| E shtune, 14.07.2012, 11:08 AM |
POEZIA
DHE DRAMA
NGA PERIKLI JORGONI
Jorgo
Bllacin e kam njohur që në vitet e para të rinisë, që në bankat e shkollës së mesme.
Ai vinte nga shkolla pedagogjike e Elbasanit, por prejardhja e tij ishte nga
viset malore të Labërisë, nga Lunxhëria. Këtë e tregonin dhe poezitë e para që m'i
dha t'ia lexonja, sapo u njohëm. Nga vjershat e asaj kohe që më kanë mbetur në mendje
janë "Lunxhëria" dhe "Tim vëllai dëshmor, Thimjo Bllacit",
vjershë të cilën e punoi disa herë me radhë, gjersa mori formën e vjershës që lexuesi
e njeh sot. Me Jorgon u bëmë miq të ngushtë dhe kjo miqësi vazhdoi dhe kaloi
prova të vështira. Jorgo ishte djalë i hijshëm, rebel dhe binte lehtë në dashuri.
Ai ishte natyrë e ndjeshme dhe krenare dhe me një përkush-tim të vërtetë ndaj
artit. Ky përkushtim dhe natyra e tij rebele dhe e papërmbajtur u bënë shkaqe të
dramës së burgimit në moshë fare të njomë. Ahere kishte botuar librin "Ligjërimet
e pyllit", ku spikati talenti prej poeti lirik të mirëfilltë dhe, ndërkohë,
kishte përkthyer nga rusishtja Pushkinin, Shevçenkon dhe Eseninin. Përkthimi
mjeshtëror i poezisë së madhe ruse e vuri, vetvetiu, në radhën e përkthyesve më
të shquar të poezisë botërore.
Sikur të mos
kishte ndodhur ai burgim gjëmëzi, Jorgo do të kishte sot një vepër më të plotë e
më të gjerë. Ai ishte tepër i përkushtuar ndaj punës dhe punonte me një seriozitet
të madh, duke kërkuar shumë ndaj vetes. Jetën e tij e tronditën dhe dashuritë e
njëpasnjëshme; shpirti i tij i ndjeshëm dhe i thellë kërkonte dashurinë e vërtetë,
atë dashuri që i përngjet poezisë. Kjo duket dhe në përmbajtjen dhe tonin e
lirikave të tij të dashurisë, të cilat, përgjithësisht, janë të trishtuara dhe
me frymë dramatike. Ndryshe, Jorgoja nuk mund të ishte. Dhe kjo këmbë-ngulje për
të mbetur vetvetja e patjetërsuar u bë shkak i keqkuptimeve dhe i ngatërresave
politike. Shpirtra të tillë, të ndjeshëm e të thellë, nuk mund të futeshin në hullinë
e një arti të zyrtarizuar. Jorgoja
Natyrisht,
kjo shkaktonte pakënaqësira dhe e vinte atë në pozitë të vështirë. Poezia e tij
ishte krejtësisht ndryshe. Ajo ishte poezia e shpërthimeve e të përjetimeve të një
shpirti të etur për liri e dashuri të vërtetë, të etur për hapësira e fluturime.
Në këto poezi u pasqyrua koha dhe realiteti i epikës dhe i dramës shqiptare të shekullit
që shkoi. Edhe po të jetonte akoma, poezia e tij do të ishte po e njëjta;
Jorgoja nuk do të binte në ujdi me krimin, me korrupsionin dhe shfaqjet e shëmtuara
të jetës e të realitetit të sotëm. Ai e donte botën të ishte e bukur dhe e lirë
dhe njerëzit të ishin më të afërt me njëri-tjetrin e të hiqnin dorë nga prapësitë
e nga yshtja e së ligës dhe e egoizmit.
Duke u
krahasuar me të gjithë poezinë e shkruar këtë gjysmë-shekulli, poezia e Jorgo
Bllacit është e një vokacioni të veçantë. Tingëllimi i saj i brendshëm është tepër
njerëzor dhe i ndjeshëm, jashtë çdo poze e shtirjeje letrareske. Ai është zëri
autentik i shpirtit të tij, i dhimbjeve dhe i dramave të dhimbshme, i mahnitjes
dhe i përndezjes para së bukurës dhe poezisë, para ideales dhe të paarritshmes.
Aq
vjersha, sa janë botuar në përmbledhjen e tij më të përzgjedhur, janë mjaft për
të justifikuar një jetë njerëzore të përjetuar plotësisht me dëshirën e përhershme
për t'u fisnikëruar shpirtin njerëzve përmes poezisë, përmes fjalës së tij të ndjerë,
të ngrohtë e të përzemërt, përmes artit të tij të fuqishëm e krejtësisht
origjinal.