E premte, 26.04.2024, 06:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Ylli S. Hoxhaj: Kënga e zezakut të  bardhë” të Daut Gumenit

E merkure, 02.04.2008, 09:55 PM


"Më shumë se liria/ skllav s’ më ka njeri! ...”

                   

( Shënime e emocione për librin ”Kënga e zezakut të  bardhë” të Daut Gumenit)

 

Poezi që u shkrua burgjeve të diktaturës komuniste

 

Nga Ylli S. Hoxhaj

 

Daut Gumeni - Ylli Hoxhaj
Tanimë kemi një letërsi të panjohur mirë, të shkruar nëpër burgjet e diktaturës, letërsi kulmore dhe cilësore që kurrësesi nuk duhet anashkaluar dhe harruar.. Ajo është pjesë e kulturës kombëtare dhe i bën nder asaj për nivelet artistike, frymën njerëzore dhe ndikimin  e fuqishëm estetik e shoqëror në të gjithë brezat e shoqërisë shqiptare. Një figurë e shquar e përfaqësues i denjë i saj është edhe  poeti Daut Gumeni; ai që bëri  24 vjet burg politik, dhe që edhe pas daljes nga burgu, në vitet e vendosjes së demokracisë, u përndoq e u terrorizua nga që nuk u  pajtua me deformimet e shkeljet e rënda që po i bëhen demokracisë së vërtetë shqiptare. Eshtë autor i disa vëllimeve poetike, i romaneve, shkrimeve politike, diplomatike, përkthimeve kapitale, etj. Për ta njohur sado pak, po qëndroj vetëm në vëllimin  poetik: ”Kënga e zezakut të bardhë “, botuar më 1994, me kushtimin: “Shokëve të vuajtjeve të gjata, që nuk dolën dot gjallë, sepse qenë më të mirë. U falem!  Autori..

 

I.   Shënime të marra nga ditari  im:

 

Më 4 shtator 1997, pas 30 vjetësh u takuam me Daut Gumenin në Presidencën e Republikës së Shqipërisë. Ishte me detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës. Mbi 23 vjet kishte përballuar burgjet më të tmerrshme të ferrit komunist, me motivacionin: “armik i komunizmit dhe i popullit”. Kishim qënë shokë e bashkënxënës në shkollën pedagogjike “Pandeli Sotiri” Gjirokastër në vitet 1957-61. Të katër vjetët nuk u ndamë, bashkë në bangën e parë, nga klasa në klasë...Të dy merreshim me letërsi e shkruanim ndonjë vjershë në faqen letrare të shkollës e më rrallë në faqet letrare të shtypit të kohës. Domozdo anëtarë aktivë të rrethit letrar të shkollës, por edhe të qytetit. Të dy “konkuronim”, sidomos në hartimet e radhës. I Ndieri Mësues i letërsisë, i paharruari Hasan Zazani (Mësues i Popullit), kur i komentonte hartimet tona para klasës thoshte: “ Ja, tani do të dëgjoni një hartim lirik me autor Ylli Hoxhën, të ëmbël e të butë si mushti e vera përmetare”. Pas ca komenteve, vazhdonte: “ Dëgjoni tani një hartim  tjetër, që është epik:...Vjen nga Labëria e ashpër, dhe autorin e kuptoni, është Daut Gumeni.” Ai vepronte me shumë takt, se  ishte mjeshtër i komunikimit dhe i sjelljes dhe kurrë midis nesh nuk zgjoi xhelozi e grindje.

 .....Pikpamjet antikomuniste dhe përçmimin ndaj ”Komandantit”, siç e përmendte shpesh Dauti, unë ia njihja që herët, dhe ai kurrë nuk m’i fshehu. Me mua nuk fliste me ironi e alegori për këtë temë , por hapur: Ne ishim në moshën e besës së vërtetë, besës së madhe, të dlirë dhe këtë virtyt e kishim dhuratë të artë nga prindërit tanë, edhe pse vinim nga zona e psikologji  të ndryshme, siç na i përmëndtte me aq lezet e sinqeritet mësuesi i letërsisë, Hasan Zazani.

            Ndodhi një ditë që Mësuesi nuk ia lexoi hartimin para klasës, siç bënte zakonisht. Tema ishte për Atdheun socialist... Dauti, midis të tjerave, shkruante:

 “ ...Atdheu im i dashuar, Shqipëria ime, është tanimë një lule vjeshte që pret ndërrimin e stinëve..., etje. ”....Krahasimin me lulet e pranverës socialiste e kishim bërë shumë nga ne; kurse ai, krahasimin e bënte me lule vjeshte e me ndërrimin e stinëve.(!).

 Kur u gjendëm vetëm  në bibliotekën e shkollës, Mësues Zazani e këshilloi: “Kujdes, more bir, se janë me zarar  mendime të tilla...Matu mirë!”... Dauti, siç e kishte zakon, me të qeshur i tha: ”Po, po. Mirë jam matur, sepse kam thënë të vërteten...Krahësimi është i goditur, apo jo profesor?! (lule vjeshte)”.

-     Eja, më shoqëro, se do të ngjitem deri në lagjen Cfakë!...”- tha Ai.

E mori me vete dhe diskutuan gjatë. Kur u kthye, djaloshi u zbraz mbi mua: ”Këshilla e porosi didaktike më japin të dy pëllumbat e bardhë, që unë s’ kam ç’u bëj, se  i dua shumë...” Ato fjalë ishin, gjithësesi, pjesë e debateve tona të ashpëra, serioze e pafund që kishin filluar që nga klasa e dytë, e që i bënim gjithëmonë vetëm. Ai kundërshtonte, përçmonte, tallej me fjalimet e citatet  e udhëheqësve, partiakëve, klasikëve të Marksizëm-leninizmit, etj. Unë i bëja oponencën...Një pasdite, në sallën e studimit të konviktit, në lëndën e historisë përgatiteshim për temën: “Vdekja e Marksit dhe e Engelsit”.  Ai bënte sikur i ishin mbytur gjemitë: ..”U uuuu, paska vdekur emërshuari, që i la murtajën botës,  çqoftoziu!...”  Shokët për rreth pyesnin: ”Ç’ ka Dauti?!”...   “ Eshtë pa qejf, i dhëmb barku.”-u thosha unë...

      Pas dy vjesh, si mbaruam shkollën pedagogjike, atë e arrestuan, dhe 24 vjet  mbeti burgjeve të komunizmit. Erdhën vitet 90-të  që hapën burgjet e liruan të burgosurit politikë...

      Të gjitha këto, e sa e sa debate të çuditshme, po më vinin në kujtesë, në ato çaste, kur ishim përballë njeri-tjetrit në atë zyrë të madhe qeveritare.

      Kisha përpara një njeri, që vinte nga Ferri dhe, që unë e ruaja në zemër dhe në kujtesë, me dlirësinë e besnikërinë e viteve të rinisë së hershme...Unë isha “pëllumb i bardhë” e i butë, ai shqiponjë rebele që bënte “paudhësi” e gjykohej armik i komunizmit. Unë, as i njihja dhe as mund t’i përfytyroja  tmerret e atyre burgjeve, edhe pse ai  tregonte shumë pak për ato.

            Po, çudia e syve të mi, nuk ishte detyra e lartë e zyra në Presidencë: Ai vinte andej,...si hyjnor...Hyjnor nga (zbehtësia) pamja...nga zemra, nga mendimet , nga dijet, nga shpirti i pamposhtur e i dlirë. Edhe nga kujtesa, nga humori, e sinqeriteti. Asgjë nuk kishte ndryshuar e humbur. Përkundrazi: ishte madhështuar, rritur, pasuruar e mallëngjyer. Nisi si poet dhe ishte maturuar poet e politikan: me vepra, me romane, me vëllime poetike, me përkthime, me studime; pjesa më e madhe e tyre në dorëshkrime, dhe vetëm shumë pak të botuara. Ishte ashtu siç e kishte ruajtur zemra, veçse i mbështjellë me një mjegullnajë, nga largësia dhe madhështia e qëndresës. As ishte poshtëruar, as ishte tjetërsuar, as ishte përgjunjur...Ishte fisnikëruar  e dhëmbsuruar...

            Dhe ç’ biseduam ato pak orë?!  Shumë folëm..., por unë mbaj mend se më shumë biseduam për poezinë.  Unë ende nuk kisha një libër të botuar, veç ca pak dorëshkrime... ”Të kam ndjekur në shtypin letrar dhe fatmirësisht nuk kam parë shkrime servile, si shumë shërbëtorë të Merhumit, Djalit të Gjylos.Ta kisha frikën...Po  ke bërë mirë...Të thashë atëherë: ti nuk do të shkosh në shkollë të lartë..Do të venë këta që kanë lidhje me sigurimasit...Ashtu ndodhi, ëë?!”....       Ndihesha  i përmalluar e me një ndiesi  fajtori për ato që atëherë nuk kisha mundur as t’i kuptoja e as t’i pranoja, veç t’ i kundërshtoja e kërrkujt të mos ia rrëfeja.

     Kishim humbur të dy në një heshtje endërrimesh: E gjeja veten të ulur në bankën e parë, në diskutimet e fshehta, në garën e hartimeve, e së fundi, në një ndarje aq të pashpjegueshme e të dhimbshme.

            Qëndruam bashkë disa orë. Mësuam shumë gjëra për njeri-tjetrin. Folëm në telefon edhe me  djemtë e mi në Norvegji.Gjetëm përsëri kohë të lexonim ndonjë poezi: njerën për Ledi Dianën, që kishte pak ditë që qe  atentuar e një tjetër për Lord Bajronin. Të dy fisnikë anglezë që e donin kaq shumë njerëzimin...Këtij fakti  i dhashë një kuptim: “Ai kishte fituar tërë kualitetet për të qënë në rrethin e njerzve  të mëdhenj e fisnikë të njerëzimit”.

            Në sirtar kishte botimin e tij të fundit poetik: ”Kënga e zezakut të bardhë”. Bëri një shënim të shpejtë:” Yllit, si peng dashurie dhe respekti për vitet e çiltëra të “Pandeli Sotirit”,  Dauti.   Tiranë, 04.03.97.

       Për këtë libër poetik, po  hedh këtu, më poshtë, ca mendime dhe emocione të shpejta, pa pretenduar për një studim specialisti.

 

           II .  Le të qëndrojmë në disa nga  nyjet e veprës:

 

 ***      Lajtmotivet  e krijimtarisë së poetit:

 

                     Më shumë se liria,/ skllav s’  më ka njeri!”....

 

                     “Pse trembesh nga lufta,/ kur trembesh nga jeta?!”

                             

 ***     Libër që fillon me titullin “ Këngë .......      

            Librin, edhe pse e lexoj me qetësi e me dëshirë, më turbullon: më zgjon mendime,emocione, kujtime, një përmallim, një pendesë, që diku ka mbetur peng, varur në një çengel të viteve, apo në  qoshen e kthesës së një rruge. Ai eci në rrugën e tij, përpara, kryelartë, i pathyeshëm... Aty gjeja rritjen e mikut tim të rinisë, rritje  që i dha  rruga e tij e luftës, e qëndresës, e lirisë që e kish bërë “skllav të saj”. E njihja zjarrin dhe çelikun e karakterit  të tij, që në rininë e hershme ishte shfaqur si poet rebel. Tani vinte edhe me një libër,që e quante, me sarkazmë: “Kënga e zezakut të bardhë.”  Kisha njohur vepra e kryevepra që fillonin me këtë fjalë të magjishme: “Këngët e Milosaos”, “Këngët e Arbrit” , “Kënga e sprapsme e Balës”, ”Kënga e Hajavathës”,etj, etj. E midis këtyre vepra me titull “këngë” edhe libri poetik i Daut Gumenit. Që në titullin e zgjedhur, aq antonimik: (edhe zezak edhe i bardhë), shihja hapësirat e një poezie të madhe, gati sikur ishin tërë kontinentet e tërë rracat e njerëzimit që përplaseshin për lirinë. Ishin hapësirat e një poezie të re, përmbi skemat e prozodinë e zverdhur, një poezi që e gjeje diku tek ata që kishin mbetur diejtë e poezisë së madhe botërore. Leximi i shpejtuar, nga një etje e zhuritur, po shpërndante mjegullën e viteve të ndarjes: Po rinjihja atë që e njoha që kur ishte 14 vjeç, djaloshin pandelisotiras: rebel, poet ëndërrimtar, të pakënaqur, të vrrullshëm dhe stoik si gërxh labërie. Pas 37 vjetësh, nëpërmjet poezisë,  Dauti po më  thoshte përsëri të njejtën varg, që e kishte bërë  lajtmotiv të jetës dhe të krijimtarisë së tij artistike:“ Më shumë se liria , skllav s’ më ka njeri!”   

       Po ky Autor kush është?!..Si shumë të tjerë autorë të letërsisë së burgosur...I madh e i qetë brenda madhështisë që ka jeta dhe krijimtaria e tij. Po pse, edhe kur lexon në kopertinë emrin e autorit, natyrshëm do të  shkosh lart; te Uitmani,...te Pol Robsoni, te... më të mëdhenjtë e kohrave dhe kontinenteve?!...

      Po kërkoja një autor të burgosur...Sigurisht ka me dhjetra... Natyrshëm, apo vetëvetiu më erdhi në mend  Viktor Hygo. Ai pati qënë i mërguar e i izoluat në ishullin Gersej....Po, nuk është vetëm kjo arësyeja e vërtetë e këtij përgjasimi. Më shumë janë dy vargjet e famshme të Hygoit që i mësuam e i deklamonim që kur ishim 17 vjeç, në Pedagogjiken e Gjirokastrës. I mësuam dhe kurrë nuk i hoqëm nga mendja dhe sjellja këto vargje: “/Nishan mua më mori  proza juaj plot vrer, / Ju më bërtisni plaç , un’ them qofshi me nder!/...

 Pas atyre  vuajtjteve e torturave çerekshekullore, ky njeri-poet kishte tërë të drejtën e dufit  për të kërkuar shpagim....Por, në vargjet e tij,  nuk gjen , as urrejtje, as hakmarrje, as përbuzje... Në ato poezi  filozofia e vargjeve  hygojane  ushqente shpirin poetik e njerëzor të autorit.  

 

***   Kaq dashuri, kaq  poezi, kaq shumë njerëz në një qeli ?!

            Poezia, që lindi në burgjet më të lahtarshme të kohëve, s’ ka qëndruar aty: ka dalë përmbi burgjet e urrejtjet, përmbi torturat e telat me gjemba, përmbi muret me hekura, përmbi qelitë e zeza, ka përzënë kukuvajkat, ka marrë dritën e zjarrin e Diellit, është ngarkuar me dhimbjet e përshpirtjet e të vrarëve, të masakruarve, të martirëve të lirisë, është derdhur në një këngë botërore të dashurisë për jetën e lirinë, në këngën e shkëmbit të  qëndresës dhe të flamurit të luftës kundër komunizmit. Autori edhe pse prapa telave dhe mureve të burgjeve, jeton me lirinë, të cilën ia  ruan poezia: “ prapa rrjetës ndjej pranverën...”- thotë Poeti.   Eshtë më i lirë se ata që janë jashtë mureve, të cilët, kurrë nuk mundnin dot të thoshin ato që u fliste zemra, ato që u trazonin shpirtrat dhe u gjymtonin jetën. Ata i thante e drunjëzonte pa pushim sloganet komuniste.

         E lexon librin poetik dhe gjen në qelitë e burgjeve të tij kaq shumë miq, shokë, poetë e dietarë të shquar, të cilëve autori u rri në krah, plot dinjitet edhe  si krijues: Janë aty prindërit e njerzit e tij të dashur, janë vendet e vendlindjes, bashkëfshatarët me këngët labe; janë malet e shkëmbinjtë e murrmë, pishat e deformuara e të pamposhtura nga erërat. Janë zogjtë e qiellit, dallëndyshet, shqiponjtat...Ai i thërret dhe i vinë: trendelinat, lulkuqet, lulet e mollës, lulebajamet që mbushin një mal të tërë... Ku numërohen të gjithë ata që mbushin atë copë vend?! Sa janë aty, tek ajo qeli  e errët?!   ../.”Ku janë miqtë e mi të fëminisë?/Ku jeni mor vëllezër vogëlushë?/ Ju sjell në sy, në terrin e qelisë, /malluar jam t’ju puth , t’ju marr në gushë./.

Sapo thërret poeti, magjistarja- poezi e mbush plotpërplot qelinë: Vinë...: ”Meti i mirë:   “i trendafilti Meto më erdhi brenda”, /me sytë dritë-ëmbël xhevahirë,/Më ndrit në terr, më ndrit të ngrohet kënga/  në gjoksin tim, Meto, natën e mirë!/.:../.Një zonjëzë ishte ndanë meje, /e vogla shoqe shkolle,/  të ndrinte nuri prej hareje, /qeshje si lule molle./... Eshtë Valineta bashkënxënësja e fillores...          

             Nëna  e Babua: një dlirësi, një  psherëtimë, një diamant i vërtetë i shpirtit njerëzor..Të pafund janë vargjet për Nënën dhe Babën..Po këtu kemi figurat e prindërve të një poeti të burgosur politik, antikomunist. Në kundërshtim me tërë atë kallëp pa shpirt që impononte të derdhte e të ngrinte ideologjia komuniste, të tipit: “prindi që sakrifikon fëmijën për Komandantin dhe Partinë”, këta prindërit e Poetit janë dëshmia e prindit shqiptar,që ia njeh vlerat fëmijës, që ia shton pa pushim krenarinë e pasurinë e shpirtit njerëzor, që e pranon dhe e dashuron deri në fund pjellën e vet  edhe kur i thonë atij “hero”apo “armik”: Portrete të tilla poetike, për prindërit, për nga fuqia e ndjenjës dhe magjia e shprehjes artistike, janë të veçantë:

            / ...Përtej një gardhi me tela të thinjur / të pashë sonte tek bije  nën shkulmët e rënda të natës!.../Si çilimi i meritur bërtita: “mëmoo!” / Nuk mund  dot më, biro, nuk mund!’/e m’ u mbështete në tokë..../ ti e mira , ti e dhëmbshura si toka!... /Të zezat e tua bënin dritë në natë,/ ... Një jetë me vuajtje /( si të tuat)/e durove pa nëmur një herë/... Ti Nëna ime e shënjtëruara nga  dhembja. / (Drithërimë helmi)

         Në një poezi tjetër përsëri Nëna:...” Dhe më vjen  turp që s’ gjej në trastën time të udhës / as dy kut basmë, o mëmëzeza,/  m’ atë të zezën tënde të shamisë!”.../Më dridhet zemra sa më zihet fryma/ e më vjen rëndë që jam gjallë / e dot nuk të gëzoj./ ...

            Kaq dhimbje e klithmë gjen edhe  te tragjedianët  e mëdhenj.

            Ja edhe Babua i poetit:   / Në kutinë tënde të duhanit/..paskan mbetur vetëm tri cigare.../duket që ke ikur merakmadh ,babo,  /në do të ta mbajnë djemtë dot /trashëgimin tënd të vetëm: burrërinë /...Në busmë të Kryevitit ngrohem n’ëndër/ dhe ndez cigaren tënde /me xixat /që shkrep me emrat tanë në gojë /e dhëmbsura nënë jetëzgjatur nga malli../.besimi  yt i gjallë në njeriun e lirë  /  të bën të rrosh edhe për së vdekuri / siç  më bën mua të vdes dhe përsëgjalli..../

        Në këtë  burg të nëmur vijnë dhe fshatarët me këngë labçe, siç shkon dhe vetë poeti nga burgu për të hyrë midis tyre në këngët e bashkëfshatarëve: “ / Kur këndojnë fshatarët e mi,/ kanë një kuluf më tepër në këngë/ kanë zemrën time që turret  për në atë iso.../kur e ndezin me zemër “kulufët” e mi,/  një gjuhë flake më shumë e kanë zerin tim në zjarr të këngës/  se i kam mbledhur zërat e tyre për këngët e mia/  siç mblodha logorimat e mëmës!”../

             Tërë këta njerëz kudo që janë, janë brenda, janë bashkë me poetin, janë në poezitë e poetit

            O miqtë e mi të çapit fëminor,

            Malluar jam t’ju shoh , t’ju puth në buzë,

            Pas rrjete ndjej agimin pranveror

            Dhe vargjet i rreshtoj mbi  aktakuzë.

                        Poeti i thërret të gjithë, u flet hapur, u flet me dashuri e mallëngjim , i fton, sa herë atje ku është dhe  të gjithë këta njerëz vene pa frikë e ndroje , se e kanë vëllanë e tyre , e kanë djalin e tyre , e kanë mikun e këngëve dhe të poemave , e kanë pjellën e tyre të ndritur e krenare. Si mund të ketë kaq miq e adhuruesë, kaq jetë e këngë për një  ” armik”?  Ja që paska!?... Ai i këshillon të afërmit:.../Mos ju jep pabesisë , të përpiu !/ jam unë armiku yt , apo vëllai? / Përmbi të gjitha tok  qëndron njeriu. /

 

***    Edhe Perënditë e fjalës poetike vijnë te poeti: gdhihen e ngrysen me atë e  i japin forcën hyjnore të lirisë e të qëndresës: E njohën që herët djaloshin rebel si poet. Dhe si kryengritës kishte një shpirt si Prometeu. Vijnë, se e kanë pjellën e tyre krenare, se ndihen të nderuar me të. Nuk e ndajnë nga vetvetja, se edhe ai nuk i ndau kurrë:

 Omar Khajami mbërriti në Burrel dhe kërkoi poetin. Ai e priti Mikun persian  në shtëpinë e tij, në Qelinë e burgut të llahtarshëm dhe e qerasi me një rubai:...

Në botë dashuria na mban gjallë,

Më kot e ke or mik që vjen vërdallë,

Ai që dashuri nuk ndjeu kurrë,

Kufomë bosh shëtit, kufomë e gjallë.

 

            Qelia në çast llamburiste nga drita e jetës dhe e dashurisë...“E kujt është kjo rubai, imja apo?!... Në qeli ka  kaq diell e dashuri?!” - tha Khajami. I madhi Imam  Omar, u përmallua: Edhe ai, në jetën-burg të Persisë  së asaj kohe, kishte shkruar qindra xhevahire poezish.     Ja, edhe  Uljam Thekerej, hyn e del te miku i qelisë:

            /Kur më përfshin në vorbull kotësia,/Vjen më jep dorën ti,/dhe mbetem prap i dlirë.\Kur rreket të më thyejë marrëzia/vjen e vë supin ti/dhe mbetem prap i lirë.”

            Poeti e qorton kukuvajkën që vinte i këndonte sipër qelisë: :/ E ç’ më këndon përmbi qeli?/ s’i trembem vdekjes, jam i ri/ mos u lodh kot natë përnatë,/nuk është e imja kjo mandatë./...  Pastaj: “Shtërgu i fundit”, Lazgushi- magjiplot, në tetor të vitit 1974, zbret në Burrel. Të dy poetët kuvëndojnë: /“ Ç’ ia the!Ç’ia the  krua më krua,/ kur i the popullit: të dua!/ Se dolla nga këngët e tua,/ të tërin prapë merrmë  mua!...” Me zjarr , ju flas me zjarr”/Ç’ më pati zëri që t’u var?!”/    E, kështu, ata vinë pa pushim: De Radën e sjell, gjithashtu , në këtë vend të mallkuar, një flad arbëresh, që vjen pa pushim nga Makje:   / Në Makje një ditë zie, / u këput lisi me hije!/...Fryu era e  detit-  /mërmërimë mëme,/mëme gjuhëshkulur/ e rrënqethi mjerdullën (bajamen)/ e t’i shkundi lulet / lehtë mbi tabut.../  I lexon vargjet dhe as ti, as unë nuk dallojmë dot: ku fillon De Rada e ku hyn poeti...: “Si krua më hënë”, vjen në Burrel i famshmi Eqerem Çabej, ashtu edhe Hajnri Bëli me “Këngë për Adamin”:    /I shoh poetët belbakë të mamasë/ të shkruajnë vetëm “hiç”në një fletë të ndraguar me salcë të kuqe.../këtë firmë të tyre poetët e mjerë të mamasë/ e kanë për vete më të mirën elegji./... Dhjetra herë edhe Rushit Bilbil Gramshi (Noli),vjen këtu si në shtëpinë e tij dhe është:“Një zjarr i pashuar me këngë”... Edhe Kapedani i Butkës-Sali Butka, së bashku me Babon (babanë e poetit) çmallen dhe kuvendojnë me merak me  djalin rebel. Një kuvendim i jashtëzakonshëm dhe i prerë, siç dinë të flasin baballarët dhe kapedanët: /Varrin, Babao, sikur e ke buzë një ledhi me grurë.../”Aty e kam , aty,...po sot jam te Kapedani.../e kapedani i Butkës e ka dhe shtrojen e përjetshme përmbi gurë”...Dhe Kapedani, që mbante mbi supe hallet e rënda  të Shqipërisë, halle  që i erdhën në “shkallë të pleqërisë”, i pëlcet shpirti nga heshtja e  nënështrimi i këtij populli që hesht, ndaj shpërthen: /” Mirë , mirë ne .../që na duhet të presim të na bëhet shtati dhe’ .../ të presim sa të na bëhen thinjat gurë...?/...Mirë ne,...po ju ç’ bëni?!... /Sa do të qëndroni ju të gjallët? /kollovarë të shpresës?!”.../ Mbaje mënd ç’ të tha Kapedani!!”

Por, nuk vinte vetëm mali te Muhameti( Profeti), po edhe Muhameti vinte te mali:  Kështu bënin gjithnjë poetët: A nuk vinte që nga Kalabria  De Rada  me Milosaon në Shkodër, në shekullin e Arbërit. Naimi, që nga Stambolli,  edhe fluturës ia jepte zemrën ta çonte në Shqipëri: “As ma merr dhe zemrën time , me vet-hezë dhe ma shpierë,/ në malet e Shqipërisë”. Kështu Shiroka, e sa e sa të tjerë....Poetët  e mëdhenj kanë një rrugë të përbashkët: mallin e përvëluar dhe dashurinë e zjarrtë për vendlindjen.Edhe Poeti si Naimi kthehet në Vendlindje, në Labëri, me të njëjtin  mall e dashuri shqiptare:

...Në shpat të Këndrevicës të marr një gur stërrali

Ta pyes të më thotë, ta puth të m’ iki malli...

Një dorë dhe’ më shkëmb, o vatër atërore,

Me malet hijerëndë në valle  burrërore..

Kur nxihen qiejt, çahen e zbrazen në furtunë,

Me dritë vetëtime do ta gjej udhën unë!...

O Gusmo varfanjaku që këngën s’ e le kurrë,

“kulufi “yt jam unë, më merr malli për gurë...(Mall)

 

        Një mëngjes, në stinën e luleve, poeti kishte parë një lulëkuqe që  kishte mbirë pa pyetur njeri në zonën e ndaluar të oborrit të burgut. Kish çelur lulëkuqja. Policia popullore e shkuli,-thotë poeti. Poezinë për Lulëkuqen e Asdrenit e dimë të gjithë. Poeti ynë e quan: Lulekuqe-lulëgjake: /...Sot në mëngjes nuk të përshëndeta dot / e gjakta lulëkuqe! / (ç’ u bëre që të shkulën me rrënjë?!)/  Qëndroj përpara vendit ku krenaroje ti  /si përpara një varri të hapur.../dhe ligjërojnë prapë sytë e tu të zinj / fytyra jote e përflakur./

      Poezia e ruajti poetin dhe ia dha vazhdimisht lirinë e madhështinë e shpirtit njerëzor. Ai trupin kish pas hekurave, se zemrën e këngën e kishte të lirë dhe e derdhte në brilante poetike. Nuk kishte qeli që ta mbante brenda poezinë  e tij.

 

***     

     Ai ishte ngritur sa Mjeshtërit e Mëdhenj të fjalës artistike dhe çudia është , se ai, jo vetëm i kishte studjuar e njohur veprat e shquara të gjenive të artit, por i kishte shkrirë në vargun e tij: në ritmin, në forcën e mendimit, në bukurinë e përzgjedhjen e fjalës poetike, në figuracionin adekuat, në muzikatitetin, ëmbëlsinë e qartësinë, dhe, nuk e dalloje dot lehtë i kujt është vargu: Ndaj vargjet e tij , komentohen njësoj si të atyre. Shihni vargjet për Khajamin, për de Radën, për Poradecin, etj. Dhe kjo është jo vetëm art i madh, por edhe një prurje e rrallë   në letërsinë kombëtare. Eshtë mirë që disa nga poezitë më të arrira duhet të përkthehen në disa gjuhë të huaja , për t’i bërë të njohura ato edhe në popujt e tjerë të botës. Duhet, sepse kjo do ta nderojë  e përfaqësojë cilësisht  poezinë shqipe.

           

***        Hekurat:

       Hekurat janë metonimia e panadarë e kësaj kënge-dhimbjeje. Jashtë tyre thuhet se është liria, brenda tyre thuhet se është nata, skllavëria, tortura , vdekja...Po ku e mbajnë dot hekurat frymën e dashurisë për jetën dhe endrrën e bukur të saj. Kemi një imazh të pazakonte poetik që të mahnit: Aty ku është poeti nuk e dallon dot ditën nga nata.Tmerr për një gjallesë, e aq më keq për një poet... Por poetët krijojnë diejtë, zjarret , dritën e bukurinë e jetës...” Në këtë qiell të kthejlltë në binacë,/  edhe në më gënjehen sytë nëpër hekura,/ e ndjej që nuk më gënjen zemra. /...Kjo hënë e plotë vetë e di /  në është më shumë  hënë a vajzë e re,/ kjo vajzë-faqe hënë e plotë,/ kjo hënë e plotë-faqe vajzë./   

          Si mund të ndërtojë e të shijojë një njeri, që pret vdekjen, kaq shumë jetë e dëshira jete?! E pa zakontë!  Vetëm poetet mund t’ i besosh për  të tilla çudira. Më tej poeti me përgjërim thërret që andej: / “ Kur kuvëndoj me ju/  më hyn dielli i jetës/ në gjoksin tim të ftohtë  guvë-guri./...as mendje as gjuhëshkretën s’ kam ç’i dua! /...Kur shtratin ku mbledh kockat e ke varr,/  e varrin shtrat.../

            Ironia e sarkazma pret thellë e kërkon jo të vdesë, jo të dërrmojë, jo të shkatërrojë, jo të përbuzë e të poshtërojë, por të operojë, të heqë qelbin, të mykurën, të kalburën, të keqen e madhe, vdekjen e shpirtit... Artistikisht kemi imazhe  brilande e tronditëse dhe të gjitha këto i bën fjala e zgjedhur, e gjetur, e figurshme, ajo që quhet fjala poetike. Lajtmotivi i jetës dhe i gjithë kësaj lufte e krijimtarie është i deklaruar në të gjitha momentet e jetës : në shkollë kur ishte nxënës, në punë si mësues, në hetusi , në burgjet , në poezi e publicistikë, kudo para njerzve, jashtë telave dhe aty midis njerzve, brenda telave ...” Dhe kur u këndoj plot gjoksin këngën time:/  “Më shumë se liria / skllav s’ më ka njeri”.../

            Vitet ikin, e ai brenda qelisë i ndien ato si qirinjtë që fiken...Po fiket një jetë njeriu...

            Ç’ të them për jetën kur nuk e kam parë?

            ...Po plakem djalë i ri,

            S’ gëzoj që los me vdekjen mbyllasysi /

            Po s’ dua as t’i lidh sytë me shami!...

 

       Ky është poeti Daut Gumeni, dhe vetëm në një nga librat e tij poetikë.

       Sikur të ndodhte, që poetët e Lirisë, të mundnim   t’ i shkruanim  disa nga vargjet e tyre në kupën e qiellit, (nga që mendoj se vetëm atje nuk ka burgje), që gjithë rruzullimi të mundte t’ i lexonte, liria do të ndihej në çdo cep të botës dhe njerzit do të zbutnin mëritë, armiqësitë, egërsitë e harbutëritë, do të shkulnin rrënjët e së keqes dhe do të nderonin heronjtë e martirët e lirisë , me zemër të madhe dhe me shpirt e fuqi prometeiane.Një nga këta poetë të Lirisë është edhe Daut Gumeni, ende i panjohur sa duhet. Ndihemi keq dhe borxhllinj të përjetshëm për ato sakrifica e atë qendresë që bënë ata për Flamurin e lirisë e të dinjitetit njerëzor. Libra të tillë duhet detyrimisht të njihen kudo e kurdoherë. Ato, edhe pse flasin për barbari, masakra e burgje, ushqejnë paqe e mirëkuptim, janë njerëzore. Kur të mundnim të bënim të njohur këta poetë të kësaj poezie të madhe, që lindi burgjeve, ndoshta jo një poet, por tërë këtë poezi të madhe, sigurisht, duhet ta çonim drejt Nobelit.. Ne heshtim, dhe, ende nuk po bëjmë më të thjeshtën, ta njohim, ta botojmë e ta vlerësojmë atë.

 

***     Aliteracioni që  të vë në kërkim të kumteve emocionale:

            Lexon dy tri poezi. Ecën dhe u kthehesh...Mendon i trazuar:

          Nuk mund të kapërcesh aliteracionet e tingullit “u”. Ç’ është ky aliteracion, nga vjen , çfarë thotë?!...Sjell kujen, ligjet, këngën e kukuvajkës, ulërimën e erërave  të Katër Grykave te  shtëpi e braktisur, hungurimën e ujqve të pyllit dhe të çakallëve të ditës dhe të natës, të zyrave të sigurimsave të shtetit. Apo është  ulërima e  Nënës së poetit, që i vrasin djalin, që i shtypin kokën burrit dhe pastaj e mbulojnë  atë me gurë, babain e djalit  rrebel- poet, të burgosur.

Oh, ka shumë  u u u u!   Eshtë aliteracioni poetik i përdorur me aq mjeshtëri, që shkon deri te një gjuhë poetike, që sa i sjell, aq edhe i mërgon tingujt e vdekjes.

 

*** 

    Tërë kjo poezi, me poetë të talentuar, që ngrihet në kuotat e autorëve më të shquar të letërsisë sonë e asaj botërore bashkëkohore njihet pak: po kalohet në një krim po kaq barbar, ndoshta edhe më tej se kaq: Ajo krijimtari që i shpëtoi terrorrit të kampeve të burgjeve dhe  doli e gjallë andej , ka shumë mundësi të harrohet, të vdesë së bashku me autorët e të zhduket përfundimisht. Përpara kësaj humbje kriminale, duhet një përkushtim i veçante i shtetit, i insitucioneve kulurore e artistike, i shoqatave joqeveritare, i fondacioneve tona e të huaj, të cilat me një përgjegjësi të veçantë duhet të zgjidhin këtë çështje të madhe të pasurisë së kulturës sonë kombëtare.

 

Përmet, mars 2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora