Mendime
Xhevat Bislimi: Spekulimet e anonimve
E merkure, 12.12.2012, 07:59 PM
Spekulimet e anonimve në emër
të « Kryesisë » së Degës së PDK-së
Nga Xhevat BISLIMI*
Gazeta “Bota Sot” paska
botuar sot një shkrim spekulativ për zgjedhjet në Degën e PDK-së në Viti me
titull manipulativ: Makiato-kuvendet e Daut Xhemajlit e Xhevat Bislimit!!
Një shkrim në kundërshtim me
etikën e një gazete dhe të gazetarisë bashkëkohore, një manipulim me emra
anonim, me të pavërteta dhe fabrikime të ulta. Po t’i interesonte kësaj gazete
e vërteta dhe informimi i paanshëm i lexuesve të saj të paktën do të merrte
mundin dhe do të kontaktonte Daut Xhemajlin, ose mua, Xhevat Bislimin. Pastaj,
do të pyeste: Mor po kush është ky Xhevat Bislimi? Çfarë funksioni ka në PDK?
Apo mjafton të thuhet se është “nip i Daut Xhemajlit”!! Vërtetë e ulët. Për
hirë të vërtetës unë kam dy dajallarë dhe shumë djem e vajza dajallarësh, por
asnjëri prej tyre nuk janë në struktura të PDK-së, në asnjë nivel. Me Daut
Xhemajlin, Kryetarin e Degës së PDK-së dhe shumë atdhedashës tjerë në Viti, na
ka bashkuar që në rininë tonë veprimtaria atdhetare kundër pushtuesve
jugosllavë dhe Jugosllavisë së Titos, na kanë bashkuar shumë vite burg dhe
veprimtaria për çlirimin përfundimtar të Kosovës që e kemi sot. Kjo është e
vërteta. Ashtu siç është e vërtetë që një pjesë e mirë e këtyre anonimëve që
qenkan nënshkruar si “anëtarë” të Kryesisë së PDK-së dhe këtë “sekret” po
dashka ta mbajë redaksia e “Bota Sot” (!!) i kishte bashkuar dhe po i bashkon
angazhimi kundër çdo përpjekje për liri, demokraci, zhvillim dhe përparim
ekonomik. I ka bashkuar dhe i bashkon uzurpimi dhe trafikimi i pronave,
uzurpimi dhe grabitja e mandateve dhe votave të PDK-së, i ka bashkuar dhe i
bashkon korrupsioni, ryshfeti, përçarja e klasës politike dhe e qytetarëve në
Viti. Këta vetëm një gjë dinë: të vjedhin, të grabisin, përvetësojnë,
trafikojnë pasurinë, pronën, paranë publike dhe mandatet. Kjo është filozofia
dhe logjika e tyre jetësore. Për realizimin e këtyre interesave të tyre të
pista për çdo orë dhe për çdo ditë prodhojnë shpifje, akuza, padi nëpër
gjykata, nxisin urrejtje dhe konflikte
midis njerëzve dhe pastaj fërkojnë duart!!
Në këtë shkrim manipulativ,
që nuk i bënë nder asnjë medie, përmendet vetëm një emër: Mufail Azizi nga
Sadovina e Jerlive. Kush është ky? Mufail Azizi dikur moti, pas Lufte, ishte
kryetar i nëndegës në fshatin e tij. Në kohën që AAK-ja hyri në koalicion me
LDK-në erdhi Mufaili dhe më tha se AAK-ja (M. A.) i ka ofruar një vend pune në
Ministri prandaj po kalon në AAK! U bë kryetar nëndege i AAK-së në fshatin e
tij. Vite më vonë ky Mufaili u largua nga puna për “shpërdorim detyre”. Në
kohën që N. Arifi iku nga PDK-ja e punësoi Mufailin në Administratën komunale
dhe e bëri “argat” të tij. Ky është Mufaili. Gazeta dhe cilido që është mik i
të vërtetës mund t’i vërtetojë këto fakte lehtësisht. Është e vërtetë që në
fshatin e tij është mbajtur një takim me qytetarë, i organizuar nga një
qytetar, Selman Ymeri, i cili nuk është as anëtar i PDK-së! Kuvendet e
nëndegëve të PDK-së i organizon dhe i ka organizuar Kryesia e Degës së PDK-së.
Edhe nga letra-shkrimni i këtyre anonimëve del se ata nuk pranojnë ose nuk janë
dakord që kuvendet e nëndegëve të PDK-së t’i mbaj Kryesia e Degës së PDK-së,
Kryetari i Degës, anëtari i Kryesisë qendrore të PDK-së!! Sipas tyre këto kuvende
duhet t’i mbajnë ata që nuk janë në PDK, duhet t’i mbajnë cilido qytetar!! Me
sa duket po e mbajnë mend kohën e LSPP!! Tash jemi në një demokraci pluraliste,
me shumë parti! Dhe PDK-ja ka drejtuesit dhe organet e veta, nuk ka nevojë t’ia
organizojnë dhe mbajnë kuvendet të tjerët, njerëz që vetmarrin përgjegjësi!!
Vërteteë nuk ka kuptim. E kuptoj dëshirën e LDK-së, AAK-së dhe grupeve tjera të
interesit për ta dëmtuar dhe dobësuar PDK-në në Viti (në krye me N. Arifin),
por edhe kjo duhet të bëhet brenda rregullave të lojës.
Për Nexhmedin Arifin nuk po
zgjatem se tashmë e njeh e tërë Vitia për bëmat e tij. Ishte një kohë që ky
njeri hiqej si “zhyngyrli baba”, por ajo maskë tashmë ka rënë nga fytyra e tij.
Po i them dy-tri fjalë, që kush do të vërtetën mund t’i vërtetojë pa ndonjë
mund të madh. Me ta fituar mandatin e dytë, që Dega e PDK-së në Viti e fitoi me
shumë mund pikërisht pse kishim kandidat N. Arifin, ky, N. A., nisi fushatën
për shkarkimin e të gjithë drejtorëve të PDK-së, të cilët i shkarkoi vetëm e
vetëm pse nuk lejonin vjedhjen, plaçkitjen, trafikimin, shpërdorimin e
pushtetit, të pronave dhe paras publike. E njëjta arsye edhe për shkarkimin e
nënkryetarit të Komunës, Halim Halilit, magjistër i gjeologjisë, anëtar i
Kryesisë së Degës. Sot, në qeverisjen komunale është vetëm një drejtor i
PDK-së. Kur të doni mund t’i verifikoni këto të dhëna, nëse vërtetë kjo gazetë
është e interesuar për të vërtetën. Nexhmedin Arifi sot është përfaqësues e më
shumë argat i krimit të organizuar, uzurpatorëve, shpërdoruesve dhe nëntokës së
Vitisë. Nuk është vendi për t’i radhitur këtu faktet, por nëse i intereson
“Bota Sot” mund ta vërtetojë këtë pohim-konstatim timin. Nexhmedin Arifi dhe
grupi i tij anti PDK i kanë hapur punë hetuesisë dhe drejtsisë edhe për disa
vite. Dega e PDK-së, me këtë Kryetar që ka, Daut Xhemajlin, i ka fituar tri
palë zgjedhje njërën pas tjetrës. Edhe pas ikjes së Nexhmedin Arifit nga Partia
dhe angazhimit të tij kundër PDK-së, Dega e PDK-së jo vetëm që doli e para
parti politike në Viti, por pati mbi 20% rritje. Rënie kishim vetëm në fshatin
e N. Arifit! Kjo rritje e PDK-së në zgjedhjet e fundit i ka shastisur
kundërshtarët e saj, prandaj e kuptojë mllefin, urrejtjen dhe fushatën
primitive kundër drejtuesëve të kësaj Dege.
Ky përkushtim, ky angazhim dhe kjo “luftë” e pa pardon kundër PDK-së në Viti dhe posaçërisht kundër atyre që nuk u korruptuan dhe po angazhohen për zgjidhjen e problemeve të mëdha të qytetarëve shpjegohet edhe me gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale të kësaj Komune padrejtësisht të harruar. Njerëzit e papunë keqpërdoren për një vend pune, për një ndihmë, për një tender, pronë, etj. Përpjekjet për të manipuluar me këta qytetarë hallexhi janë antinjerëzore. Për këtë qëllim, N. Arifi, me ekipin e tij të dhunshëm (me mandate të grabitura nga vota dhe fitorja e PDK-së) përditë nënshkruajnë “kontrata në vepër” (në kundërshtim me ligjin), marrin të rinj në punë “praktike”, shpërndajnë premtime e mashtrime për t’i “rekrutuar” këta qytetarë në nevojë kundër PDK-së. Por, ne kemi mirëkuptim për këta njerëz me halle, kemi mirëkuptim edhe për Mufailin e plotë të tjerë që angazhohen për me e fitu ose me e ruajt një vend pune, sepse një vend pune për shumë kënd në Viti është jetikë. Por, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të angazhohen për një ambient të qetë, të kulturuar, të sigurtë dhe dinjitoz për të gjithë në Viti. Të angazhohen për një Viti demokratike, ku do të sundonte mirëkuptimi, bashkëpunimi dhe solidariteti ndërqytetarë e ndërpartiak. Vitia është e lodhur nga ky mentalitet i këtij grupi që prodhon dhunë, grabitje, uzurpim, kërcënim për mjedisin, pasiguri publike dhe antidemokraci. Partitë politike do të duhej të ngriten në nivelin e përgjegjësive që kanë marrë dhe të mos përpiqen të përfitojnë nga N. Arifi dhe grupi i tij kundër PDK-së, sepse ky grupim nuk i duhet asnjë partie politike në Viti. N. Arifi, nëse i ka mbetur edhe një grimë ndërgjegje politike, qytetare, pse jo edhe fetare, do të bënte mirë të jepte dorëheqje nga posti që i ka grabitur PDK-së dhe qytetarëve të Vitisë dhe po e shpërdoron tmerrësisht kundër interesave të kësaj Komune dhe qytetarëve të saj, të tërhiqet nga politika, nëse ka qenë ndonjëherë në politikë.
* Anëtar i Kryesisë së
PDK-së, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Këshilltar komunal dhe përfaqësues i
PDK-së në Komunë të Vitisë