakter i hekurt, ndërkohë që e bukura dhe e veçanta me Ford është se ai është njëherazi i mirë edhe në rolet komikë, por edhe në filmat horror. Ai është gjithmonë i ndryshëm dhe i përshtatshëm ndaj personazhit. Për sa i përket filmit të fundit, ai, veçse është një ndër filmat më të kushtueshëm, pritet të jetë edhe një sukses i madh dhe një vepër që do të shesë mjaft dhe do t‘u japë para të gjithëve. Por, për të marrë në dorë paratë të gjithëve u është dashur shumë punë. Një nga të veçantat e karrierës së Ford janë edhe aksidentet e vogla e të mëdha, me të cilat ai është përballur gjatë xhirimeve të filmave të ndryshëm. Ka marrë shumë plagë dhe të çara. Më e madhja i ndodhet në fytyrë. Edhe gjatë xhirimeve të fundit pati disa incidente me makinë, por pa ndonjë rëndësi të veçantë. Për sa i përket botës së brendshme të personazhit, Ford përpiqet që ta japë atë në shumë dimensione. Në rast se kemi të bëjmë me një hero lufte, apo një president të paepur etj., ata kanë edhe anët e tyre të brishta si çdo qenie njerëzore dhe kjo duhet të dalë herë pas here për ta bërë personazhin më të besueshëm dhe më të pranueshëm. "Më pëlqen shumë që të luaj role personazhesh normalë, por që transformohen e nxjerrin në pah vlerat e fshehura falë situatave të vështira. Më pëlqejnë njerëzit e zakonshëm, por me vlera të jashtëzakonshme, personat këmbëngulës, personat me përgjegjësi, ata që i kanë këmbët ngulur fort në tokë dhe besojnë tek e mira", thotë Ford. Një ndër tiparet që Ford pëlqen e vlerëson më shumë te njerëzit është këmbëngulja. Ai personalisht e ka me shumicë dhe e pohon këtë me shumë krenari. "Kam qenë shumë këmbëngulës për gjërat që i kam konsideruar me vlerë e të rëndësishme për t‘u arritur". Ford u rrit në një periferi të Çikagos dhe u largua nga ai vend së bashku me të shoqen e parë, kur ishte vetëm 22 vjeç, për t‘u zhvendosur në Hollivud. Sapo kishte fituar një kontratë të vogël në një film të parëndësishëm dhe ishte shumë i gëzuar. Ndërkohë, për të përballuar jetesën punonte edhe si marangoz. Martesën e tij të parë e bëri me Mary Marquardt, një vajzë të cilën e takoi në shkollën e mesme në vitin 1964. Patën dy fëmijë së bashku Ben, 40 vjeç aktualisht dhe Uillard, 37. Rolet e tij të para nuk ishin të rëndësishme, por nuk zgjatën shumë, pasi shpejt fati iu hap dhe për të nisi seria e roleve të heronjve. Për sa i përket jetës private, në shumë intervista që ai ka dhënë ka deklaruar se një nga keqardhjet më të mëdha që ka nga jeta është dështimi i martesës së parë. Por, këto deklarata janë bërë para se të dështonte për të edhe martesa e dytë. Ai është shprehur se ka pasur raste që ka vënë punën si aktor mbi familjen dhe kjo ka pasur pasojat e saj negative në lidhje. Për sa i përket gruas së parë, ajo nuk mendon se Ford ishte një bashkëshort i keq. Në një intervistë të fundit ka rrëfyer se si Ford vazhdon që ta ndihmojë financiarisht. "Harrison ishte një mik i mirë dhe për mua ishte një dashuri shumë e madhe. Gjatë ditëve të vështira më ka qëndruar pranë pa më kërkuar gjë dhe më ka ndihmuar shumë edhe pas ndarjes", ka thënë gruaja e parë e aktorit. Si një person që besonte shumë te martesa dhe familja, Ford ka vuajtur jashtëzakonisht shumë me falimentimin e dy martesave të tij të para. Gruan e dytë, shkrimtaren dhe skenaristen Melissa Mathison, ai e takoi kur po punonte për filmin "Apocalypse Now" në vitin 1979. Ata qëndruan të martuar për 17 vjet rresht dhe kanë një djalë Malkhol, 21 vjeç dhe një vajzë, Giorgia 17. Ishte një martesë shumë e bukur për sa kohë zgjati. Burrë e grua ndërtuan një shtëpi të këndshme për fëmijët e tyre dhe kaluan në të vite të lumtura, deri sa erdhi pashmangshmërisht divorci. Por në momentet më të vështira të jetës atë e ka ndihmuar shumë një hobi, të cilin nuk e ka ndarë kurrë: zdrukthëtaria. A ka ndonjë gjë të përbashkët mes këtij zanati dhe aktorit? "Mendoj se ka. Në të dyja rastet bëhet fjalë për gjetjen e një mënyre organizimi të mendimeve ndaj diçkaje. Pra, merr një copë dru pa jetë dhe e shndërron në një objekt të identifikueshëm, që ka një formë, një përmasë dhe gjithçka tjetër. Është e njëjta gjë edhe me rolin. Ti merr disa copa letrash pa jetë dhe të duhet me to të ndërtosh një njeri të gjallë me tipare, botë të brendshme e të jashtme. Procesi i "gdhendjes" është i njëjtë në të dyja rastet, ndaj shpesh kur luaja film gjatë pushimit më pëlqente që të merresha edhe me zdrukthëtari. Duhet të kesh një mendje të zhdërvjelltë, të organizuar dhe kreative në të dyja profesionet. Një pjesë e mirë e aktorëve e kanë, por ka të tjerë që nuk e kanë. Megjithatë, mendoj se të gjithë duhet të gjejmë mënyrat tona të të bërit të gjërave, por e rëndësishme është që pavarësisht mënyrës duhet në radhë të parë të dish se çfarë je duke bërë dhe përse duhet ta bësh. Për sa i përket aktorit, ai duhet të jetë i qartë që ndodhet aty, sepse është në shërbim të një ideje të cilën duhet t‘ua përçojë të tjerëve, sigurisht në mënyrën e tij origjinale", thotë Ford. Po a ka qenë për të ndonjëherë e pamundur që të gjejë rrugëdalje? A ka pasur ai gjatë karrierës bllokime në shpërfaqjen e profesionit të tij? "Jo. Për mua ka qenë gjithmonë e lehtë dhe zbavitëse. Megjithëse shpesh, sidomos në fillim të karrierës, nuk kam qenë një tip shumë i shoqëruar. Në njëfarë mënyre zgjodha si profesion aktrimin, pasi kjo më jepte mundësinë e lidhjes dhe komunikimit me njerëz, por pa qenë vetvetja, pra në njëfarë mënyre nuk e kisha të nevojshme të shfaqesha për atë që isha. Jam një tip shumë emocional dhe për të mbajtur ndjenjat përbrenda kam punuar shumë me veten dhe kam ushtruar një vetëdisiplinim të jashtëzakonshëm, i cili herë pas here edhe ka dështuar, por përgjithësisht ka funksionuar. Një nga fatet e jetës sime është se unë e dua punën time. E kam dashuruar aktrimin", thotë Ford. Një ndër frikërat e tij të mëdha është edhe fluturimi. I trembet, sepse i krijon idenë e humbjes e të shndërruarit në hiç. Kryen shumë pak udhëtime me avion, duke preferuar mjetet e tjera të transportit. Shpesh pushimet, apo kohën e lirë, i pëlqen që ta kalojë në një fermë në Uyomingun e largët, pasi e gjithë zona është e mbushur me një florë e faunë të jashtëzakonshme. Po me kë e kalon kohën në këtë vend të bukur i famshmi Ford? Kësaj pyetjeje mund t‘i japin përgjigje shumë persona, pasi prej shumë vitesh Ford shihet vetëm në shoqërinë e artistes së re e bukuroshe Calista Flockhart. Ata janë takuar së bashku në ceremoninë e Globit të Artë në vitin 2002. Kur e pa, ai nuk kishte parë asnjë seri të filmit "Ally McBeal", në të cilin Flochart është protagoniste. Pikërisht ky film e bëri vajzën simpatike shumë të famshme dhe të njohur nga të gjithë, përveç Harrison Fordit. Pëlqimi nga të dyja palët ishte i menjëhershëm, edhe pse ata të dy i ndan një diferencë prej 22 vitesh. Ka 6 vjet që janë bashkë, në ditë të mira e të këqija. Po a ishte e vështirë për Ford që të vendoste të ndryshonte jetë e të lidhej për një kohë të gjatë me një person? "Jo. Të eksplorosh marrëdhënie të reja është një gjë shumë interesante. Pas divorcit të dytë qëndrova larg lidhjeve afatgjata për shumë kohë dhe kur e takova Carlistan e ndjeva që kësaj periudhe i kishte ardhur fundi". Po nëse Ford do të kishte mundësinë e një pushteti të fshehtë, çfarë do t‘i kishte pëlqyer të bënte me të? "Do të më kishte pëlqyer që të bëhesha i padukshëm, të bëhesha njeriu që sheh gjithçka, por që askush nuk e sheh. Mendoj se ky është pushteti më i madh që mund të kesh". Kur Ford ndodhet në një marrëdhënie dashurie, cilin rol preferon të ketë, atë të personit që dashuron më fort, apo të atij që dashurohet më fort? "Nuk e di nëse funksionon gjithmonë kështu, pasi të gjithë synojnë një lloj barazie në marrëdhënie. Mendoj, gjithsesi, se ka vetëm një përgjigje dhe kjo përgjigje është që të jesh personi që dashuron më shumë. Kjo të jep potencialin e madh për të qenë i dashur. Disa njerëz përcaktohen nga aftësia që kanë për të ndjerë, ndërsa disa të tjerë nga aftësia që kanë për të bërë të tjerët të ndjejnë. Unë nuk bie lehtësisht në dashuri, por kur kjo ndodh me vullnet të Zotit atëherë dua që në marrëdhënie të ketë një ekuilibër mes të dhënit dhe të marrit të dashurisë", thotë Ford. Cilën nga karakteristikat e prindërve të tij ka trashëguar Ford? "Etikën e punës nga ana e babait tim, ndërsa nga ana e nënës, mungesën e sigurisë. Im atë është irlandez, ndërsa nëna hebrenje. E vetmja gjë që e mbajti familjen tonë të bashkuar ishte se të dy prindërit ishin demokratë, ndaj unë u rrita si i tillë". Një ndër shprehjet që më shumë i pëlqen ta përdorë Harrisoni është: "Përvoja që nuk të vret, të bën më të fortë". 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora