Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Patriotët tagrambledhës pushtojnë Perëndimin
E diele, 15.04.2012, 12:04 PM
Patriotët
tagrambledhës pushtojnë Perëndimin
Nga Gani
Mehmetaj
–Mezi e bëmë
atdheun, duke kërkuar ndihmën e gjithë botës demokratike, e unë ta lë në baltë shtetin
e posakrijuar? Kurrë! - më tregonte arsyet pse nuk do ta braktiste vendin kalorësja
e arratisur e çështjes kombëtare, që ndiente zhgënjim kur nuk ia tumirnin idenë
për bashkim. E vetëdijshme për mangësitë e bashkëvendësve, shpresonte ta fisnikëronte
atdheun e vockël, ta bënte më të kamur, më demokratik, ku të gjithë do të bënin
atë që e vlerësonin më të mirë e më të dobishme. Bashkëvendësit e saj duhej të ndryshonin
mendësi, sepse me një palë mend në rini e në pleqëri, nuk bën, duhej të bëhen më
mendjehapur, më modernë dhe më tolerantë ndaj mendimit ndryshe, shprehte
ndjeshmërinë për të ardhmen e atdheut. Mendimet ndryshe s’para i pranonte as
kalorësja jonë, por këtë gjë nuk e vërente.
- Më parë
- më tregon ajo, e shqetësuar nga ato që ka ndeshur gjatë përvojës dhe që ka përsiatur
netëve e vetmuar në dhomën vajzërore, - duhej të bindte shqiptarët se është në të
mirën e tyre bashkimi i dy gjysmave të shtetit, pavarësisht çka thoshin
mikeshat e saj tironse, kinse do t’u frikësoheshin në Evropë, apo si shpërvilnin
buzët spitullaqet e Prishtinës, sikur përmendej diçka e tejkaluar e demode. Mbase
do t’i prishej qejfi ndonjërit. Sepse bashkëkombës kontinentalë nuk donin t’i përmbysnin
marrëdhëniet me fqinjët veriorë e perëndimorë, e ruanin biznesin e tyre të mos
e merrte rrokullimën. Qeveritarët nuk donin të ishin të parët në katund...
–Jemi racë
e çuditshme: indiferentë kur duhet të jemi energjikë e të organizuar, harrestarë,
kur duhet të mbajmë në mend, inertë kur duhet të gjallërohemi, - rrëmonte nëpër
mentalitetin e psikologjinë e bashkëkombësve. Më linte pa frymë me mprehtësinë e
rrëmimeve psiko- analitike.
Por
derisa m’i tregonte preokupimet, doli te lajmi që ma dha në fillim. Donte të merrte
botën në sy për një vizitë turistike, më tha troç. Priste të takonte bashkëkombësit
gjithandej Evropës Perëndimore, sepse në Lindje s’kishte ç’kërkonte. Nuk shkuan
as të tjerët para saj.
- Ata e
braktisen atdheun shumë kohë më parë, kur vendi qe nën thundrën e okupatorit. Bashkatdhetarët
fatkeq, krenarë siç ishin, s’mund të jetonin nën okupim. Morën një trastë krahëve
dhe u ndalën aty ku nuk kishte të okupuar dhe okupatorë. Kaluan shumë kohë nga
atëherë. Lumenjtë rridhnin pa pushim nën urën e Temzës, Rones e Senes, deri te
Danubi e Vëltava. Bashkëkombësit vetëm sa i fusnin rrënjët buzë qyteteve të këtyre
lumenjve, e qyteteve të tjera pa lumenj.
Refugjatët
e dikurshëm, filluan të stabilizoheshin, u mësuan me jetën në kurbet, jetë vetmitare,
por u ëmbëlsohej cazë nga frangat e markat, dikur apo eurot më vonë. Qetësia e
natës e paqja e ditës ishin shërim pas jetës së dikurshme nën krismat e armëve
të okupatorit. Me t’u qetësuar gjendja në atdheun e tyre, ata u hutuan, s’mund
ta gjenin rrugën e kthimit. Rrëmuja vazhdonte edhe pas ikjes së pushtuesve. Në kurbet
fëmijët u rritën, burrat e gratë u mplakën, kështu gati s’kishin pse të ktheheshin,
as ku të ktheheshin refugjatët e dikurshëm, banorë të përhershëm të vendeve perëndimore.
Vinin ndonjëherë pushimeve vjetore më shumë në det se në vendlindje.
E
kujtonte të kaluarën e shkurtër të refugjatëve tanë, gati të barabartë në numër
me shtetasit e atdheut. Megjithatë nuk donte t’u shkonte në vizitë bashkatdhetarëve
të diasporës për të bërë qejfe në kurriz të tyre, sikurse bënin dikur patriotët
e çështjes kombëtare. Ata rrinin me muaj, duke mos u shkuar mendja për punëtorë
që paratë i fitonin me mund. Ajo do të qëndronte në llogari të Kreshnikut, i
cili po ashtu do të sorollatej në shpenzime të një projekti ndërkombëtar.
Lulisë i
interesonte jetesa e tyre, standardi, por e mbyste kërshëria të merrte vesh e
morën veten pas ndihmave që dhanë për çlirimin e atdheut. Flitej atëbotë, pëshpëritet
ende sikur me ato para të dhëna kinse për çlirimin e vendit shumë njerëz u
pasuruan. Pasurinë e shtuan gjatë sundimit të UNMIK-ut dhe, pas shpalljes së pavarësisë.
Brengosej
çupa e Kodrës së Trimave për bashkëpatriotët në diasporë: - I harruam, sepse s’ua
kemi më nevojën. Dikur nuk u shqiteshim, duke u kërkuara para për trepërqindëshin,
ndihma për armatim, për mobilizim, për hotele qëndrim etj., - më shpjegonte të kaluarën
euforike.
- Kur ua
shtorëm xhepat kush nuk u kujtua për ta! Euforia ra. Në vend të mirënjohjes nuk
u ofruam asgjë, nuk u dhamë as falënderim publik, - vazhdonte të përsiaste zëshëm.
E sigurt
se po të publikoheshin shënimet për paratë e grumbulluara do të dilte që janë dhënë
shumë, ndërsa as gjysma nuk janë deklaruar, rrudhte supet. Tagrambledhësit patriotë sot janë bërë
faktorë në shtetin e pavarur. Dhënësit mbetën ashtu si ishin, xhepshpuar. Kur kërkuan
hisenë e atdheut të tyre, ua mohuam të drejtën e votës, një të drejtë elementare
që i takon çdo qytetari. Kur u duhej dëshmia e përkatësisë së atdheut, i ngatërruam
aq keq sa jo pak syresh hoqën dorë nga shtetësia e dëshminë e vendlindjes,
sepse edhe për këtë u kërkonim një grumbull dokumentesh. Refugjatët e dikurshëm
s’kishin kohë e energji të bridhnin nëpër dyert e administratës në kaos, meqë s’
donin ta humbnin punën. Nuk mjaftoi gjithë kjo burokraci, u kërkuam tarifë të veçantë,
më të lartë se sa të tjerëve për pasaporta e për letërnjoftime, nëse i donin
shpejt.
- Së fundi,
më tregonte Lulia, - nuk i regjistruam në listën e qytetarëve të shtetit. Nuk figurojnë në shtetin amë, ku kanë lindur, nuk
figurojnë në shtetin ku jetojnë përkohësisht.
Qytetarë pa
atdhe, e të parrënjë. Mbetën pa atdheun ku lindën, sepse ua morëm në kohën kur
nuk ishin aty, siç i morën apartamentet e braktisura. Fatkëqijtë, bashkëkombësit
tanë mbetën pa sigurinë e atdheut të ri-rezervë, sepse perëndimorët u thanë nuk
mund të jetojnë hajdutçe, pra nuk ua pranojnë jetën ilegale, që i bie sot për
nesër. E ku të kthehen?
- Kanë mbetur
si zogjtë e qyqes. - Disa gjenden disi. Po të tjerët? Fatlumët krijuan ca para
për ditë të zeza. Të tjerët s’bënë pasuri, s’kanë as familje, janë ndarë: burri
në Gjermani, gruaja e fëmijët në Kosovë, apo e kundërta.
Kështu ia
treguan gjendjen e njerëzve tanë jashtë atdheut demokratik e të pavarur. Ishte
mirë ta kishte një informacion për ta, të mos shkonte si politikanët tanë të papërgatitur,
sepse përtojnë të lexojnë materialet informative për shtetet ku shkojnë. Ndonjëherë
nuk ua dinë as emrat kryetarëve të shteteve apo ministrave përkatës! Qeshte
Lulia me nënkuptim për zyrtarët tanë përtacë e të paarsimuar.
Nuk dinte
nga t’ia niste, nga Evropa Perëndimore, ku i thonë që janë rreth një milion
bashkëkombës kontinentalë me dokumente të rregullta qëndrimi e jo pak edhe pa
letra. Apo, - hamendej ajo, - të shkonte
në SHBA, ku mund ta prisnin me përzemërsi, është larg dhe njerëzit u shkojnë më
rrallë. Dikur Amerika gëlonte nga patriotët shëtitës e tagrambledhësit nga
vendi i saj. Si e kalonin Oqeanin Atlantik dhe si zbrisnin me avion në Nju-Jork,
habiteshin. Pale kur kapërcenin edhe Oqeanin e Qetë dhe mbërrinin deri në Australi.
Sot ky kontinent nuk përmendej në asnjë dokument të shtetit tonë të ri. E
harruam fare Australinë e largët. Dikur çdo mbrëmje në radio e në televizion, në
gazeta e fletushka patriotike jepnin lajme për mbështetjen e diasporës
australiane. Kur u çliruam i harruam fare, më shprehte mllefin e saj.
- Euforia
e pelegrinazhit patriotik të veprimtarëve tanë ra, sepse tashmë janë zënë me
poste e pasuri në atdhe. Prandaj në Amerikë shkojnë të varfrit, ikin të rinjtë,
e mbysnin mëdyshjet çupën e Kodrës së Trimave. - Dikur i patëm lodhur mërgimtarët,
- më tregon ajo. - Një herë u kërkonin të jepnin për nënën, ndërsa nxirrnin
pakot e mëdha të kartonit që i mbushnin me verdhushka pas ndonjë koncerti a
tubimi patriotik. Më vonë iu kujtua dikujt të caktonte përqindjen për shtetin
paralel; dolën të tretët dhe thanë duhej të jepnin për çlirimin e vendit tarifë
tjetër, më të madhe sesa të parën. Nuk numëroheshin ato që kishin dhënë më parë.
Dhe pjesa më e madhe dhanë sa mundën, u lodhen, e varfëruan buxhetin familjar,
hoqën dorë nga luksi, besa jetuan keq. Bënë atë që u thanë se duhej ta bënin për
atdheun e okupuar, - më sqaronte ajo kohën e patriotizmit euforik.
E
armatosur me informacionin nga e kaluara, e përgatitur në rast nevoje t’ua
mbante një fjalim të zjarrtë kombëtar për t’i lavdëruar për sakrificat, ajo nuk
priste ta shpërblenin. Do t’ua paraqiste projektin për bashkimin kombëtar, por
nuk do t’u kushtonte asnjë cent projekti i saj. Mjaftonte vullneti i mirë.
Duke i përsiatur
gjithë këto, mësoi edhe se degë të partive politike nuk kishte më në diasporë. U
shuan. Subjektet politike në atdhe filluan të merrnin buxhet nga shteti, s’kishin
nevojë t’i milnin si dikur degët e nëndegët e diasporës, prandaj ua kthyen
shpinën. Kjo qe një grusht i madh për Lulinë plot eufori. Kreshniku kishte qenë
disa herë në Perëndim, e dinte gjendjen. Ai përpiqej t’ia ulte zjarrminë patriotike
së dashurës, dhe t’i tregonte se bashkëkombësit nuk ishin ata të dikurshmit.
Me t’u
kthyer nisi rrëfimin: - Nuk ndodhi asgjë sikurse e ëndërroja unë, - më tha e dëshpëruar.
- Punët shkuan ndryshe. Ajo nuk arriti t’ua shpaloste projektin për bashkim
kombëtar.
Simpoziumin
për gjendjen e refugjatëve e kishin organizuar mirë. Pas takimit, nikoqirja e
simpoziumit, u propozoi të vizitonin një azil refugjatësh. Lulia e pranoi,
megjithëse më me dëshirë do të takonte bashkëkombësit nëpër apartamente, apo
salla sportesh. Por edhe ideja për ballafaqimin me bashkëkombësit nëpër azile
iu duk interesante. Shumë nga ta kaluan
nëpër këto baraka, para se të merrnin lejen e qëndrimit dhe shtetësinë...