E shtune, 27.04.2024, 02:51 AM (GMT+1)

Mendime

Ramiz Selimi: Kosova nuk ka më shumë banorë!

E premte, 19.10.2012, 08:00 PM


Statistikat reale të popullsisë ndihmojnë zhvillimin e vendit

Ja pse Kosova nuk ka më shumë banorë!

Nga Ramiz Selimi

Banorë i një vendi është personi që ka vendbanim të përhershëm në një vend të caktuar ose rajon. Kurse vendbanim i përhershëm quhet vendi ku personi jeton më shumë se gjashtë muaj në vit, i regjistruar pranë organeve kompetente. Në bazë të këtyre rregullave mërgimtarët më të drejt nuk janë banorë të Kosovës.

Regjistrimi i fundit i popullsisë mund edhe të ketë pasur defekte, por kurrsesi në zvogëlimin e numrit, shifrat e publikuara duhet të jenë përafërsisht të sakta. Ata janë edhe banorët real të Republikës së Kosovës, ku shteti mund të orientohet dhe zhvillojë politikat ekonomike të vendit. Një numër i madh i shtetasve kosovarë që jetojnë jashtë do të ndihen të manipuluar, dikush në një formë, dikush për shkak të mungesës së informacionit, por ata asnjëherë nuk do të bëhen banorë të Kosovës pa banuar brenda territorit të saj. Defekt mund të quhet mospublikimi i shifrave të mërgimtarëve, siç e praktikojnë shtetet tjera perëndimore! Shteti është themeluar për interes të njerëzve nga një territor i caktuar, atë e mbajnë dhe zhvillojnë banorët që jetojnë brenda tij.

Shumë politikanë nga të gjitha partitë, publicist, gazetarë dhe sidomos diaspora ndihen të fyer dhe manipuluar nga regjistrimi i fundit në Kosovë. Por, të gjithë ata që mendojnë ashtu janë gabim. Në bazë të rregullave ndërkombëtare, banorë i një shteti tjetër bëhesh nëse brenda viti jeton më shumë se gjashtë muaj në shtetin  e preferuar. Mërgata në asnjë mënyrë nuk mund të jetë banore e Kosovës, kur shumica nga ta, njëmbëdhjetë muaj në vit janë në shërbim të atij shteti ku jetojnë, duke paguar tatimin dhe obligimet tjera jetësore. Ata janë të regjistruar në komunat e tyre, që automatikisht përfshihen në sistemin kompjuterik të numërimit në shtetin ku jetojnë.

Çfarë është regjistrimi?

Shtrohet pyetja se, Çfarë është regjistrimi? Objektivi kryesor i regjistrimit është rishikimi i shifrave zyrtare të popullsisë. Në bazë të këtyre shifrave zyrtare të popullsisë, Shteti, apo Komunat përcaktojnë saktë shpërndarjen e të mirave materiale. Përveç kësaj, regjistrimi ofron në mesin e saj edhe informacione tjera, numrin e banesave dhe ndërtesave, të arsimit dhe trajnimit, punësimit dhe emigrimit. Këto të dhëna shërbejnë si bazë për planifikimin e qyteteve dhe fshatrave. Ai është një imazh statistikor që tregon, përmes të dhënave, kush jeton në Kosovë, kushtet socio- ekonomike dhe kushtet e jetesës.

Mërgata nëse mendon të bëhet banore e Republikës së Kosovës, asaj patjetër i duhet të riatdhesohet, që i bie se ajo duhet të jetojë më shumë se gjashtë muaj në vit në territorin e Republikës së Kosovës dhe e regjistruar pranë organeve , sikur kushtet ekonomike të lejonin diçka të tillë, mendoj se një numër i tyre edhe do të kthehej.

Ndryshimi i vendqëndrimit apo i vendbanimit të një personi quhet shpërngulje ose ndryshe emigrim. Emigrimet mund të bëhen në distanca të ndryshme, në varësi të faktit, nëse ajo është brenda një shteti kufitar, ajo quhet emigrim i brendshëm dhe ajo jashtë shteti që quhet emigrim ndërkombëtar. Ne kemi edhe emigrimet të brendshme, të cilat nuk regjistrohen në entet përkatëse, më se miri këto lëvizje mund të vërehen në Prishtinë, ku shumë qytetarë që jetojnë aty janë regjistruar padrejtësisht në komunat tjera. Emigrimi ndërkombëtar përfshin të gjitha ndryshimet e vendbanimit midis vendit të prejardhjes dhe vend pritës.

Mërgata është numëruar në shtetet ku jetojnë!

Mostra e regjistrimit nga viti 2006 në Bashkimin Evropian solli një tjetër rezultat nga statistikat e popullsive, pikërisht për shkak të lëvizjeve dhe emigracioneve të ndryshme. Për të siguruar konsistencë me rezultatet e numërimit ishte e nevojshme një rishikim i statistikave të popullsisë aktuale dhe statistikave te emigracionit. Nga këtu del se të gjithë shtetasit e Kosovës që banojnë me banim kryesor ne shtetet tjera janë të numëruara në ato vende, numërimi i dyfishtë i tyre, nuk do ti sillte dobi shtetit.

Gjatë bisedës me një koleg timin, bëmë numërimin e lagjes ku kemi jetuar, duke bëre krahasime me vitet e kaluara dhe vendndodhjen e banorëve të saj. I numëruam të gjithë, që nga viti 1981, lagjja pothuajse gati ishte trefishuar. Nga 53 banorë që kishte me 1981, tani ne numëruam 137, prapë bëmë klasifikimin e tyre, duke numëruar ata që jetojnë në Kosovë, ishin 64, numëruam ata që jetojnë jashtë, doli numri 73, nga ky numër i kosovarëve, shtetas të shteteve tjera ishin 59. Interesant ishte edhe numri i të punësuarve qe ishte identik, pas tridhjetë viteve, pa ndryshime 2 me 2. Edhe ky shembull nga lagjja, e bënë shumë të besueshëm dhe real rezultatin e regjistrimit. Disa nga ata që jetojnë jashtë, janë regjistruar edhe si banorë të Republikës së Kosovës.

Në vitin 2011, përqindja e të huajve në popullsinë e Luksemburgut ishte 43.1 për qind. Në tri komuna tjera, një të Zvicrës, Gjermanisë dhe Austrisë numri i banorëve të huaj ishte nga:35.8% (10,2% shqiptarë) -, 24, 7% ( 7,3% shqiptarë)-, dhe 21.5% (5,4% shqiptarë) -,  Këto statistika tregojnë përqindjen e shtetasve të huaj në popullatën e përgjithshme në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në vitin 2011.

Mbi një milion shqiptarë nga Kosova duhet të jetojnë në mërgim?

Nënshtetësia është lidhja ligjore në mes një personi të veçantë dhe shtetit të tyre, nga lindja, ose me natyralizim të fituar (sipas ligjit shtetëror, ose nga deklarimi, përmes martesës, ose me mjete tjera). Shtetas të huaj janë persona të cilët nuk janë shtetas të vendit në të cilin ata jetojnë, por kjo nuk i pengon ata që të jenë banorë të atij shteti ku jetojnë.

Shtetet perëndimore mbajnë evidenca në lista të veçanta për të gjithë qytetarët e tyre që jetojnë jashtë. Këta qytetarë edhe me shtetësi tjera kanë të drejtën e votimit, ata duhet të porositin kartonët e votimit ose të informojnë organet dy muaj më herët se gjatë votimit do të gjenden në vendlindje. Ata nuk figurojnë në listat e banorëve të përhershëm, por kanë listat e tyre të veçanta.

P.sh shifrat nga shteti Austriak: janë rreth 400.000 austriakë, si koordinator dhe emigrantë, të cilët kanë vendbanimin e tyre të përhershëm jashtë vendit. 294.800 prej tyre jetojnë në Evropë, 174.548 në Gjermani, në Zvicër 36.490, në Mbretërinë e Bashkuar 22.200, në Afrikë 17.700. Përveç kësaj, janë rreth 100.000, ish-austriakë, të cilët pas emigrimit të tyre  e miratuan një shtetësi tjetër. Këta qytetarë asnjëherë nuk janë në evidencë si banorë të shtetit austriak.

Ndërsa sa i përket manipulimit në zgjedhje pikërisht me mërgatën është një temë tjetër, që do shtjellim të veçantë. Fatkeqësisht, këtu edhe në zgjedhjet tjera do të gjenden forma dhe mënyra për të manipuluar, në emër të shtetasve kosovarë që jetojnë jashtë, por ky regjistrim është hapi i parë drejt pakësimit të parregullsive që ndodhin në Kosovë.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora