E premte, 26.04.2024, 05:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Ireshtansi: Thërrime nga një përplasje

E enjte, 19.01.2012, 08:31 PM


Thërrime nga një përplasje

 

Shkruan:  Ireshtansi

 

Kur dy njerëz dashurohen, s’ka se si të mos jenë edhe të lumtur, sepse lumturia është pjesë e dashurisë. Kjo u ndodhi edhe Blerandit dhe Mimozës kur gjetën njëri tjetrin. Ata gjetën lumturinë e gjithçka të mirë që vjen bashkë me dashurinë.Gjetën planet për jetën. Shumë plane, ndër to edhe plani për martesën. Është pak herët, i thoshin njëri-tjetrit, por të mos e qesim në harresë. Dhe martesën jo që nuk e harruan por e bënë shumë më shpejt nga ç’e kishin menduar. Kishte ndërhyrë nëna e Blerandit,Nazlija dhe e kishte marrë vetë në dorë zhvillimin e ngjarjeve duke u dhënë edhe ritmin e duhur. Dy të rinjëve kjo u kishte pëlqyer. Ata po lundronin drejt martesës të cilën edhe e kishin në plan.Dhe ja në një ditë fatlume ata po martoheshin në një dasëm të madhe të organizuar në një nga restoranet e qytetit. Kishte qenë përsëri Nazlija, që kishte këmbëngulur që dasma të bëhej në restoran. Kam djalin e vetëm, thoshte, dhe njëherë do ta martoj, pastaj dasëm në restoran bëjnë të gjithë, si ata që kanë, si ata që s’kanë. Dhe përmendte lloj-lloj emrash, kujtonte zonjat e shtëpisë që kapardiseshin duke u endur nëpër restoran me gotën e verës në dorë, zonja që me asgjë nuk i afroheshin. Pastaj do na mbesi kujtim, shtonte. Shyqyr për gëzim po hargjojmë.

Dhe kështu u vendos.Kenani, babai i Blerandit dhe Blerandi morën kredi në bankë për shpenzimet e dasmës. Dasma u bë në restoran. Erdhën shumë njerëz, pati shumë muzikë, shumë qeshje, sjellje të pashpjegueshme me shenja tallavaje, shumë zhurmë. Sido që të jetë dasma kishte arritur qëllimet e parapara.

Për Blerandin e Mimozën filloi një jetë e re, tani edhe me obligime. Nuk ishin më të dashur as të fejuar por ishin burrë e grua e kjo fjalë ka peshën e saj. Madje edhe sikur të jetonin si më parë, secili në shtëpi të vetë e të takoheshin herë pas here, vetë fjala burrë e grua do të ndryshonte sjelljet në mes tyre.Por nuk ka pengesë mendore që nuk e tejkalon dashuria, e ata dashurinë e kishin, dhe u adaptuan shumë shpejt me statusin e ri. Kënaqeshin e lumturoheshin me praninë e njëri-tjetrit. Blerandi e thërriste Mimozën, mace, ndërsa ajo me të njëjtin ton e quante, qeni im. Gjithmonë kam dashur të kem një qen si ti, i thoshte dhe jam e lumtur që e kam. Kështu kaluan muaj e ata s’vërenin gjë tjetër përveq njëri-tjetrit. Ishin të lumtur, madje shumë të lumtur për të qenë edhe të pranuar nga të tjerët. Të tjerët nuk merrnin dot pjesë në lumturinë e tyre, sepse lumturia nuk ndahet. Po të ishte për trishtim edhe të tjerët do ta kishin gjetur veten e mbase edhe do të kyqeshin, por kjo gjendje i linte ata anash. I bënte spektator të diçkaje që ata mbase edhe nuk donin ta shihnin. Ishte si të mbylleshe në një dhomë e të detyroheshe të shikoje në televizor diçka që të neverit.

Kështu e ndjente veten Nazlija e cila po shihte me zili që djali i saj tani tërë vëmendjen po ia kushtonte nuses, e cila u kishte hyrë në mes dhe po i pamundësonte marrëdhënjet e saj të rregullta me djalin. Ajo nuk e kishte dashur një nuse të tillë. Nusja duhej të ishte më e heshtur. Edhe kur të fliste, të shikonte pak qehret e të tjerëve, sidomos të vjehrrës, që ta dinte kur të ndalej. E jo kështu e shpenguar, si të ishte ajo vjehërr.

Këtu diçka kishte ndryshuar e këtë ndryshim Nazlija assesi nuk e donte. Ajo donte t’i kontrollonte gjërat. E donte lumturinë e djalit, sigurisht, por e mendonte ndryshe. Donte që edhe ajo të ishte aty, madje mu në mes, sepse djali i kishte shumë borgje. Një mal me borgje të cilat ajo ia kish dhënë që kur ky ishte sa troha. Gjithë ky kujdes e bënte atë të kishte hise në jetën e djalit i cili duhej të sillej ndryshe. E t’ja tregoj vendin edhe kësaj që nuk e di se ku e ka. Por ai jo që nuk ia tregonte vendin por përditë e më shumë po binte nën ndikimin e saj dhe Nazlija nuk mund ta duronte këtë.

Kështu dalngadalë e përditë nga pak nisi, apo rinisi lufta më e gjatë në historinë e njerëzimit, ajo në mes të vjehrrës dhe nuses. Mbase nuk ishte faji i kësaj as i asaj por kjo mënyrë jetese e shartuar me një mendësi të ndryshkur pashmangshëm sjellin këto acarime, këto situata të pakëndshme, që dalngadalë mbushin jetën, bëhen jeta vetë. Bëhet njeriu t’i marrë lakmi kafshëve. E pse jo? Kafshët e dinë ç’është e mirë. Kanë një menquri origjinale, prandaj njeriu duhet të këshillohet vazhdimisht me to. Se shikoni  zogun amë e zogun bijë. Ato nuk e bëjnë një qerdhe të përbashkët. Se si kafshët si shpezët nuk i marrin hua njëri-tjetrit e as që bëhën merak se ç’thonë të tjerët dhe i rregullojnë gjërat për hesap të vetë. Në mënyrë instiktive dhe pa asnjë komlikim. Por njeru nuk mundet kështu. Disa prej nesh edhe po t’i lësh një jetë të mendojnë për një problem të vetëm nuk do të ishin në gjendje të vinin në nivelin e asaj lëvizjes instiktive të kafshës. Prandaj edhe lindin probleme që sido që të zhvilloheshin nuk do t’ja përmirësonin jetën askujt dhe si të tilla janë krejt të panevojshme dhe do të ishin të pakuptueshme për kafshët.

Me ardhjen e nuses Nazlija përditë e më shumë e shihte të rrezikuar pozitën e saj në shtëpi. Dhe ashtu ishte. Kështu kishte qenë gjithëmonë dhe gjithëmonë kishte pasur përplasje ose kishte ekziztuar brumi për përplasje. Tani asaj i duhej të hapte rrugë, të bënte pak anash, gjë që ajo nuk mund ta lejonte.Ajo donte të injoronte një fakt të painjorueshëm. Familja kishte edhe një pjestar tjetër dhe prania e saj domosdo do të ndryshonte raportet në familje. Këtë gjënë e pashmangshme Nazlija nuk mund ta kuptonte e rrjedhimisht as ta pranonte. Prandaj ajo nisi t’i picërronte sytë gjithnjë e më shpesh kur e shihte Mimozën tek endej nëpër shtëpi. Edhe Blerandi e kishte vërejtur mosdurimin e saj ndaj Mimozës. Ai ishte habitur sa e hareshme ishte bërë Nazlija kur ai një ditë ishte zënë me Mimozën. Si të ishte makinë, kishte kaluar nga gjendja e mrrolur dhe e paqejf e kohëve të fundit në një gjendje hareje rrezatuese. Madje ishte në gjendje tu përgadiste të gjithëve kafe, vetëm ta shihte djalin t’i bërtiste nuses, por Blerandi nuk ia dha më këtë kënaqësi. Ai vazhdoi ta përgëdhelte Mimozën, me fjalë e me dorë e ta ndjente përdredhjen e saj prej maceje e shikimin e ëmbëlsuar enkas për çaste të tilla. Këto gjëra do ta lëndonin në mënyrë të vazhdueshme Nazljen e cila do të shfaqte tani edhe hapur mosdurimin e saj ndaj Mimozës. Do të gjente diçka që t’i ankohej burrit, i cili herë s’fliste, herë do ta kundërshtonte me gjysëm zëri. Do t’i ankohej edhe djalit i cili për këtë çështje nuk ja varte. Kjo do ta iritonte aq shumë Nazlijen, saqë tani asgjë nuk do t’i shtonte as do t’i hiqte fjalës lapidare, përdhunë t’rejes, m’dekt djali. Tani ajo ishte bërë një bishë e përmbajtur që ka fiksuar mendjen dikund dhe pret çastin e duhur për këtë. Ajo do ta vazhdonte betejën edhe jashtë shtëpisë, do ta përgojonte e do të ankohej për nusen në lagje, në farefis e kudo të mundte.Me një fytyrë të përvuajtur do të tregonte pa pritesë e me zell të përmbajtur se ç’po vuante nga nusja. Kështu po përgadiste terenin për një sulm më frontal, që bashkë me fitoren do t’ja rikthente qeshjen, gëzimin e të gjitha të mirat që i ishin marrë.

Ashtu gjakftohtë në plane e gjaknxehtë në veprim nisi të zihej me Mimozën e të bënte rrëmujë të cilën e krijonte si me hokus-pokus. Ajo e kishte rrëmujën me vete dhe e zbrazte kurdo që donte. Mimoza, njëherë i ikte e pastaj secilën herë e më shpesh i ndalej. Dhe ajo fol e kjo fol, në një luftë të pasosur fjalësh që gratë ia kanë marrë dorën dhe kanë durimin ta çojnë drejt një fundi të pafund. Blerandi i gjetur në një pozitë jo të mirë, ndonjëherë kur mundte largohej kinse nuk dëgjoi gjë e ndonjëherë i bërtiste gruas së vetë, gjë që shakaktonte një ngërdheshje të brendshme tek Nazlija dhe një ndjenjë fitoreje në një betejë për pushtet ndaj njerëzve e shpirtrave të tyre.

Fatkeqsisht skena të tilla po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta. Askush nuk mund ta kontrollonte më situatën. Vetëm Nazlija e kishte në dorë si do të lëvizte gurët. Ajo po shikonte e kënaqur që gjërat po shkonin në drejtim të duhur, por nuk mund ta lëshonte veten e të gëzohej para kohe. Ajo kishte vuajtur shumë kur të tjerët kënaqeshin, por zoti s’ka thënë që vetëm ajo të vuaj. Ta dijë kjo që këtu jam unë e të mësoj ta ulë kokën, thoshte me vete për nusen.

Mirpo Mimoza nuk ishte e edukuar të pranoj gjëra të tilla.Ajo kishte lindur në një tjetër kohë, madje edhe pas ardhjes së televizionit i cili u kishte dhënë një të shtyrë të mirë ndryshimeve. Për të, të gjitha këto ishin të huaja, skena nga historia  që ajo ishte e detyruar t’i jetonte tani, ose më saktë t’i vuante tani. Edhe Blerandi s’kishte ç’bënte e këtë e dinte edhe Nazlija që kishte vendosur ta bënte të sajën. Ai sikur të mos qe i detyruar ta paguante kredinë, do të merrte Mimozën e do dilte me qira, por këtë s’e bënte dot. Pamundësia për tu përballur me ngjarjet e kishte bërë atë të heshtur, disi të kredhur në mendime edhe pse asgjë s’mendonte. Ai përditë e nga pak kishte filluar ta kuptoj që kështu më nuk jetohet. Atë e kishin vrarë, por s’e bënte me faj askënd. E dinte që njeriu i rritur e ka fajin vetë. T’i mendonte disa gjëra  më mirë që t’i kishte punët më mirë. Tani e dinte por ishte vonë për gjithçka, përveq ndarjes. Për ndarje s’është vonë kurrë. Të dy tashmë e dinin se po shkonin drejt kësaj, dhe s’bënin asgjë për ta shmangur. Më mirë kështu thoshin . Dhe kështu u bë. Ndarja u erdhi krejt natyrshëm. Ata as që e ndjenë. Këta muaj pak e nga pak ia kishin thithur gjakun, i kishin bërë njerëz pa gjak.

-Mos u mërzit të keqen nëna, ta gjen ty nëna një ku e ku më të mirë, i thoshte Nazlija të birit për ta ngushëlluar, dhe këtu ishte shumë e sinqert. Ajo do t’ja gjente një më të mirë po të kishte mundësi. Madje as këtë ndarje ajo nuk e deshi, ajo vetëm deshi që nusja të nënshtrohej, e të gjithë të jetonin sipas qejfit të saj. Kështu çdo gjë do të shkonte fjollë, por ja që u bë si u bë, e ajo nuk është se mërzitej për këtë.

Ndërsa Kenanit i vinte keq. Ai e dinte që kjo ishte e padrejt, por sa para bënë vetëm ta dish. Ai vetëm njëherë arriti të thoshte, ah moj grua ç‘na bëre e pastaj qe i detyruar të dëgjoj një ligjeratë të tërë për ngjarjen e për fundin e pashmangshëm, prandaj i tha vetes, rri urtë o Kenan, dhe kështu bëri.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora