E premte, 26.04.2024, 09:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Haki Zllami: ''Pasaporta e Majemalthit''

E hene, 13.08.2012, 07:45 PM


UNI HARMONIZUAR MREKULLISHT

tek  “PASAPORTA  e  MAJEMALTHIT”

e autorit  ASLLAN OSMANAJ

Nga Haki Zllami

  Në këto ditë të nxehta, po ecim drejt asaj dite të së “martes së zezë”, të  31 korrikut të vitit 1975. Tridhjetë e shtatë vjet u bënë nga  ajo ditë që nuk harrohet.

 Nuk thuhet kot se gjërat,sido qofshin, t’i kujtojmë me qëllim që ndonjëra të mos përsëritet, se mjaft me lëndime zemrash, se boll me këputje këngësh përgjysmë, tejngopur prej thyerje shpirtërash…

 Ah, ditë të tilla, mos paçim më në kalendarin e kombit shqiptar!

Ngjarja e asaj dite, lëkundi Tropojën, tronditi si një tërmet i fuqishëm tërë atdheun. Ajo u bë dita e vajtimit mbarëkombëtar.

   Çuditërisht autobusat që udhëtojnë me nxënës u duhet me pasë “ frena të shumëllojshëm”,  se zanat e malit bëjnë gjithçka. Rrezik , të shitojnë…

    Ende, njerëzit përsërisin: “...pse atë ditë, ç’u bë, përse pikërisht në atë pikë rreziku, përse të rrëzohet një autobus aq i madh i tejmbushur me nxënës… në atë humnerë jetëshuar të Majemalthit të Mirditës. Dhe mendjet fluturojnë sa andej, sa këndej; nga Shipshani, në Mërturë, në Geghysen në Mirditë, në Tiranë, në Budapest, ... duke u përplasur me inat, duke shfryrë: ... po Hasan Qelia, djali që i vuri kapakun e zi truallit të familjes, po Drande Nikaj, më e bukura çikë, shtojzovallja e zonës së  Nikajve, çfarë të themi për Hatixhe Mulgecin, vajzën e dhuntive të rralla, që po e prisnin me padurim nëna e baba i moshuar...

 Nuk ka se si të mos na shkoj ndërmend, se sot, ata do të ishin duke përgatitur dasmat e fëmijëve të tyre, mbase ndonjëri edhe në Evropë apo Amerikë.

    Po jeta si e rrejshme paska edhe këso sikletesh, se jo të gjitha lulet që çelim, mund të lulzojnë… 

 A doni të dini më shumë për këtë ndodhi, lexojeni e rilexojeni librin: “Pasaporta e Majemalthit” shkruar nga gazetari, publicisti i rinisë dhe i luftës së Kosovës, i poetit “rebel”, të të njohurit, Asllan Osmanaj.

    Përse u ndala dhe po e analizoj këtë libër pas gjashtë vitesh të botimit?

    Sepse është një libër i mrekullueshëm. Është një vepër e llojit të veçantë në letërsinë shqiptare, roman monografik i jetëve njerëzore. Një libër që përjeton dhimbje e krenari kombëtare.

      “Pasaporta e Majemalthit” është shkruar mjeshtërisht me një dëshirë të jashtëzakonshme nga autori tropojan Asllan Osmanaj, pas 31vitesh të kësaj fatkeqësie. Bëhet fjalë për nxënësit e shkollës së mesme bujqësore të Tropojës të inkuadruar në një brigadë rinie vullnetare në aksionin kombëtar për ndërtimin e hekurudhës së Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, të cilët pasi kryen me sukses aksionin, po ktheheshin të gëzuar, ndodhi ajo që ndodhi. Ngjarja e kësaj të papriture, është lënda kryesore e këtij libri.

    Autori Asllan Osmanaj, më i thjeshti nga të gjithë dhe më erudit, shkruan pak fjalë për vetvetën: “Hutimi i krekacorit nga yjet!? Kam një datëlindje dhe një shënjë…shpesh pehama e parashikimit të Yjeve më huton…Çfarë lajthitje kur më thonë: “poet a shkrimtar”…Më kënaq grotesku “ngrehaluc” i talljes së vetvetes… Unë di, se quhem Asllan Zenel Osmanaj”. Njeriu i arsimuar e durimplot i çdo pune: si mësues e artist skene, si ushtarak i shkencave të përpikta, si gazetar e redaktor profesionist botimesh, autor i disa librave të zhanrave të ndryshme, mocanik me ditët e frytshme, mbase i “kënaqur”, kur mrizon një grusht bardhoka në rrethinat e qytetit.

    Ky libër me vlera të shumta, i rrallë nga ana kompozicionale dhe me një stil uni zanafilljan. Subjekt i thjeshtë, i shkallëzuar, që kur e lexon të ngjallë kënaqësi estetike përmes artit të fjalës deri në përsosmëri. Romani monografik është tërësia e ngjarjes me “njëmijë e një” përsonazheve veprues, shumica të gjallë, realist, e pa zbukurime. Skalitja e personazheve, qoftë me një fjalë apo me pak rreshta, përthithen nga lexuesit me imazh të gjërë.

Kategorizimi i krerëve të personazheve; si p.sh. personazhe- emra, - të jashtëm, - udhëtar, - më tepër se personazh, -protogonistët e tjerë përbënë një risi për letërsinë tonë.

    Asllan Osmanajt, iu desht të bëntë hulumtime të gjithanshme shumëvjeçare rreth kësaj ngjarje tragjike, për të të saktësuar të vërtetën. Libri është i mbushur me portrete, secili me foto, që në shumë raste flasin vet, të bëjnë të meditosh dhe kur i lexon se çfarë është shkruar, mund të thuash diçka për prozën moderne të  autorit. Sidomos pjesët e personazheve kryesor, janë si romane vogëlake me dramat specifike të secilit e secilës. Në kontekst pytjet e fshehura; “Nga vijnë, si ishin, ç’u ndodhi, ku ndodhen, pasojat, gjendjet e tanishme dhe optimizmi..”? Pra, ky libër është si një “pasaportë” për çdonjërin.

Jo vetëm lexuesit, por edhe autori, kur rilexon pjesë të veçanta i mbushen sytë me lot.

  Keqardhje, kur disa autor, kanë shkruar libra e kujtime, që lidhen me ngjarjen, me karrierën individuale e kolektive duke përvetësuar drejtpërdrejt materialet e këtij libri, si punë shkencore (për kredo, grada e tituj), pa asnjë referencë për autorin. 

    Mustafa Spahiu, një figurë e shquar e letrave dhe e mediave në Maqedoni, në një bisedë, në një takim shkrimtarësh të rajonit, u shpreh me vlerësimet më të larta për librin “Pasaporta e Majemalthit”, të Asllan Osmanajt, e cila sa herë të lexohet e të rilexohet të mallëngjen e të përlot, të frymëzon për optimizmin e atyre përsonazheve, të shfaqet madhështia e ndihmës e ndjenjave njerëzore dhe përgjegjëshmëria e fytshme e strukturave të qeverisë së kohës në të gjitha nivelet. Ky studiues u shpreh, se Asllan Osmanaj, po të ishte shtetas i një nga vendet ballkanike, për një vepër të tillë, pa më të voglin dyshim do të kishte marrë pensionin e përjetshëm, të çmimit “Nacional”. Çdo lexues i vëmendshëm ndihet i befasuar për një harresë vlerësimi për një vepër të veçantë e dinjitoze…

    Studiuesit dhe kritikët e Rrëshenit; si Gjergj Marku, Aleksandër  Ndoja, në përurimin e këtij libri para ca vitesh, u shprehur shumë të kënaqur për pasqyrimin në libër të solidaritetit të popullit të Mirditës, dhe me një si emërues të përbashkët janë shprehur: “ ky është një libër i shkëlqyer, i përsosur dhe i veçantë në letërsi”. Çudi e pabesueshme! Askush nuk bëri qoftë edhe një shënim të thjeshtë për këtë libër!? Në libër ka edhe një kre: “Dritare reflektive” ku flitet, se të rënëve mund t’u ngrihet një kujtesore, një dhomë apo kënd muze në shkollën e mesme (vazhduesja e asaj shkolle). .. Mendoj, se në atë muze, mes relikeve që mblodhën familjarët, mund të ishte edhe ky libër. Fatkeqësisht, asgjë nuk u realizua. Asnjë fond nuk u gjet, as nga shkolla, as nga Komuna Tropojë, për të marrë qoftë edhe një kopje libri.

     Autori me kujdes ka shprehur saktësinë e vërtetësinë deri në copëza si dukuri e pëlqyer nga të gjithë. Veçanërisht i saktë si gjithnjë, Asllan Osmanaj është treguar për rrokjen e leksikut të veçantë nga të gjitha viset. Mbi këtë bazë, libri paraqet sintetikisht një leksik të pastërt të njësuar dhe me formësi të reja. Edhe në krijimin e skenave zanafilljane rrëqethse të ngjarjeve, me bazë kujtesore përmes verifikimeve me ndihmën e përceptimeve e përfytyrimeve; çdo lexues, me sytë e mendjes i gjallohen shkurtazi skenat e fatkeqësisë.

    Si mjeshtër i prozës bashkëkohore, autori ka përdorur mjete shprehëse me kuptimësi të shumfishtë duke krijuar kundërpode; si e sa e madhe është dhimbja, shumë më e madhështor ngrihet solidariteti njerëzor. Atë ditë u tund e gjithë Shqipëria tek ai shkëmb vdekjeprurës.

    Ritheksoj dukurinë thelbësore, të pahasur në romanet monografike, siç është përdorimi i një numri të jashtëzakonshëm emrash njerëzish real. Natyrshëm secili ngelet në kujtesë dhe kur është përmendur tepër shkurtazi. Në libër janë përshkruar me realizëm, veçanërisht të rënët, por edhe të tjerët. S’mbeti pa iu thënë emri; qoftë nxënës, mësues, oficer, gazetar, shofer, mjek, kyeministër, sekretar partie, prindër…

    Flitet me nderim për të lënduarit rënd e të gjymtuarit: Hasime Mërturin.  Zyhra Ahmetaj, Bedrie Memaj, Nurie Kortoçin, Sejdi Berisha, Xhevahire Osmanaj, Bedri Haziri, Ali Beraj, Lumturie Hoxha e cila mbi 73 orë mbeti në gjëndje kome,(sot mjeke në SHBA) e shumë e shumë të tjerë që autori nuk e la asnjë pa përmendur. Dua ta përmendi komandantin e brigadës, Gani  Dizdarin, i cili shqetësimin nga plagët e ndien edhe tani pas kaq vitesh. Një kuadër që mbeti simbol i mirësisë dhe për edukatën e përpikmërinë  me të rinjtë aksionistë.

    Edhe për kolegun tim, për profesorin e Bio-kimisë, Sadri Oruçin, i cili me të drejtë, shkrimtari shkruan për të me shkronja të mëdha “I takon kohës së ardhshme” i  cili, ish-zëvëndës komandant i brigadës së rinsë, zv/drejtor i shkollës së mesme të Tropojës. Mbase ishte më i zellshmi për t’u ardhur në ndihmë, nxënësve e njerëzve të tjerë, duke mbetur i gjallë si shpëtimtar i jetës së njerëzve. Sadri Oruçi është modeli i shkëlqyer i komunikimit me njerëzit. Si “shpirti i madh”, që gëlon në zemrat e nxënësve. S. Oruçi në krye të një komisioni me ish-nxënësit e tij (pjesëtar të fatkeqësisë) ndihmuar dhe nga Gani Dizdari, thyen heshtjen 30-vjeçare duke ngritur një kujtesor, në Majemalthin e Mirditës, ku e përkujtuan ngjarjen; mirditor e tropojan, pjesëmarrës e prindër, dëshmitar e ndihmëtar nga gjitha trevat shqiptare. Kjo veprimtari e takimi i B.Currit janë pasqyruar mjeshtërisht në libër nga Asllan Osmanaj.

     Gjetjet mjeshtërore, të papërsëritshme, për atë galeri përsonazhesh, që përshkruhen në libër, përbëjnë pasurinë thesare të tij, ku marrin tingëllimë çdo vlerë e letërsisë. Në 210 faqet e këtij libri gjënë opusin e krijimtarisë së Asllan Osmanajt, si një përkushtim e dashuri të flakët për të bërë art, për të thënë të vërtetën, për përshkruar të bukurën, duke zhbiruar botën psikologjike të njerëzve.

    Autori në këtë libër është dalluar për shpirtin e tij lirik duke përjetuar ndijimet si oshëtima të shpirtit, që kjo shpaloset në sytë e çdo lexuesi duke u bindur për vetëdijën intelektuale të këtij krijuesi modern.

    Përdorimi i mjeteve stilistike e figurave letrare i japin ende më shumë vlera këtij libri të monografive njerëzore, të cilat i gjënë në çdo pragraf, disa nga më të spikatuar:  “shumë fjalë  kanë vdekur, buza pa i thënë”, “visare shpirti”,  “mjekët s‘patën kohë të flasin”,  “Zyhraja qeras me lot malli”,  “Çallamitje  shpirti…”  “koha rrjedh në zemra” e tjera…

    Si libër i niveleve bashkëkohore, brezat dhe lexuesitë kanë çfarë të mësojnë, prandaj duhet lexuar e rilexuar, duke mos i harruar gjërat, se harresa është themeli i shpirtit.

 

Bajram Curri, korrik 2012

(Percjellur per botim ne ZSh, nga Lulzim Logu)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora