E premte, 26.04.2024, 08:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Begzad Baliu: Lamtumirë Ali Podrimja!

E marte, 24.07.2012, 09:08 PM


LAMTUMIRË POETIT ALI PODRIMJA

(Tekst i lexuar në orën letrare përkujtimore kushtuar Ali Podrimja, organizuar nga Unioni letrar i shkrimtarëve dhe kritikëve, në Prishtinë, më 24. 7. 2012)

Nga Begzad BALIU

Të nderuar miçë dhe kolegë të poetit Ali Podrimja

Jemi tubuar sot nga Unioni i Kritikëve dhe Shkrimtarëve të Kosovës që t’ia themi lamtumirën e fundit poetit Ali Podrimja. Unioni i Kritikëve dhe Shkrimtarëve është njëri prej institucioneve kulturore ndërkombëtare, në të cilin mjeshtri ynë gjente strehën e tij prej miku dhe krijuesi, prandaj mes tij dhe kësaj qendre kulturore që i krijonte hapësire veprimi, respekti nuk u shua deri në fund.

Po ndahemi nga poeti, i cili na la pa i mbushur të 70-tat, sado po te na pyesnin vetëm pak ditë më parë, rralle prej nesh do ta besonim moshën e tij. Ai ishte prej atyre miqve të përditshmërisë së qytetit tonë dhe botës shqiptare që kudo ku gjendej reflektonte një botë të pasur ndjenjash të hareshme, sado poezitë e tyre kishin kaq shumë dhembje dhe togfjalësha, ku njëra prej fjalëve, simboleve e metaforave doemos lidhej me vdekjen dhe dhembjen që shkakton ajo.

E kuptueshme për ata që kanë njohur biografinë e tij, biografinë e familjes së tij dhe kuptohet biografinë e popullit të tij!

I lindur rreth 70-vjet më parë (28 Gusht, 1942, në qytetin e Gjakovës, Ali Podrimja u rritë me dramën e madhe të dhembjes krenare, sikur shprehej jo vetëm ai po edhe i tërë brezi i tij.

Pas përpjekjeve të tij prej Gjimnazisti në Gjakovë, ku poezia po i sillte famë mes popullit të tij dhe shqetësime me sigurimin shtetëror, ai vazhdon studimet në Universitetin e Prishtinës, për tu bërë njëkohësisht edhe njëri prej bartësve të jetës krijuese dhe letrare në institucionet më të rëndësishme letrare të Kosovës, në gazetën Rilindja, revistat Jeta e re dhe Fjala dhe sidomos në redaksinë e botimeve të Rilindjes. Në këtë institucion, i cili për shumë dekada ishte sinonim i arritjeve kulturore të botës shqiptare në ish-Jugosllavi, Ali Podrimja përjeton njëkohësisht edhe rrënimet materiale e shpirtërore të popullit shqiptar në Kosovë.

Për disa dekada me radhë Ali Podrimja oshte njëri prej përfaqësuesve më të përhershëm të krijimtarisë letrare jo vetëm në hapësirën shqiptare por edhe në botën letrare, prandaj në vitin 1996 ai u bë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Pa dashur që në këtë fjalë rasti të merrem me veprimtarinë e tij të pasur letrare, këtu dua të theksoj tri periudha letrare, të cilave jo vetëm ju ka takuar, por edhe identifikohen gjerësisht me veprën letrare të tij.

Në periudhën e parë vitet ’60 Ali Podrimja do t’iu bashkohet këngëtarëve të fatit të vështirë të popullit shqiptar. Poezitë e tij, si edhe proza poetike janë elegji të dhembjes së trashëguar brez as brezi. Në vepra e tij të kësaj periudhe  “Hija e tokës", Thirrje, Shamijat e përshëndetjeve (1963), etj., do t’ia falin poetit atë me të cilin ëndërronte brezi i tij, misionin e poetit, një ëndërr të cilin ai nuk e braktisi deri në fund të jetës së tij, mbase edhe me mënyrën se si u nda nga ne. Nuk i mbeti borxh në këtë drejtim as poezia. Vargu i tij poetik “Kosova është gjaku im që nuk falet”, u bë simboli më emblematik i poezisë shqiptare, po edhe sinonim i Lëvizjes Kombëtare.

Periudha e dytë e krijimtarisë së tij përfshinë vitet ’70-‘80 të shekullit XX, në të cilën mjeshtri ynë do të shquhet me dy veçori letrare: e para me mënyrën se si refuzoi realizimin socialist në letërsi dhe me mënyrën se si e krijoi poezinë moderne shqipe, sado nuk arrit të lirohet prej simboleve etno-folklorike të botës shpirtërore e materiale shqiptare (Shih, veprat Sampo, 1969; Torzo, 1971); dhe e dytë me realizimin e veprës Lum Lumi, 1982, njërës prej veprave pa dyshim më të mira të letërsisë së shekulli XX. Lexuesi shqiptar apo i huaj, një ditë mbase nuk do të mund t’i perceptoj shumë simbole etno-historike të poezisë shqipe, por zor se do të mund të vjen ajo ditë apo ai shekull, kur lexuesi shqiptar apo i huaj, i cili nuk do ta përjetoj dhembjen, të cilën Poeti ynë e ka ngritur në dhembje universale, dhembjen për Lumin. Për shkak se gjatë kësaj periudhe Ali Podrimja ia ka lënë letërsisë shqipe njërin prej simboleve më me ndikim në letrat shqipe, sot mund të thuhet se misioni i tij letrar dhe misioni i tij prej poeti është përmbushur plotësisht.

Periudha e tretë përfshinë krijimtarinë e tij të dy dekadave të fundit, në të cilën bashkohen elemente të periudhës së parë (disa nga simbolet dhe motivet elegjiake) dhe të periudhës së dytë: filozofia ekzistencialiste dhe ida nga temat e motivet nacionale. Rrethanat historike me të cilat ndeshet populli shqiptar, tek poeti sikur ridimensionojnë edhe konceptet e tij për poezinë dhe poetikën e saj. Për ta përmbushur misionin e tij, ai përveç poezisë shkruan edhe prozën dhe veçanërisht esenë, sado, fjalësi dhe togfjalësi i tij treten në mënyrë të padiktueshme nga poezia në ese dhe anasjelltas.

Gjatë gjithë periudhës letrare të tij, Ali Podrimja do të shquhet edhe me disa nga veçoritë krijues me të cilat nuk do të shtune edhe krijues të tjerë të brezit të tij. Me veprat e para ai do të shquhet për ndikimin e tij në mjedisin ku krijon, me vepra e mëtejme madje do të shquhet paralelisht: në ambientin gjuhësor të ish-jugosllavisë dhe në botimet e letërsisë së Kosovës në Shqipëri, ndërsa nga vitet ’70 e deri në fund, krijimtaria e tij letrare do të reflektoj edhe në botimet letrare Perëndimore.

Që nga vitet ’70 e dire në fund, zor të gjendet një vëllim antologjik, një përfaqësim sado modest i poezisë shqipe në revista letrare, në të cilin të mos jetë përfaqësuar edhe Ali Podrmija. Që nga kjo kohë, zor të gjendet një Festival sado i madh apo i vogël i poezisë evropiane, e të mos jetë ftuar edhe Poeti ynë.

Si i tillë me kohë dhe në mënyrë aktive ai është bërë poet i vlerësuar nga kritika letrare shqipe dhe evropiane. Në të vërtet, duke mos qenë krijues që më parë se sa me veprën ndikimin e tij në mendimin kritik e krijon edhe me jetën, Ali Podrimja, si pakë shkrimtarë të mëdhenj të letërsisë shqipe, më parë se sa me biografinë, në kritikën letrare është shquar për vlerat estetike të poezisë së tij. Pra, më parë se sa krijuesi, ai është bërë sinonim i klasikut të poezisë shqipe të shekullit XX.

Ka shumë vjet që disa nga poetët e letërsisë shqipe cilësohen si boem të saj. Këtë nuk ia kemi atribuar Ali Podrimjes, për faktin se e ndjenim më ndryshe nga ata poetë, që krijimtarinë letrare dhe jetën njëkohësisht e bënin pranë një gote dhe nën strehën e një kafeneje të qytetit.

Sot mund të themi se kemi gabuar dhe ndoshta është koha ta përmirësojmë këtë gabim. Ndoshta është më mirë ta shpjegojmë këtë. Ai jetonte si poet, pra gjithnjë duke shkruar; na takonte jo si boem i poezisë. po si krijues që të fliste vetëm për poezinë; që i besonte asaj që ta thoshte (në të vërtetë që e kishte krijuar ndoshta vetëm pak kohë më parë) dhe që i besonte asaj që ia thoshe për poezinë e tij; që besonte se me poezinë i kontribuonte shoqërisë dhe popullit të tij; që bëhej bashkëvuajtës dhe qëndrestar i popullit të tij; që e shikonte të kaluarën dhe të ardhmen e popullit të tij kryesisht vetëm përmes vargut letrar; që e jetonte poezinë kudo dhe kurdo. Për shkak se, poezinë e tij e shihte si mision, por jo veten si misionar, sepse në jetën e tij ishte tepër modes, sot për të mund të thuhet se ai nuk ishte poet boemësh, por ka një veçori, të cilën zor ta gjemë në biografinë e të gjithë poetëve, pavarësisht sojit të tyre: vdekjen e tij, për të cilën sigurisht nuk ka pse të thuren mistere, por ka arsye për të ndërtuar imazhin e krijuesit që nuk ka një kufi, një fund, një datë, një moshë. Në krijimtarinë e tij letrare, është një poezi me titull: Mora rrugën të takoj njeri!

Pra, ai ecën, është në rrugë dhe nuk ka kush (flas për poetët) të mos e besoj këtë! Lexuesit e tij e dinë ku është nisur Ali Podrimja, drejt yllit të tij, drejt simbolit të tij jetësor dhe krijues, dhe në asnjë mënyrë a variant nuk do ta ndalin atë.

Prandaj, në këtë rrjedhë, në këtë rrugë të përjetshme, të cilën e ka trasuar disa dekada më parë, miqtë e tij bën të bëjnë vetëm një përshëndetje për te: Lamtumirë!



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora