Mendime
Shaban Arifaj: Mos i vrisni festat
E hene, 07.01.2013, 09:04 PM
MOS I VRISNI FESTAT
Viti i Ri erdhi. Prishtina i ngjante Bejrutit: e zymtë, e rënduar, e plagosur, e plandosur, me rënkime, e helmuar, me gëzhoja e mbështjellëse të lëndëve plasëse, gjithandej. Sa më dhimbsej qyteti im.
Nga Shaban Arifaj
Një
ndjesi e pakëndshme më kaploi sot pas gjithë asaj që ndodhi tri-katër ditët
para Vitit të Ri, në veçanti natën e Vitit të Ri. Ende nuk mund te kuptoj dhe
asnjëherë nuk mund të kuptoj primitivizmin tonë shqiptar, por besa edhe
ballkanik të shënimit të festës së Vitit të Ri. Por ne shpesh herë shquhemi për
parregullsi dhe primitivizëm. Si është e mundur të dashurit e mi, që vetëm ne,
në krejt botën, me rastin e festës, të kemi të vrarë e të plagosur. A jemi në
luftë, të dashuri e mi, apo në paqe? Sa e pakëndshme më doli nata e Vitit të Ri
kur të nesërmen mora vesh se aksidentalisht nga të shtënat e pakontrolluara,
kishte të vrarë në trojet shqiptare, kurse në Kosovë edhe mbi 100 të plagosur,
për vetëm një natë, nga lëndët
shpërthyese. Ku jemi nisur kështu të dashurit e mi? Ende i kemi të ngrohta
plagët e luftës, por trimat e Bllacës po mi kujtojnë ato edhe tash.
Si nuk ju
vjen turp, për këto sjellje aq të prapambetura. Pse ne, shqiptarët nuk dinë të
festojnë? A thua edhe festat i kemi përjetuar si luftë! Të shtëna nëpër dasma,
të shtëna për fejesa, të shtëna nëpër syneti, të shtëna nëpër ndeja e të shtëna
për gazmende të tjera. Por disa nga këta “trima” kur duhej, ia mbathen për
Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi. Disa trima u benë gra, duke dashur të maskoheshin
për të mos qenë pre e soldateskës kriminale serbe.
Të
dashurit e mi (disa primitiv), ku e keni kulturën prindore, familjare e
shkollore. Ku është kontrolli shtetëror. Si blihen e si shiten lëndët
shpërthyese, pa kurrfarë kontrolli. Edhe fëmijët adoleshent mund të pajiseshin
me arsenalin më të vrazhdë “luftarak”, jo për të festuar për të zhurmuar. Nëse
përpiqesh të japësh ndonjë këshillë, të konsiderojnë si njeri që nuk di apo nuk
dëshiron të festosh. Nëse i pyet mësimdhënësit për nxënësit e tyre (disa pa
edukatë) në këtë plan, të përgjigjen se çka është një natë, nuk janë të tjerat.
Sa bukur
dukej bota tjetër e qytetëruar. Vetëm natën e Vitit të Ri në mënyrë të
organizuar ndizeshin fishekzjarrët për 15-20 minuta, pikërisht në orën 00.00
duke numëruar zëshëm së prapthi nga dhjetë deri në zero. Çdo gjë përfundoj me
aq bukuri mahnitëse, sa të kënaqej syri
e shpirti. Kjo është festë e vërtetë. Kështu edhe qielli buzëqeshë.
Te ne nuk
dihej kush po ndez e kush po gjuan më shumë. Njeriu nuk di nëse është festë apo
luftë. A është ora 18.00, 20.00, 22.00,
00.00 apo 04.00, apo 05.00, ruana zot. Ora pesë e mëngjesit, e ti sa ke rënë të
pushosh, apo ajo nëna me foshnje, apo ajo shtatzëna, e dikush nga të “dehurit”
e krismave, ja fut nga një të shtënë sa dridhen themelet e apartamentit. Nuk di
çfarë kënaqësie përjetoi komshiu im me një krismë të tillë shqetësuese. E di,
se dëgjova vet vajin e foshnjave në fqinjësinë time.
Edhe një
“çun” rreth të 20-tave, përballë
pallatit tim hidhte mbi makina lëndë plasëse. I thash: “Ti do ta vrasësh Vitin
e Ri, apo, do të festosh? Tashmë koha e të shtënave ka përfunduar, sepse Viti i
Ri erdhi, nëse pati ku të vi, ose nëse
nuk e keni vrarë ndërkohë. Çuni nuk foli por u fut brenda. Por sapo u largova
ai vazhdoi me të tijën, sepse aq zgjatë edukata e tij. Sa të pasjellshëm që
jemi. Ne vetëm dimë t’i bëjmë qejf vetes, e punë e madhe për të tjerët. Një
spot televiziv “edukonte” se si duhet të përdoren lëndët shpërthyese dhe kur
mund të fillojnë të përdoren ato. Shumë qesharake. Mos i hidhni para nënave
shtatzëna, para fëmijëve të vegjël, para pleqve, ndërkohë që prindi me gruan
shtatzënë dhe me fëmijën e tij të vogël, nuk ndalojnë se hedhuri lëndë plasëse
në sheshin e qytetit.
Viti i Ri
erdhi. Prishtina i ngjante Bejrutit, e zymtë, e rënduar, e plagosur, e
plandosur, e rënkuar, e helmuar, me gëzhoja e mbështjellëse të lëndëve plasëse,
gjithandej. Sa më dhimbsej qyteti im. Më dukej se ishin bërë përpjekje se kush
do ta lëndoj më shumë qytetin tim. Era vinte barot. Nuk të binte ndërmend se
nata e kaluar kishte qenë natë festive, apo ne kishim kaluar një natë lufte me
të vrarë e të plagosur. O zot, po përsëris, vetëm shqiptarët festojnë me
viktima. Viktima edhe nëpër dasma, viktima nëpër ahengjet e gëzimit familjar
nga plumbat qorr, viktima nëpër festa nga të shtënat. Sa tmerr të dashurit e
mi. Vallë pse jemi të dashuruar në krisma. Nga njëherë, pyes veten se a jemi si
popull liridashës, të prirë edhe për sjellje të tilla. Apo i këndojmë këngët
kreshnike vetëm për t’u treguar të tjerëve se ne jemi trima, por nganjëherë
edhe për t’u vrarë për një gurë në mezhdë, apo për një zënkë, apo për një
biletë tramvaji. Sa keq, të dashurit e mi jo (primitiv).
Ndërkohë,
të dashurit e mi, dikujt ende nuk i kishte mbërritur Viti i Ri as pas tre
ditësh, sepse edhe pas tre ditësh, nuk pushuan shpërthimet, por dorën në zemër,
jo të intensitetit të natës së Vitit të Ri. Ose ndoshta e kishin vrarë.
Sa
jemi...........A mund të edukohemi të dashurit e mi, apo jemi mësuar që të
edukohemi vetëm me masa shtypëse, qoftë nga tanët, qoftë nga të huajt.
Fatkeqësisht.
Nuk e kam
ndërmend që t’u jap këshilla moralizuese, por në këtë plan edhe shteti duhet ta
tregonte gishtin e tij. Jemi të mësuar me masa shtetërore, sepse në shtëpi,
shkolla e mjedise tjera, po mungon në një masë të konsiderueshme edhe edukata.
Gjeneratave tona shkollore u duhen orë e orë të lëndës së mirësjelljes. Merre
me mend të dashurit e mi, Qeveria norvegjeze, është vënë në lëvizje të plotë,
vetëm për shkak të lëndimit të 17 qytetarëve të këtij vendi të cilët në gjendje
të dehur kanë përdorë lëndë pëlcitëse. Nuk kam arsye ta drejtoj gishtin. Le të
merret vesh kjo punë.
O zot na
ruaj nga të këqijtë, e na ndihmo që të mos përsërisim “kënaqësi” të tilla sepse
këto nuk janë kurrfarë kënaqësish, por për ata që i bënë, çmenduri e një
primitivizmi të pashërueshëm, ndoshta edhe ballkanik Stop “luftës” vetëvrasëse
në festa, të dashurit e mi. Mos i vrisni festat, dhe njerëzit tuaj në to, o
njerëz!