E marte, 26.10.2021, 01:01 AM (GMT+1)

Mendime

Vladimir Shyti: Këmbëzbathur mbi një tokë

E merkure, 12.12.2012, 08:57 PM


Këmbëzbathur mbi një tokë plot argjend

Nga Vladimir Shyti

Shekujt sunduan barbarisht mbi tokën tonë legjendare dhe shpirti njerzor do të shkatërrohej, nëse kohë pas kohe perënditë nuk do të dërgonin heronjët e tyre, për të përtrirë racën e vyshkur shqiptare. Lindën brezni të zjarrtë, të guximshëm dhe të vrullshme;duke vërshuar në të gjithë ugaret e hapura të vendit, kaptuan me vrull edhe në shurdhërinë e Europës, në takime për agimin e lirisë së re. Dhe me forcën e tyre të shenjtë ata  zgjuan  fanfarat e revolucionit, duke u treguar botës mbarë, duke dridhur perandori e mbretër;se edhe ky vend kishte kurorën e saj sunduese në tokën e vet.

Filozof dhe mendimtar të shquar kaluan mbi këtë tokë të rrënuar nga princër e agallarë vendas e të huaj. U mahnitën nga natyra e magjishme me bukuri prrallore, u njohën me legjendat, hallet e dertet, me malet që fshihnin metalet e argjend, me pyjet që këndonin koralen e madhe nën gjelbrimin magjeps, me lumejt e rrjedhshëm që vezullonin dritë dhe me lahutën që çarte mjerim.

Vitet rrodhën e vërtiteshin dhe populli me dashurinë për atëdheun rritesh. Por ky vend me një grusht njerzësh këmbëzbathur që shkelte mbi një tokë plot ar, as dhe një herë nuk iu gëzua pasurisë vet. E grabitën të huaj dhe të fortit e vendit, vetëm dashurinë për atëdheun nuk mundën t’ia rrëmbejnë, kjo gjë u pa qartë edhe në festën mbarë kombëtare me rastin e njëqind vjetorit të pamvarsisë.

Njëqind vjet rrotulloi ky vend ngjarje të rëndësishme dhe të parëndësishme, por ende s’ka një histori të sajën. Rreth botës qerthullonin mentarët në natën sterrë, guxuan midis shtetesh, mbretërish e perandorish. Me fermane e dokumente, që sot të zhdukur janë, arritën të shtrenjtën Liri, por edhe atë të cunguar si shqiponja pa krahë. Se vendimet hidheshin shpesh në përrua, skllav të memories bëheshin në çdo qëllim, që si ndonjë lis qëndronin, por kur erë e tërbuar frynte mes gjëmimave i rrëzonte. Zotimet që bënin me rrëmbim shuheshin si i vdekuri në varrë. Dhe fati rrëmbente çdo dashuri, mposhti i madhi të voglin, u krijuan miq dhe armiq dhe fati çdo vullnet kundërshtonte, ku robëria vetëm mbi popull zgjaste tentakulat e varfërisë.

Njëqind vjet, një kohë hovesh e rregulluar në bazë shtresëzimesh të qarta e të paqarta dhe trazicionesh, një vend që gjithmonë ngutej. Urrejtje midis vendeve, popujve e shtresave shoqërore, që i vërsuleshin njeri-tjetrit me shumë lloje mënyrash, të cilët ende s’kishin nisur të veçonin mikun nga armiku. Cdo periudhë e viteve tona ka qenë e lidhur me fatet e botës. Në vuajtje e në gëzime, ne kemi përjetuar kohën dhe historinë përtej caqeve të jetës sonë të vogël, ndërsa bota kufizohej vetëm brenda vetes së tyre dhe diregjonin çiftelinë e lahutën shqiptare. Prandaj secili brez, deri edhe ai më i humburi, merrnin nga jeta shabllone, mënyra të reja e diturit e të parëve tanë, që t’i vëndosnin në shërbim të atëdheut.

Por asgjë nuk na u dha falas. Për çdo gjë që kemi arritur deri më sot na është dashur ta paguanim me çmimin më të lartë. Paçka se ne na flakën mes tërë rrëmbesave të lumit të jetës, ne, që na shkëputën copza rrënjësh, ne, që ia nisnim gjithmonë nga e para sa herë na shtynin gjer në fund të një qorrsokaku, ne, viktima e shërbëtor të të fortëve, që mirëqenia na është bërë legjendë dhe siguria një ëndërr foshnjarake, ne, që ecim zbathur mbi tokën tonë plot ar, ne, që se gëzuam asnjë herë këtë pasuri që na fali natyra, ku edhe tashmë ndjejmë në çdo qelizë të trupit tonë tensionin e pasigurisë dhe fërgëllimën e skllavërisë të përjetshme.

Kapërxyem shumë kohëra dhe, menduam se në fazën e fundit do të plotësonim largimin përfundimtarë të atij mallkimi misterioz që endej prej shumë kohësh në vendin tonë, që lidhej me mosmirëqenien e këtij populli të shumëvuajtur. Njeriu i thjeshtë kishte parandjenjën e një mrekullie, por u gabuam, një dorë gjigande shkatrrimtare goditi pamëshirë vendin dhe nxorri burra shteti e vampirë. U nda njeriu nga njeriu, u krijuan përsëri shtresëzimet, humbi paqja, respekti u krijuan klasat dhe një armiqësi e vërtetë;lufta midis klasave.

Megjithatë politikanët tanë u vunë në dispozicion të së ardhmes, krijuan grupimet e tyre politike, u hodhën nga një kockë vegjëlisë dhe vet u pasuruan në përmasa të pallogritshme. Vegjëlia mori udhët e Europës, që të mbahej gjallë e të zhvillohej shkëlqyeshëm në format e reja me sy të lumturuar drejt saj.

Por toka jonë pret njeriun e vet, që ta punojë e ta mbush me praninë e tij, dhe të gëzoj me vështrim të hedhur nga e ardhmja. Nuk gjindet shpëtimi nga Europa ose nga meraku për të. Duket pothuaj si një hakmarrje e ligë natyrës sonë ndaj njeriut që e braktisi, ndaj teknikës, që nuk arrinte ta zhvillonte dhe të bëhej zot i forcave misterioze. Teknika nuk na ka hedhur mallkim se ajo gjindet kudo, por janë ca organizma që duan të shkojnë drejt yjësive pa anije kozmike. Eh, si e gënjen veten njeriu kur shtiret si i shkëputur nga fati tokës vet!Agonia e ngadalshme dhe tërë ethe e Shqipëris e bën të vuaj çdo ditë, dhe më shumë se ata që ndodhen aty.

Tani shqiptarët janë ndërgjegjësuar dhe të përvijuar qartë se rruga që do të ndjekin gjatë viteve të ardhshme duhet të jetë tepër e kujdesshme. Ende kemi nevojë të mësojmë dhe të përpunojmë kulturën dhe virtytet tona hyjnore, dhe vetëm pastaj t’ia nisim sërish nga e para.  Mbase tani në këtë epokë të re është e nevojshme të bëhet një parantezë që kujtesa nuk arrin t’i ruaj me saktësi, pasi vendi ynë po përjeton ngjarje të shumta e tepër të shpejta. Kjo tregon se populli ka nisur ta dojë botën modern dhe kërkon ta bëj pronë edhe të veten pa e ndjerë makinën mëshiruese të saj.

Ne e dimë që krahu punës në Shqipëri shpërblehet sa një pjatë supë e një cop bukë, që merrnin edhe skllevërit e mesjetës, e cila mëshiron shëmtimin e një vendi, i cili kërkon një vend në sofrën europiane. Por Bajroni nuk e kosideronte kështu një shekull më parë, as dhe të tjerë mentarë që erdhën më pas. Madje, tani po grabit shqiptari, shqiptarin, një hije e zezë ka davaritur plotësisht vendin duke sterrosur qiellin aq të ndritur të Evropës;hidhërimi dhe mosbesimi kanë hyrë si merimanga të zeza si në fshatra ashtu edhe në qytete e në njeri më njeri,  duke hedhur një lloj helmi gërryes në një trup të gjymtuar. Megjithë disa përparime që ka sjellë në fushat shoqërore e teknike demokracia e re, ende nuk gjen dot një qytet ose fshat të vetëm që të mos ketë humbur jashtëzakonisht shumë prej gëzimit për të jetuar dhe besimin naiv të dikurshëm. Pasi minieralet e maleve tona grabiten nga oborrtarët shtetëror, pyjet ka rënë nën sundimin e të fortëve, lumejtë e dritës i shfrytëzojnë të huajt, turizmi është pronë parlamentare e ministrore dhe të gjithë punëdhënsit janë kthyer në ca kapitalist të egër e tepër brutal, ndaj punonjëseve që marrin vetëm kockat që ata u japin si shpërblim për punën.

Toka jonë i ushqen tërë shqiptarët në qoftë se ata do ta ndjenin veten zot në vendin e tyre, por ata e kuptojnë se një hije e çuditshme me shpirtin e dordolecit është nderur e rëndon mbi jetët e tyre. Dhe tani ata drithrohen tek shohin se në ç’zymtësi, në ç’errësirë, në ç’robëri të mordenizuar e ka kantandisur vendin ky tërbim vetvrasës.

E ç’ka u duhet atyre lirshmëria naïve e njëherazi të mençur të jetës, kur njeriu nuk mund të ndjejë askund haren, mishërimin e shkëlqyeshëm të bukurisë e formave, te bukuria natyrore, te pasuria që ata trashëgojnë dhe tek tradita e humbur tashmë. Apo tek koshat e plehërave, në korrupsionin e gjallë ulur këmbëkryq në çdo aspekt ligjor dhe shoqëror, apo tek mjerimi dhe cektia kulturore, që bukur shfrytëzohet nga klasa e lartë që jeton në magjinë e përrallës.

Të gjithë jemi kalimtarë në këtë botë si në pasuri dhe në mjerim, por diçka mbetet e vërtetë dhe e përjetshme”Se kjo tokë i lindi prap siç do të lindë përherë”Ndaj njerzimi do të shoh pareshtur rilindje, sepse pavdeksia u mbetet vetëm heronjëve që mbartin ndjejën e mirësisë.  Ata ikin e vijnë edhe në epoka të padenja duke lënë herë pas here pengje të çmuara, që më vonë gjykohen për veprat e tyre.

Sado e çuditshme e sado absurde të na duket rruga jonë pa përputhjet me dëshirat që kemi, praseprapë ajo do të na dërgoj më në fund drejt një synimi të padukshëm. S’na mbetet gjë tjetër vetëm t’i lutemi të madhi Zot që të na shëroj plagët e mortjes dhe të jemi gjithmonë nën hijen e flamurit tonë kombëtarë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora