| E hene, 13.08.2012, 07:45 PM |
UNI
HARMONIZUAR MREKULLISHT
tek “PASAPORTA
e MAJEMALTHIT”
e autorit ASLLAN OSMANAJ
Nga Haki Zllami
Në këto ditë të nxehta, po ecim drejt asaj
dite të së “martes së zezë”, të 31
korrikut të vitit 1975. Tridhjetë e shtatë vjet u bënë nga ajo ditë që nuk harrohet.
Nuk thuhet kot se gjërat,sido qofshin, t’i
kujtojmë me qëllim që ndonjëra të mos përsëritet, se mjaft me lëndime zemrash,
se boll me këputje këngësh përgjysmë, tejngopur prej thyerje shpirtërash…
Ah, ditë të tilla, mos paçim më në kalendarin
e kombit shqiptar!
Ngjarja e
asaj dite, lëkundi Tropojën, tronditi si një tërmet i fuqishëm tërë atdheun. Ajo
u bë dita e vajtimit mbarëkombëtar.
Çuditërisht autobusat që udhëtojnë me nxënës
u duhet me pasë “ frena të shumëllojshëm”,
se zanat e malit bëjnë gjithçka. Rrezik , të shitojnë…
Ende, njerëzit përsërisin: “...pse atë ditë,
ç’u bë, përse pikërisht në atë pikë rreziku, përse të rrëzohet një autobus aq i
madh i tejmbushur me nxënës… në atë humnerë jetëshuar të Majemalthit të Mirditës.
Dhe mendjet fluturojnë sa andej, sa këndej; nga Shipshani, në Mërturë, në Geghysen
në Mirditë, në Tiranë, në Budapest, ... duke u përplasur me inat, duke shfryrë:
... po Hasan Qelia, djali që i vuri kapakun e zi truallit të familjes, po
Drande Nikaj, më e bukura çikë, shtojzovallja e zonës së Nikajve, çfarë të themi për Hatixhe Mulgecin,
vajzën e dhuntive të rralla, që po e prisnin me padurim nëna e baba i moshuar...
Nuk ka se si të mos na shkoj ndërmend, se sot,
ata do të ishin duke përgatitur dasmat e fëmijëve të tyre, mbase ndonjëri edhe
në Evropë apo Amerikë.
Po jeta si e rrejshme paska edhe këso
sikletesh, se jo të gjitha lulet që çelim, mund të lulzojnë…
A doni të dini më shumë për këtë ndodhi,
lexojeni e rilexojeni librin: “Pasaporta e Majemalthit” shkruar nga gazetari,
publicisti i rinisë dhe i luftës së Kosovës, i poetit “rebel”, të të njohurit,
Asllan Osmanaj.
Përse u ndala dhe po e analizoj këtë libër
pas gjashtë vitesh të botimit?
Sepse është një libër i mrekullueshëm. Është
një vepër e llojit të veçantë në letërsinë shqiptare, roman monografik i jetëve
njerëzore. Një libër që përjeton dhimbje e krenari kombëtare.
“Pasaporta e Majemalthit” është shkruar
mjeshtërisht me një dëshirë të jashtëzakonshme nga autori tropojan Asllan
Osmanaj, pas 31vitesh të kësaj fatkeqësie. Bëhet fjalë për nxënësit e shkollës
së mesme bujqësore të Tropojës të inkuadruar në një brigadë rinie vullnetare në
aksionin kombëtar për ndërtimin e hekurudhës së Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit,
të cilët pasi kryen me sukses aksionin, po ktheheshin të gëzuar, ndodhi ajo që ndodhi.
Ngjarja e kësaj të papriture, është lënda kryesore e këtij libri.
Autori Asllan Osmanaj, më i thjeshti nga të
gjithë dhe më erudit, shkruan pak fjalë për vetvetën: “Hutimi i krekacorit nga
yjet!? Kam një datëlindje dhe një shënjë…shpesh pehama e parashikimit të Yjeve
më huton…Çfarë lajthitje kur më thonë: “poet a shkrimtar”…Më kënaq grotesku “ngrehaluc”
i talljes së vetvetes… Unë di, se quhem Asllan Zenel Osmanaj”. Njeriu i
arsimuar e durimplot i çdo pune: si mësues e artist skene, si ushtarak i
shkencave të përpikta, si gazetar e redaktor profesionist botimesh, autor i
disa librave të zhanrave të ndryshme, mocanik me ditët e frytshme, mbase i “kënaqur”,
kur mrizon një grusht bardhoka në rrethinat e qytetit.
Ky libër me vlera të shumta, i rrallë nga
ana kompozicionale dhe me një stil uni zanafilljan. Subjekt i thjeshtë, i
shkallëzuar, që kur e lexon të ngjallë kënaqësi estetike përmes artit të fjalës
deri në përsosmëri. Romani monografik është tërësia e ngjarjes me “njëmijë e një”
përsonazheve veprues, shumica të gjallë, realist, e pa zbukurime. Skalitja e
personazheve, qoftë me një fjalë apo me pak rreshta, përthithen nga lexuesit me
imazh të gjërë.
Kategorizimi
i krerëve të personazheve; si p.sh. personazhe- emra, - të jashtëm, - udhëtar, -
më tepër se personazh, -protogonistët e tjerë përbënë një risi për letërsinë tonë.
Asllan Osmanajt, iu desht të bëntë hulumtime
të gjithanshme shumëvjeçare rreth kësaj ngjarje tragjike, për të të saktësuar të
vërtetën. Libri është i mbushur me portrete, secili me foto, që në shumë raste
flasin vet, të bëjnë të meditosh dhe kur i lexon se çfarë është shkruar, mund të
thuash diçka për prozën moderne të autorit.
Sidomos pjesët e personazheve kryesor, janë si romane vogëlake me dramat
specifike të secilit e secilës. Në kontekst pytjet e fshehura; “Nga vijnë, si
ishin, ç’u ndodhi, ku ndodhen, pasojat, gjendjet e tanishme dhe optimizmi..”?
Pra, ky libër është si një “pasaportë” për çdonjërin.
Jo vetëm
lexuesit, por edhe autori, kur rilexon pjesë të veçanta i mbushen sytë me lot.
Keqardhje, kur disa autor, kanë shkruar libra
e kujtime, që lidhen me ngjarjen, me karrierën individuale e kolektive duke përvetësuar
drejtpërdrejt materialet e këtij libri, si punë shkencore (për kredo, grada e
tituj), pa asnjë referencë për autorin.
Mustafa Spahiu, një figurë e shquar e
letrave dhe e mediave në Maqedoni, në një bisedë, në një takim shkrimtarësh të rajonit,
u shpreh me vlerësimet më të larta për librin “Pasaporta e Majemalthit”, të Asllan
Osmanajt, e cila sa herë të lexohet e të rilexohet të mallëngjen e të përlot, të
frymëzon për optimizmin e atyre përsonazheve, të shfaqet madhështia e ndihmës e
ndjenjave njerëzore dhe përgjegjëshmëria e fytshme e strukturave të qeverisë së
kohës në të gjitha nivelet. Ky studiues u shpreh, se Asllan Osmanaj, po të ishte
shtetas i një nga vendet ballkanike, për një vepër të tillë, pa më të voglin
dyshim do të kishte marrë pensionin e përjetshëm, të çmimit “Nacional”. Çdo
lexues i vëmendshëm ndihet i befasuar për një harresë vlerësimi për një vepër të
veçantë e dinjitoze…
Studiuesit dhe kritikët e Rrëshenit; si
Gjergj Marku, Aleksandër Ndoja, në përurimin
e këtij libri para ca vitesh, u shprehur shumë të kënaqur për pasqyrimin në libër
të solidaritetit të popullit të Mirditës, dhe me një si emërues të përbashkët
janë shprehur: “ ky është një libër i shkëlqyer, i përsosur dhe i veçantë në letërsi”.
Çudi e pabesueshme! Askush nuk bëri qoftë edhe një shënim të thjeshtë për këtë libër!?
Në libër ka edhe një kre: “Dritare reflektive” ku flitet, se të rënëve mund t’u
ngrihet një kujtesore, një dhomë apo kënd muze në shkollën e mesme (vazhduesja
e asaj shkolle). .. Mendoj, se në atë muze, mes relikeve që mblodhën familjarët,
mund të ishte edhe ky libër. Fatkeqësisht, asgjë nuk u realizua. Asnjë fond nuk
u gjet, as nga shkolla, as nga Komuna Tropojë, për të marrë qoftë edhe një kopje
libri.
Autori me kujdes ka shprehur saktësinë e vërtetësinë
deri në copëza si dukuri e pëlqyer nga të gjithë. Veçanërisht i saktë si
gjithnjë, Asllan Osmanaj është treguar për rrokjen e leksikut të veçantë nga të
gjitha viset. Mbi këtë bazë, libri paraqet sintetikisht një leksik të pastërt të
njësuar dhe me formësi të reja. Edhe në krijimin e skenave zanafilljane rrëqethse
të ngjarjeve, me bazë kujtesore përmes verifikimeve me ndihmën e përceptimeve e
përfytyrimeve; çdo lexues, me sytë e mendjes i gjallohen shkurtazi skenat e
fatkeqësisë.
Si mjeshtër i prozës bashkëkohore, autori
ka përdorur mjete shprehëse me kuptimësi të shumfishtë duke krijuar kundërpode;
si e sa e madhe është dhimbja, shumë më e madhështor ngrihet solidariteti njerëzor.
Atë ditë u tund e gjithë Shqipëria tek ai shkëmb vdekjeprurës.
Ritheksoj dukurinë thelbësore, të pahasur në
romanet monografike, siç është përdorimi i një numri të jashtëzakonshëm emrash
njerëzish real. Natyrshëm secili ngelet në kujtesë dhe kur është përmendur tepër
shkurtazi. Në libër janë përshkruar me realizëm, veçanërisht të rënët, por edhe
të tjerët. S’mbeti pa iu thënë emri; qoftë nxënës, mësues, oficer, gazetar,
shofer, mjek, kyeministër, sekretar partie, prindër…
Flitet me nderim për të lënduarit rënd e të
gjymtuarit: Hasime Mërturin. Zyhra
Ahmetaj, Bedrie Memaj, Nurie Kortoçin, Sejdi Berisha, Xhevahire Osmanaj, Bedri
Haziri, Ali Beraj, Lumturie Hoxha e cila mbi 73 orë mbeti në gjëndje kome,(sot
mjeke në SHBA) e shumë e shumë të tjerë që autori nuk e la asnjë pa përmendur. Dua
ta përmendi komandantin e brigadës, Gani
Dizdarin, i cili shqetësimin nga plagët e ndien edhe tani pas kaq vitesh.
Një kuadër që mbeti simbol i mirësisë dhe për edukatën e përpikmërinë me të rinjtë aksionistë.
Edhe për kolegun tim, për profesorin e Bio-kimisë,
Sadri Oruçin, i cili me të drejtë, shkrimtari shkruan për të me shkronja të mëdha
“I takon kohës së ardhshme” i cili, ish-zëvëndës
komandant i brigadës së rinsë, zv/drejtor i shkollës së mesme të Tropojës. Mbase
ishte më i zellshmi për t’u ardhur në ndihmë, nxënësve e njerëzve të tjerë,
duke mbetur i gjallë si shpëtimtar i jetës së njerëzve. Sadri Oruçi është modeli
i shkëlqyer i komunikimit me njerëzit. Si “shpirti i madh”, që gëlon në zemrat
e nxënësve. S. Oruçi në krye të një komisioni me ish-nxënësit e tij (pjesëtar të
fatkeqësisë) ndihmuar dhe nga Gani Dizdari, thyen heshtjen 30-vjeçare duke
ngritur një kujtesor, në Majemalthin e Mirditës, ku e përkujtuan ngjarjen;
mirditor e tropojan, pjesëmarrës e prindër, dëshmitar e ndihmëtar nga gjitha
trevat shqiptare. Kjo veprimtari e takimi i B.Currit janë pasqyruar mjeshtërisht
në libër nga Asllan Osmanaj.
Gjetjet mjeshtërore, të papërsëritshme, për
atë galeri përsonazhesh, që përshkruhen në libër, përbëjnë pasurinë thesare të tij,
ku marrin tingëllimë çdo vlerë e letërsisë. Në 210 faqet e këtij libri gjënë opusin
e krijimtarisë së Asllan Osmanajt, si një përkushtim e dashuri të flakët për të
bërë art, për të thënë të vërtetën, për përshkruar të bukurën, duke zhbiruar
botën psikologjike të njerëzve.
Autori në këtë libër është dalluar për
shpirtin e tij lirik duke përjetuar ndijimet si oshëtima të shpirtit, që kjo
shpaloset në sytë e çdo lexuesi duke u bindur për vetëdijën intelektuale të këtij
krijuesi modern.
Përdorimi i mjeteve stilistike e figurave
letrare i japin ende më shumë vlera këtij libri të monografive njerëzore, të cilat
i gjënë në çdo pragraf, disa nga më të spikatuar: “shumë fjalë
kanë vdekur, buza pa i thënë”, “visare shpirti”, “mjekët s‘patën kohë të flasin”, “Zyhraja qeras me lot malli”, “Çallamitje
shpirti…” “koha rrjedh në zemra” e
tjera…
Si libër i niveleve bashkëkohore, brezat
dhe lexuesitë kanë çfarë të mësojnë, prandaj duhet lexuar e rilexuar, duke mos
i harruar gjërat, se harresa është themeli i shpirtit.
Bajram
Curri, korrik 2012
(Percjellur per botim ne ZSh, nga Lulzim Logu)