E premte, 26.04.2024, 02:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Tefik Selimi: Vepër që ndrydh mallin për vendlindjen…

E hene, 01.10.2012, 07:28 PM


Vepër që ndrydh mallin për vendlindjen…

Nga Tefik Selimi

Poetët e rrëfejnë jetën. Ata dhe vetëm ata janë rrëfyesit më të mirë të jetës. Dhe, duke “kënduar” apo rrëfyer jetën, ata bëhen poetë. E, poetët lindin nga shkaqet dhe nga problemet e jetës. Edhe shkrimtarët e mëdhenj kanë shkruar për dhimbjet, tmerret, luftën, por kanë shkruar edhe për dashuritë më të ndryshme të njeriut tonë. Edhe Haki Bunajku, poet nga  diaspora, ka lënë gjurmë në shkrimet letrare, të cilat, herë pas here i ka botaur në gazeta e revista shqipe në Kosovë, por edhe në diasporë. Pra, jeta “tjetër”, e “dytë”, e bëri poet me një forcë të shquar poetike. Poezia e tij është një artikulim shumë tërheqëse artistik letrar, për faktin se, ai jetën e rrëfeu ashtu si ishte, ashtu si e përjetoi me ato tmerre nën okupimin kriminel serb. Pra, Haki Bunjaku, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, i tëri intelektual me ditar në dorë, më vonë, jeta e degëdisi me të çara dhe me pasojat, të cilat i pësoi nga regjimi barbar serbë. Ia bënë dosjen e zezë. Nisi persekutimi dhe ia vështirësuan jetën normale. I thanë se po motivon rrethin me frymëzime të ngarkuara kombëtare, se veprimtaria e tij ishte e orientuan nga shteti amë, Shqipëria dhe është i lidhur me irredentistët. Pra, i thanë se po punon kundër popullit dhe shtetit!!! Prandaj, nga ky “skenar”, Haki Bunjakut ia mveshën e ia filluan shantazhet e ndryshme, edhe kërcnuese. I pari qe ky njeri që në vitin 1976 propozoi që të vizitohet Shqipëria për një pushim kolektiv. Pra, këtu ai u zu në “thua” dhe libri “Ndrydhje malli”, që sapo doli nga botimi, i rrëfen këto “ngjarje” kohe, jo aq të largët, por e pëson dhe i përgaditej edhe privimi nga liria! Jo vetëm kaq. Ai zgjodhi rrugën e arratisjes dhe u gjend në Zvicër. E filloi punën si shumë mërgimtarë të tjerë. Por, lapsin nuk e largoi nga dora e mendja. Çdo gjë që e pësoi, e shënoi dhe la vargje përjetuese. Andaj, ditë më parë, ky intelektual e botoi veprën e parë poetike “Ndrydhje malli” (2012), vepër kjo që ka “rrëfyer” kohën e rëndë nën okupimin e shovinizmit eksrem serb. Ishte kohë me përcjellje, kohë e përgjimit dhe kohë e diktatit të politikës serbomadhe. Tash, ky poet (Hakiu), jeton në, Cyrih të Zvicrës. E zgjodhi dilemën e jetës: në burg apo në arrati. E zgjodhi të dytën. Por, nuk është vetëm ky që e braktisi vendlindjen e atdheun e të parëve, por e e braktisën edhe shumë të tjerë, të cilët edhe sot e kësaj dite nuk u kthyen në vendlindjet e tyre. Por, disa edhe u vranë në mërgim,si: Kadriu, Jusifi e Bardhoshi. Ishte koha kur regjimi serbomadh i ndoqi intelektualët shqiptarë gjer me likudim me jetë. E, Haki Bunjaku, poet, qe i burgosur dhe i përndjekur nga organet e sigurimit shtetëror serb. Shih për këtë, ai zgjodhi rrugën e mërgimit, rrugën e shpëtimit. Por, si?! Dihet fare mirë se, gjatë viteve 1974 e më vonë, UDB-a dhe organet tjera shtetërore serbe i mdoqën me qindra e mijëra intelektualë shqiptarë. Ata, jo vetëm i ndoqën e burgosën, por ushtruan mbi ta dhunë të paparë. I ftonin në  biseda informative. Ua bastisnin shtëpitë, ua merrnin literaturën dhe gjer te maltretimi fizik para familjarëve nga policia e UDB-së serbe. Më tepër e kanë pësuar profesorët që punonin me rininë shkollore, për faktin se, aty mbjellej urrejta ndaj okupuesit, në të kundërtën, shprehej dashuria ndaj çdo gjëje shqiptare. Haki Bunjaku ishte shok i autorit të këtyre radhëve. Duke punuar bashkë në gjimnazin e Gjilanit, ai disa herë autorit të këtyre radhëve  i pat treguar se ishte i përndjekur nga organet serbe. Ai, një ditë, pa një pa dy, e mori botën në sy. U largua nga vendlindja e dashur, Desivojca. U largua dhe kurrë më nuk u kthye. U gjend në Cyrih si  shumë shqiptarë atdhetarë të tjerë të përndjekur. Aty e filloi jetën e dytë. Këtë jetë ai e përjetësoi në vargjet e poezisë “Jeta në ikje” në përmbledhjen e veprës “Ndrydhje malli”. Ai, në vagjet e tij poetike, shton: “U bëra i kamur/ kam dy vendlinje./ Njëra është e zgjedhur,/ tjetra është me lindje./ Në njërën pushon shtati/ në tjetrën endet shpirti/ dhe jam i shtrirë për tokë/ qentë e sokakut tonë/ po më lehin në kokë/ kur të bie perdja,/ kur t’i mbylli sytë,/ s’dua të jem këtu/ në vendlindjen e dytë” (f.83). Pra, poeti nuk dëshiron të jetojë në dhe të huaj. E, për vetën (shih poezia “Poeti”), ai shton: “Prodhon mallra/ që s’i nxjerr në treg/ gërvish plagën/ mu aty ku djeg”, (f.5). Ja sa bukur e ka përshkruar jetën se si e gërvish poeti duke i rrëfyer “ngjarjet” përjetuese të tij. Një vend të veçanatë në veprën poetike “Ndrydhje malli”, zënë poezitë kushtuar Agim Ramadanit, dëshmorit të kombit. Ai (poeti: H. Bunjaku), duke jetuar në mërgim, Zvicër, e ka njohur më përafër Agim Ramadanin, për të cilin ka shkruar vargje për ta përjetësuar në veprën atdhetare të tij. Që në fillim të veprës “Ndrydhje malli” të autorit, shkëlqejnë disa nga poezitë përkushtuese për këtë figurë të më madhe të kombit shqiptar, Agim Ramadani. Veçohet poezia “Agimi i Agimeve”, ku autori shton: ”Ti ishe prijës i prijësve/ dhe prije në  vijën e parë/ heroizmin deshën ta përvetësojnë/ ata që lufën e bënë me celular/, (f.7). Agim i Agimeve tona/ nëna të lindi Agim/ për lindjet e reja/ me damarët e gjaku/ jeta të bëri trim/”, (f.8). Apo poezia, pjesa e pestë e saj kushtuar Agimit, djaloshit më të mirë të Karadakut e të Kosovës, shton: “Trim! Lis në fis/ me plis të bardhë”, (f.12). Poeti, Haki Bunjaku sikur ato ngjarje kohe i ka rrëfyer me thellësi poetike, e cila thellësi është artikuluar bukur me ndjenjën përjetuese duke pasqyruar personalitetin e dëshmorit, njeriut e ushtarakut të shkolluar të jetës dhe, shton: “Ne, edhe pa pasaportë/ andej e këndej endemi/ krejt është bërë Shqipëri/ po nga smira e tepruar/ nuk themi që kufirin/ e theve ti”, f. (f.12). E, poeti çahet dhe e ngrit zërin për ti bashkuar shqiptarët tok kudo që jetojnë, sepse bashkimi bën fuqinë. Ai shton:  ”Njerëz të urtë/ mblidhmani gjakun/ rrugëve të shtegtimit/ në mbrojtje të pragut!/ tubomëni gjymtyrët/ në një trupore/ pa hasmëri partiake/ bashkërisht qytetit/ të bëjmë një korzo”, (f.29). Në poezinë “Tre liberatorë”, poeti H. Bunjaku, shton një datë të vrasjes së tre atdhetarëve: Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, më 17 janar të vitit 1982 në Gjermani. Poeti ndizet flakë dhe s’ka për të mos kënduar  në vargje “Ju besnikë/ ratë në pabesi/ se e njihni veten/ tash rritenin në lavdi”/, ose vargjet “I pari qe i nemur poet/ i dyti gazetar e redaktor/ i treti përkthyes e punëtor/ që të tre liberatorë/ që të tre yje të dritës/ që të tre i vunë themelin/ Republikës!”,(f.17,18). Autori i veprës në fjalë ka përshkruar edhe kolonat e njerëzve nga vitet e 35-ta duke u endur e dënuar nga gjyqësia serbe pa asnjë faj. Autori shton: “Me vete bart duhmën e rëndë/ të ajrit të sëmurë të qelisë/ dhe me hapa të rëndë sa toka/ shkel në sytë e gjakosur/ të përrallorit të trazuar/ nga thellësia e heshtjes/ nxjerr vetëm një fjalë: Lirinë e dua pa e falë!”(f.25). Poet shkroi edhe për Ali Podrimjen, poetin më të mirë kosovar. Duke ndjerë dhembjen për humbjen e tij para kohe, ia ia kushtoi poezinë “S’ka mort poeti”, dhe shton: “...Kosova rridhte gjak/ në damarët e tij/ prandaj ky gjak/ as Kosova nuk mund të falet!” (f.26). Autori i librit “Ndrydhje malli” nuk është i kënaqur me këtë liri, sepse, sips tij, kjo liri është “gjysmë lirie” dhe gjysma e saj në pritje”. Në poezinë “Liria e brishtë”, poeti, Haki Bunjaku këndon: “ Njerëzit që u vranë për liri/ heronj i quajtëm me peshë/ dhimbjeje në zemër/ po pjesa e vrarë në liri/ na mbeti pa emër!”,(f.31). Kjo kohë e dhunës për të cilën rrëfen autori në vargje, është kohë jo e harresës, sepse, mbi qytetarët tanë varfënjakë u kërkuan tepricat, të cilat i mungonin. Poeti e zë në vargje këtë jetë dhe shton: “Një ditë syskuquri/ me tërbim dhe i krekosur/ na hyri befas në shtëpi/ përmbysi magjen e miellit/ nga babai me ngulm kërkonte/ “tepricë” të zogjve të qiellit”, (f.33). Përsëri autori e “shohim” se si u këndon luftëtarëve të lirisë. Ai përmend në vagje plot ritëm të zgjarrtë luftëtarët tanë: Azem Bejtën, Shotë Galicën, Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Fehmi Lladrovcin, Isa Boletinin, Adem Jasharin, Sali Çekun, Agim Ramadanin e të tjerë. Ja si këndon te poezia: “Sharkija e trimërisë”, “Adem Jashari nga Prekazi/ s’e duroi shkaun te pragu/ le të digjet guri e mali/ në flakë të kallet ky barbari/ Sali Çeku i thërret Agimit/ gati trim t’i mëshojmë kufirit/ nisën luftën me batare/ lavdinë ngritën në Koshare”, (f.37). Poezia “Kujtimi për vendlindjen”, të përkujton vargjet e Naimit të madh. Këtë jetë idilike, poetit e “rrëfen” plot ritëm të natyrës shqiptare, si: ”n’ato shpate e kodrina/ n’ato suka bregore/ n’atë shulla bungishte/ në përgjim të melodisë me fyell/ të bagëtive nëpër pyll/ ku më dalin para/ fëmija moshatarë/, qershitë ngjyrëgjaku/ shtëpia e vjetër/ që diku i gëzoja/ dhe tash përgjërohem/ prej së largu”, (f.52,53). E vendlindja e poetit është shumë përjetuese, si shton: “Kur shkoj në vendlindje/ më trazohen emocionet/ krejt koloritin e fus në  gji/ mbi supet më rëndojnë/ breng’ edhe mall’!”, (f.54).  Por, poeti e urren jetën në mërgim. Ai e vëren se jeta në dhe të juaj është me dhembje, jetë e pa shije. Kjo jetë është metaforë malli, siç thotë vetë poeti: “Të huaj në mes të huajve/ në mes tanëve perëndimorë/ një mallkim i skajshëm/ për theçafje: diasporë/ diasporë është metaforë mallkimi”. Po ashtu edhe në  poezinë “Mall e breng”, sikur poeti vuan nga brenda dhe çahet e shkrihet në vaj. Malli që e djeg dhe e përvlon, poetin e frymëzon gjer te vuajtja e zemrës dhe shton: “le ta dijë koka se ç’ka brenda/ mos të vuajë vetëm zemra”, (f.79). Edhe plagën e kurbetit, autori e ka rrëfyer gjer në skashjmëri, duke  paraqitur zgjimin e hershëm, sytë e ënjtur të pagjumësisë për largësitë e mallit: “Kafshatën e kemi ngjyer/ me dridhma në blozën/ e pelintë të kurbetit/ plagë e truar në palcë të regjur/ nga vuajtjet e mallëngjimit/ nga loti i trishtimi/ për familje e farefis// të braktisur pas mija / kilometrash dhimbje/ të gjatë”, (f.98). Vepra “Ndrydhje malli” është një vepër poetike, e cila në vete ngërthen dhembjen për vendlindjen, për familjen, atdheun, dëshmorët dhe për  kohën e përndjekjeve të intelektualëve shqiptarë nga regjimi serbomadh. Librin e botoi Shtëpia Botuese “Faik Konica”, Prishtinë, 2012.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora