Kulturë
Flet gazetari i emisioneve shkencore natyrore dhe eksploruesi nënujor, Xhemal Mato
E hene, 04.06.2012, 12:52 PM
“Ekologjisti vuan dyfish, vuan hallin e tij, por edhe të tjetrit”...
Nga Albert ZHOLI
Xhemal Mato është një nga ambientalistët tanë
më të mirë. Ka vite që ai i përkushtohet shoqatës “Masmedia dhe Mjedisi” për
problemet mjedisore në Shqipëri, ku vazhdon të jetë kryetar i saj dhe botues i
gazetës mjedisore “Ekolëvizja”. Ka një prodhimtari të gjerë krijuese, me vlera
e çmime kombëtare e ndërkombëtare. Ka drejtuar në TVSH emisionet: “Shkenca dhe
filozofia”, “Gjithësia rreth nesh”, “Formimi i njerëzimit”, “Truri, Shkenca dhe
enigmat”, etj.. Ka realizuar filmin e parë nënujor dhe është autor i 17
dokumentarëve nënujorë, duke qenë edhe vetë zhytës i talentuar. Ka fituar katër
herë çmim kombëtar për dokumentarët shkencorë. Në konkursin e SOROS-it në vitin
1995 fiton çmimi “Gazetari më i mirë i vitit”. Në krijimtarinë e tij me
dokumentarë ka fituar dhe shumë çmime në festivale ndërkombëtare, si në vitet
1995, 1996, 1999 e 2002 , si me dokumentarët “Treni i vdekjes”, “Laguna e
Lezhës”, “Në botën blu lufta vazhdon” etj.. Është autor i 74 dokumentarëve për
natyrën, problemet mjedisore, turizmin dhe traditat kulturore në Shqipëri. Që
prej vitit 1991 është instruktor ndërkombëtar i zhytjeve nën ujë i specializuar
edhe jashtë shtetit dhe me lincencë për studimet nënujore. Ka shkruar dy libra
shkencorë: “Gjithësia rreth nesh” dhe “Shkenca dhe enigmat”.
Kur keni filluar për herë të parë në RTSH?
Ishte viti 1970. Një vit që shënoi një
ndryshim në jetën time, pasi unë vija nga fakulteti i shkencave, ku kisha
mbaruar për fizikë dhe futja në
këtë punë ishte diçka e papritur. Ishte koha
kur në televizion kërkoheshin gazetarë për shkencën, sepse emisioni shkencor
ishte shumë i pëlqyeshëm nga publiku dhe unë që në auditorët e universitetit kisha
bërë disa shkrime në gazetën “Zëri i Rinisë” në faqen shkencore. Këto u bënë
shkas që unë të shkoja në TVSH.
Kishit menduar ndonjëherë se si fizikan të
shkoje të punoje në TVSH?
S’e kisha menduar kurrë. Unë kisha vetëm një
dëshirë, që pasi të mbaroja studimet për fizikë të kthehesha në vendlindje, në
qytetin e bukur të Sarandës, pasi kam pasur një CV të pasur lidhur me detin.
Kisha qenë notar vaterpoli me ekipin e Sarandës dhe ëndrra ime ishte deti
Sarandës, noti dhe të merresha me zhytje nënujore. RVSH për mua ishte një teknologji e
përparuar shumë e lartë, më dukej UFO, pasi nuk kisha parë ndonjëherë televizor
dhe në çastin që hyra aty pashë për herë të parë emisione televizive. Kur
fillova unë televizioni i shtoi emisionet nga 2 ditë në javë në 6 ditë në javë.
Pra, unë isha në kohën e duhur, në vendin e duhur.
Sa emisione keni dhënë gjithsej për shkencën
në TVSH?
Bëji llogari 2 emisione në javë për 30 vjet
rresht. Norma ishte shumë e madhe për kohën. Nga këta një emision ishte me
dokumentarë të huaj dhe një për shkencën dhe teknikën shqiptare. Ngarkesa ishte
aq e madhe, sa them se si e përballoja. Ditë dhe natë në televizion, sa që disa
herë montazhin e bëja dhe vetë.
Të gjithë gazetarët kishin këtë ngarkesë?
Mund të them pjesa dërrmuese po. Ishin heronj
atëherë gazetarët, pasi nuk kishim këto aparatura, këto mjete komunikimi. Ne
atëherë tregonim dhe anekdota për punën, pasi kishte raste që kolegia jonë do
martohej dhe thoshte:
“Aman, për martesë më sillini dhuratë një emision rezervë”!.... Kjo pasi
përgjegjësia ishte vetëm individuale dhe s’kishte kush të të zëvendësonte.
Kush ka qenë puna më e vështirë?
Të realizoje një reportazh shkencor në javë
në ato kushte, ishte thuajse një nismë e çmendur. Emisioni im ishte specifik
dhe duhej të studioja shumë. Madje, kur kisha dhe të ftuar duhej të lexoja
akoma më shumë. “Enigmat dhe shkenca”, “Njeriu dhe atomi” ishin emisione shumë
të vështira. Për këto emisione bëja komentet e mija që donin argument, logjik,
saktësi ndryshe dështoje. Ishte një punë kërkuese dhe ngulmuese pasi ishte i
vetmi emision në Shqipëri pasi ishte i vetmi televizion dhe e vetmja dritare
për shkencën në Shqipëri, ku të gjithë sytë ishin tek unë.
Të flasim për ekspeditat nënujore, kur i keni
filluar?
Qysh kur isha student apo më mirë që kur kam
qenë në Sarandë. Ishte ëndrra ime rinore deti. Por me shkencat e natyrës të
lind ideja të bësh eksplorime apo kërkime. Kisha shumë dëshira, por edhe
s’kishim mundësi teknike dhe financiare. Ishte viti 1971, së bashku me një grup
shokësh që bëmë këtë eksperiment. Në Institutin e Gjeologjisë gjetëm rastësisht
një boks, një kuti që mund të fusnim kamerën dhe të zhyteshim nën ujë.
Menjëherë e përshtatëm kamerën për t‘u zhytur. Me lekët tona u nisëm për në
detin Jon, për të bërë xhirime për Florën dhe Faunën. Janë xhirime shumë të
rralla. Një nga filmimet kryesore ishte në Ksamil. Kjo qytezë ishte zonë
ushtarake, por ne duke qenë se punonim në RTSH na bënë lehtësim, isha me
Gravrosh Haxhihysenin, Vladimir Hoxhën. Boksi ishte prej hekuri dhe ishte shumë
i rëndë. Aty bota nënujore ishte një përrallë. Mbushur me peshq. Dukej si një
park nënujor ndërkombëtar. Sot janë shkatërruar shumë nga kjo virgjëri. Pra
filmimet e atëhershme janë një pasuri shumë e madhe e pa llogaritshme e
TVSH-së.
Ke pasur raste aksidentesh nën ujë?
Dy herë, një herë që desh na ka mbajtur
rrjeta e peshkimit brenda dhe herën tjetër në Digën e Vaut të Dejës. Ishin
prishur rrjetat e Portës. U bë alarm sepse
s’po punonte një turbinë. Na
çuan aty. Na dhanë një llambë 500 me kabëll elektrik. U futëm dhe pamë
një katrahurë hekurash, ku
pleksja e madhe e hekurave dukej si xhungël. Ato ishin ngatërruar me trungjet
dhe shkarpat që sillte lumi. Këto hekura të deformuar duhej të priteshin dhe të
zëvendësoheshin. Poshtë ishte errësirë. Kjo portë ishte 12-15 metër thellë.
Ishte kjo llambë, e cila ishte futur në kafaz hekuri, që na ndriçonte. Në qoftë
se llamba çahej ne rrezikoheshim nga energjia elektrike. Ishim me shans, llamba
nuk u thye. Një aventurë që s’e merr dot me mend.
Të vijmë tek Syri i Kaltër...
Zhytja tek Syri i Kaltër ka qenë një ëndërr e
madhe e imja. Që i vogël e vizitoja shumë herë. Për herë të parë e kam
eksploruar në vitin 1978. Ishte një sfidë me veten. Kisha shumë enigma. Sa i thellë, nga
vjen burimi. Çfarë është poshtë shpellës, etj…Për herë të parë jemi futur me spirancë anije, me
ankorë. Ishte marrëzi. Uji shumë i ftohtë. Në atë vit Syri kishte rrymë shumë
të fortë, pasi nuk ka pas devijime. Syri
i Kaltër është si pus poshtë. Vetëm spiranca na dha siguri, pasi maskat uji na
i hiqte si ashkël. U zhytëm 20 metër në shpellën e parë të ujit. Befasi. Uji
kristal. Një pus si ato që përshkruhen në romane. Lamë dhe ca shënime brenda si
pikë arritjeje, por shpella ishte shumë më e thellë. Një nga gratë aty na tha:
“Mos u futni se do ju marrë rryma dhe do ju nxjerrë në Janinë. Kanë hedhur një
dele këtu, aty ka dalë”. Një miku im, Ilir Kasneci i thotë: “Epo shyqyr, do
dalim në Janinë pa pasaportë”.
Biçikleta në botë, rikthimi triumfues...
Në vitin 2000 prodhimi botëror i biçikletave
arriti në 101 milionë, që është më shumë se dyfishi i numrit të makinave të
prodhuara në këtë vit. Biçikleta është se ajo nuk shton ndotjen e ajrit. Në
shumë qytete të SHBA-ve, biçikletat arrijnë lehtësira që makinat nuk i kanë. Më
shumë se 4/5 të të gjithë departamenteve të policive tani kanë biçikleta.
Policët me biçikleta në përgjithësi arrijnë në vendin e krimit para se të
arrijë skuadra me makinë dhe arrijnë të bëjnë 50 % më shumë arrestime në ditë.
Shërbimet urbane të biçikletave mesazhere tashmë janë të zakonshme në qytetet e
mëdha. Në një qytet si Nju Jorku, futja e 300 biçikletave mesazhere solli një
fitim prej 700 milionë $ në vit. Në Tokio, ku 90 % e punëtorëve udhëtojnë me
trena, 30 % e tyre përdorin një biçikletë për të arritur stacionin e tyre të
trenit. Kur qeveria kineze shpalli, në vitin 1944, politikën e zhvillimit të
një sistemi të përqendruar të transportimit me automobila, shumë shpejt kjo u
sfidua nga një grup shkencëtarësh të shquar, të cilët nxorën një “letër të
bardhë”, ku theksonin shumë arsye përse ky veprim s'do të funksiononte.
Argumenti i parë ishte se Kina nuk kishte mjaft tokë për të ndërtuar rrugët,
autostradat dhe sheshet e parkingut për makinat si dhe për të ushqyer popullin.
Ata argumentuan në vend të hekurudhës, sistemin transportit të bazuar të
biçikletat. Megjithëse në disa qytete në Kinë, si Pekini dhe Shangai,
biçikletat janë të kufizuara, duke favorizuar makinat, pronarët e biçikletave në
të gjithë vendin, janë me fitim në rritje. Pronarët e makinave në Kinë janë në
miliona, ndërsa pronarët e biçikletave arrijnë në qindra miliona. Biçikleta po
bëhet popullore në vendet industriale edhe për faktin se ajo është shumë e mirë
për ushtrimin fizik të trupit. Gjysma e popullsisë së rritur në vende si
SHBA-të, Rusi, Gjermani dhe Angli vuajnë nga mbishëndeti, që është një nga
problemet shëndetësore me serioze. Në SHBA mbipesha është shkaku i vdekjes së
300 000 njerëzve në vit, duke u renditur menjëherë pas 420 000 të vdekurve nga
duhani. Të gjitha këto të dhëna tregojnë se biçikleta po bëhet makina lëvizëse
e së ardhmes.
Biçikleta shqiptare, nën frikën e aksidenteve
dhe snobizmit
Transporti me biçikleta në periudhën e
sistemit komunist në qytetet e Shqipërisë u imponua nga varfëria. I gjithë
populli përdorte biçikleta, vetëm byroja politike dhe qeveritarët mund të
përdornin makina. Mjafton të rikujtojmë parkimin e biçikletave rrotull
stadiumit "Qemal Stafa" në ditët e një ndeshjeje futbolli, për të kuptuar
se ç'peshë mbante ajo në transportin tonë të varfër. Madje, kishte nga ata që,
në raste të veçanta, e përdornin biçikletën dhe për të ardhur nga Durrësi apo
dhe nga Shkodra.
Futja e makinave në Shqipëri në këto 12 vitet
e demokracisë, qe aq e vrullshme, sa që qyteti i Tiranës shumë shpejt ka
arritur në ngërçet e trafikut. Tani në Tiranë shpejtësia mesatare e një makine
nuk është më e madhe se ajo e biçikletës. Por biçikleta është ende e injoruar
nga popullsia. Disa e kanë nga frika e aksidenteve, disa nga krenaria dhe
snobizmi i të pasurit të një makine apo nga kompleksi i mospasjes së gjatë të
saj. Po megjithatë, ka që vazhdojnë të preferojnë biçikletën, ndonëse rreziku i
aksidenteve ekziston. Një nxitje të madhe do të merrte përdorimi i biçikletave
në se bashkia e qyteteve do ta studionte dhe ndihmonte këtë lloj transporti.
Ndihma kryesore do të ishte që në rrugët kryesore urbane të qytetit të
ndërtoheshin korsitë rrugore vetëm për biçikletat, siç e kanë shumica e
qyteteve të Evropës, gjë që shton sigurinë e udhëtarëve me biçikleta dhe rrit
shpejtësinë e lëvizjes së tyre. Bashkia mund të ketë në konsideratë këtë
propozim tani, që po zgjerohen rrugët kryesore të qyteteve, sidomos në Tiranë.
Një biçikletë më shumë nuk do të thotë vetëm një makinë me pak, por dhe ajër më
i pastër dhe më pak zhurma. Biçikletat do të vijnë përsëri në qytetet
shqiptare, por sa më shpejt të studiohet dhe stimulohet futja e tyre, aq më pak
ndotje do të kemi dhe aq më shumë do të kursehet kohë dhe para. Pra, hipini
biçikletave, sepse dilni me fitim edhe ju, edhe tërë qyteti!
Shqetësimi i ekologjistit
Gjuetia e paligjshme po shkatërron faunën
pyjore
Gjuetia e paligjshme, po vazhdon të shkatërrojë faunën pyjore në përgjithësi dhe gjeneratat e reja të specieve të rralla, që rriten në vendin tonë. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve dhe Kullotave, në të gjithë zonën pyjore dhe kullosore të vendit (që zë 50% te territorit), janë dëmtuar rëndë nga gjuetia e paligjshme zogj te rrallë si thëllëza, fazanë, rosa te egra, etj. Po sipas këtyre burimeve, është shtuar numri i gjuetarëve vendas dhe te huaj, që merren me ketë lloj sporti. Ndërkohë, komunat që kanë në administrim këto zona gjuetie, kanë qenë të pafuqishme për të vënë nën kontroll dhe respektimin e normave të përcaktuara. Gjahtarët, një pjesë e të cilëve të palicencuar, nuk respektojnë sezonin e shumimit të specieve të tilla, duke çuar në pakësimin e llojshmërisë së tyre si dhe në shkatërrimin e faunës dhe resurseve natyre te vendit. Sipas specialisteve, vetëm në këta 10 vitet e fundit, numri i armëve të gjahut në qarkullim ka arritur në 150 mijë copë. Drejtoria e Pyjeve dhe Kullotave, në një takim analizë me specialistë dhe anëtarë të shoqatës së gjahtarëve, diskutoi për parandalimin dhe marrjen e masave për gjuetinë e paligjshme klandestine, sportive dhe turistike. Ata janë shprehur, se duhet të forcohet kontrolli i policisë pyjore për këtë aktivitet dhe të përcaktohen qartë në legjislacion periudhat dhe sezonet për ushtrimin e gjuetisë sportive dhe asaj turistike. Vendi, ndonëse me sipërfaqe të vogël, ka potenciale të mëdha mjedisore. Veçoritë klimatike, pozicioni gjeografik, relievi, si dhe faktorë të tjerë natyrorë, favorizojnë një zhvillim të madh të florës dhe faunës, por që po rrezikohen të zhduken nga gjuetia dhe dëmtimet pa kriter.