E shtune, 27.04.2024, 10:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Historia e vërtetë e Britney Spears

E diele, 27.04.2008, 04:52 PM


Britney Spears
Shkëlqimi dhe rënia në Ferr e yllit të muzikës

Kapitulli I

Nëqoftëse ka një gjë tashmë të qartë pas rënies së Britney, është se ajo nuk do të ketë të bëjë më aspak me njeriun që bota mendonte se ishte. Britney nuk është një vajzë e mirë 26-vjeçare. Nuk është e fejuara e Amerikës. Ajo është përbindëshi ynë i kënetave, një qënie që tymos si dreqi, që nuk bën manikyr dhe që u ulëret gazetarëve: "Gëlltite, thithe, lëpije dhe pirdhu!". Sikur Britney të kishte qenë vërtet siç besonim se ishte, një marionetë, një bjondinë e qeshur pa mendime të shkëlqyera në kokë, atëhere asgjë nga e gjitha kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë. Dakord, nuk do të kishte sigurisht një kulturë akademike, por është inteligjente aq sa duhet për të kuptuar se çfarë do bota prej saj: Domethënë që virgjëresha të zhvishej përpara syve të saj, me kënaqësinë tonë ekstreme. Britney nuk turpërohet për personazhin e ri: Ajo do të dijë se çfarë i kemi bërë.

Shprehja në fytyrën e saj kur egërsohet me paparacët (pa harruar që po del me njërin prej tyre, Adnan Ghalib) shpesh ngjall një eksitim të pastër. "Në vite të gjithë e kanë manipuluar", pohon një mik i ngushtë. "Kur ndodhte që të mos donte të dilte nga dhoma, dikush nga shtëpia diskografike vinte tek unë dhe më thoshte: "Ju lutem, flisni me të, sigurohu se do të dalë në skenë dhe ne të çojmë të bëni shpenzime të çmendura". Tani ka ardhur radha e saj të luajë". Sot Britney është e vetme: Nuk ka asnjë menaxher, asnjë agjent apo një zëdhënës shtypi. Nuk ka një stilist, një konsulent imazhi, një shofer apo dikë që të kontrollojë krizat e saj. Është larguar edhe nga familja: Vëllai i saj, babai i saj, motra e saj Jamie Lynn dhe sidomos Lynne, e jëma. Janarin e kaluar i është ndaluar që të shikojë fëmijët dhe akoma nuk dihet me saktësi se kur do t'i ketë sërish. Për momentin, Federline përfiton 20000 dollarë në muaj dhe uron të paktën t'ia dalë që të sigurojë një besim të ndarë.

Në çështjen ligjore të saj, ashtu si në jetën e saj, Britney ka arritur që të humbasë njerëzit që tentonin ta ndihmonin: Laura Wasser, divorcistja e parë e saj dhe ekipi ligjor i studios "Trope & Trope", që në një moment të caktuar kanë kërkuar që të rimarrë mandatin. "Mund të vazhdosh t'i thuash Britney gjithë ditën se duhet t'u përmbahet urdhërave të gjykatës nëqoftëse do t'i ketë sërish fëmijët dhe ajo është aty që dëgjon, e kthjellët dhe racionale", shpjegon një avokat. "Por pastaj duket sikur shkëputet mendërisht dhe fillon të të pyesë: "Pse ky qelbësirë ka nevojë për deponimin tim që të më lejojë të kujdesem për fëmijët e mi?". Ekonomia multimiliardere e mediave të reja beson shumë tek Britney. Agjencitë e paparacëve vlerësojnë se ka zënë deri në 20 përqind të hapësirës në mjetet e tyre të komunikimit vitin e kaluar. Por nuk janë vetëm gazetarët e nivelit më të ulët ata që e ndjekin këmba këmbës: Tek Associated Press kanë filluar tashmë të shkruajnë nekrologjinë e saj. "Spears është Presidenti Bushi jonë", thotë Harvey Levin, themelues i uebsajtit TMZ. Të kërkosh të sigurosh një intervistë me Britney është çmenduri e pastër: Një mik i një miku më organizon një takim me një tip që do të më prezantojë me të, por gjëja duhet të ndodhë tani, sa të hapësh e të mbyllësh sytë. Tipi të sqaron se praktikisht ka një kontratë me Rolling Stone dhe bën të ditur se edhe ai do ta donte një pjesë të çarave. I them mikut tim që ta organizojë takimin. Një orë më vonë, një djalosh simpatik danez me emrin Claus ndalon me makinë në një rrugë të Beverly Hills. Ka qenë Claus ai që ka organizuar festën e fundit të ditëlindjes së Spears. Ka qenë Claus janarin e kaluar ai që ka hapur në orën 2 mëngjesit "Kitson", butikun e të famshëmve (dhe në këtë rast, kemi patur një pamje tjetër shokuese të Spears, e ardhur në vend me çorape rrjetë pa geta, me të brendshmet e bardha dukshëm të njollosura me gjak menstruale). Claus del nga një Porsche blu me një T-shirt me shkrimin "Fuck Rehab!". Rrëmbej laptopmbajtësin tim. "Kjo është kontrata?", më pyet duke më treguar rojen. Afrohet dhe më thotë: "Për intervistën ofron 2 milion dollarë?". Natyrisht, që nuk e kam një lek për t'i ofruar. Por i përmbahem lojës. Më thotë të futem në makinë. "ja kontrata ime për ju prej 1 milion dollarësh, por është gjithçka mes miqsh". Përshkon me gjithë shpejtësinë rrugë plot kthesa dhe më thotë: "E dini se sipas të gjitha gjasave shtypi ka nxjerrë 12 milion dollarë duke shfrytëzuar fotot e bëra Britney gjatë festave të mia dhe unë çfarë kam fituar? Të paktën dikush mund të më rimbursonte tortën e ditëlindjes".

Kapitulli II

Qysh e vogël, Britney është futur në konkurset e bukurisë nga e jëma, Lynne Spears. Kjo e fundit është rritur në Kentwood, një qytezë e vogël prej 2200 vetësh, sëbashku me Jamie, babain e Britney, një ngatharaq që argëtohej duke bërë zhurmë me motor dhe që e ka divorcuar gruan e parë dy javë përpara se të rimartohej. Nëna e Jamie vrau veten kur ai ishte 14 vjeç. Në kohërat kur Britney ishte vetëm një fëmijë, Kentwood, i vendosur vetëm një orë larg nga New Orleans dhe kryeqytet i industrisë qumështore të Jugut të Shteteve të Bashkuara, po përjetonte një periudhë krizë të thellë ekonomike. Lynne punonte si mësuese shkolle dhe Jamie bënte sipërmarrësin e ndërtimit (ishte përgjegjës i disa projekteve në Memphis, disa orë me makinë larg nga atje).

Zakonisht, Jamie kthehej në shtëpi vetëm gjatë fundjavave dhe pinte shumë. Kështu Lynne filloi t'i fiksohej sesi të shfrytëzonte talentin e së bijës: Në moshën 3 vjeçare, Britney frekuentonte mësime kantoje, dansi dhe, më mbushjen e 6-vjeçëve, kishte fituar tashmë titullin e Miss Talent Central States. Në moshën 8-vjeçare bëri një ditë rrugë me makinë me të jëmën për të dhënë një provim në Atlanta për Mickey Mouse Club. Ishte shumë e re për programin, por pati efekt ndaj drejtorit të projektit, i cili ia rekomandoi një agjenti në New York. Biznesi i Jamie pësoi një rënie dhe kështu të dy prindërit morën vendimin që ta luanin fatin e tyre duke e dërguar Britney në Manhattan. Britney e Lynne udhëtonin midis New York e Kentwood dhe ndërkohë vogëlushja xhironte spote publicitare, siguronte pjesën si protagoniste në një komedi të Broadway, të titulluar "Ruthless", dhe shfaqej në televizion në programin "Star Search". Familja u shtrëngua të deklaroje falimentim përpara se vajza gjeni të arrinte të realizonte ëndrrën e saj. Në fakt, në moshën 12-vjeçare, sëbashku me Christina Aguilera dhe Justin Timberlake, siguroi një rol në The New Mickey Mouse Club. Ndërkohë, teksa shpërthenin grupe si Backstreet Boys e Spice Girls, Britney u dërgua nga Larry Rudolph (një avokat i botës së spektaklit i transformuar në menaxher) në Suedi, për të regjistruar disa pjesë me Max Martin, një mjeshtër të muzikës pop, i cili kish shkruar tashmë për të këngën e ardhshme "Baby One More Time".

Në janar të vitit 1999, bëri prezantimin e saj në skenat kombëtare me videon e këngës e veshur si nxënëse shkolle katolike me një fjongo të kuqe në kokë. Goditja gjeniale që qe zgjedhja e një ballade sentimentale për këngën e mëpasme, e shoqëruar nga një video në të cilën ajo vallëzonte me një veshje të bardhë mbi një platformë (Sometimes). Duke u propozuar fillimisht si tërheqëse e dëmshme dhe më pas duke u kthyer në një vajzë të pafajshme, Britney i lejoi botës që të lëshonte një psherëtimë lehtësimi, duke na bërë të besonim se qëndrimi i saj prej tunduesje ishte vetëm një fiksion. Dhe këngëtarja zgjodhi që të qëndrojë në lojë. Me kalimin e viteve, Lynne mbajti një rol të vogël në menaxhimin e së bijës dhe në vijim u zhduk nga jeta e Britney, një çamarroke e interesuar më shumë për skuterin e saj sesa për t'u bërë yll. Jamie u mbajt larg. "Prania e të jatit përreth e turbullonte Britney", tregon një mik. "Një mbrëmje, Jamie u paraqit në prapaskenë dhe ishte krejtësisht i dehur. Ajo u shkatërrua". Spears u tregonte miqve për keqtrajtimet psikologjike të cilave u ishte nënshtruar dhe në vitin 2006 shkroi një poezi kushtuar "mëkateve të babait": "Ndjenja e fajit me të cilën më ke ushqyer / më ka bërë të dobët / voodoo-ja që ke praktikuar / nuk më ka lejuar të flas".

Kapitulli III

Goditja e parë e madhe e dhënë imazhit të vajzës së përsosur ndodhi kur vuri protezat në gji. Një burim tregon se qenë Lynne dhe një person tjetër ato që e morën këtë vendim për Britney, pasi mendonin se kultura e atij momenti e kërkonte, megjithatë shtypi u lëshua egërsisht kundër saj (që gjithmonë e ka mohuar se e ka prekur gjirin). "Kur lexoi gazetat, shpërtheu në një të qarë të papërmbajtshme, duke pyetur se përse vallë të gjithë qenë kaq mizorë", tregon një mik. Shpejt, Britney u pendua që kishte prekur gjirin, sidomos sepse po i zhvilloheshin akoma dhe, kur natyralët u bënë më të mëdhenj, vendosi që t'i hiqte protezat. Pavarësisht se kishte një imazh të papërlyer, gjërat në prapaskenë filluan të ndryshojnë. "Britney rrethohej nga gjithë ata afaristë të pështirë që lejonin personazhe të ndyrë që t'i qëndronin përreth, njerëz që i ofronin të pinte dhe e drogonin, dhe ajo mendonte se ishte e gëzueshme".

Për të shpëtuar Britneyn erdhi Justin Timberlake, me të cilin filloi të dilte rreth vitit 1999. "Justin e kishte aq mirë kokën në vend, saqë arriti ta largojë nga ajo botë", thotë një mik. Edhe njëherë akoma, menaxheri i saj e udhëzoi sesi të sillej: Marrëdhënia duhej të mbetej sekrete dhe do të duhej t'u thonin të gjithëve se kishin në program të mos bënin seks deri në martesë. Me albumin e tretë, Britney-t iu lejua që të ndryshojë pak imazhin e saj. Kishte ardhur momenti të hynte në fazën "jo më vajzë, jo akoma grua". Në prapaskenë, të gjithë balerinët dhe stilistët gei e përfshinin në diskutime idiote dhe një ditë Britney përfundoi duke thirrur: "Oh Zot, edhe unë dua të bëj seks kur të rritem!". Bashkëpunëtori kryesor i saj në nivel krijues gjatë turit, koerografi Wade Robson, ra dakord me të se kishte ardhur momenti që të shpërthente dhe është falë tij që Britney ndërtoi një imazh të ri, duke e mbledhur qafën me gjarpër gjatë shfaqjes së "I'm a Slave 4 U" në MTV Awards të vitit 2001. Kurioziteti seksual i saj arriti të fitojë ndaj saj dhe, nga sa thuhet në xhiro, Britney filloi të shkojë në shtrat me Robson (si Britney, ashtu dhe Robson e kanë mohuar gjithmonë episodin).

Në shkurt të vitit 2002, Timberlake zbuloi një dy muaj më vonë u pasua nga divorci i prindërve. Atëhere filloi ta kërkojë me dëshpërim dashurinë në lokalet e natës, duke frekuentuar djem të gabuar si Colin Farrell dhe Fred Durst të Limp Bizkit, që e tradhëtoi besimin e saj duke u mburrur për ndërmarrjen e tij në transmetimin radiofonik "The Howard Stern Show". Britney merrte qëndrimin e kujtdo që i ndodhej afër në atë moment: Pas puthjes së famshme lezbike me Madonna në MTV Awards të vitit 2003, vendosi se ato të dyja qenë shpirtëra binjakë. "Britney dhe Madonna u bënë mike dhe Britney filloi të mendojë se është si Madonna", tregon një ish menaxher. "Më tha: -Madonna e vendos vetë çfarë të bëjë, edhe unë mund të veproj kështu. Vetëm se Madonna nuk ka nevojë t'i thuash se çfarë të bëjë, kurse Britney po".

Kapitulli IV

Në vitin 2003, Britney Spears u kthye në Kentwood për pushimet e Krishtlindjes, ku kaloi kohën në një shtëpizë të vogël në pronësi të prindërve, në shoqërinë e miqve të vjetër, midis të cilëve fiksimi rinor i saj, Jason Alexander, matrikull në Southeastern Louisiana University. Një mëngjes, pas një grindjeje me Lynne, Britney i çoi miqtë e saj në Las Vegas për tri ditë qejfi të çfrenuar: Kokainë në darkë, ekstazi në mëngjes herët dhe Xanax për të fjetur, po t'u qëndrosh asaj që tregohet nga Alexander. Më 3 janar 2004, në orën 3 e 30 të mëngjesit, pasi kanë parë filmin horror "Don't Open That Door", ajo dhe Alexander pajtuan një limuzinë të gjelbër dhe arritën Little White Wedding Chapel, ku Britney veshi një zharretierë sipër xhinseve të grisura dhe shtrëngonte midis duarve një buqetë trandafilash fallsë për martesën e tyre prej 40 dollarësh. 11 orë më pas u telefonuan prindërve për t'ju komunikuar lajmin e madh.

Lynne mori një avion për Las Vegas, çifti u nda dhe avokatët u vunë në punë për të anulluar martesën. Britney u kthye në tur për të promovuar "In the Zone", një album shumë më të matur, me këngë që flisnin për seks të bërë në mëngjes dhe masturbim. Disa javë më pas, Britney takoi shpirtin e saj binjak në pistën e vallëzimit: Kevin Federline, një djalë i bardhë 25-vjeçar me kaçurrelat afrikane që kishte punuar si balerin për Timberlake, një që kishte braktisur liceun, bir i një mekaniku nga Fresno e shtetit California, baba i një fëmije të pasur me të fejuarën Shar Jackson dhe me një tjetër në pritje. Kevin, i mbiquajtur "Meat Pole" (referuar dimensioneve të organit të tij seksual), ishte një prani fikse e lokaleve të natës të Los Angeles dhe një teneqe nga lekët pa din e pa iman. Përpara se të njihte Spears, i kishin marrë deri makinën si peng. Britney ju ngjit, e ftoi të mirrte pjesë në turin e saj, ku të dy bënë tatuazh në kyçe nga një palë zara dhe ku vazhduan të filomoheshin në mënyrë obsesive me telekameran, filmime që do të bëheshin baza e reality shoë të tyre të titulluar "Chaotic".

Pa shumë të menduar, Britney u desh ta ngrinin kur gjuri i saj nuk e mbajti mu në mes të turit. Shtëpia diskografike u detyrua që të lajmërojë se doktorët i kishin dhënë katër muaj pushim. Megjithatë, një javë më pas, Britney i kërkoi Kevin që të martoheshin dhe menjëherëbënë martesën. Jeta e tyre u bë biznesi kryesor: fotografitë e martesës ju shitën revistës "People" për 1 milion dollarë dhe Britney filloi që të mbajë një blog në sajtin e fansave të saj, duke bërë të paguanin nga 25 dollarë për kokë. Brenda një kohe të shkurtër, nxorri në jetë dy fëmijë: Sean Preston (edhe fotografitë e të sapolindurit i janë shitur për 1 milion dollarë gjithmonë revistës "People") dhe Jayden, i lindur një vit më pas (për muaj me radhë Britney e ka mbajtur të fshehtë me shpresën që të përfitonte një shumë të konsiderueshme parashë, por një paparac ka arritur ta fotografojë teksa qëndronte me foshnjen në plazhin Maui, në Ishujt Hawaii). Interesi i saj për karrierën muzikore ishte minimal: në tri vjet, Britney regjistroi vetëm tri këngë. Meat Pole nuk ishte djali i duhur dhe në nëndor të 2006 ajo i kërkoi divorcin nëpërmjet një sms-je.

Natë pas nate, Britney filloi të frekuentojë jetën e natës së Los Angeles, duke u shfaqur në publik me pamje të përhumbur, duke vjellë përpara të gjithëve, duke shkëmbyer rrobat me një kamariere të një lokali striptease dhe, ndoshta rreziku më i madh, duke u bërë grup me Paris Hilton; të dyja deri kanë ndarë nga një palë çorape me rrjetë vetëmbajtëse, nga një për këmbë, dhe Britney i ka kopjuar për tri herë të mira akrobacitë e Paris në të cilat tregonte se nuk vishte mbathje, përpara se Larry Rudolph, menaxheri i saj, t'i jepte fund miqësisë së tyre (nofka e përdorur nga Paris për Britney është "Kafsha", pasi nuk mendohet përpara se të veprojë). Kafsha duhej të futej në klinikë dizintoksikimi: Zgjedhja ra mbi qendrën "Crossroads" të Eric Clapton në Antigua, por Britney u largua pa i zënë këmbët dhe një ditë më pas, duke marrë një avion për Miami dhe pastaj një biletë të klasit ekonomik për Los Angeles, ku donte të shikonte familjen e saj.

Britney shkoi në shtëpinë e Kevin për të takuar fëmijët, por ai i tha se nuk do t'i fliste derikur të mos regjistrohej pranë qendrës "Promises" në Malibu. Britney ktheu makinën rreth shtëpisë së Kevin tri herë, e tërbuar për faktin se duhej t'u nënshtrohej atyre kërkesave, përpara se të futej papritmas në një dyqan parukierësh në Valley dhe të qethej tullë nga flokët, më shumë si akt çlirimi sesa pendimi. Kështu qëndroi 48 orë radhazi pa fjetur, duke u vërdallosur me makinë nëpër qytet, duke pirë dhjetëra kanaçe me Red Bull, e terrorizuar nga ideja se ndiqej nga djajtë ose që bateria e celularit po i regjistronte mendimet, duke dëgjuar me ankth në radio lajme mbi vdekjen e Anna Nicole Smith, të ndodhur në fillim të muajit. Ky ishte fati, deklaroi Britney. Ajo ishte viktima e radhës.

Kapitulli V

Kur doli nga klinika e dizintoksikimit, Britney ishte thellësisht e zemëruar dhe e përjashtoi nga jeta këdo që kishte qenë rreshtuar në favor të shtrimit të saj: Prindërit, Kevin, Rudolph dhe deri miqtë e vjetër të dikurshëm. Deklaroi se nuk kishte asnjë problem me drogat dhe pushoi së telefonuari personat që e kishin tradhëtuar, duke ndryshuar numrat e telefonit. "Ishte vërtet e aftë të zhdukej sa hap e mbyll sytë", tregon këngëtarja Keri Hilson, bashkëautore e "Gimme More". "Një çast përpara ishte në dhomë dhe një çast më pas arrinin punonjësit e sigurisë për ta marrë dhe ajo ishte zhdukur, pa e ditur askush se ku kishte përfunduar". Një ish-truproje pohoi në një intervistë për një tabloid anglez se një herë Britney rrezikoi pothuajse një mbidozë në shoqërinë e kantautorit Howie Day, të njohur gjatë qëndrimit në "Promises", në një hotel të Los Angeles: dhoma ishte një rrëmujë totale dhe sëbashku me një pipth të qelqtë i gjet një substancë e bardhë, të cilën truproja e njohu si kokainë apo metamfetaminë.

Kapitulli VI

Sot në telefonin e Spears, në atë fortesë të ndodhur në majë të Mulholland Drive, të përgjigjet Osamah Lutfi, i njohur edhe si Sam, një tip i lezetshëm 33-vjeçar, i quajtur nga një mik i Britney si "life coach" i këngëtares. Po t'u besosh zërave të caktuar, Lutfi u ka thënë se ka punuar për Federline në cilësinë e investigatorit privat dhe se e dinte që telefoni i asaj shtëpie përgjigej dhe se ke kishte një mandat kontrolli për rezidencën e saj në Malibu, ka mundësi për të kërkuar drogë (zëdhënësi i Federline ka mohuar çdo lidhje midis të dyve). Në të kaluarën, gjykata kishte nxjerrë dy urdhëra ndalues për keqtrajtime kundër Lutfi. Është ky i fundit ai që e ka ndjekur Britney hap pas hapi në muajt e fundit, duke luajtur rolin e asistentit dhe duke kërkuar që t'i jetë si menaxher, duke folur më shtëpinë diskografike të saj dhe duke e shëtitur me makinë nëpër qytet.

Tashmë Britney është transformuar në një heremite: Nuk del kurrë për darkë dhe nuk shkon kurrë për të kërcyer, duke preferuar që ta kalojë pjesën më të madhe të mbrëmjeve të saj në "Four Seasons" të Beverly Hills. Për javë të tëra ka fjetur në hotel pothuajse çdo natë dhe Lutfi shikohet shpesh në holl. Bari në hyrje është bërë në fakt qendra operative e misionit "Britney": në të vërtetë këtu takohen gazetarë, paparacë dhe avokatë për çështjen e besimit të fëmijëve, me shpresën që objekti i dëshirë së tyre të shfaqet. Ky bar duket si Kombet e Bashkuara, me tipa të etnive të ndryshme, të gjithë të impenjuar për të mbajtur një qëndrim shumë serioz. Më ka ndodhur të vij këtu për një kafe me dy persona që janë pjesë e ekipit të avokatëve të Federline: Herën e parë me Aaron Cohen, një ish-agjent sekret izraelian, i cili ka dorëzuar përmbledhjet gjyqësore disa miqve të Spears (përfshi Lutfi) dhe që punon normalisht si instruktor teknikash antiterrorizmi për skuadrat SWAT në Izrael. "Nëpërmjet Britney-t kam arritur të penetroj në enturazhet e Hollywood", më ka treguar ai.

Pastaj ka qenë radha e Michael Sands, njeriut të ndarkuar nga avokatët për të menaxhuar raportet me shtypin, i cili më ka dhuruar një mbajtëse çelësash me një pamje të Pentagonit, një thile të FBI-së dhe një tjetër të CIA-s. Në bar qarkullon zëri se qeveria është interesuar që të rrëmojë në jetën e Lutfi për lidhjet e tij me sauditët. Edhe Claus, miku danez i Britney, më ka lënë takim tek "Four Seasons" me dy ortakë biznesi. Do të donin të donin të flisnin për 2 milion dollarët që, kushedi për çfarë arësye, tani janë bërë 1 milion. Më shpjegojnë sesi do të shkojnë gjërat: unë do t'u jap paratë atyre, të cilat do të shërbejnë si peng. Britney do ta dijë se nuk do të marrë asnjë dollar derikur të mos e ketë përfunduar intervistën dhe shërbimin fotografik (në xhepat e tyre do të futet një 10 përqindësh i shumës, për t'u paguar edhe në rastin kur ajo të mos paraqitet). Do të jenë në vend gjatë shërbimit fotografik, duke siguruar që Britney të jetë e kënaqur: do të duhet të sjell 5 fotografë, 5 stilistë dhe 5 makiazhi në rast se nuk merret ajo.

Kapitulli VII

Të nesërmen mbrëma, Claus më propozon një plan tjetër: Do t'i thotë Britney se do t'ia japë milionin e dollarëve, kështu që unë do të duhej t'i dorëzoj paratë për intervistën. Pastaj ai do të ketë të bëjë me Spears. "Në këtë mënyrë, askush nuk do ta dijë kurrë që Rolling Stone i është dashur të paguajë Mbretëreshën Regina Britney", më thotë ai dhe, me një pamje shumë të kënaqur, i telefonon Lutfi për t'i dhënë lajmin. Pasi ka folur me të, më komunikon se Sam i ka thënë se revista "OK!" është e gatshme të derdhë 2 milion dollarë për një intervistë ekskluzive me Britney. Bashkë me Claus drejtohemi me makinë tek "Citizen Smith", një rrok - bar në Hollywood, për të takuar Lutfi dhe Alli Sims, kushërirën 26-vjeçare të Britney-t, një arriviste me pamje naive që shpreson të arrijë të publikojë një album krejtësisht të sajën. "Ne duam vetëm që dikush të tregojë të vërtetën", thotë Alli. "Britney është vërtet një vajzë e mirë". Bën disa shtrembërime fytyre duke menduar për gjëra të dashura të thëna për llogari të saj. "Ajo nuk flet asnjëherë keq për asnjeri prapa krahëve. E kam seriozisht", më thotë ajo. "Kjo është një prej dhuntive më të mira të saj", i mban ison Lutfi. Pastaj kthehet nga unë: "Vetëm për të të bërë që të kuptosh diçka lidhur me mënyrën sesi funksionon psiqika e Britney: Gjëja e bukur është se nuk do që ta mbroni nga gënjeshtrat e botuara nëpër revista. Ajo e kupton se kjo është mënyra juaj për të bërë para, pasi është e njëjta mënyra me të cilën i ka bërë ajo. Sot nuk i intereson më". "Përpara se të botohet, duhet të mundemi ta lexojmë dhe ta miratojmë artikullin", thotë Claus. "Veç kësaj, Britney ka një mik që është fotograf dhe do të donim që të ishte ai që t'i bënte shërbimin", shton Lutfi. "E dini, ky është shumë më tepër se një artikull i thjeshtë për një revistë: Ajo ma ka thënë dhe treguar historinë e saj dhe unë e kam shkruar në letër gjithçka. Do të dilte vërtet një libër i madh!". Është ora 1 e 30 e natës dhe bari është duke u mbyllur. Pasi i kam shpjeguar Claus se nuk ka para, i shkruaj Lutfi disa herë, duke i shpjeguar se jemi akoma shumë të interesuar për ta intervistuar Britney dhe pasur versionin e saj të historisë, por nuk marr asnjë përgjigje. Të admirosh një botë pa Britney, me atë të mbyllur në një klinikë dizintoksikimi apo në një qendër psikiatrike, rezulton e vështirë. Ne duam që t'ia dalë dhe që të kthehet e të jetë mirë, duke u transformuar në një person për të cilin mund të jemi akoma krenarë. Ose ndoshta thjesht nuk duam që spektakli të përfundojë. "Merrni George Foreman: Është kampion bote i peshave të rënda më i moshuar në botë", më ka thënë një ditë Ghalib, i cili më ka kërkuar në redaksinë e Rolling Stone kur ka mësuar për artikullin që isha duke shkruar. "Ja se çfarë do të bëhet Britney. Ma ka thënë në mënyrë të qartë: Refuzon akoma jetën e saj të pasqyruar në sytë e të tjerëve". Pastaj Ghalib është bërë shumë serioz dhe ka shtuar: "Jini të sjellshëm me të. Kjo e imja është një kërkesë me titull personal".

(Rolling Stone)

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora