Kulturë
Mexhit Prençi: Enver Hoxha kryencensurues i letërsisë
E enjte, 12.07.2012, 06:55 PM
Flet,
shkrimtari, kritiku i artit, eseist-i Mexhit Prençi
Enver Hoxha kryencensurues i letërsisë dhe arteve
Plenumi IV i KQPPSH “vrasës i lirisë krijuese” të shkrimtarëve dhe artisteve.
Nga Albert ZHOLI
Kohët e
fundit ka dalë në qarkullim libri i ri i krtitikut Mexhit Prençi, “DRAMA DHE
SPEKTAKLI I NDALUAR”, një vepër që ka ngjallur shumë diskutime. “Çdo kohë vlerëson
dhe rivlerëson vetveten të shkuarën, ashtu si e ardhmja vlerëson të tashmen e
saj dhe rivlerëson kohën tone”, thuhet në
hyrje të tij.
Sipas
Prençit, termi “dramë e ndaluar ’’ është metaforik, ashtu si dhe termat “dramë e
izoluar”, “dramë e pezulluar”, “dramë e burgosur” etj., që shprehin të njëjtën
kuptimësi: ndërprerjen e marrëdhënieve të veprës me lexuesin dhe publikun (përjashto
censuruesit zyrtarë, kritikët e studiuesit fanatikë të partishmërisë proletare
dhe luftës së klasvae). Ndalimi i dramës dhe spektaklit bëhej në çdo rast kur krijuesit synonin a
kalonin vijat e bardha të realizmit socialist. Sipas ideologjisë komuniste
enveriste, arma më e rrezikshme për letërsinë, artin, dramaturgjinë e teatrin
dhe për tërë shoqërinë socialiste, ishin ideologjia dhe arti borgjezo-revizionist
dhe “pilulat e helmatisura” të tyre.
Përse kërkohej
gjithnje e më shumë e mprehja e vigjilencës revolucionare dhe lufta pa
kompromis kundër ndikimeve e shfaqjeve të
huaja?
Gjithçka
kishte të bënte me larinë krijuese, me censurën ndaj saj. Kudo duhej të ngriheshin
mure ideologjike të pakapërcyeshme dhe vija te bardha…
Ndaj partia theksonte mprehjen e vigjilencës revolucionare dhe lufta pa kompromis kundër ndikimeve shfaqjeve të huaja e qëndrimit liberal ndaj tyre, që proklamonte e zbatonte me dinakëri dhe rreptësi Diktatori i Madh, ishte vetëmbrojtje duke sulmuar, për ta bërë “të domosdoshme” thellimin dhe ashpërsimin e luftës së klasave dhe të partishmërisë proletare. Agresiviteti arriti gjer në ekstrem. Edhe sikur të tentonin autorët vetëm pak më shumë liri krijuese, pak më shumë hapësirë, frymëmarrje apo liberalizëm në krijimtarinë e tyre, ndalimi i dramës dhe i spektaklit ishte i padiskutueshëm dhe masat ndëshkuese ndaj autorëve, gjithashtu.E frikshme dhe e rrezikshme ishte trysnia ndaj lirisë krijuese të dramaturgut, regjisorit, skenografit dhe kritikës teatrore. Drama apo spektakli që etiketoheshin “me ndikime e shfaqje të huaja borgjezo-revizioniste” akuzoheshin për shtrembërim dhe nxirje të realitetit “të shndritshëm socialist” dhe dënoheshin bashkë me autorët e tyre, izoloheshin, burgoseshin sipas masës së tejkalimit të vijave të bardha.
Si vepronte diktatura komuniste për ta mbajtur letërsinë dhe artin nën fre?
Kishte krijuar një sistem të rreptë të dukshëm e të padukshëm censurimi, me kritere e hallka të ndryshme për veprën dramaturgjike e spektaklin, për veprat muzikore, për poezinë e prozën që botoheshin, por edhe ato që nuk botoheshin por ishin në sirtaret e redaksive apo të autorëve. Kriteri më i rëndësishëm e parësor i gjykimit të veprës ishte ai ideologjik. Krijimtarinë letraro-artistike duhej ta përshkonte ideologjia komuniste dhe mësimet e direktivat e Diktatorit të Madh, i cili bashkë me diktatorët e vegjël, krijuan një sistem të tërë censurimi të rreptë e të frikshëm, një sistem zinxhir hallkash, që të ndëshkohej cilido krijues që nuk zbatonte parimet e realizmit socialist, sidomos atë të partishmërisë proletare që duhej ta përshkonte veprën si nje fill i kuq. Ai që shkelte këto parime, bashkë me veprën persekutohej, izolohej po edhe burgosej. Të parët e pësonin guximtarët kokëshkretë, që me dashje kalonin vijat e bardha, por edhe kokëtrashët që padashje binin në grackë. Mbivlerësimi i faktorëve ideologjikë e politikë dhe nënvleftësimi i faktorit artistik e estetik u bë një praktikë rutinore dhe domosdoshmëri në gjykimet e vlerësimet kritike dhe estetike. Asnjë spektakël nuk është ndaluar për dobësi artistike as për skematizëm që u bë sëmundja më e rrezikshme shkatërruese e artit, kur për dobësi e shtrembërime ideologjike janë ndaluar me dhjetra e dhjetra drama, komedi e spektakle, me dhjetra romane, novela, poezi, këngë e piktura. Censura ishte arma më e fuqishme, e fshehtë po edhe e hapët në duar e partisë e të Diktatorit të Madh, - “vrastare e lirisë krijuese”.
Cilat ishin hallkat e censurimit në botime?
Tre institucione e botonin dramën: revista “Nëntori”
në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve, revistaTeatër” në Shtëpinë e
Krijimtarisë Skenike dhe redaksia e poezisë dhe dramës në Shtëpinë Botuese “Naim
Frashëri”. Sistemi i censurimit në rrafshin e botimeve ishte më i kufizuar se
ai i teatrit. Nëpër shtatë hallka censurimi, kalonte vepra dramaturgjike për t’u
miratuar për botim, kur në teatër hallkat kalonin mbi nëntë.
Hallka e
parë në botime ishte redaktori përgjegjës, i cili përzgjidhte dramën, apo
komedinë që mendonte se i plotësonte kriteret e botimit. Në revistën “Teatër” që
ishte më e specializuara, vinin për botim në fund të viteve ’70 dhe gjatë viteve
’80, nga shtatëdhjetë gjer në njëqindedhjetë drama, komedi, pjesë me një akt,
prej të cilave duhej të përzgjidheshin dhe botoheshin nga pesëmbëdhjetë deri në
njëzet vepra në vit.
Për veprat teatrore me dobësi artistike redaktori përgjegjës u jepte përgjigje autorëve, me shkrim ose me gojë. Vepra nuk i jepej autorit, ruhej në redaksi. Kur kishte gabime ideologjike thirrej autori dhe bisedohej konkretisht me të duke i tërhequr edhe vëmendjen. Kjo praktikë ndiqej edhe në redaksitë e tjera të botimit në revistën “Nëntori” dhe në redaksinë e poezisë e të dramës në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Ndonëse rrallë botonin drama e komedi. Ato jepnin edhe informacione në komitetin e partisë dhe në Komitetin e Kulturës e të Arteve si për rastet që bëheshin objekt të censurës, shtypit, apo opinioneve të ndryshme, ashtu edhe kur spiunët njëmijëleksha nëpër institucione, informonin me gëzim të madh atje ku kishin shitur veten për njëmijë lekë të pista. Hallka e dytë, ishin recesentët e partishëm, pastaj vinte kolegiumi, organizata e parties, disa pika kyçe censuruese në sistemin ekzekutiv dhe partiak.
Sipas librit tuaj thelbi i Plenumit IV të KQ PPSH ishte kritika për disa vepra që nxinin e shtrembëronin realitetin socialist, madje dhe për masat ndëshkimore. Si është trajtuar kjo në librin tuaj?
Në prag të Plenumit IV të Zi, i cili do të analizonte dhe jepte detyra për thellimin e luftës kundër ndikimeve e shfaqjeve të huaja edhe për letërsinë e artet, për dramën e teatrin, një ditë rreth orës 12, Kryetari i Komitetit të Kulturës dhe Arteve, Mantho Balla, më merr në telefon dhe më kërkon një listë me emrin e autorëve dhe titujt e veprave me gabime ideologjike që kanë ardhur në redaksi. I them se ne nuk kemi botuar vepra të tilla. “Të pa botuarat”, më thotë. Lidhja e Shkrimtarëve m’i ka dërguar listat me emrat e autorëve dhe të veprave të tyre me ndikime të huaja. Edhe Shtëpia Botuese ”Naim Frashëri”. Është edhe emri yt dhe titulli i dramës tënde “Shoqja K dhe të tjerët”. Ti përse nguron?!… Toni ishte i ashpër. Nënteksti i hidhur. I them se nuk kemi botuar vepra me gabime ideologjike, ato që kanë pasur dobësi të tilla ua kam kthyer autorëve me kritikat e nevojshme. Ato nuk kanë rënë në kontakt me asnjë lexues. “Ashtu?!... ë-ë-ë...” Një “ ë ” e zgjatur, e frikkshme, kërcënuese. “Ti, nuk do ta ndihmosh partinë”. Dhe më mbyll telefonin. U trondita. Megjithëse ishte marrë vendimi më parë, që të largohesha për disa botime me gabime ideologjike, siç e kam shpjeguar në një nga krerët e tjerë.
Hallka e shtatë e censurimit, cila ishte…?
Hallkë e
shtatë e censurimit ishin kritikët më të zellshëm, me përfaqësues të realizmit
socialist, me recensionet në shtëpitë botuese dhe me artikujt e shkrimet në shtypin
e përditshëm dhe atë letrar... Bënin konkurencë me njëri-tjetrin kush e kush të
jetë më i rreptë në gjykimin e veprës sipas realizmit socialist, që të kënaqnin
Diktatorin e Madh, diktatorët e vegjël, shefat e censurimit dhe shefat e tyre të
punës. Këta bënin kritikë të përgjithshme sipas estetikës markiste-leniniste jo
vetëm në rrafshin e prozës dhe të poezisë që mund të ishin specialistë, por
edhe në fushat e artit, të teatrit, muzikës e pikturës që kanë specifikë të veçantë.
Bënin kritika edhe për muzikën kur nuk njihnin as notat... Po e keqja më e
madhe ishte agresiviteti i tyre, si komunistë me teser a pa teser partie, duke
kaluar në plan të dytë kritikun. Këta llojë kritikësh ishin më të zellshëm se
aparatçikët e partisë dhe censuruesit zyrtarë. Pothuajse të gjithë kemi shkruar
sipas socrealizmit, nuk u referohem këtyre,
fjala e të cilëve nuk kishte as
ndikim, as peshë. Kritika u adresohet pëfaqsuesëve më kryesorë të socrealizmit kiritkë, studjues dhe estetë, siç i kam
analizuar në krerë të tjerë të librit, të cilët u tjetërsuan në “Vrasës me
pagesë të lirisë krujese”
Këtë e dëshmon tërbimi i kritikut enverist Razi Brahimi ndaj dramaturgut të ri Fatos Arapi. Duke analizuar rrëfimin dramatik: “Drama e një partizani pa emër” botuar në revistën “Nëntori” nr. 5, 1965 dhe duke rilexuar referatin dhe artikujt e Brahimit për këtë dramë, dhe dy dramat e tjera të ndaluara ”Rethimi i bardhë” e Naum Priftit, dhe “Dueli” e Qamil Buxhelit, kritikat e rrepta të tij të kujtojnë prokurorët ekstremist, cinik, “kalë karroce”, të diktaturës së asaj kohe dhe aspak kritikun që kërkon të zbulojë vlerat, jovlerat dhe antivlerat e veprës edhe sipas realizmit socialist.. Brahimi ngazëllehej duke gërrmuar në jovlerat dhe antivlerat sipas pikëvështrimit të tij ideologjik, madje ato i zmadhon, i tjerr e mistifikon, për ta paraqitur autorët si kundërshtar të ideologjisë së partisë, kundërshtar të letërsisë dhe artit të realizmit socialist. Madje edhe shtrembërues i së vërtetës për Luftën Antifshiste Nacional Çlirimtare, bashkë me Buxheli. Një analizë më e plotë do të botohet në numrin e ardhshëm..
Censura në humor, çfarë mund të përmendni?
Aktori
humorist Skënder Sallaku në një shfaqje të estradës së Tiranës, në fillim të viteve
’80, në rubrikën “Grimca humoristike” rrëfen
këtë anekdotë: “Në kohën e Zogut mbi derë të dyqanit lexohej KASAP dhe brenda gjeje mish, ndërsa sot mbi
derë lexon MISH dhe brenda gjen vetëm kasap”. Qeshën të gjithë spektatorët sa u
gajasën. Në shfaqje thuhej se ishte dhe Pakurrizori. Qeshi dhe ai me të madhe,
duke e marrë si një shaka për shaka, kur anekdota nëpërmjet të qeshurit
fshikullonte mungesën e mishit në tregun socialist… dëshmonte varfërinë…
Kështu
Pakurrizori pa e vrarë mendjen ia rrëfeu barcoletën edhe Diktatorit të Madh që ta
bënte të qeshte. Në fakt qeshi edhe Ai në çast... Por të nesërmen në mbledhjen
e Byros Politike, pasi mbaroi të gjitha pikat, u ndal tek pika e fundit “të ndryshme”.
Mori pozë teatrale. U ngrys në fytyrë, çka ishte tmerr për ta. Mbrëmë, tha Qoftëlargu
(siç e thërriste Profesor Isuf Luzaj, pa ia përmendur emrin) - dëgjova barcoletën
e kasapit dhe të mishit. Qesha dhe unë në moment, po jo si budalla… Nuk është për
të qeshur, ua them u… Ajo është e qeshur e hidhur, me helm,
humor negativ, thikë me dy presa që fshihet pas të qeshurit. Na drejtohet ne,
udhëheqjes, që të mos jemi syleshë. Koha e Satrapit paska qenë plotepërplot me
të mira, koha jonë… reklamuese, gënjeshtare, në vend të mishit që shkruhet në portë
përjashta, dyqani brenda na qenka bosh na paska vetëm kasapin… Dhe spektatori
qesh. Qesh me neve… Dhe duartroket… Bashkë me ta duartrokasin edhe syleshët,
shokët tanë udhëheqës… Qetësi dhe ankth në sallë... Secili prej jush duhet t’i
vërë gishtin kokës, të meditojë dhe të nxjerrë
konkluzione mbi karakterin klasor të barcoletave… Dhe të vijë këtu të raportojë.
Kaq kisha. Mbledhja mbillet..