E shtune, 27.04.2024, 04:26 AM (GMT+1)

Faleminderit

In memoriam/ Bylbyli i Shkodres – Dom Ndre Zadeja

E hene, 31.03.2008, 08:23 PM


In memoriam/ Bylbyli i Shkodres – Dom Ndre Zadeja

Nga Pjetër Pepa

Ndre Zadeja
25 Mars 1945 - Pushkatohet ne Shkoder Dom Ndre Zadeja, 54 vjeç. Një klerik i shquar, patriot i madh dhe poet i talentuar. I biri i Gjonit dhe i Luçi Fishtës, lindi në Shkodër më 3.11.1891. Tri klasët e para i kryen në një shkollë italiane, ndërsa nga klasa e katërt e më tej eshte prane Kolegjës Saveriane deri ne qershor të vitit 1912. Në fillim të 1913 dërgohet në Austri për të studiuar teologji dhe filozofi. Fillon studimet më 30.03.1913 dhe mbaron fakultetin teologjik të Universitetit të Innsbruckut më 16.03.1916. Këtë vit shugurohet meshtar në moshën 26 vjeçare, kthen në Atdhe dhe Meshën e parë e thotë te Kisha e Zojës se Kalasë me 26 prill 1916. Shërben si sekretar i Imzot J.Sarreqit për gati gjashtë vite dhe më pas, për 29 vite rradhazi, ka shërbyer në famulli të ndryshme. Në 1923–1924 në Malin e Jushit; nga 1924–1925 në Bogë; nga 1925–1934 në Shkrel; nga 1934–1945 në Sheldi. Me besimin per ideal, misionari i matur, meshtari i urte gjithe veprimtarine e tij ja kushton binomit te larte Fe–Atdhe te cilit me ne fund i fal edhe jeten. Shkruan qe ne bankat e shkolles e te Seminarit ku merr kulturen klasike greko-romake. Ndjekesi i denje i Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit, bashkepuntori i ngushte i Mjedes e njohesi i mire i Xanonit, ndihmon ne lehtesimin e “plageve shqiptare“ me melodramat e njohura e te paharrueshme te vena per here te pare ne skene, te cilave me vone do i referohen persekutuesit per arrestimet, torturat e denimet e pafund. Me qellim edukimin e rinise me atdhedashurine e lirine ai thuajse gjithshcka shkroi ja kushtoi “Nenes Shqiperi“ qe kishte aq shume varre e gjak por qe mjerisht edhe me shume do t’i shtoheshin ne te ardhmen e afert. Ndre Zajeda nuk ishte njeri i politikës por ndjesitë e tij kundra politikës italiane i shfaqte botërisht. Mik i P.Gjergj Fishtes, D.Nikoll Gazullit dhe D.Lazer Shantojës, Dom Ndre Zadeja ka qenë një letrar prodhimtar e njëkohësisht njohës i mirë i psikologjisë, mënyrës së jetesës, folklorit të popullit shqiptar. I njohur si shkrimtar, ka shkruar në prozë, poezi e sidomos në dramaturgji. Nga veprat e tij jane vënë në skenë pese melodrama, ndërsa e gjashta mbeti dorëshkrim. Si rrëfen D. Simon Filipaj, “u luajten me te madhe ne teatrot e Shkodres dhe te Tiranes”. Permenden: “Ora e Shqypnise”, “Hijet e zeza”, “Rrethimi i Shkodres“, “Ruba e kuqe”, “Rozafa” dhe te tjera te mbetura pa botuar si “Shpella e Bogdanit” me kompozimin muzikor te D.Mikel Koliqit e te D.Zef Shestanit etj. N. Zadeja ka shkruar shumë e kryesisht melodrama, por për arsye ekonomike nuk i ka botuar. Më 1919 shkruan “Ora e Shqypnisë” që e shfaq më 1919 e 1920. Madje në shfaqjen e saj në Vlorë, më 1920, pat reaksion të fortë nga komanda italiane. Melodrama e dytë “Hijet e zeza” shfaqet më 1921 dhe e treta melodramë “Rozafa” më 1936. Në vitin 1937 shfaqen njëra pas tjetrës dy melodrama të tjera “Rrethimi i Shkodres” dhe “Ruba e kuqe”. Melodrama “Rozafa” u shtyp me botim të posaçëm të revistës “Kumbona e së Diellës”, nr 5, më 1941. I mbeti si dorëshkrim melodrama tjetër “Shpella e Bogdanit”.
Dom Ndre Zadeja ka shkruar dhe artikuj pedagogjikë në revistën “Shkolla e re” qysh më 1921, ndërsa në janar 1942 i bën një përgjigje të shkëlqyer, shumë patriotike, artikullit denigrues të F. Cordignanos duke i thënë: “Harrohet e s’harrohet çdo dhunti mbi tokë, por nderi për komb asht i shenjtë sa i shenjtë asht gjaku i derdhun për Atdhe e Fe”. Kujtohet gjate kjo “Leter e hapun At Fulvio Cordinjanos”, nje kryeveper atdhetare e letrare, e rralle ne letersine shqipe, ku me nje pezmatim delikat e te fuqishem qorton mikun e vellain e vet, qe edhe ai kishte kontribuar kaq shume ne te miren shqiptare por qe mjerisht, ne fund, do te gabonte duke arritur ne disa perfundime fyese per Shqiperine e shqiptaret; (te cilet, me ate qe kryen me pas, mbi keta klerike nacionaliste e patriote, ndoshta i dhane te drejte Kordinianos). Ka shkruar dhe botuar edhe shume vjersha, artikuj etj. te nje rendesie te posaçme. Drejton shoqerine “Bogdani” dhe organizon “Veprimin Katolik” ne fshat. Vepra e tij eshte karakterizuar si: ”me stilin e Zadejes, me muzikalitetin e Zanonit, me forcen e Mjedes e fuqine e Fishtes“ ka ende shume per te thene e per t’u studjuar ne te ardhmen. Eshte nje nder pese oratoret me te permendur, sebashku me Imz.Gasper Thacin, D.Lazer Shantojen, P.Anton Harapin dhe D.Kolec Prendushin, por Shkodra e quajti ate “poeti i ëmbëlsisë”. Arrestohet me 4 shkurt 1945. Nxirret në gjyq dhe dënohet me vdekje-pushkatim e ekzekutohet më 25 mars të vitit 1945 jashtë mureve të varreve katolike, së bashku me P.Calin e shokë të tjerë. Eshte i dyti klerik i pushkatuar, por nga shume studjues u konsideruar si i pari, mbasiqe pushkatohet ne Shkoder, pas murit rrethues te varrezave ne Fushen e Rremajit.
Le t’i hedhim nje sy dosjes:
Dosja nr. 677 - Arrestimi dhe hetimi: Arrestohet me 04 .02.1945; Proces-verbali i hetimit:
I mbajtur sot me dt. 7.02.1945 me të pandehurin Dom Ndre Zadeja, vjeç 52, lindur në Shkodër e banues në Sheldij, i biri i Gjonit dhe i Luces, profesioni prift…i cili mbasi u pyet deklaroi se: -Aty nga moji shtator 1944 ka ardhë një mbramje në Sheldi nji kolonel englez i quajtur Hill me do ushtarë dhe Jup Kazazin; Me ta ishte edhe nji oficer gjerman e nji ushtar italian prej Firencet. Këta vijshin prej Cukalit e shkojshin në Shengjin per të ikur s’andejmi n’Itali. -Në Qelën time qëndruan vetem nji natë. Gjatë ndejtjes atë natë unë mbajta biseden gjatë të cilës theksova nevojën që populli shqiptar, i vorfën e me anmiq shekullor të cilët janë Sllavi, Bullgari, Greku e Italija, ka nevojë për nji mprojtje nga fuqitë e huaja. -Kur Dom Lazri erdhi në Sheldi më lajmëroi me anen e Kolë Sheldisë mrritjen e tij dhe njikohesisht më ftoi per nji takim por unë e takova mbas nji jave.
-Më tregoi mërzinë e vuajtjet që kishte heqë gjatë kohës që ishte i arratisun, dukesh mjaft i deshpëruem dhe i demoralizuem. Ndër tjerat më pyeti edhe për gjëndjen e luftës mbasi nuk ishte në korrent me lajmet. -Mbasi u takova me Dom Lazrin i tregova se kemi lajme të mira; se Kolë Ashiku më ka thanë se për dy javë fillon kryengritja. - I tregova se në Sheldi ndodhen edhe të arratisun tjerë si Martin Sheldija, Gjovalin Sheldija, Ndoc Jakova, Kolë Ashiku, Gjok Gjergji e Zef Agostini prej Lisnet. Këta dy të fundit dhe Ndoci janë dezertorë të ushtrisë N.Cl. -Me Kolë Ashikun kam ba afer tetë pjekjesh, herë më ka ardhë ne Qelë e herë kam shkue unë tek ai, në shtëpinë e Simon Kolës. Takimet kishin si qëllim të më vente në dijeni të ndonji lajmi rreth ndonji lëvizje që po pregatitej mbasi ai ishte në korrent të ngjarjeve. -Nga Kola mësova se Lëvizja po pregatitej për shumjen e Partisë komuniste të cilën si doktrinë e urreja edhe unë. Plani ishte që të msyhej Shkodra nga mbrendë e nga jashtë. -Mbledhja për pregatitjen e ketij plani u ba në Vukatanë, ku moren pjesë Hasan Isufi, Jup Kazazi, Lush Sheldija etj. Më kujtohet se kanë qenë nga nji a dy për fshat po emnat nuk më kujtohen. -Fshatrat që kanë marrë pjesë në këte mbledhje janë: Kuç, Vukatanë, Spathar, Ganjolll, Gur i Zi, Rrencë, Gajtan, Mazrrek, Rragam, Sheldijë, më duket se edhe Lisna e Vjerdha. -Konkluzioni i kësaj mbledhjeje ishte ky: për të dielen ora 10 para dreke do të hapej lufta në katër anët e qytetit. Ana e Zadrimës me msye Vaun e Dejës; Katundet andej Drinit: Barbullush, Beltojë, Berdicë, Daragjat, Trush, Bahçellek etj. do të mësyenin Urën e Drinit. Juban, Rrencë, Gur i Zi, Gajtan, Rragam, Sheldi, Mazrrek me msye kodrat e Bardhajve. Postriba kah Ura e Mesit. Mësova nga fshatarët vendas, emnat e të cilëve nuk më kujtohen, se Puka po bante edhe ajo pregatitje për tu pre partizanëve rrugen Shkodër-Kosovë. -Nji ditë para se të kërciste pushka unë dergova sherbëtorin tem, Gasper Simonin, me lajmerue Dom Lazrin mbi veprat e ditës së nesërme. -Në kryengritje merrshin pjesë përveç Pukës e katundeve që përmenda ma siper edhe Malësija e Madhe, Dukagjini e Mirdita. -Udhëheqësit e kësaj Lëvizjeje ishin këto: Për anen andej Drinit do të ishte Hasan Isufi; për rrethin e Shkodrës e Postrribën Jup Kazazi; për Rranxat, Gurin e Zi, Rragami etj. Kolë Ashiku; për Dukagjinin, bajraktarët në përgjithsi; për Malësinë e Madhe, Llesh Marashi, Prek Cali. Sa per Mirditë e Pukë nuk e di cilët ishin. -Kam ndigjue prej Kolë Ashikut se numri i pjestarëve në qytet me këte levizje arrinte në 500 vetë, emnat e disa prej të cilëve janë këto: Shuk Gurakuqi me të vëllanë, Loro Krroqi, Ndoc Coba (jo Ndoc Coba plaku), në lagjen Serreq- Myftija, Ndoc Jakova etj, emnat e të cilëve nuk më kujtohen. Gjithashtu mësova nga Zef Agostini se në këte Lëvizje bante pjesë edhe kryeplaku i Lagjes Rusi Katolik emnin e të cilit nuk e di. -Korrieri i Kolë Ashikut është Simon Kola nga Sheldija dhe ndonjiherë ka ndodhë që kët sherbim t’ja kryej e shoqja e Simonit. Nuk kam dijeni se ku i çonte e nga i sillte letrat e Kolës.
Firma: Dom Ndre Zadeja
Gjykimi e Denimi/Akt-gjykimi e denimi vijon si më poshtë: Gjyqi Ushtarak i Korpusit të Armatës III me qendër në Shkoder i formuar prej: Kryetar: major Hamit Keqi; Anetar: Mustafa Iljazi, Anetar: partizani Arif Gashi, tue qenë Prokurori, Sotir Dodona dhe Sekretar Shaban Kuçi…Lidhur me Proçesin e ngritur nga Prokurorija Kondra: Dom Ndre Zadeja, i biri i Gjonit dhe Luces, vjeç 52, nga Shkodra, prift e banues në Sheldij, i pandehur sepse: -Tue qenë në marrëveshtje me kriminelët e luftës Hasan Isufi e Jup Kazazi ka organizuar kryengritjen kundra Pushtetit Popullor…Sot me dt. 16.II.1945 Gjykata pasi shqyrtoi aktet e pretendimet e të pandehurit arsyeton: -Tue qenë se në muajin shtator të 1944 është takuar me disa oficera angleze e gjermane të cilëve u ka pretenduar rrezikun që i avitej shtetit shqiptar prej Sllavit, Bullgarit, Grekut e Italisë, këtu nuk ka bërë tjeter veçse detyrën e kolonës së V-të dhe ka treguar nji urrejtje per Frontin N.Cl. -Ka deponuar kjartas datën dhe oren e sulmit çka nuk të lën të dyshosh aspak që ky të ketë qenë larg kësaj organizate. -Ka ditur se ku banojnë të arratisurit politikë, ka pasë marrëveshtje dhe i ka strehuar ata… -Ka urryer Pushtetin e Frontin N. Cl…Prandaj vendosi… miratimin e Vendimit të Prokurorit si anetar i kryengritjes se armatosur e bashkëpuntor me Hasan Isufin! I pandehuri…kerkoi lehtësimin e denimit …Gjykata në bazën e nenit I Ligji 21 i datës 15.12.1944 vendosi dënimin: Me Vdekje!
Ky vendim i referohet Gjyqit të naltë Ushtarak për shqyrtim: Kryetari Hamit Keçi.
Perfundimi: Komunikate e Gjykatës së Naltë Ushtarake me Kryetar Gaqo Floqi, Anetarë, Frederik Nosi e Veledin Zeneli, argumenton se: -Për përgatitjen e Kryengritjes në Veri, në fakt, në muajin shtator 1944 siç e deklaron edhe ai vetë ka pritur ne Qelën e tij ne Sheldi nji kolonel reaksionar anglez, nji oficer gjerman bashkë me tradhtarin me damkë Jup Halit Kazazin me ta ai ka folur për urrejtjen e tij për popujt fqinjë pa i folur fare për Luften N. Çl. të popullit në Shqipëri. -Ka pasë lidhje të ngushta me kriminelin e luftës Dom Lazër Shantojen, Hasan Isufin, Jup Kazazin, Kolë Ashikun e me këte të fundit është takuar në Qelën e tij dhe në shtepinë e Simon Kolës në Sheldijë. -Eshtë mbajtur vazhdimisht në korrent të planeve të reaksionit për të sulmuar Shkodren, i cili ishte i destinuar të kryhej me 21 janar 1945 ora 10 para dreke sipas sektorëve. -Jo vetëm nuk ka venë në dijeni organet e Pushtetit demokratik per këto plane, por i ka shërbye atyre tue u bamë strehë dhe vend mbledhjeje e kriminelit të luftës Kolë Ashiku, Dom Lazer Shantoja etj. Të gjitha këto u aprovuan plotësisht e bindësisht nga pohimet e tij me proçes-verbalet e mbajtura si dhe para gjyqit… Në bazë të nenit…Vendosi: Aprovimin e Akt Gjykimit nr. 30, dt.16.II.1945 të Gjyqit Ushtarak të Korparmatës III Shkodër, sipas të cilit është vendosur që Dom Ndre Zadeja është ndeshkuar Me Vdekje, duke urdhëruar edhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme.
Tiranë më 28.II.1945. Firmat.
Pushkatohet se bashku me 13 te denuar tjere atje tek “Muri i gjakut” prane Zallit te Kirit te larget, jashte Varrezave te Rrmajit.
Nuk ka Proces Verbal ekzekutimi e te fjales se fundit!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora