E shtune, 27.04.2024, 01:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Letërsia shqipe e Çamërisë, mesazhiere e mbijetesës kombëtare

E merkure, 29.08.2012, 07:02 PM


Letërsia shqipe e Çamërisë, mesazhiere e mbijetesës kombëtare

Nga Hyqmet Hasko

Ashtu si këngët, vallet, gojëdhënat, legjendat, bota mitologjike dhe parahistorike e shqiptarëve të Çamërisë, dhe letësria artistike  çame është pjesë e identitetit kulturologjik të kombit shqiptar. Është një nga mënyrat më të evidentuara të mbijetesës së shpirtit të kësaj treve shqiptare, që i është nënshtruar një kalvari të egër historik, spastrimit etnik deri në patologji, nga zervistët dhe terroristët e një shteti paragjykues e frenues ndaj një populli të ndaluar, siç është populli çam.

Që nga Aleksandër Mollosi që i përket vitit 362 para Krishtit, i cili është një figurë ikonë e truallit çam, një burrë shteti vizionar, i lidhur me perandorët dhe perandoritë europiane më të ndritshme të kohës, për të vijuar me Hasan Tahsinin, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, shkencëtar dhe mendje e ndritur e kohës, tek kontributet e pinjollëve të familjes së famshme Dino, derë historike nga Preveza, që me pozicionet politike, intelektuale dhe atdhetare, u bënë gurë kilometrikë në kujtesën historike të Çamërisë dhe të kombit shqiptar, kjo tokë martire ka prodhuar vlera dhe ka përkundur në djepe nënash kreshnike figura të denja për në paneonin e madh të lavdisë sonë kombëtare,

Letërisa, shkrimarët, poetët dhe njerëzit e letrave nga Çamëria, janë pjesa më e dukshme e këtij ajzbergu historik dhe me gjurmët shkrimore kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë gjurmë të pashlyeshme në analet e historisë së gjallë të popullit çam të dhe të krejt kombit shqiptar.

Një nga përfaqëuseit më dinjitozë të kësaj letërsie është Bilal Xhaferi, shkrimtar dhe poet i njohur, i cili e ngriti Çamërinë në kuotat e një vetëdije të lartë estetike, duke u bërë zëdhënës dhe interpret i ëndrrës së saj kombëtare. Shkrimtar erudit, disident, fati i tij ishte tragjik, si vetë fati i trevës nga vinte, për shkak të përndjekjes nga sistemi monist, sepse ai shkruante një letërsi tjetër, nga ajo që predikonte metoda e realizmit socialist në vendin e shqiponjave.

Bilal Xhaferri është një shkrimtar i rrënjëve të etnisë në vitet gjashtëdhjetë, kur letërsia shqipe ose lavdëronte idetë e socializmit, ose fitoren në Luftën e Dytë, duke e thjeshtësuar këtë në absolutin ideologjik të përparimit dhe progresit të pandalshëm të një shoqërie të idealizuar dhe që I fshihte defektet e saj, përveç të tjerave, edhe në artin dhe letërsinë që publikohej.

Në këtë aspekt, Xhaferri duket i vetmuar për kohën, duket i lidhur me letërsinë e paraluftës; po ky tashti të kaluarën nuk e shikon në stilin e himnizimit e të lavdit, si mbështetje për problemet aktuale, po pikërisht duke marrë një qëndrim kërkues e kritik për të kapur esencat krahas situatës kalimtare. Në këtë vështrim, kërkimi letrar i Bilal Xhaferrit në të shkuarën, në rrënjët etnike, nuk bëhet si shpalim dhe tentativë idilike për t’u marrë me të kaluarën, po pikërisht si kërkim për të bërë ndërkomunikime të kohëve. Ky konstatim që bën kritiku i mirënjohur kosovar Sabri Hamiti në "Poeti i nemun: Bilal Xhaferri" mund të konsiderohet si thelbi i personalitetit estetik të këtij kolosi të letrave shqipe të Çamërisë, jeta dhe arti i të cilit u ndërprenë në mes nga rrethana jashtëletare.

Si poet, Xhaferi i bëri një autopsi poetike fatit të truallit të vet, tokës çame, ëndrrave çame, dhimbjeve çame, lotit dhe gazit, dashurisë dhe mallit, idilit dhe dhimbjes së parrëfyer.

Në poezinë sipërore “Baladë çame”, (ose siç është quajtur më vonë “Lamtumirë Çamnëri” Xhaferi bën një autopsi poetike të fatit,  fatalitetit dhe shpresës së botës çame. Ajo është e vetmja poezi e botuar në dyzet pesë vjet komunizëm për Çamërinë. (Poezia është botuar së pari në gazetën “Zëri i rinisë”, Tiranë 1966).

Si prozator, ai ngriti në art botën shpirtërore të malësorit të veriut e të jugut, botën e pasur psikologjike të njerëzve të thjeshtë, dashurinë për traditat, ritet, zakonet, këngët, vallet, legjendat, rrënjët e mbijetesës historike, si prelud kriticizmi për problemet acute të bashkëkohësisë.

Bashkëkohës të Bilail Xhaferit janë Namik Mane dhe Bedri Myftari, të dy miq të ngushtë të tij dhe që u persekutuan për shkak të artit të tyre shkrimor estetik. Bedri Myftari dallohet për një kualitet të lartë të artit poetik, për vizatime të holla e fine të botës shqiptare në përgjithësi dhe asaj çame në veçanti, për shpirtin e rezistencës ndaj të keqes, prej ngado që ajo vjen, e cila manifestohet me tone të forta në poezinë dhe prozën e tij.

Namik Mane dallohet për thellësinë e mendimit poetik, figurat e freskëta dhe mesazhet tronditëse, për imazhet e gjalla dhe fuqinë e kredos që përcjell tek lexuesi, për prozat e ngjeshura plot dritëhije, ku bota çame vjen me të gjitha ngjyrat dhe me sharmin e saj mahnitës. Mane është bashkëautor me Bilalin në një përmbledhje poetike shumë të njohur aty nga vitet ’70 dhe, siç ka rrëfyer në shtypin e kohës, i ka ruajtur poezitë e Xhaferit të groposura në oborrin e shtëpssë së tij, në Durrës, në pritje të ditëve më të mira për poezinë, letrat në përgjithësi dhe për gjithë fatin e botës çame, që i është nënshtruar një kalvari të dhimshëm e të shumëfishtë.

Të një brezi të mëvonshëm dhe aktualisht mjaft aktivë në fushën e krijimtarisë dhe botimeve të letërsisë artistike janë poetët dhe shkrimtarët Namik Selmani, Agim Bajrami, Enver Kushi, Abaz Veizi, Fatime Kulli, Keidi Sejdini, Ahmet Mehmeti, etj.

Vëllime të tilla si “Mastruboj me diellin” të F. Kullit, “Shkopistje” të Rudina Çupit,  “Romancat e muzgut” dhe “Arratsija e pulëbardhave” të Agim Bajranit, “Shpirt thesprot” të Ahmet Mehmetit etj janë arritje jo vetëm për autorët, jo vetëm për poezinë çame, por për gjithë letrat tona poetike, të çliruara nga kufizimet dhe dogmat e kohëve më pak poetike.

Nëse Agim Bajrami, bie fjala, dallohet për tone të ngrohta lirike, idilike, për meditacione të qeta por të thella dhe sharmante, Kulli spikat për fuqinë e figurës poetike, për kriticizmin poetik, Namik Semani për shndërrimin e sukseshëm të aktit të miërfilltë estetik në akt të një filozofie praktike veprimi kombëtar, si mesazhiere e dashurisë dhe atdhetarisë, Veizi ka të veçantë thyerjen e mitit tradicional, vizatimet me një kolorit të fortë ngjyrash, me të cilat paraqet botën e brendshme të njeriut, uninin dhe jashtësinë e tij etj.

Letërsia e re shqipe e trevës së Çamërisë (më saktë e shkrimtarëve me origjinë nga Çamëria, pasi ata jetojnë në të gjitha viset e botës shqiptare, në Shqipërinë amë e kudo gjetkë, por, për fatin e tyre të keq,  jo në Çamëri), pra kjo letërsi gjallon fort jo vetëm me anë të akteve krijuese që përcjell, me anë të përmbedhjeve poetike, librave me prozë, publicistikë, ese etj, por dhe me anë të asaj transhendence shpirëtrore, që ruan brenda flakët e bashkimit kombëtar.

Letërsia çame është si ai ajri që, megjithëse del nga gërmadhat e rrënimit historik, të tymit e të flakaë të barabarisë, filtrohet në filtrin kombëtar, pasurohet në spektrin e përvojave dhe ndjesive dhe bëhet okisigjen për mushkëritë e gjithë kombit tonë, të ndarë mizorisht në pesë shtete e pesë kontinente.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora