E marte, 30.11.2021, 06:52 AM (GMT)

Kulturë

Rexhep Shahu: Nuk ishte luftë, ishte fjalosje

E merkure, 02.05.2012, 09:17 PM


NUK ISHTE LUFTË, ISHTE FJALOSJE
 
(fragment nga libri i Rexhep Shahut, ne proces shtypshkrimi, Apologji per Udhen e Kombit)
 
NGA REXHEP SHAHU

Tridhjetë hapa larg derës së oborrit tim nga njëra anë dhe dhjetë hapa larg varrit të babës tim nga ana tjetër, kalon Udha e Kombit.
 
Ndokujt ky libër mund t’i ngjajë si një grumbull i madh gëzhojash a hekurishtesh të makinerive apo avionëve luftarakë të shkatërruara nga ndonjë luftë e pashpirt, ndokujt si ndonjë grumbull i madh eshtrash të ushtarëve të vrarë e të lënë pa varr, ndonjë tjetri si një grumbull i madh fjalësh të ndryshkura, të kalbura e të helmëta të një kronike lufte.
 
Nisur nga ajo shprehja se çdo shenjtor ka një të shkuar dhe çdo mëkatar ka një të ardhme, unë vetëm kam vëzhguar dhe nuk mund të gjykoj askënd për tërësinë e punëve e veprave të mëdha të tij, për tërësinë e përsonalitetit, për dashurinë apo urrejtjen ndaj vendit e kombit, por vetëm për pozicionin e mbajtur në një kohë dhe moment të caktuar siç ishte ai i ndërtimit të Udhës së Kombit, që është Ura e bashkimit të kombit shqiptar, si vepra më e munguar në njëqind vjetëshin e fundit të kombit, për të mos thënë më shumë.
 
Duhet të pohoj që në krye, siç më thotë miku im Izeti, se vështrimi im nuk ngjan me sytë e zotit, nuk jam unë zoti e si zoti. Kjo Apologji, është krejt njerzore, punë e një njeriu me këmbë në tokë, me mish e gjak, me simpatitë, antipatitë, përkrahjet, kundërshtitë, zemërimin dhe idhnimin njerzor si çdo kush që ha bukë e pi ujë, si çdo kush që në mënyrën e tij e do vendin e vet dhe bën sa mundet për të, pa urryer askënd.
 
Është e vërtetë se që në krye të herës jam përfshirë plot pasion në luftën e fjalëve për Udhën e Kombit që e kam quajtë Ura e Dashurisë, Ura e Bashkimit të shqiptarëve.
Në të gjitha rastet vetëm jam mbrojtë dhe nuk kam sulmuar. Jam imponuar të mbrohem. Më është imponuar edhe fjalori.
 
Jam përpjekë për këtë libër fill pas luftës për Kosovën kur Udha Durrës – Kukës – Morin filloi të hyjë në fjalorin e politikës nacionale dhe ndërkombëtare më me intensitet se më parë në gjithë historinë tonë më të re.
 
Udha – Ura e Kombit, u bë. Kjo Udhë - Urë që u ngrit mbi mëritë, mosdashjet, frikat e pafundme, mbi urrejtjet, mosnjohjet, ndarjet tona, është udha - urë e dashurisë mes nesh.
Ndërtimi i saj shënoi edhe shembje të mëdha muresh e ngritje urash të tjera.
 
Lufta kundër Urës së Kombit, që nuk mund të justifikohet nga asnjë arsye, ishte ikje nga bashkimi dhe paqja e kombit, ikje dhe braktisje e paqes në rajon dhe më gjerë.
Idhnakët e dëshpëruar që luftuan kundër saj, po tretën e shuhen ngadalë në mbretërinë e harrimit, si përsonazhet e një ëndrre të ligë të natës së gjatë të ndarjes sonë.
 
Lufta idhnake kundër Urës së kombit nuk pati forcë e fuqi ta ndalte ndërtimin e saj, ta dëmtonte, t’ia minonte ndonjë këmbë, por as ta nervozonte atë, apo t’i  shkaktonte dridhje, krisje a shembje.
 
Kundërshtarët e Udhës së Kombit nuk ishin si Donkishoti që luftonte me mullinjtë e erës. Këta kundërshtarë të Urës së Kombit nuk fituan as përkrahjen e “armiqve” natyralë të shqiptarëve. Por fituan me tepricë antipatinë e miqve tanë të fuqishëm që kontribuan  për ndërtimin e kësaj Ure bashkuese të kombit shqiptar.
 
Në këtë luftë fjalësh për ndërtimin e Urës bashkuese të kombit u lënduan të gjithë shqiptarët e vdekur që kanë ëndërruar bashkimin, gjithë të përmalluarit që s’i kalb dheu, që jetuan të ndarë prej vitit 1913 deri në vitin 1999.
 
Murosja …
Kush u muros…
U ndërtua një Udhë, u ngrit një Urë – u shemb një mur… muri ndarës mes njëri – tjetrit, mes Shqipërisë dhe Kosovës.
 
Nuk u bë kurban nusja e re e vëllait të vogël…
Nuk u derdh gjak.
Rozafa mbeti, thjeshtë, legjendë.
Qumështi i saj i bardhë nuk ushqen djalin e mbetur jetim, por nevojën tonë të përhershme për harmoni e mirëkuptim.
 
S’ishte luftë, ishte fjalosje, që u nxit nga lakmia për pushtet, nga frika se mos ndërtuesi i kësaj Ure të Kombit do të çimentonte pushtetin e tij.
 
Pushteti i vetëm dhe mirësia e Urës së Kombit është bashkimi.
Kjo është arsyeja pse për Udhën – Urë të Kombit betohen sot të gjithë dhe të gjithë duan të njihen, rrjeshtohen e pranohen si ndërtues dhe rojtarë e saj.
Urat kanë nevojë gjithmonë për roje. Aq më mirë për Urën tonë, aq më mirë për bashkimin.
 
Muret që na ndanin, që i kishim në kokat tona, ranë më në fund, u shembën.
Ky është flijimi, mbase.
Bëmë mirë që flijuam ndarjen.
Ra ky mort e u pamë, do të thoshte Kadareja.
Ra kjo Udhë – Urë e Kombit dhe nuk u ndamë, do të thosha unë….



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora