E shtune, 27.04.2024, 06:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Perikli Jorgoni: Poezia dhe drama e Jorgo Bllacit

E shtune, 14.07.2012, 11:08 AM


POEZIA DHE DRAMA E JORGO BLLACIT

NGA PERIKLI JORGONI

Jorgo Bllacin e kam njohur që në vitet e para të rinisë, që në bankat e shkollës së mesme. Ai vinte nga shkolla pedagogjike e Elbasanit, por prejardhja e tij ishte nga viset malore të Labërisë, nga Lunxhëria. Këtë e tregonin dhe poezitë e para që m'i dha t'ia lexonja, sapo u njohëm. Nga vjershat e asaj kohe që më kanë mbetur në mendje janë "Lunxhëria" dhe "Tim vëllai dëshmor, Thimjo Bllacit", vjershë të cilën e punoi disa herë me radhë, gjersa mori formën e vjershës që lexuesi e njeh sot. Me Jorgon u bëmë miq të ngushtë dhe kjo miqësi vazhdoi dhe kaloi prova të vështira. Jorgo ishte djalë i hijshëm, rebel dhe binte lehtë në dashuri. Ai ishte natyrë e ndjeshme dhe krenare dhe me një përkush-tim të vërtetë ndaj artit. Ky përkushtim dhe natyra e tij rebele dhe e papërmbajtur u bënë shkaqe të dramës së burgimit në moshë fare të njomë. Ahere kishte botuar librin "Ligjërimet e pyllit", ku spikati talenti prej poeti lirik të mirëfilltë dhe, ndërkohë, kishte përkthyer nga rusishtja Pushkinin, Shevçenkon dhe Eseninin. Përkthimi mjeshtëror i poezisë së madhe ruse e vuri, vetvetiu, në radhën e përkthyesve më të shquar të poezisë botërore.

Sikur të mos kishte ndodhur ai burgim gjëmëzi, Jorgo do të kishte sot një vepër më të plotë e më të gjerë. Ai ishte tepër i përkushtuar ndaj punës dhe punonte me një seriozitet të madh, duke kërkuar shumë ndaj vetes. Jetën e tij e tronditën dhe dashuritë e njëpasnjëshme; shpirti i tij i ndjeshëm dhe i thellë kërkonte dashurinë e vërtetë, atë dashuri që i përngjet poezisë. Kjo duket dhe në përmbajtjen dhe tonin e lirikave të tij të dashurisë, të cilat, përgjithësisht, janë të trishtuara dhe me frymë dramatike. Ndryshe, Jorgoja nuk mund të ishte. Dhe kjo këmbë-ngulje për të mbetur vetvetja e patjetërsuar u bë shkak i keqkuptimeve dhe i ngatërresave politike. Shpirtra të tillë, të ndjeshëm e të thellë, nuk mund të futeshin në hullinë e një arti të zyrtarizuar. Jorgoja kish lindur për të qenë i lirë e për të qenë vetvetja e askush tjetër. Pakënaqësinë ndaj poetëve e shkrimtarëve në shërbim të urdhëresave të shtetit, ai e shprehte fare hapur dhe pa u druajtur.

Natyrisht, kjo shkaktonte pakënaqësira dhe e vinte atë në pozitë të vështirë. Poezia e tij ishte krejtësisht ndryshe. Ajo ishte poezia e shpërthimeve e të përjetimeve të një shpirti të etur për liri e dashuri të vërtetë, të etur për hapësira e fluturime. Në këto poezi u pasqyrua koha dhe realiteti i epikës dhe i dramës shqiptare të shekullit që shkoi. Edhe po të jetonte akoma, poezia e tij do të ishte po e njëjta; Jorgoja nuk do të binte në ujdi me krimin, me korrupsionin dhe shfaqjet e shëmtuara të jetës e të realitetit të sotëm. Ai e donte botën të ishte e bukur dhe e lirë dhe njerëzit të ishin më të afërt me njëri-tjetrin e të hiqnin dorë nga prapësitë e nga yshtja e së ligës dhe e egoizmit.

Duke u krahasuar me të gjithë poezinë e shkruar këtë gjysmë-shekulli, poezia e Jorgo Bllacit është e një vokacioni të veçantë. Tingëllimi i saj i brendshëm është tepër njerëzor dhe i ndjeshëm, jashtë çdo poze e shtirjeje letrareske. Ai është zëri autentik i shpirtit të tij, i dhimbjeve dhe i dramave të dhimbshme, i mahnitjes dhe i përndezjes para së bukurës dhe poezisë, para ideales dhe të paarritshmes.

Aq vjersha, sa janë botuar në përmbledhjen e tij më të përzgjedhur, janë mjaft për të justifikuar një jetë njerëzore të përjetuar plotësisht me dëshirën e përhershme për t'u fisnikëruar shpirtin njerëzve përmes poezisë, përmes fjalës së tij të ndjerë, të ngrohtë e të përzemërt, përmes artit të tij të fuqishëm e krejtësisht origjinal.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora