Kulturë
Mit'hat Frashëri: Të shprehim nga vehtja jonë
E shtune, 29.09.2012, 10:37 AM
MIT’HAT
FRASHËRI (LUMO SKENDO) 1879 – 1949
Gjuha e
pastër dhe e pasun, stili i përkryem e poaq i thjeshtë, mençuria e një pinjolli
të dijtun i familjes së Frashërllijëve, vlejnë edhe sot. - Daniel Gàzulli
TË SHPREHIM VETËM NGA VEHTJA E JONË
Në këto
faqe të vogla duke kuvenduar me vëllezërit
e mij, duke qarë hallet t’anë, gjithnjë kam patur në mënt një gjë : Të përpiqemi
që të përmirësojmë vetijat t’ona, të ndreqim të metat t’ona, të lartësohemi dhe
të përparojmë vetëm me përpjekjet t’ona.
Të tjerë
– dhe të shumtë – kanë mbledhur gjithë kujdesin e tyre në të zbuluar dhe në të numruar
fajet e të tjerëvet, të këqijat dhe të padrejtat që na bëhen prej të huajet. Edhe
kanë thirur, edhe kanë qarë.
Edhe ne
fort mirë i shohim të këqijat që na punojnë të huajtë, fort kulluar na radhitet
përpara syvet vargu i ligësivet që na vijnë prej tyre. Po këto të këqija dhe të
liga janë aq të shumta sa duam gjithnjë të gjejmë një gjë dhe një shkak më të fjeshtë,
dhe rrahim të kërkojmë të metat që kemi ne vetë.
Më duket
se çdo gjë ndreqet kur të ndreqemi ne vetë ; çdo së lige i pritën krahët kur të
ndreqim të metat t’ona ; çdo së keqje së huaj i pritën këmbët kur të bëhemi ne
vetë të zotërit që të mprojmë të drejtat t’ona; që t’u kundërqëndrojmë.
Shëmbëlla
ësht : e dijmë që moti na sjell shi, dëborë, breshër, erë edhe shtërngatë ; a ësht
mirë që të qahemi nga këto të këqija, a po duhet që të ndreqim pullasin dhe
dritoret e shtëpisë ? - E dijmë që lumi del, na mbyt arën, na mbush
me uj dhe baltë oborë : a duhet që të qajmë dhe të thërresim, a po të bëjmë ledhe
e hendekë ?
Me fjalë të
tjera : a ësht nevojë që të ndreqim njerëzit e tjerë, a po të ndreqemi vetë ?
Kur kemi shumë armiq, kur janë shumë njerës që na bienë në qafë, a ësht më mirë
që t’u lidhim duart e këmbët, a po të forcohemi ne vetë dhe të bëjmë botën që të
na trëmbet e të na nderojë ?
Edhe kështu
kam qenë gjithnjë në mendim që duhet të kërkojmë, të gjejmë dhe të shohim të metat
dhe fajet t’ona, t’i zbulojmë në shesh, të hapim syt, të mejtohemi dhe të ndreqemi.
Fuqinë duhet t’a kemi brënda ndër ne, në shpirt, në vetijat, në mendimet t’ona
; duhet të kemi karakter dhe vullnetin të fort, gjykimin të drejtë që të mundim
të rrojmë në këtë shesh lufte të jetës,
pa frikë se mos na rrëzojnë mbërdhe bota, pa u ndrojtur se mos një çilimi i dobët
a një armik i fort të vijë dhe të na vërë ndalime mbi udhët, të na dobëtojë dhe
të na poshtërojë.
Sa gjë e
madhe, sa gaz shpirti ësht për njerinë të jet’ i fort dhe të ketë besim te veht’
e tij? A kini parë kurr, kur shkon një qen bariu i fort në rrugët e një qyteti,
qysh i mblidhen qent e mëhallës rreth e rrotull dhe i lehin ? Po atë a e keni
parë me sa madhështi ecën, dhe qysh as përulet fare që t’i shikojë. Ashtu ësht
edhe njeriu i fort, kombi i fort, fuqija lëndore e morale i shtërngon armiqtë që
t’a nderojnë, t’i trëmben, të mos i qasen dhe të mos e trazojnë.
Njeriu me
të vërtetë në këtë jetë s’mund që të ketë besim veç se në fuqi të tij. Në daçim
që të mos përbuzemi, të mos vuajmë dhe të mos vdesim, duhet që të jemi të fortë,
të kemi mjaft fuqi për të prapsur rreziqet dhe kundërshtimet.
Le të jemi
më të kthjelltë. Shpëtimin t’ënë t’a presim nga vehtëja e jonë, si një pemë të përmirësimit
dhe të naltësimit t’ënë, një pemë që të vijë vetiu, me djersët, me përpjekjet
dhe me dëshirat t’ona. Kjo ësht për ne mënyra më e drejtë, udha më e sigurtë,
shpëtimi më i nderçim.
(Nxjerrë nga
“Libër Leximi”, për Shkolla të Mjesme, Shkodër 1920, fq. 82-83)
Shënim: Kam
ruejtë drejtshkrimin origjinal.