E premte, 26.04.2024, 09:21 AM (GMT+1)

Faleminderit

Inis Gjoni: Arti i nje jete midis ekranit dhe teatrit

E merkure, 02.04.2008, 07:46 PM


Nga Arjan Konomi

I është rikthyer ekranit të vogël me një projekt ambicioz, të paprovuar më parë. “Takim ekskluziv”, është programi i përjavshëm në ALSAT, ku Inis Gjoni merr përsipër të zbulojë prapaskenat e të ftuarve të saj, gjë të cilën e arrin me elegancë dhe zgjuarsi. Balerina dhe prezantuesja e njohur e spektakleve televizive pas teatrit dhe regjisë, tani ka kthyer sytë tek një profil i ri, ka marrë pjesërisht rolin e gazetares, dhe pjesërisht rolin e mikes që i duhen besuar sekretet e jetës. 

Inis Gjoni
Inis Gjoni, vajza e njohur e prezantimit, baletit, aktrimit dhe këngës, duket se e ka tradhëtuar për momentin spektaklin televiziv ku ngaherë ka shkëlqyer, pasi është përqëndruar e tëra tek emisioni i saj më i ri, i cili pas një heshtjeje të gjatë të Inisit, ka filluar të transmetohet në valët e televizionit Alsat. Këtu ka vendosur të bëjë rolin e gazetares, i paprovuar më parë por mjaft intrigues për Inisin. Në një intervistë për revistën “Shqip”, Inisi flet plot pasion për emisionin të cilin jo më kot e ka titulluar “Takim Ekskluziv”, pasi në programin e saj të ftuarit janë të tillë dhe flitet vetëm për gjëra ekskluzive. Megjithatë objekti i bisedës sonë është më i gjerë. Ajo pranon të flasë për revistën lidhur me karrierën e saj shumëplanëshe dhe përparësitë e momentit, raportet me familjen e saj dhe marrëdhëniet me miqtë. Për Inis Gjonin, vajzën elegante me kaçurela dominues, gjithçka është e bukur kur ndërtohet me pasion dhe këmbëngulje. Të njëjtën gjë po përpiqet të ndërtojë në projektin e ri që ka në dorë, i cili po e frymëzon çdo ditë e më shumë.

Riktheheni në televizion pas kaq kohësh me një format të ri televiziv për ju, në raport me ato çfarë keni bërë deri tani. Si lindi kjo ide?

Në të vërtetë emisioni lindi si një propozim nga televizioni Alsat, por fatmirësisht koinçidoi që pak a shumë të njëjtin format televiziv ta kisha menduar edhe vetë më përpara, sepse gjithmonë më ka pëlqyer të intervistoj, ose më saktë të kem në programin tim elitën e intelektualëve shqiptarë, në një talk show të drejtuar nga unë. Kjo është një eksperiencë shumë e bukur, e para e këtij lloji, e cila më pozicionon pak edhe në rolin e gazetares, pavarësisht se unë nuk pretendoj ta luaj këtë rol në mënyrë të mirëfilltë.

Sa keni dorë të lirë në këtë emision?

Në fakt e kam marrë përsipër të tërin vetë, sepse preferoj t’i bëj gjërat vetë, megjithëse ka një staf që më mbështet. Zakonisht kështu më ndodh gjithmonë, në çdo punë që marr dhe kjo ndoshta është një e metë e imja. Kam dëshirë të insistoj vetë në të gjitha zërat që përmbledh emisioni. Merrem me skenarin, me të ftuarit dhe më pëlqen kjo gjë. Fatmirësisht me një pjesë të madhe të të ftuarve, që i përkasin fushës së artit, kam patur bashkëpunime dhe njohje. Pak a shumë i njoh edhe si personalitete dhe kjo e bën bisedën më të këndshme, më të lirë, më njerëzore. Mundohem që të shikoj tek këto personalitete anën më njerëzore të tyre.

Krahasuar me eksperiencat e shumta televizive, cila është e veçanta e ciklit që drejtoni tani?

Ne të gjithë i njohim jetët e personazheve të ndryshëm publik, veprimtaritë e ndryshme artistike, çmimet që ato kanë marrë, ndërsa unë, në emision, trajtoj gjithmonë prapaskenat, mënyrat se si i kanë arritur sukseset dhe vështirësitë që kanë hasur. Gjëja që më ka pëlqyer më tepër ka qenë se të gjithë të ftuarit që kam pasur në emision janë treguar jashtëzakonisht të sinqertë dhe të lirshëm, sepse jo gjithkush tregon prapaskenat dhe vuajtjet e tij. Ky emision ka një lloj ndjeshmërie që nuk e kanë pasur emisionet e tjera.

Eksperiencat e tjera kryesisht kanë qenë prezantime spektaklesh. Ndërkohë ju duke qenë një natyrë tepër komunikuese, mos vallë e gjeni veten më komode në biseda të tilla?

Është shumë e vërtetë. Ju thashë se një pjesë të mirë të të ftuarve i njoh dhe i trajtoj në formën e një bisede intime të ngrohtë. Unë zakonisht nuk mbaj skenar me vete, sepse po të kem përpara një skenar natyrshëm do përpiqesha të isha shumë strikte dhe të fokusohesha në pyetjet që unë kam ndërtuar. Kuptohet unë gjithmonë e kam një skenar paraprak, të shkruar në zyrë dhe gjatë emisionit në mendjen time. Kjo gjë mendoj se bën që biseda të shkojë në rrjedhshmëri. Realisht nuk është shumë e lehtë, sepse në emision kam të ftuar politikanë, shkrimtarë, njerëz të angazhimeve shoqërore dhe pyetjet që bëhen kanë brenda tyre një ndjenjë përgjegjësie.

Ju jeni e kompletuar si artiste dhe show girl. Keni kënduar, kërcyer, keni prezantuar. Do kishit dëshirë të bënit një spektakël ku të ishin të gjitha këto elementë të gërshetuara?

Në fakt këtë gjë e kam bërë, madje e kam bërë që në hapat e mi të parë kur jam ngjitur në skenë. Sepse që në spektaklet e para që janë organizuar në Shqipëri, më është dhënë mundësia edhe të kërcej, edhe të këndoj nga pak. Mesa kujtoj kjo ka ndodhur kur kam prezantuar festivalet në Radio Televizion. Më pas erdhi Telebingo. Gjithmonë i jepja mundësi vetes të këndoja, të kërceja, të drejtoja, të bëja ndonjë humor. Të them të drejtën tani që kam nisur emisionin, nëse do më duhet të mendoj për një projekt ku të përfshija veten time në të gjitha këto komponente, mund të them se do më mungonte pjesa e bisedës. Sepse këto të tjerat janë pjesë të miat dhe për të dalë në skenë janë mjaft të kollajshme për mua.

Jeni në formë mjaft të mirë fizike, ndërkohë që për herë të fundit keni kërcyer para 10 vitesh tek “Apologjia e Sokratit” një danc fantastik. Nuk mendoni që njerëzit kanë nevojë të shohin edhe këtë pjesë tuajën?

Mesa kam vënë re, njerëzit i ka marrë malli dhe shpesh herë më pyesin pse e ke lënë baletin, përse nuk të pëlqen më?... Por ashtu rrodhën ngjarjet….. Pas mbarimit të Telebingos u angazhova me disa pjesë teatrale, ku po e gjeja veten më mirë. Sa i takon “Apologjisë” është një pjesëmarrja ime para 10 vitesh. Fatmirësisht ajo shfaqje vazhdon e jepet. Më erdhi keq që nuk pata mundësi të shkoja në shfaqjen e 100-të të saj, megjithëse ftesën e kisha nga Mirush Kabashi. Por meqë jam e angazhuar shumë me emisionin nuk munda të shkoj, megjithëse do të kisha dashur shumë të shkoja.

Ju keni luajtur si aktore në teatër, keni vënë pjesë në skenë si regjisore, ndërkohë që televizioni, teatri, spektakli ndryshojnë njëri nga tjetri. Si e ndieni veten mes tyre?

Në kohën kur kam luajtur si aktore këto kanë qenë pjesë paralelisht me televizionin, kam qenë shumë e ngarkuar. Janë disa pjesë teatrale që unë kam luajtur, me Teatrin Kombëtar ashtu edhe me Akademinë e Arteve. Nuk e kam menduar ndonjëherë të ndiej ndryshimin mes tyre, ose nuk më ka ndodhur të më marrë malli për njërën apo për tjetrën. Por ka momente që i kujtoj me shumë nostalgji rolet që kam luajtur në teatër. Është një lloj qetësie, një lloj shijimi tjetër nga ajo e televizionit. Teatrin e kam shijuar shumë. Ruaj kujtime shumë të bukura.

Ndërkohë keni qenë regjisore në një shfaqje ku ishin protagonistë profesorët e tu. Si jeni ndjerë nga kjo?

Ka qenë pjesa me titull “Dadot”. Të them të drejtën puna ka shkuar jashtëzakonisht shumë mirë. Kam pasur një vlerësim nga ana e porfesorëve, sidomos nga Agim Qirjaqi dhe Roland Trebicka, pasi Genci Fuga është më afër moshës sime. Kisha një përgjegjësi shumë të madhe dhe ndrojtje fillimisht. Por gjithsesi kur bëhet fakt një punë, unë heq çdo frikë. Jam munduar të jem shumë e kujdesshme, sepse gjithmonë kisha idenë se këta janë profesorët e mi dhe duhet të isha akoma edhe më e kompletuar. Këtë e vura re gjatë përkushtimit që ata patën ndaj punës. Kjo ishte për mua një lloj vlerësimi. Personalisht jam ndier mjaft mirë, pasi unë kam studiuar regjisurë dhe po vija në skenë një pjesë si regjisore, që me fjalë të tjera do të thoshte që i gjithë studimi im akademik, ishte realizimi maksimal i kësaj pjese.

Je gjithmonë në formë me një look për t’u admiruar. Sa kohë të kushton kjo gjë?

Me thënë të drejtën nuk është se gjatë ditës merrem shumë me veten, ndonëse do të më pëlqente që të merresha. Megjithatë pata një mundësi për veten time, pata një periudhë pauze, të cilën e shfrytëzova në mënyrën më të mirë të mundshme që do ta kisha menduar ndonjëherë në jetën time. Mbajta një dietë shumë të gjatë, përreth një viti. Kjo më jepte mundësinë që gjatë gjithë ditës ta kisha komplet mendjen vetëm te vetja ime. Plus gjërat e tjera që i kanë qejf të gjitha femrat, si për shembull trajtimet e ndryshme. Por momentalisht, meqë jam shumë e angazhuar, nuk po merrem me këtë pjesë. Mendoj se look-u është një pjesë shumë e rëndësishme për çdo femër. Paraqitja e jashtme është respekt për veten. Gjithashtu mendoj se pjesa më e rëndësishme për një femër është feminiliteti i saj dhe në momentin që nuk i buron, do ishte shumë e paplotësuar.

Jeni tre motra dhe mamaja juaj, gjithmonë të veshura bukur. Cila është marrëdhënia mes jush, konsultoheni njëra me tjetrën?

Të katërta kemi një raport ideal. Mamaja, Ilda, unë dhe Ingridi. Me Ingridin jam shumë e lidhur. Ajo merr shumë mendime nga unë dhe unë marr nga ajo. Për anën estetike, prezantimin në një spektakël, për çështjet e punës. Gjejmë mundësinë të flasim në telefon e të marrim mendim nga njëra tjetra. Unë e kam vlerësuar gjithmonë shumë guston e saj. Po e njëjta gjë ndodh edhe me motrën e madhe megjithëse me atë flas më tepër për gjëra personale dhe jo profesionale. Jemi shumë herë bashkë, pavarësisht se secila jeton në shtëpitë e veta.

A kritikoheni shpesh mes jush?

Me Ingridin ndonjëherë, sepse me motrën e madhe nuk mbaj mend të kem pasur ndonjëherë arsye. Ingridi për shembull më kritikon për flokët, ajo më thotë t’i shtrij dhe të mos i mbaj kaçurrela. Ndërsa me Ingridin bëjmë debat sidomos për punë, secila këmbëngul për çfarë mendon në lidhje me punën. Si përfundim gjejmë një të mesme.

Keni bërë një album me Ingridin. Keni dëshirë të vazhdoni me muzikën?

Muzikën e kam parë gjithmonë si pjesë të spektaklit, absolutisht ndonjëherë me ambicien për të merituar emrin këngëtare, apo për të kënduar si këngëtare. As kam për ta menduar ndonjëherë këtë. Por mendoj këtë tjetrën që në momentin kur do realizoj një spektakël të mirëfilltë, mund të këndoj për të krijuar atmosferën e spektaklit.

Ka patur raste kur keni ftuar njerëz në emision dhe nuk kanë ardhur?

Fatmirësisht kjo nuk ka ndodhur, sepse nëse të thonë se “do vij” dhe të mos vinë, kjo nuk është aspak prishje qejfi, por një stres i madh. Ti e ke të programuar punën me personazhin e caktuar dhe nuk është mirë të dështosh. Të gjithë të ftuarit e mi kanë ardhur dhe unë i falënderoj shumë. Po, ka pasur momente kur regjistrimi i emisionit është shtyrë, për arsye objektive, por asnjëherë nuk është anuluar. Tani jam duke u përpjekur të krijoj një emision rezervë.

Keni më shumë miq apo mikesha në jetën tuaj?

Të them gjysë përgjysmë se nuk e ndaj dot, kam edhe miq edhe mikesha. Por nëse konsiderohet i natyrshëm një numër rreth 4-5, mund të thoja sa kam 4-5 miq dhe po kaq mikesha.

Pak ditë kanë kaluar nga ndarja e çmimeve “Oscar”. Ka pasur ndonjë interpretim që ju ka bërë përshtypje?

Vazhdimisht për filmat e kinemasë them “sa bukur”. Marion Cotillard, aktorja franceze,  fituese e çmimit “Oscar” për rolin e protagonistes, në filmin “La vie en rose” kishte një performancë fantastike edhe në film, edhe në tapetin e kuq. Mendoj se ky çmim ka qenë jo vetëm i merituar për aktoren por edhe një lloj stimuli për personalitetin e Edith Piaf. Rol i vështirë për të interpretuar një personazh jetësor, një artiste të madhe të njohur nga publiku. Pastaj mendoj se aktorët që vijnë nga teatri bëjnë gjithmonë mrekullira. Kjo aktore vjen nga teatri, aq më shumë nga teatri francez që është shumë i vlerësuar. Në të gjithë Europën teatri vlerësohet mjaft, ndërsa në Amerikë është e kundërta, ai që vlerësohet është filmi. Hollwood- i është një industri e tërë që deri tani nuk po mposhtet dot. Mendoj madje se shumë aktore të teatrit interpretojnë në filmat amerikanë pasi aty paguhen më mirë.

Po në Shqipëri a ka diçka për të cilën thoni, “Oh sa bukur!”?

Ka shumë gjëra të tilla. Për shembull një emision i tillë ka qenë emisioni me titullin “Sos”. Ai transmetohej tek Vizion plus, para disa vitesh. Ishte një emision shumë real. Por ka plot emisione, spektakle që më pëlqejnë, janë shumë të mirë, si emisioni i Rudina Magjistarit, apo Gjergj Lekës.

Meqë në modë janë shumë programet e tipit “reality show”, vetë ju do merrnit pjesë në një emision të tillë si konkurrente me të tjerë personazhe Vip?

Nuk e kam menduar, por them që nuk do merrja pjesë, pasi nuk kam një arsye për ta bërë këtë. Duhet të kesh një qëllim kur merr pjesë, për shembull për t’u afirmuar, për të fituar, ose duhet të kesh shpirtin e lojës. Them se nuk kam asnjërën prej këtyre.

Nëse do kishe mundësi të shkoje të vendosje lule tek varri i një personaliteti të famshëm, ti ku do të shkoje?

Tek Marlon Brando, është aktori që kam adhuruar dhe vazhdoj ta adhuroj duke filluar nga qenësia e tij si mashkull, deri te loja aktoriale që ka qenë vërtetë perfekte. Megjithatë personazhet që më intrigojnë më tepër janë personazhe që nuk i përkasin viteve të fundit. Zakonisht fantazoj për personazhe mistikë dhe jam mjaft e intriguar nga antikiteti. Një pasion i imi është edhe arkeologjia. Do më pëlqente të vija lule tek varri i Tutkamonit.   



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora