Kulturë
Dje Shkodra humbi Angjelinin
E shtune, 19.04.2008, 08:54 PM
Angjelin Nenshati, shuhet i pesti - Një nga pesë emrat e mëdhenj të fotografisë shkodrane, vdiq dje në moshën 79-vjeçare
Angjelin Nenshati
Nga Anila Dushi Sht, 19 Prill 2008
Dje ndërroi jetë fotografi i njohur shkodran, Angjelin Nenshati, përfaqësues i gjallë i trashëgimisë së mrekullueshme të këtij arti në qytetin verior. Vepra e fotografit 79-vjeçar qëndron përkrah mjeshtërve të fotografisë, Marubit, Picit, Jakovës e Raboshtës.
I kudondodhur, pasionant i madh për të fiksuar çdo moment të jetës së qytetit të Shkodrës, aktivitete e ngjarje të mëdha e të vogla. Një pjesë e mirë e punës së tij është dokumentuar dhe arkivuar në Fototekën Marubi, ndërsa ai kujtohet nga breza të tërë qytetarësh shkodranë si tepër aktiv deri vonëkur sëmundja e ndihmuar dhe nga mosha e vuri poshtë.
Figura e Angjelin Nenshatit kujtohet me respekt nga bashkëqytetarët, sepse ishte për ta i palodhuri, ndërsa fotografia e tij transmeton mirësi, dashuri, modestie pasion.
Në 50 vjet i lidhur me fotografinë, një jetë e tërë e përcjellë mes njerëzish, duke fiksuar gëzimet dhe vuajtjet, sepse ishte njohës i mirë i qytetit.Nuk u largua kurrë nga Shkodra, edhe pse aty ky zanat nuk e gëzoi materialisht asnjëherë, sepse mundi dhe talenti i tij nuk njihej si një vlerë individuale. Deri në vitin 1990, ai ka qenë i detyruar të dorëzojë gjithçka në arkat e shtetit, në Fototekën Marubi ku falë mjeshtërisë, negativët e tij zunë vend pranë emrave të mëdhenj të Marubëve, Picit, Jakovës dhe Rraboshtës. Dhe është më prodhimtari ndër të pesë të përmendurit.
Vetëm në Fototekën Marubi, me autorësinë e Angjelin Nenshatit, deri në vitin 1970,janë të arkivuara rreth 250 mijë negativë, shto sa e sa të tjera deri në vitin 1990. Mendohet që në fototekën familjare të jenë edhe afro 250 mijë negativë të pas viteve 90-të.
Nenshati vlerësohet për aftësinë për të krijuar fotografi me nivel të lartë profesional, estetik dhe artistik, për durimin për të parë dhe për të kërkuar të gjithë elementët e një fotogafie cilësore, çka e bën atë një artist që e kalon cakun e Shkodrës, edhe pse Shkodra mbetet një republikë më vete e fotografisë ku kanë jetuar dhe krijuar më të mirët fotografë, prandaj vlera e Nenshtatit e krahasuar me emrat e këtij rrethi nuk shuhet, por bie më shumë sy. Ai e ka gjurmuar jetën shoqërore deri në detaje, dhe ka meritën e madhe se është bërë e bëhet kështu jo vetëm një vëzhgues aktiv i saj, por edhe një kontribues në ruajtjen e përjetësimin e vlerave të historisë e kulturës së Shkodrës dhe të jetës familjare të qytetarëve.
Angjelin Nenshati u lind në Shkodër më 12 dhjetor 1929. Kreu shkollën e mesme të përgjithshme në gjimnazin “28 Nëntori” dhe nga viti 1948 deri në vitin 1957 ka punuar si mësues në shkollat e Pukës dhe të Shkodrës. Që në rini ka pasur pasion të madh për profesionin e fotografit dhe ishte 14 vjeç kur hyri në laboratorin-atelier të fotografit të njohur Raboshta. Në Pukë ka krijuar laboratorin e parë fotografik në vitin 1948. Deri më 1957, është marrë me fotografinë si amator, duke e vazhduar më vonë si profesionist. Me shtetëzimin e repartit të fotografisë, që nga viti 1958 e deri në vitin 1990 ka punuar fotograf profesionist dhe është shquar si i tillë, duke fiksuar ngjarjet më të rëndësishme të historisë së qytetit e më gjërë.