Kulturë
Muharrem Sfarqa: Intervistë me Dr. Enver Bytyçin
E hene, 01.10.2012, 06:28 PM
Intervistë
me Dr. Enver Bytyçin
Rugova, një prej dy-tre personaliteteve më të mëdha të historisë së shqiptarëve
Nga Muharrem Sfarqa
Dr. Enver
Bytyçi është Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës
Juglindore në Tiranë, studjues dhe
publicist, autor librash analitik dhe vlerësues i mendimit dhe veprimit politik
shqiptar. Me zotin Bytyqi për gazetën " Bota Sot " zhvilluam
këtë bisedë.
"
Bota sot ": Vlerësimi i juaj analitik i shprehur me kompetencë intelektuale, po bën një renditje te
personaliteteve tona publike ne bazë te rolit të tyre historik. Cka mund të na
thoni për këtë?
E.
Bytyçi: Historia e shqiptarëve është e mbushur me personalitete. Ne jemi një
komb që më së shumti personalitetet historike ua kemi dhënë kombeve të tjera
ose qendrave të perandorive. Le të kujtojmë vetëm pak emra: Kostandinin e Madh,
të cilin serbët duan pas gati 2000 vjetësh ta përvetësojnë, edhe pse aso kohe
ata jetonin në stepat e Rusisë. Pa asnjë dyshim Perandori shqiptar i Romës,
Kostandini i Madh, ka bërë hapin historik më të madhin në historinë e
bashkëjetesës së fesë me shoqërinë dhe shtetin. Të tjerët para tij i shkonin në
shigjetë e i digjnin ata që besonin në fenë kristiane.
Shqiptarët
i kanë dhenë krishterimit gjithashtu Papa Klementin, shën Jeronimin, i cili qe
i pari përkthyes i dhjatës së vjetër e të re nga hebraishtja në latinisht e në
greqisht. I ka dhënë Niketë Dardanin, i cili ka formuluar himnin kishtar të
Vatikanit e deri te Nënë Tereza, shenjtorja e ditëve tona, e cila nderohet me
respekt të thellë në të gjithë globin. Madje është bërë refren i bamirësisë.
Shqiptarët
krijuan gjithashtu himnin kombetar të Turqisë moderne. Kujtoni pejanin, Mehmet
Akif, në gojën e të cilit tingëllon gjithnjë aktuale thënia: "Tregomë një
komb me shpirt të vdekur e mbetur gjallë". Ne i kemi dhënë perandorisë
osmane 28 kryevezirë (thoshte këto ditë Davidoglu) si dhe komandantë që kanë
bërë emër në historinë e kësaj perandorie. Çupërlitë e Beratit e kanë sunduar
de facto gati një shekull Portën e Lartë.
Por
heronj dhe personalitete që kanë kontribuar brenda kufijve të Shqipërisë kemi
më pak. Një ndër dy ose tre prej këtyre ikonave të shqiptarisë është dhe do të
mbetet Ibrahim Rugova. Në vetëdijen tonë zë vend Skënderbeu si më i madhi i
historisë sonë kombëtare. Por Rugova mësoi edhe nga gabimet e Skënderbeut dhe i
dha popullit shqiptar, sidomos Kosovës, modelin e një qëndrese, e cila nuk do
ta boshatiste atdheun nga bijtë e bijat e veta. Fatkeqësisht pas vdekjes së Skëndërbeut,
njësoj si edhe pas vdekjes së Enver Hoxhës, shqiptarët u degdisën në dhe të
huaj dhe u shpërndanë si zogjtë e korbit. Ibrahim Rugova, me veprën e tij e
madje edhe me vdekjen e tij i grupoi shqiptarët dhe i bëri një, duke i
frymëzuar ata për të realizuar një të ardhme të ndritur, në mesin e kombeve më
të qytetërura të botës.
Unë nuk e
di se çfarë do të sjellë e nesërmja, nuk e di se çfarë vendi do të zënë
politikanët që sot i drejtojnë dhe udhëheqin shqiptarët. Ndërsa për Ibrahim
Rugovën, jam i bindur se ai do të jetë në ballin e oxhakut të shqiptarëve.
Madje sa më shumë kohë të kalojnë, aq më shumë do të nderohet e respektohet. Ai
kishte shumë pak bashkëpunëtorë. Por kishte si mbështetës të tij të gjithë
shqiptarët e Kosovës e më gjerë. Shumica e atyre që i rrinin pranë ose larg e
shihnin me dyshim. Dhe kjo ndodhte, sepse kjo pjesë e dyzuar e bashkëpunëtorëve
të tij, nuk kishte kapacitetet intelektuale të kapte vizionin e Ibrahim
Rugovës, siç e kapte i madhi Fehmi Agani, përshembull. Nuk kanë mundur dhe për
shumë kohë nuk do të mundin që ta kuptojnë këta njerëz Rugovën, jo më ta
nderojnë e respektojnë.
"
Bota sot“ : Përmes publikimeve të deritashme, ju njiheni si një nga analistët
më të mirë të çështjeve politike të Evropës Juglindore , në veçanti të
mardhënieve shqiptaro - serbe e greke. Na thuani cili është pozicioni i sotëm i
shqiptarëve në proceset integruese të kontinentit tonë ?
E.
Bytyçi: Edhe pse do të doja të isha modets, dua të informoj lexuesit se deri më
tani kam botuar 5 libra, tri prej të cilave me studime për Kosovën, në mesin e
të cilëve edhe një studim për marrëdhëniet midis shqiptarëve, serbëve dhe
grekëve në 200 vitet e fundit.
Libri
"Shqiptarët, serbët dhe grekët", ndoshta ka qenë libri më pak i
reklamuar, por jo më pak i mirëpritur nga lexuesit.
Por le të
kthehem te thelbi i pyetjes suaj. Të gjitha botimet, analizat dhe komentet i
referohen zhvillimeve historike, politike e aktuale në rajonin e Europës
Juglindore. Për këtë shkak para disa muajsh kam themeluar institutin e
studimeve në Tiranë me të njëjtin emër. Shpresoj të bëjmë studime e punë shumë
të mira në interes të paqes e sigurisë në rajon. Kjo është, besoj, rruga më e
mirë që ne shqiptarët të konkurojmë në kohët e sotme. Ne kemi provuar të
konkurojmë përmes forcës e luftrave, por kemi dështuar. Ne, si të gjithë
ballkanikëve, nuk na pëlqen kur themi se në luftëra kemi dështuar. Por kjo
është e vërteta. Rugova u ngrit në piedestalin e historisë, sepse kuptoi se
edhe të jesh me perendimin, edhe të behesh kaçak
Në këtë
kuptim integrimi në strukturat europianë është e vetmja rrugë, e vetmja mënyrë
për të komkuruar dhe për të zënë vendin që na takon në gjirin e Europës. Në
librat e mij analizohen pikërisht këto vlera. Qëllimi im ka qenë dhe mbetet që
të kontribuoj sa është e mundur në demantimin e shpifjeve mbi 100 vjeçare të
Serbisë kundër popullit e kombit shqiptar. Argumentet, të cilat i kam përdorur
janë qëmtuar thuajse të gjitha nga autorë të huaj, jo shqiptarë, me qëllim që
t´i thuhet Europës, se ju vetë e pranoni që prëzantimi i shqiptarëve nga
proaganda serbe është një shpifje e asgjë tjetër. Për këtë arësye analisti i
njohur, Patrick Moore, duke folur në përurimin e librit "E drejta e vetëvendosjes:
Rasti i Kosovës", në fillim të vitit 2008, në Ennepetal të Gjermanisë u
shpreh kësisoj: "Për këtë libër nuk keni aq shumë nevojë ju shqiptarët, sa
kanë nevojë europianët". Dhe rekomandoi që libri të përkthehej në
anglisht, gjermanisht dhe gjuhë të tjera.
„Bota
sot“: Po Kosova, a ka bërë hapa në këtë
rrugë dhe cila është e ardhmja e
shqiptarëve në integrimin e mëtejmë të evropes ?
E.
Bytyçi: Kosova është në një pozitë më të volitshme se Shqipëria, sa i përket
gjendjes politike të brendshme. Pavarësisht debateve e ndonjëherë acarimeve,
përsëri në Prishtinë bëhen marrëveshje, votohen ligjet e domosdoshme. Kështu
ndodhi me kushtetutën pas shpalljes së pavarësisë. Kështu ka ndodhur në çdo
rast kur është dashur vota e opozitës për ligjet e cilësuara. Por Kosova
përballet me disa sfida specifike. Europa është larg Kosovës dhe jo Kosova
gjendet larg Europës. Ndërsa europianët duan të marrin kompetenca në Kosovë,
ata ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.
Ka edhe
probleme të tjera, p.sh., korrupsioni i lartë, moszbatimi i ligjeve, ose
çeshtja e veriut të Mitrovicës. Sa për veriun, edhe këtu përgjegjësitë janë të
Prishtinës, në kuptimin se ajo në këto pesë vite mund të investonte shumë për
të ndërtuar infrastrukturën për mirëqenien ekonomike e sociale të banorëve të
veriut, gjë që nuk ka ndodhur. Kjo mënyrë e punës dhe investimit do t´i zbuste
qëndrimet. Në fund të fundit pse në Kosovë ka influencë Perendimi? Sepse Kosova
është kjo që është si rezultat i investimit të SHBA-së dhe vendeve më të
fuqishme të BE-së. Nëse Rusia do ta bënte gjysmën e këtij investimi, atëherë
punët do të ishin edhe më keq për Kosovën. Kredencialet krijohen edhe në
mërrëdheniet shoqërore e familjare në raport me investimin në familje ose në
shoqëri. Kredencialet e veta Prishtina i rrit në veri, nëse investon, qoftë dhe
30 për qind të buxhetit të saj. Atëherë shihni si do të shkonin punët!.
„Bota
sot“ : Në botimet tuaja publicistike, vend të rëndësishëm i kushtoni Kosovës
dhe rrugës së saj deri te pavarësia. Cila është lidhja e juaj me Kosovën ?
E.
Bytyçi: Në qershor të vitit 1998 po pija kafen së bashku me tre kolegë të mij
gazetarë në lokalin që mbante emrin e Fidelit. Eshtë i njëjti Fidel, i cili
qëndron në krah të Edi Ramës sot për të ruajtur imunitetin e deputetit. Të
gjithë ne gazetarët rrinim "te Fideli". Një ditë prej ditësh dëgjuam
zhurmën e avionëvë të NATO-s, të cilët demonstronin forcën kundër Milosheviçit.
Unë e dhashë veten dhe shfaqa një entusiazëm të justfifikuar. Njëri nga kolegët
më thotë: Çfarë fiton ti Enver po të çlirohet Kosova? Pse gëzohesh kaq
shumë?- E dija pozicionin e
kolegut tim, e dija ç´donte të thoshte me ato pyetje. Ishte e kotë t´i flisje
për lidhjet e gjakut, të gjuhës, të territorit midis nesh. Prandaj ia ktheva
shkurt: Ti B.M. e di se unë kam një shtëpi botuese dhe veç revistës botoj edhe
libra. Nëse çlirohet Kosova unë do të shes dy herë me shumë libra e revista. A
nuk mjafton kjo që unë të gëzohem?! Më pas në bisedë i shpjegova sesi fshati im
ka mbijetiuar në histori duke bërë tregëti në Prizren e në Gjakovë. I shpjegova
se krahina e Hasit, ku unë jetoj, është ndarë me kufi përgjysëm. Gjysma në
ish-Jugosllavi e gjysma në Shqipëri. I shpjegova se ka qenë një fshat, Pogaj,
në kufi me Gorozhupin e të dy fshatrat kishin vetëm një çezme për të mbushur
ujë. Unë vetë kisha njërëzit e mij në Gjonaj, e gjetkë, të cilët nuk i njihja
deri më 1991. Nuk ua dija as emrat. Ata e kishin përcjellë nënën time nuse në
fshatin ku kam lindur, por e shkreta nënë u nda nga kjo botë pa i parë ndonjëherë
tjetër të dashurit e saj. Operativi i zonës ku punoja më pyeste shpesh: - Kë ke
ti Enver në Prishtinë? Dhe kur i përgjigjesha se nuk kam njeri, ai përsëri
këmbngilte: - Ti ke dikë, po kush është ai? Provokonte, nëse unë e dija që në
Prishtinë më 1986 kisha një djalë të dajës së nënës, i cili paska qenë në
polici. Kur më 1991 e mora vesh këtë fakt, m´u rikujtua pyetja e vazhdueshme e
operativit të sigurimit.
Shkurt
lidhjet e mia me Kosovën janë shpirtërore. Por nga ana tjetër këto lidhje janë
krijuar edhe për shkak se nga qyteti i Kukësit, ku jetoja, i ndiqnim emisionet
e radio Prishtinës. Dobët, por e shihnim edhe ekranin e TV Prishtinës. Nuk
harroj kurrë vargun njerëzve që marshonin në nëntor të 1988-ës drejt
Prishtinës.
Fati e
deshi që të qëndroj gjithmonë në korent të ngjarjeve në Kosovë e për Kosovën.
Nuk e teproj po t´u them se nuk ka ditë që nuk skedoj shkrime për Kosovën nga
gazetat e Kosovës, nga portalet e web-faqeve e nga gazetat e huaja në gjuhën
gjermane, sidomos ato të Austrisë. Ndjek disa herë në ditë në internet Radion
Europa e Lirë, radion Zëri i Amerikës dhe radion DW. Kjo më bën të mos
shkëputem për asnjë moment nga zhvillimet në këtë vend, një vend, të cilin e
konsideroj me të njëjtin status dhe të njëjtën peshë sa edhe Shqipëria, jo
vetëm për rajonin, por sidomos për pozitën e shqiptarëve në këtë rajon.
„Bota
sot“: Ju në studimin brilant të filozofisë politike dhe nacionale të Ibrahim
Rugovës, shquheni për zbërthimin e thellë e të gjithanshëm që i bëni vizionit
rugovian për liri, pavarësi dhe demokraci. Prej nga gjithë ky interesim dhe
frymëzim i juaji?
E.
Bytyçi: Studiuesit janë njerëz me ndjenjë, njësoj si të gjithë njerëzit e
tjerë. Por ndjenja e studiuesve është disi më e thellë, më atraktive, siç janë
ndjenjat e krijuesve në letërsi p.sh. Kushdo që njeh mirë historinë e
shqiptarëve dhe i thërret logjikës mundet pa vështirësi të dallojë te Ibrahim
Rugova njeriun që ka zhvilluar një filozofi politike të re. Kjo filozofi
politike, çfarë e adaptoi presienti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova,
erdhi në jetën e shqiptarëve në një moment kyç të historisë së kombit tonë. U
shfaq bashkë me Rugovën dhe filozofinë e tij politike, ajo çfarë na kishte
munguar prej shekujsh e mijëvjeçarësh.
Rugova
kuptoi se konkurenca e kombeve në kohën tonë është konkurencë vlerash.
Me këtë
vijë politike ai arriti dy objektiva shumë të rëndësishme: Zhvleftësoi
propagandëna ntishshqiptare 100 vjeçare të Serbisë dhe faktorizoi kombin
shqiptar në botën moderne. Pa këtë filozofi të Rugovës nuk do të kishim as
UÇK-në, si katalizator i ndërmjetëm për diplomacinë imponuese të NATO-s, as
çlirimin e Kosovës më 12 qershor 1999 nga ana e Aleancës së Atlantikut. Të
gjitha këto, së bashku me postulatet e Rugovës për pavarësinë, për periudhën
kalimtare si protektorat, për miqësinë e përhershme me SHBA-të, më kanë
intriguar tejmase. Ndërsa praktikisht më ka bërë përshtypje sjellja prej të
urti. Duhej të ishe Rugovë, p.sh t´i thoje kancelarit gjerman, Gerhard
Schröder, "Mos u mërzit se do të bëhet mirë".
„Bota
sot“: Ka mbetur edhe dicka e pa thënë rreth kësaj filozofie?
E.
Bytyçi: Ka mbetur shumë. Për mendimin tim mendimi filozofik e politik i Rugovës
nuk shteron kurrë. Ai mund të analizohet e të shihet në disa pamje, nga
pikëpamja estetike, etike, morale, filozofike, juridike, politike, nacionale,
ndërkombëtare, zonale e universale. Brenda konceptit të tij qëndrojnë në lidhje
të ngushtë të gjitha këta elementë të racionalitetit të tij. Dikush mund ta
studiojë shumë mirë Rugovën dhe mendimin e qëndrimin e tij filozofik nga
pikëpamja e filozofisë së urtë e popullit shqiptar.
Në
ligjet, kodet dhe kanunin e shqiptarëve shfaqet urtësia si elementi kyç i
sjelljes njerëzore. Pikërisht këtë cilësi Rugova e përvetësoi dhe e bëri pjesë
të filozofisë e të politikës së tij paqësore. Me urtësinë e tij të
jashtëzakonshme ai sfidoi regjimin serb të Milosheviçit në Kosovë, e refuzoi
atë kategorikisht dhe ndërtoi një sistem vetëqeverisës të admirueshëm. Urtësisë
së tij iu bindën miliona shqiptarë, madje me admirim dhe më një shembullesë të
jashtëzakonshme. Por me urtësinë e tij ai sfidoi edhe kundërshtarët kryeneçë
brenda Kosovës. Ndërkohë te vepra e Rugovës mund të zhvillohen studime edhe në
fushën e publicistikës, të letrave e sidomos të kritikës letrare. Ai ishte një
studiues i jashtëzakonshëm, madje unikal në këtë drejtim. Kurse mjafton që
dikush të bëjë analizën krahasuese të kushtetutave para e pas Rugovës me
kushtetutën e Kaçanikut e të zbulojë faktin se Kushtetuta e Kaçanikut qëndron
shumë më lart se të gjitha kushtetutat e tjera. Autorë të asaj kushtetute ishin
juristët, por ideologu i saj ishte Ibrahim Rugova.
„Bota
sot“: Në promovimet e botimeve tuaja ( gati gjithkund kah janë shqiptarët ), ju u pritët mjaft mirë. A mund
të vlerësoni ndonjë përvojë interesante për lexuesit tanë ?
E.
Bytyçi: Promovimi i parë ndodhi në Prishtinë, vetëm pak ditë pas botimit të
parë të librit, përkatësisht më 14 janar 2011. E organizoi Ministria e
Kulturës, gjë për të cilën falenderoj drejtuesit e asaj kohe, ministrin Lutfi
Haziri dhe sekretarin e Përgjithshëm, Shkëmb Manaj. Ishte një promocion
perfekt. Imzot Dr.Dom Lush Gjergji mbajti një referencë të thukët.
Botuesi,
Nazmi Rrahmani, më tha se libri është shitur. Atëherë unë e ribotova përmes
Institutit të Studimeve të Europës Juglindore, duke shtuar dhe disa kumtesa që
u mbajtën në Prishtinë, në Kirchem-Haim Teck të Gjermanisë e në Zyrih të
Zvicrës. Më tej, në dhjetorin e vitit të kaluar u bë një promovim tjetër në
Mund të
them se libri nuk ka gjetur pasqyrim në median televizive, si shumë libra të
tjerë, për të cilat televizioni është shndërruar në mjet marketingu e jo
pasqyrimi të vlerave. Por kjo monografi për Ibrahim Rugovën është vlerësuar
shumë nga lexuesit e thjeshtë. Ka pasur vlerësime, për të cilat nuk do të isha
kujtuar gjithë jetën t´i formuloja. Ka pasur edhe kritika nga ndonjë person me
tru të ngurtësuar, por edhe kjo është normale, sepse ende ka njerëz, të cilët
nuk e vlerësojnë, për të mos thënë se e urrejnë, Ibrahim Rugovën. Koha do t´i
çlirojë të gjithë shqiptarët nga thonjtë e ideologjive antishqiptare dhe të
gjithë pa përjashtim do të shohin te Presidenti Historik i Kosovës njeriun
legjendë, që shpalosi vërtetë legjendën e vlerave të kombit shqiptar, njësoj si
Nënë Tereza.
„Bota
sot“: Po kthimi i juaj në Gjermani, tash si autor i librave me analiza dhe studime, cfarë do të thotë për ju?
Enver
Bytyçi: Edhe pas kthimit nga Gjermania kam vijuar të shkruaj studime, analiza,
komente, opinione. Kam gjetur kohë t´i bëj këto, edhe pse në kushte disi më të
vështira sesa në emigracion, ku s´kisha asnjë punë, përveçse të shkruarit. Kam
shkruar ose vazhdoj t´i shkruaj dhe katër libra të tjerë, të cilët presin
dritën e botimit. Dhe do të shkruaj vazhdimisht duke iu përmbajtur filozofisë
së vlerave.
Në këtë
bindje e vetëdije ze vend çdo filozofi dhe mendim politik që i bashkon
shqiptarët. Kjo është vlera që duhet qëmtuar dhe zbuluar. Për fat të keq janë
shumë pak ata njerëz të elitës shqiptare që bashkojnë e nuk i ndajnë njerëzit.
Ne vazhdojmë të vuajmë sindromin e krijimit të partive politike për të
kritikuar të shkuarën pa u munduar aspak për të dhënë një alternativë të
besueshme. Kjo sepse partitë përbëjnë kalin e betejës klasike në luftën kundër
njëri-tjetrit për pushtet personal e klanor dhe jo bërthamën e përhapjes së
ideve, vizioneve dhe programeve zhvillimore për vendin. Mund të gjesh dhjetë
mijë, njëzet mijë shqiptarë në Ballkan, që mund ta krijojnë një parti për të
sharë, ofenduar, shpifur e trilluar për kundërshtarin, por nuk bëhen as sa
gishtat e njërës dorë ato që shpalosin vizionin e zhvillimit të kombit tonë në
të ardhmen, duke rivitalizuar përvojën e së kaluarës. Fatkeqësisht ne jemi
formuar revolucionarë dhe koncepti ynë, i trashëguar nga diktatura është
revolucioni. Na mungon koncepti për evolucionin, aq më pak mungon ky koncept në
metodologji e si doktrinë e mendimit vizionar politik e intelektual. Rugova
ishte i veçantë. Ai ishte ndryshe. Ai kishte vizion, program, taktikë e
strategji të përsosur, aq sa mund të jetë e përsosur vetë politika. Ai e
ndërtoi politikën mbi bazën e moralit dhe jo mbi bazën e interesit klanor e
personal. Prandaj i duhet dhënë Rugovës vendi i parë në historinë e
personaliteteve të kohës sonë.
„Bota
sot“: Mërgata shqiptare për vite të tëra ishte bartëse e proceseve historike që
lidhen me kombin dhe ardhmërinë e zhvillimit të gjithmbarshëm ( tonin). Cili
është vlerësimi i juaj për këtë temë ?
E.
Bytyçi: Eshtë shumë e vërtetë se mërgata shqiptare ka qenë dhe mbetet bartëse e
proceseve historike kombëtare. Milosheviçi e ka shprehur zilinë e tij pë
kontributin e mërgatës shqiptare në luftën kundër sundimit të tij në Kosovë.
Kjo do të thotë se ai i shihte shqiptarët në emigracion si faktor i fuqishëm në
fitoren e luftës për liri e pavarësi. Kjo do të thotë se emigracioni shqiptar
kontribuoi me vepra konkrete e të mëdha në luftën për çlirimin e Kosovës.
Kontribuoi shumë e me disiplinë për ndërkombëtarizimin e çeshtjes së Kosovës.
Por besoj
se ka ardhur koha që ta shohim pak në mënyrë pragmatike këtë rol. Tani që
shqiptarët kanë krijuar kufijtë e tyre, nëse mund të shprehem kështu, kombi ynë
ka nevojë për kontribute të tjera. Unë mund të shpreh vetëm një aspekt. Sa më
shumë shqiptarë të kthehen në atdhe, aq më shumë do t´i kontribuojnë vendit e
ardhmërisë. Eshtë me interes të madh të kthehen shqiptarët që kanë biznes. Nuk
ka nevojë që ata ta mbyllin biznesin në Perendim, por duhet të investojnë në
Shqipëri e në Kosovë. Të dy shtetet tona kanë potenciale, resurse dhe
perspektivë të shkëlqyer. Nëse vazhdon kështu ritmi i zhvillimit ekonomik,
atëherë Shqipëria e Kosova do të jenë të dyja Zvicra e botës, jo më Zvicra e
Ballkanit, as e Europës. Do ta kalojnë edhe Hong Kongun, Singaporin e mund të
bëhen
„Bota sot“: Ju ne " Roli i NATO-së në konfliktin e Kosovës ", i
mbeteni besnik kësaj pjese të gjeografisë së atdheut .......
E.
Bytyçi: Ky është studimi me të cilin kam mbrojtur tezën e doktoraturës. Eshtë
një studim thuajse i plotë, i ndarë në gjashtë kapituj si dhe shtesa, me
përfundime e perspektivën e Kosovës e të rajonit. I gjithë studimi përfshihet
në mbi 300 faqe kompjuter. Për të realizuar këtë studim kam shfrytëzuar
bibliotekat e botimet në gjuhën gjermane, por jo pak në atë angleze e pak në
frengjisht. Autorët nga Gjermania mund të numrohen me rreth 200 gjithsej.
Njëkohësisht më kanë ndihmuar kërkimet në disa institute studimesh në Gjermani.
Eshtë i
pari studim i shkruar nga një studiues shqiptar. Shpresoj që të kem shtruar një
trase, qoftë dhe të ngushtë, për t´i bërë vend zhvillimit të veprimtarisë
studiuese e të kërkimeve në të ardhmen për këtë tezë.
„Bota
sot“: Viti 2012 shënon 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë po, edhe 4
vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ç’mesazh është për shqiptarët ky jubile ?
E.
Bytyçi: Njëqind vjet shtet nuk janë pak për një vend e për një komb. Shqipëria,
ndonëse e fundit në Ballkan, ka pse krenohet me historinë e saj. Ky jubile na
shtyn në disa mesazhe. Së pari, të kuptojmë se pas 100 vjetësh duhet ta
ndryshojmë plotësisht sjelljen tonë politike e sociale me njër-tjetrin. Të
kuptojmë se ne tani do të përballemi me sfidën e emancipimit e jo më të
përcaktimit të kufijve. Eshtë ky një stad i ri, që kërkon më shumë urtësi e
mendim. Së dyti, të kuptojmë se historia nuk fillon e mbaron te një udhëheqës
politik, nuk ndryshon sa herë ndryshojnë qeveritë e regjimet. Prandaj i
bashkohem kërkesës së kryeministrit Berisha për rishikimin e historisë sonë
kombëtare, për ta sjellë atë sa më afër reales. Shqiptarët kanë mësuar se
Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, por ende nuk e dijnë se Hasan Prishtina
ishte ideologu dhe komandanti i luftës për liri e pavarësi. Shqiptarët kanë
mësuar se Skënderbeu i bashkoi shqiptarët dhe krijoi shtetin e mesjetës, por
ende shumë prej tyre mendojnë se Ahmet Zogu është "tradhëtari", pra e
kundërta e Skënderbeut. Kjo situatë dramatike duhet të marrë fund. Duhet të
marrë fund ajo që një historian ta mbrojë Enver Hoxhën, madje duke e cilësuar
"nacionalist". Këto marrëzi i kanë indoktrinuar shumë prej nesh. Sa
më shpejt të mësojmë nga historia dhe ta lexojmë atë me realizëm, aq më shpejt emancipohemi
si komb dhe hyjmë në shekullin e dytë të shtetit shqiptar me një vizion të ri e
të sigurt për të ardhmen. 100 vjetori i pavarësië është një moment i
rëndësishëm për këtë refleksion.
„Bota
sot“: Volumit të deritashëm të studimeve tuaja, çfarë do t’i shtohet në të
ardhmen ?
E.
Bytyçi: Shpresoj se shumë shpejt do të dalë libri i ri "Diplomacia e
imponuar e NATO-s në konfliktin e Kosovës". Eshtë studimi për të cilin
fola më lart, natyrisht i redaktuar dhe pjesërisht i ripunuar. Kam bërë gati
për botim një libër tjetër filozofik: "Nihilizmi si opsesion". Nuk e
kam idenë se kur mund të botohet. Kam skicuar dhe dy studime të tjera, të cilat
i kam filluar e për to punoj paralelisht. Njëri ka të bëjë me konceptin modern
të vetëvendosjes. Shpresoj të ecë mbarë e t´i përfundoj sa më shpejt. Shpresoj
që të kem mundësi edhe për t´i botuar.