E merkure, 03.03.2021, 12:07 AM (GMT)

Lajme

K.S.U.SH: Letër e hapur për Agollin

E enjte, 07.06.2012, 04:35 PM


KESHILLI STUDENTOR

Universiteti i Shkodrës

Dt. 06-06-2012

LETËR E HAPUR

Drejtuar:  Poetit, prozatorit dhe publicistit të shquar shqiptar, Dritëro AGOLLI

Lënda:  Për çështjen aktuale politike të zgjedhjes së Presidentit të Shqipërisë

I nderuar Mjeshtër,

Me dëshirën që kjo letër t'ju gjejë shëndoshë e mirë, lusim Krijuesin e Gjithësisë t'ju sjellë jetë të gjatë dhe të lumtur pranë familjarëve tuaj.

Studentët e Universitetit « Luigj Gurakuqi » të Shkodrës përmes përfaqësuesve të tyre të zgjedhur në secilin prej gjashtë fakulteteve të tij, siç edhe mund të jeni njohur përmes medias, prej disa ditësh ka ndërmarrë një iniciativë qytetare, fisnike, intelektuale dhe patriotike, në shërbim të kombit të cilit i përkasim, duke shfaqur hapur mendimin dhe bindjen e plotë se për të ardhmen evropiane të Shqipërisë duhet kaluar me maturi provimi i radhës: zgjedhja e një presidenti me vlera intelektuale, morale dhe kombëtare, i cili gëzon mbështetjen e gjerë të politikës dhe shumicës së popullit shqiptar.

Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH), me djegien e raundit (votimit) të dytë të zgjedhjes së presidentit të vendit, mendon se nuk duhet humbur mundësia e radhës, për të mos përfunduar, më pas, në dështim të plotë. Kështu, ne studentët shqiptarë evropian u drejtohemi Juve, shkrimtarit dhe intelektualit, qytetarit dhe një ndër figurave më të shquara, përfaqësuese të së majtës shqiptare, duke ju kërkuar, atë çka logjika Juaj e mprehtë mund ta marr me mend: ndërhyrjen Tuaj në këtë proces, tashmë të ngatërruar lëmsh e li dhe anuar si mos më keq.

Si studentë, të rinj apo edhe si brezi i të ardhmes së këtij vendi, kërkojmë nga Ju që të mblidhni të gjitha forcat Tuaja intelektuale, qytetare dhe humane, e më pas të ndërhyni që çështja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Shqipërisë të mos kthehet në teatër absurdi apo komedi e farsë të radhës.

Atdhetarisht gjykojmë se opozita dhe mazhoranca duhet të ulen përsëri, me plot përgjegjësi, të bisedojnë së bashku për zgjedhjen e një presidenti me vlera kombëtare, intelektuale dhe morale, i cili përfaqëson unitetin e popullit shqiptar dhe mbështetjen e gjerë politike.

I dashur zoti Agolli, jemi të vetëdijshëm për kapacitetin Tuaj intelektual dhe peshë-zënien e fjalës suaj brenda shoqërisë shqiptare. Ndaj, së pari ndërhyrja Juaj publike dhe së dyti këshillat e vlefshme, të domosdoshme, drejtuar të majtës shqiptare mund ta përmirësojnë ndjeshëm procesin, i cili, largqoftë nëse kalohet edhe votimi i tretë pa sukses, paraqitet i turpshëm, i shëmtuar, i fëlliqur dhe i mbrapshtë, e mbi të gjitha kundra interesave kombëtare.

I nderuar mjeshtër i letrave shqipe, të shtyrë nga ndjenjat më të larta atdhetare dhe nga përgjegjësitë, që ne, brezit të ri, mund të na bien mbi supe në të ardhmen e afërt, padrejtësisht, nga politikat e paudha të politikanëve të sotëm shqiptarë, zgjodhëm t'ju drejtohemi Juve, me shpresën që do të mundni të bëni diçka për popullin dhe kombin shqiptar, duke ndikuar në ndryshimin e situatës në fjalë. Nuk kërkojmë keqardhje, por ndarje përgjegjësish dhe vetëvendosje për kombin tonë. Të jeni të bindur se zëri ynë studentor është zë kushtrimi rinor e popullor, i cili kërkon në thelb po të njëjtat gjëra: mirëqënie ekonomike, sociale dhe kulturore; shtet të së drejtës dhe një vend ku jetohet më mirë, në paqe e harmoni, fundja si kudo në vendet perëndimore demokratike.

Në mbyllje të kësaj letre, duke shpresuar që na keni kuptuar drejt në shqetësimin tonë të sinqertë për të ardhmen e kombit, ju shprehim konsideratën tonë të thellë për kontributin Tuaj të herëpashershëm në shoqërinë shqiptare. Nga kjo na lind e drejta të besojmë se ndërhyrja Juaj publike, sa më shpejt, në këtë situatë të pahijshme, mundet ta dërgojë drejt përmirësimit procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit dhe integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Duke zgjedhur një president me konsensus të gjerë politik dhe me vlerat e lartpërmendura, e sigurtë është rruga drejt Europës, e sigurtë e ardhmja jonë. Dhe, pikërisht sot më shumë se kurrë, shqiptarëve u duhet një president me kostum të pastër moral, intelektual dhe përfaqësues i unitetit dhe vlerave më të arrira kombëtare. Në këto kushte, politika jonë ka nevojë për ndërhyrjen Tuaj, në mënyrë që « të ngrejë veshët e të skuq fytyrën » përpara se të shkaktojë minimin e së ardhmes evropiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Nderimet tona më të sinqerta për Ju dhe familjen Tuaj, i nderuar z. Dritëro Agolli.

KRYETARI

Redan BUSHATI



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora