Kulturë
Vladimir Grillo: Çasti më i bukur “Partizani Beogradit’- “Flamurtari” 2-1
E shtune, 26.04.2008, 11:47 PM
Intervistë/ Vladimir Grillo: Adil Çarçani na lejoi të shkonim në Greqi dhe pse sportistëve ju gjetën rreth 2 mijë dollarë
Nga Albert Zholi
Është një nga komentatorët më të vjetër televizivë. Një jetë në ekran. Ai ka mbërthyer në pasqyrën e xhamtë miliona e miliona shikues.Me 38 vjet eksperiencë në ekranin e TVSH-së dhe Telesport-it ai është kthyer në një ikonë të gazetarisë televizive sportive. Me një zë karakteristik, profesionalizëm, njohje të thellë të sportit dhe problemeve shqiptare, ai ka punuar në dy kohët duke qendruar gjithnjë larg politikës dhe afër profesionit të tij. Ka realizuar mijëra orë komente ndeshjesh kombëtare dhe ndërkombëtare, për të gjitha sportet, duke arritur kulmin në transmetimin e ndeshjes nga Beogradi. Sot, ai punon me shumë sukses në organizmin e emisionit “Rubrika Sportive” në TVSH, me disa kolegë të tjerë, një emision i famshëm që është ndjekur që në kohën e monizmit dhe vazhdon të shihet me interes dhe sot. Ana tjetër e portretit të tij, është ajo e një miku të dashur, të shoqërueshëm dhe e një bashkëshorti të qetë, i dashuruar me familjen, i gatshëm të përgatisë mëngjesin për gruan dhe vajzën e tij dhe i ndjeshëm edhe ndaj maces së shtëpisë. Një burrë i qetë, që flet më zë të ulët, pa fyer njeri dhe i respektuar nga të gjithë. Tashmë të gjithë e njohin profilin e tij. Me një buzëqeshje të lehtë të mbirë në mollëza dhe buzë, ku të ngriturit e zërit prej tij do të përbëjë një ngjarje të pazakontë për të afërmit dhe miqtë, me përjashtim të transmetimeve sportive. I komunikueshëm, i durueshëm, ai e mori këtë rrugë jashtë dëshirës, pasi dëshira e tij e parë në ekran ka qenë një emision për kulturën, miku ynë i përbashkët. Nga të gjitha mbresat ai veçon transmetimin e ndeshjes Flamurtari-Partizani i Beogradit në Beograd, ku goli i artë i Sokol Kushtës e çoi Flamurtarin në turin tjetër të Kupës së Kampioneve të Europës. Është me origjinë nga bregdeti (nga Vunoi i Himarës), njeri i dashuruar me librin, por që tani, për shkak të detyrimeve të punës, këtë pasion e ka lënë disi pas dore.
Pasionant dhe serioz në profesionin e tij, Valdimir Grillo bën pjesë në plejadën e atyre intelektualëve të heshtur që punojnë çdo ditë me pasion për të dhënë maksimumin në punën e tyre.
-Ladi dhe jeta shkollore. Një rrugëtim ndoshta mes emocionesh të veçanta?
-Jeta shkollore është sigurisht më e veçanta. Unë kam mbaruar Institutin Histori-Filologji, dega gjuhë-letërsi në vitin 1969. Menjëherë në 3 janar të vitit 1970 kam filluar punë në RTSH.
-Çfarë do të veçonit nga jeta juaj shkollore që nga nga fillorja dhe deri në Universitet?
-Në përgjithësi kam qenë një nxënës sistematik, i dëgjueshëm, me nënën mësuese që më vëzhgonte në mënyrë të rregullt. Në shkollën tetëvjecare kam një ngjarje që e kujtoj me një ndjenjë ankthi: përpara shkollës, na hoqën shaminë e pionierit dhe na thyen notën në sjellje. Ashtu ishte atëherë. N.q.s bëje ndonjë gabim në shkollë, merrnin masa disiplinore përpara kolektivit të shkollës. Ngjarja ishte e thjeshtë. Na thanë se do të shkonim në eskursion në Dajt dhe do të flinim në kampin e pionierëve. Kemi qenë në klasë të shtatë. Në çastin e fundit ndyshoi drejtimi dhe eskursionin e bëmë në Petrelë, me kthim brenda ditës në shtëpi. Një grup shokësh menduam të flinim në Petrelë, në kala. Kështu u ndamë nga të tjerët. Mësuesi kujdestar, shumë i merakosur, përdori të gjitha mënyrat për të mos na lënë në kala
natën. Ne e kishim vendosur. Megjithatë profesori arriti të na nxjerrë. Për kokëfortësinë time për të mos dalë nga kalaja, mësuesi më futi një shpullë gati si grusht, (e para dhe e fundit në jetën time) dhe të nesërmen na hoqën shallin e pionierit para të gjithë shokëve dhe nota e sjelljes na u bë katër.
-Si u ndjeve në shtëpi atë darkë?
-Mbaj mend që më erdhi shumë keq për nënën, sepse duke qenë mësuese në atë shkollë e kishte shumë të vështirë. Unë përpara saj e pranova fajin, por babai nuk e mori vesh asnjëherë.
-Kur ke filluar në Televizionin Shqiptar si gazetar?
-Më 3 Janar 1970. Ishte një ditë e veçantë për mua. Më thirri në zyrë ish -drejtori i RTSH-së, në atë kohë Thanas Nano në zyrë. Ai kishte një prezencë të padiskutueshme në televizion. Ishte autoritar dhe kërkues. Nuk isha vetëm unë atë ditë që mora emërimin. Ka qenë dhe Ylli Pepo, Vullnet Musaraj, Agron Aranitasi e të tjerë. Na ndanë nëpër sektorë. Fillimisht, për disa muaj punova në sektorin e kulturës, ku televizioni transmetonte 3 ditë në javë
-Cili ka qenë emisioni i parë parë që ke realizuar?
-Po. Ishte emisioni parë dhe më i vështiri për momentin në të cilin fillova punë. Ka qenë një diskutim për krijimtarinë e shkrimtarit Fatos Arapi. Nuk jam shumë i sigurtë për titullin, por regjisor ka qenë Mevlan Shanaj. Jam kritikuar bashkë me Mevlanin, për faktin se në studio, në këtë emision morëm studentë, ku shumë vajza erdhën me funde të shkurtëra mbi gju. Të nesërmen u gjeta në siklet. Nuk mund të pranoheshin të tilla veshje atëherë. Quheshin shfaqje të huaja. Sot këto dukuri…(qesh).
-Si u ndjeve në çastin që dole në ekran për herë të parë?
- Në ekran, për të drejtuar një emision të veçantë të përgatitur nga unë kam dalë në rubrikën për sportin. Ky kalim nga kultura tek sporti, nuk u prit mirë nga shtëpia. Përpara se të filloja punë unë kisha qenë në kontakt me shtypin, ku shkruaja për kulturën, për kinematografinë, e sigurisht, dalja në ekran jashtë këtyre nuk u mirëprit. Por kjo ishte dhe dëshira ime edhe e detyruar. Dola me emocion, një gjë e panjohur. Një eksperiencë e re. E pata të vështirë, bëra gabime, por me këshillat e miqve dhe të shokëve arrita të kem suksese.
-Kur keni kaluar në drejtimin e Rubrikës Sportive në TVSH?
-Në Rubrikën Sportive kam kaluar në vitin 1971.Ndërkohë, bashkë me operatorin Astrit Omeri përgatisnim bënim edhe emisionin Sport-Kalitje-Shëndet, që trajtonte problemet e sportit dhe transmetohej ditën e mërkurë. Rubrika Sportive erdhi duke u rritur nga ana cilësore dhe arriti kulmin kur në vendin tonë morën një zhvillim të madh sportet e lojrave me dorë për meshkuj dhe femra. U propozua që Rubrika Sportive të transmetohej direkt në studion nr.1 dhe me përmasa më të mëdha dhe të merrte karakterin e një shfaqjeje shoë dhe me auditor. Duke pasur lidhje shumë të rregullta me grupin e Estradës së Vlorës që na ndihmoi shumë, suksesi u arrit. Ky ka qenë një kulm i Rubrikës që filloi të shoqërohej dhe me humor. Kjo vazhdoi për disa kohë, por një ditë m’u komunikua që nuk do ta drejtoja më Rubrikën Sportive. Ditën dhe vitin nuk e mbaj mend. Nuk më thanë arsyen e vërtetë. Por diçka të tillë sikur isha disi i ftohtë në komunikim. Ndjeva një zhgënjim, sepse gjithë ajo punë e bërë në bashkëpunim me regjisorët Albert Minga dhe Osman Mula për vite me radhë, u hodh poshtë pa të keq. Vallë pas kaq e kaq vitesh u pa se isha i ftohtë në komunikim ?!
Ndonjë çast në jetën tuaj që ju jeni ndjerë mirë që drejtonit Rubrikën Sportive?
-Do të veçoj njërin. Isha me regjisorin Albert Minga dhe vajtëm një herë në klinikën e udhëheqjes për të parë një mikun tonë. Ishte dashamirës i sportit dhe sekretar i parë në Korçë për sportin Enver Halili. Ishte njeri që e përkrahte shumë sportin dhe kulturën. U befasuam se aty gjetëm edhe drejtorin tonë, edhe drejtuesin e zyrës së shtypit të Komitetit Qendror, Miti Tona. Enver Halili u shpreh se Rubrika Sportive po ndiqej shumë dhe po konkurronte “Dinastinë”. Dinastia ishte një film serial që atëherë ndiqej shumë. Këtë e përçoi edhe Miti Tona. Pra, nga njëra anë një Rubrikë tejet e ndjekur, nga ana tjetër një zhgënjim i madh kur m’u komunikua pushimi. Ndenja disa vjet pa dalë fare në ekran, rreth 4 vjet. Më vonë, drejtori i Përgjithshëm, Marash Hajati, më tha se do të vazhdosh përsëri drejtimin e këtij emisioni.
-Si ka ecur nëpër vite rruga juaj në ekranin e TVSH-së?
- Jo vetëm suksese. Jo vetëm lavdërime. Më janë bërë edhe vërejtje që i kam kaluar me shumë qetësi, pasi një pjesë e këtyre vërejtjeve ishin që të përmirësoja punën time. Unë kisha një kënaqësi të madhe që në ekran të dilte sa më shumë sport. Duke ditur dëshirën e shqiptarëve për sportin dëshiroja që sa më shumë shumë aktivitete ndërkombëtare të futeshin në ekran. Kjo përpjekje e mirë u shoqërua edhe me urime. Më pëlqente t’ju jepja shumë dashamirësve të sportit, ishte diçka që ata e kërkonin. Ishin të etur. Se atëherë nuk ishte e lehtë. Që të transmetohej një ndeshje ndërkombëtare duhej të merrje pëlqimin nga Zyra e Shtypit në Komitetin Qëndror. Kurse për evenimente mund të veçojë vajtjen time të parë jashtë në një kampionat ballkanik në Turqi, ku xhirova vetë me kamera. Nuk harroj Kampionatin e Peshëngritjes në Athinë, ku në atë vit (1989) ishte edhe europiani edhe botërori. Delegacioni shqiptar u nis shumë i përgatitur për në botëror dhe kemi ndenjur afro 24 orë në Kakavijë sepse u dha sinjali që sportistët kishin dollarë me vete për ndonjë blerje të vogël. Një peshëngritës hodhi pa dashje në lulishte një kaçavidë, ky veprim u pa nga roja dhe u bë një rishikim i autobuzit dhe u gjetën rreth 2 mijë dollarë. Nuk lejohej që valuta të nxirrej jashtë. Për të gjithë delegacionin. Ishte gati të ktheheshim, vetëm një ndërhyrje e fundit e Adil Çarçanit (atëherë Kryeministër) bëri që rruga të hapej. Lekët u morën dhe nuk ua kthyen më sportistëve. Por Kampionati Botëror na buzëqeshi megjithëse nuk ishim mirë nga ana shpirtërore. Ekipi ynë mori tre medalje. Kthimi pastaj ka qenë skandaloz, pjesë-pjesë. Të fundit ishim pesë vetë që u kthyem me autobus nga Athina në Janinë. Ishim Pirro Dhima, Koço Mikerezi, Niko Buneci dhe një peshëngritës nga Shkodra. Nga Janina në Kakavijë erdhëm me taksi. Pastaj autobuzi I “Luftëtarit”, na çoi nga Kakavija në Gjirokastër. Kryetari i Komitetit të Gjirokastrës na dha një “Zuk” të Ndërmarjes së Ndërtimit me të cilin erdhëm në Tiranë. Kjo ka qenë në vitin 1989.
- Cila ka qenë dita më e vështirë në transmetim?
-Minutat me gjendje emocionale më të fuqishme, i kam përjetuar në transmetimin në Beograd. Sa e bukur, po aq dhe me përgjegjësi. Në një ndeshje ndërkombëtare në vitin 1987, kur ka luajtur Flamurtari në futboll me ekipin e “Partizanit”, të Beogradit. U vendos që Televizioni Shqiptar të transmentonte ndeshjen. Masat u morën në mënyrë perfekte dhe delegacioni shqiptar u prit mjaft mirë. Kur filloi transmetimi njoftohemi se zëri nuk shkonte në studio. Po të shikojmë në arkiv, 15 minutat e para janë transmetuar nga studioja në Tiranë. Pastaj çdo gjë u zgjidh si me magji. Nuk e kuptova se si u rregullua kjo, por di që një ushtarak i klubit “Partizani” doli nga tribuna, bërtiti dhe mbas 2-3 minutash transmetimi u bë normal. Para ndeshjes pata një incident të vogël me sulmuesin Sokol Kushta. Ai doli me mua dhe një shokun tim në Beograd për të blerë diçka. Ne e kishim mendjen tek ndeshja Kushta, tek të blerët. I fola për këtë. Atij i ngeli hatri. Kur mbaroi ndeshja, unë isha duke shkuar në Konferencën e Shtypit dhe Sokoli duke dalë nga dushi më tha: Golin e kam bërë për ty! Në çastin e golit të them të vërtetën kam lotuar: kjo u dallua edhe në dridhjen e zërit që pësoi zëri im. Ishte një ndeshje e madhe e një vendi të vogël. Ishte një çast magjik i papërsëritshëm. Nuk e di se si i përjetova ato çaste. Më dukej sikur isha në ajër. Sikur fluturoja. Për një çast shtanga. Nuk fola. U meka. Pështyma m’u tha në gojë. Rrahjet e zemrës m’u shpeshtuan. Pastaj shpërtheva...Goooool... ! Lotët më zbrisnin nëpër fytyrë dhe më njomën buzët. Ndeshja përfundoi 2-1, për jugosllavët, por ne u kualifikuam pasi kishim fituar në Shqipëri 2-0. Partizani Beogradit ishte një ekip i madh në atë kohë. Ky ishte gol kualifikues. Pak më vonë ndjeva një emocion të dytë kur më ka thënë një gazetar nga Kosova që transmetonte për Prishtinën në Radio më tha se komentatori jugosllav ishte shprehur që, Kushta e dërgoi topin atje ku bën merimanga folenë (në mënyrë figurative) ?!. Unë e takova atë dhe e falënderova. Ai e mirëpriti me dashamirësi komplimentin. Sporti i bashkon njerëzit. Dhe kuptohet ajo darkë ka qenë e paharrueshme. Ishim në delir.
- Si e kujton çastin e kthimit në Shqipëri?
-Çasti i kthimit ka qenë ndryshe. Në fermën e Shtoit dhe në Shkodër ishin shtruar dy dreka të mëdha, por në doganën e Hotit u bë një reprazalje. Një vit përpara me barazimin 0-0, në Barcelonë, Flamurtari u eliminua, pasi Barcelona bëri gol në portën vlonjate. Në aeroport nuk u bë asnjë kontrroll. Krejt ndryshe me Hanin e Hotit. Flamurtari u kualifikua. Në doganë u bë një kontroll i imtësishëm, me orë të tëra dhe kjo kjo krijoi gjendje jo të mirë tek lojtarët, deri në tension. Pra u zbeh magjia e fitores.
-Kur ka qenë eksperienca më e bukur si komentator?
Në lojërat Olimpike në vitin 2000 në Australi. Ka qenë një tjetër eksperiencë e një lloji tjetër po me TVSH-në. Aplikova nga komitetin olimpik ndërkombëtar dhe m’u akordua një bursë që u jepej gazetarëve të vendeve të vogla, si gazetar pasi kamera nuk lejohej. Si unë (mbaj mend) pati edhe gazetarë nga vende të tjerë që u lejohej vetëm të shkruanin ose të jepnin informacion nëpërmjet radios ose internetit, por pa xhirime. Ishte një ëndërr për çdo gazetar që të merrte pjesë në Lojërat Olimpike që organizohen një herë në katër vjet, sepse të jepej mundësia të takojë më të mirët, të hyjë në mjedisët sportive, në konferencat e shtypit. Këtë punë unë pastaj e relatova dhe e transmetova nëpër gazeta, radio, natyrisht edhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
-38 vjet në ekran, kur e shikon këtë rrugëtim çfarë ndjen brenda vetvetes?
-Unë mendoj se deri diku kam arritur një nga synimet e mia. Pra atë të informimit sa më të madh (në të gjitha sportet), të publikut që ka qenë dhe është i etur për sportin. Sporti i bashkon njerëzit. U heq stresin. Ju largon vëmendjen nga shqetësimet e ditës. Sporti është shumë dimensional. Ka një magji të vërtetë. Magjia e tij i kalon disa herë parashikimet. Me kalimin e viteve ne e rritëm gamën e informacionit dhe sikur gjetëm një transe të vërtetë lidhjeje të përhershme me publikun. Ata mendonin për ne, ne mendonim si të plotësonim shijet e tyre. Rubrika sportive arriti një kulm. Mendoj se kam bërë diçka në këtë histori të madhe që ka Televizioni Shqiptar, përsa i përket sportit. Mendimet pozitive u shtuan. Ndjeja shumë kënaqësi. Por të jemi dhe të sinqertë. Asnjëherë drejtuesi i një emsioni kaq të rëndësishëm nuk mund të thotë që ka bërë
gjithçka. Nuk mund të thotë që ka bërë maksimalen, më të mirën. Jo !. Asnjëherë. Por e qetësoj ndërgjegjen pasi jam përpjekur me të gjitha mundësitë të jap më të bukurën. Më të pranueshmen, shpesh edhe mes debatit e tensionit.
-A është marrë ndonjëherë me politikë Ladi?
-Jo, asnjëherë!
-Pse?
-Nuk e pëlqeja. Edhe të afërmit e mi nuk më nxisnin. Rrethi im familjar është marrë shumë me letërsi, gazetari dhe me histori. Babai nuk ka pasur ndonjë eksperiencë shumë të mirë përsa i përket jetës politike ndaj nuk dëshironte. nuk më nxiste. Edhe kur vëllai shprehej ndonjëherë për të hyrë në parti, ai nuk ishte dakort. Nuk i pëlqente politika. Dhe unë u bëra indiferent ndaj saj.
-Çfarë i mungon politikës së sotme shqiptare?
- I mungon sinqeriteti.
-Sa është i lidhur me shtypin e përditëshëm dhe me librin Ladi?
-Me librin kam qenë shumë i lidhur, njëkohësisht dhe me jetën artistike e kulturore. Më përpara nuk i jam ndarë dhe tavolinës për të shkruar. Përgjithësisht kam shkruar artikuj kritikë. Më vonë mobilizimi në sektorin e sportit në TV më largoi nga libri, por nuk do të thotë që nuk lexoj. Shtypin e ndjek rregullisht.
-Si është një ditë e zakonshme e Ladit?
-Në mëngjes zgjohem shumë shpejt, bëj gati çdo gjë, merrem me pregatitjen e mëngjesit të pjesëtarëve të tjerë të familjes, merrem me macen. Eshte pjestare e familjes dhe ka pozicionin e vet në shtëpi. Ndjek rregullisht shtypin e ditës në ekran. Vajtjen në punë e bëj gjithmonë me këmbë përveç ditëve me shi që marr autobusin. Me miqtë takohem çdo ditë, veçanërisht të dielën tek lokali “basket” i Muhamet Përmetit.
-Sa kafe pi në ditë Ladi?
-Rrallë, një makiato sepse nuk e preferoj.
-Ushqimi i preferuar?
-Ushqimi i preferuar është guzhina vegjetariane dhe prodhimet e detit.
-Po nga pijet kë pëlqeni?
-Verën e kuqe.
-E pëlqen detin Ladi?
-E pëlqej shumë, duke qenë se jam nga bregdeti nuk mund të jetë ndryshe. Tjetër është se ne në anët tona kemi një gji nga më të bukurit në botë. Eshtë Jali i mrekullueshëm. Kam shkuar që i vogël aty. Aty kam kapur peshkun e parë. Pikërisht në një pjesë të gjirit të Jalit, aty ku nisesh për të shkuar për në Himarë. Provova peshkimin sepse e dashuroja së largu. Aty kapa një kocë të vogël. Atëherë mësova se koca është peshk që vjen menjëherë në grep.
-Ç’është familja për Ladin?
-Familja është e shenjtë. Përpiqem ta ndihmoj shumë sidomos Violën, bashkëshorten. Jam i lumtur që goca, Dena ka ecur në rrugën tonë të shkollës, pra të arsimit. Ajo ka prirje për letërsi, pra ka vazhduar rrugën e gjyshit të vet dhe të xhaxhait. Ka botuar edhe disa libra. Punon në Komitetin Olimpik në Sektorin e Jashtëm është zëdhënëse e shtypit, por është e prirur edhe nga mësimdhënia. Ajo jep mësim në Universitetin Marlin Barleti. Nuk më shkonte mendja që do të punonte në Komitetin Olimpik, afër sportit. Madje edhe të fejuarin Kolin e ka sportist. Familja e ngrohtë të lumturon.
-Idhulli juaj në ekran?
-Kjo pyetje më bën të kem sërishmi një kthim mbrapa në kohë. Dhe kjo ka lidhje sërishmi me bregdetin. Kur fillova punën, unë gjeta në TVSH, një figurë të njohur të ekranit nga Dhërmiu. Ky ishte një nga ikonat e lajmeve Kiço Fotjadhi dhe e kisha si mbështetje. Gjithashtu një tjetër figurë interesante mbetet Dhimitër Gjoka që është edhe ky himarjot. Më ka pëlqyer shumë për kulturën dhe zërin e tij të plotë e shumë interesant Virgjil Kule. Por edhe Tefta Radi si dhe Leda që drejton tani Rubrikën Sportive.
-Cilët kanë qenë bashkëpunëtorët më të afërt tuajt në gjithë këtë karrierë?
-Ka qenë operatori Astrit Omeri, me të cilin kam punuar shumë e shumë vite, me kamerën e tij. Astriti ka qenë alpinist dhe i dashuruar me lëvizjen. Ai ka pasur një motor, me të kemi bredhur të gjithë Shqipërinë nga jugu në veri. Njëkohësisht dua të përmend Gëzim Qinamin, Shakohoxhën, Ahmet Shqarrin, Besnik Dizdarin, Frederik Ficon, Dëfrim Methasanin, Lirim Zallën, Artur Himçin, operatorët, Naum Lasku, Bujar Kore etj. Me Besnikun kemi dhe një moment tjetër të rëndësishëm. Duke shfrytëzuar rrugën që kishim për në Zvicër për një kongres kemi qendruar 8 orë në Beograd. E shfrytëzuam këtë moment dhe vajtëm në Klubin Partizani në Beograd. Kishim ato lidhjet e vjetëra sporive mbi 30-vjeçare. Na bënë një pritje shumë të mirë. Për t’u marrë shembull organizimi i atij klubi që nuk ekziston fare tek ne. Bashkëpunim shumë i frytshëm ka qenë dhe puna me Ahmet Shqarrin, shok i Univeristetit, i njohur me emisionin e tij “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. Në përgjithësi mbaj lidhje të mira me gazetarët Besnik Dizdari, Bashkim Tufa, Petraq Shtrepi, Fatmir Mneri.
-Ju për një farë kohe u zhvendosët tek Tele-Sport.
- Po ashtu është. Një zhvillim shumë interesant në ekranet televizive shqiptare. Eshtë meritë e Muhamet Malos, ish- sportist, mundës kampion. Prej vitesh e kishte ëndërr një kanal televiziv sportiv dhe e ngriti. Për mua ishte një eksperiencë shumë pozitive, aq më tepër që lidhet me pasionin tim për transmetimin e veprimtarive kombëtare e ndërkombëtare, nga të gjitha sportet që janë në qendër të punës në Telesport. Sigurisht, pa harruar informacionin e bollshëm sportiv. Plus që është një stacion televiziv larg politikës.
-Keni ndonjë peng në gazetarinë e ekranit?
-Jo, peng nuk kam. Veç asaj që më pushuan në fillim kur ndejta pa dalë në ekran për katër vjet. Por ajo është diçka normale në jetën e një gazetari, pasi jo çdo gjë shkon si në vaj. I gëzohem faktit që kam miq të shumtë në të gjithë Shqipërinë, me të cilët ndaj çaste gazmore sa herë që i takoj.