| E merkure, 12.12.2012, 08:57 PM |
Këmbëzbathur mbi një tokë
plot argjend
Nga Vladimir Shyti
Shekujt sunduan barbarisht
mbi tokën tonë legjendare dhe shpirti njerzor do të shkatërrohej, nëse kohë pas
kohe perënditë nuk do të dërgonin heronjët e tyre, për të përtrirë racën e
vyshkur shqiptare. Lindën brezni të zjarrtë, të guximshëm dhe të vrullshme;duke
vërshuar në të gjithë ugaret e hapura të vendit, kaptuan me vrull edhe në
shurdhërinë e Europës, në takime për agimin e lirisë së re. Dhe me forcën e
tyre të shenjtë ata zgjuan fanfarat e revolucionit, duke u treguar botës
mbarë, duke dridhur perandori e mbretër;se edhe ky vend kishte kurorën e saj
sunduese në tokën e vet.
Filozof dhe mendimtar të
shquar kaluan mbi këtë tokë të rrënuar nga princër e agallarë
Vitet rrodhën e vërtiteshin
dhe populli me dashurinë për atëdheun rritesh. Por ky vend me një grusht
njerzësh këmbëzbathur që shkelte mbi një tokë plot ar, as dhe një herë nuk iu
gëzua pasurisë vet. E grabitën të huaj dhe të fortit e vendit, vetëm dashurinë
për atëdheun nuk mundën t’ia rrëmbejnë, kjo gjë u pa qartë edhe në festën mbarë
kombëtare me rastin e njëqind vjetorit të pamvarsisë.
Njëqind vjet rrotulloi ky
vend ngjarje të rëndësishme dhe të parëndësishme, por ende s’ka një histori të
sajën. Rreth botës qerthullonin mentarët në natën sterrë, guxuan midis shtetesh,
mbretërish e perandorish. Me fermane e dokumente, që sot të zhdukur janë, arritën
të shtrenjtën Liri, por edhe atë të cunguar si shqiponja pa krahë. Se vendimet
hidheshin shpesh në përrua, skllav të memories bëheshin në çdo qëllim, që si
ndonjë lis qëndronin, por kur erë e tërbuar frynte mes gjëmimave i rrëzonte. Zotimet
që bënin me rrëmbim shuheshin si i vdekuri në varrë. Dhe fati rrëmbente çdo
dashuri, mposhti i madhi të voglin, u krijuan miq dhe armiq dhe fati çdo
vullnet kundërshtonte, ku robëria vetëm mbi popull zgjaste tentakulat e
varfërisë.
Njëqind vjet, një kohë hovesh
e rregulluar në bazë shtresëzimesh të qarta e të paqarta dhe trazicionesh, një
vend që gjithmonë ngutej. Urrejtje midis vendeve, popujve e shtresave shoqërore,
që i vërsuleshin njeri-tjetrit me shumë lloje mënyrash, të cilët ende s’kishin
nisur të veçonin mikun nga armiku. Cdo periudhë e viteve tona ka qenë e lidhur
me fatet e botës. Në vuajtje e në gëzime, ne kemi përjetuar kohën dhe historinë
përtej caqeve të jetës sonë të vogël, ndërsa bota kufizohej vetëm brenda vetes
së tyre dhe diregjonin çiftelinë e lahutën shqiptare. Prandaj secili brez, deri
edhe ai më i humburi, merrnin nga jeta shabllone, mënyra të reja e diturit e të
parëve tanë, që t’i vëndosnin në shërbim të atëdheut.
Por asgjë nuk na u dha falas.
Për çdo gjë që kemi arritur deri më sot na është dashur ta paguanim me çmimin
më të lartë. Paçka se ne na flakën mes tërë rrëmbesave të lumit të jetës, ne, që
na shkëputën copza rrënjësh, ne, që ia nisnim gjithmonë nga e para sa herë na
shtynin gjer në fund të një qorrsokaku, ne, viktima e shërbëtor të të fortëve, që
mirëqenia na është bërë legjendë dhe siguria një ëndërr foshnjarake, ne, që
ecim zbathur mbi tokën tonë plot ar, ne, që se gëzuam asnjë herë këtë pasuri që
na fali natyra, ku edhe tashmë ndjejmë në çdo qelizë të trupit tonë tensionin e
pasigurisë dhe fërgëllimën e skllavërisë të përjetshme.
Kapërxyem shumë kohëra dhe, menduam
se në fazën e fundit do të plotësonim largimin përfundimtarë të atij mallkimi
misterioz që endej prej shumë kohësh në vendin tonë, që lidhej me mosmirëqenien
e këtij populli të shumëvuajtur. Njeriu i thjeshtë kishte parandjenjën e një
mrekullie, por u gabuam, një dorë gjigande shkatrrimtare goditi pamëshirë
vendin dhe nxorri burra shteti e vampirë. U nda njeriu nga njeriu, u krijuan
përsëri shtresëzimet, humbi paqja, respekti u krijuan klasat dhe një armiqësi e
vërtetë;lufta midis klasave.
Megjithatë politikanët tanë u
vunë në dispozicion të së ardhmes, krijuan grupimet e tyre politike, u hodhën
nga një kockë vegjëlisë dhe vet u pasuruan në përmasa të pallogritshme. Vegjëlia
mori udhët e Europës, që të mbahej gjallë e të zhvillohej shkëlqyeshëm në
format e reja me sy të lumturuar drejt saj.
Por toka jonë pret njeriun e
vet, që ta punojë e ta mbush me praninë e tij, dhe të gëzoj me vështrim të
hedhur nga e ardhmja. Nuk gjindet shpëtimi nga Europa ose nga meraku për të. Duket
pothuaj si një hakmarrje e ligë natyrës sonë ndaj njeriut që e braktisi, ndaj
teknikës, që nuk arrinte ta zhvillonte dhe të bëhej zot i forcave misterioze. Teknika
nuk na ka hedhur mallkim se ajo gjindet kudo, por janë ca organizma që duan të
shkojnë drejt yjësive pa anije kozmike. Eh, si e gënjen veten njeriu kur
shtiret si i shkëputur nga fati tokës vet!Agonia e ngadalshme dhe tërë ethe e
Shqipëris e bën të vuaj çdo ditë, dhe më shumë se ata që ndodhen aty.
Tani shqiptarët janë
ndërgjegjësuar dhe të përvijuar qartë se rruga që do të ndjekin gjatë viteve të
ardhshme duhet të jetë tepër e kujdesshme. Ende kemi nevojë të mësojmë dhe të
përpunojmë kulturën dhe virtytet tona hyjnore, dhe vetëm pastaj t’ia nisim sërish
nga e para. Mbase tani në këtë epokë të
re është e nevojshme të bëhet një parantezë që kujtesa nuk arrin t’i ruaj me
saktësi, pasi vendi ynë po përjeton ngjarje të shumta e tepër të shpejta. Kjo
tregon se populli ka nisur ta dojë botën modern dhe kërkon ta bëj pronë edhe të
veten pa e ndjerë makinën mëshiruese të saj.
Ne e dimë që krahu punës në
Shqipëri shpërblehet sa një pjatë supë e një cop bukë, që merrnin edhe
skllevërit e mesjetës, e cila mëshiron shëmtimin e një vendi, i cili kërkon një
vend në sofrën europiane. Por Bajroni nuk e kosideronte kështu një shekull më parë,
as dhe të tjerë mentarë që erdhën më pas. Madje, tani po grabit shqiptari, shqiptarin,
një hije e zezë ka davaritur plotësisht vendin duke sterrosur qiellin aq të
ndritur të Evropës;hidhërimi dhe mosbesimi kanë hyrë si merimanga të zeza si në
fshatra ashtu edhe në qytete e në njeri më njeri, duke hedhur një lloj helmi gërryes në një trup
të gjymtuar. Megjithë disa përparime që ka sjellë në fushat shoqërore e teknike
demokracia e re, ende nuk gjen dot një qytet ose fshat të vetëm që të mos ketë
humbur jashtëzakonisht shumë prej gëzimit për të jetuar dhe besimin naiv të
dikurshëm. Pasi minieralet e maleve tona grabiten nga oborrtarët shtetëror, pyjet
ka rënë nën sundimin e të fortëve, lumejtë e dritës i shfrytëzojnë të huajt, turizmi
është pronë parlamentare e ministrore dhe të gjithë punëdhënsit janë kthyer në
ca kapitalist të egër e tepër brutal, ndaj punonjëseve që marrin vetëm kockat
që ata u japin si shpërblim për punën.
Toka jonë i ushqen tërë
shqiptarët në qoftë se ata do ta ndjenin veten zot në vendin e tyre, por ata e
kuptojnë se një hije e çuditshme me shpirtin e dordolecit është nderur e rëndon
mbi jetët e tyre. Dhe tani ata drithrohen tek shohin se në ç’zymtësi, në
ç’errësirë, në ç’robëri të mordenizuar e ka kantandisur vendin ky tërbim
vetvrasës.
E ç’ka u duhet atyre
lirshmëria naïve e njëherazi të mençur të jetës, kur njeriu nuk mund të ndjejë
askund haren, mishërimin e shkëlqyeshëm të bukurisë e formave, te bukuria
natyrore, te pasuria që ata trashëgojnë dhe tek tradita e humbur tashmë.
Të gjithë jemi kalimtarë në
këtë botë si në pasuri dhe në mjerim, por diçka mbetet e vërtetë dhe e
përjetshme”Se kjo tokë i lindi prap siç do të lindë përherë”Ndaj njerzimi do të
shoh pareshtur rilindje, sepse pavdeksia u mbetet vetëm heronjëve që mbartin
ndjejën e mirësisë. Ata ikin e vijnë
edhe në epoka të padenja duke lënë herë pas here pengje të çmuara, që më vonë
gjykohen për veprat e tyre.
Sado e çuditshme e sado
absurde të na duket rruga jonë pa përputhjet me dëshirat që kemi, praseprapë
ajo do të na dërgoj më në fund drejt një synimi të padukshëm. S’na mbetet gjë
tjetër vetëm t’i lutemi të madhi Zot që të na shëroj plagët e mortjes dhe të
jemi gjithmonë nën hijen e flamurit tonë kombëtarë.