E shtune, 11.05.2024, 03:49 AM (GMT+1)

Mendime

Besnik Sinani: Mbi Radikalizmin islamik në Kosovë dhe Maqedoni

E marte, 15.11.2011, 08:59 PM


Mbi Radikalizmin islamik në Kosovë dhe Maqedoni

 

Nga Besnik Sinani

 

Sulmi i një ekstremisti mysliman boshnjak, Mevlid Jasarevic kundër ambasadës amerikane në Sarajevë, solli përsëri vëmendjen tek rreziku i ekstremizmit islamik në Ballkan, përfshi Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Malin e Zi. Në ilustrim të këtij pretendimi nuk përmendet asnjë rast nga Shqipëria, por përmendet në lidhje me Kosovën dhe Maqedoninë atentati i Arid Ukës kundër ushtarëve amerikanë në Gjermani dhe sulmi i vëllezërve Duka në New Jersey, Amerikë. Por, a ka kuptim përmendja e këtyre rasteve të ndodhura larg nga Ballkani e larg nga Kosova e Maqedonia si shembuj të prezencës së ekstremizmit në Ballkan?

 

Arid Uka dhe vëllezërit Duka kishin origjinë respektivisht nga Kosova e Maqedonia, por nuk janë vendosur lidhje ideologjike midis këtyre individëve dhe vendeve të origjinës së tyre. Arid Uka ishte rritur, shkolluar, socializuar në Gjermani në të njëjtën mënyrë që lidhjet e vëllezërve Duka me Maqedoninë ishin të zbehta e ata kishin kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre në shtetin e New Jersey-t. Burimet e tyre ideologjike vinin nga interneti dhe nuk kanë pasur ndonjë “frymëzim ideologjik” nga vendet e tyre të origjinës.

 

Olivier Roy, një nga studiuesit më të njohur të Islamit në Evropë, ka vite që shkruan për karakterin de-territorial të ekstremizmit mysliman që ndeshet në Evropë, i shprehur ideologjikisht pa atashim emocional apo ideologjik me ndonjë territor të caktuar. Për Roy-n, të rinj si Arid Uka janë produkte të globalizmit dhe jo të lidhur me një kulturë të caktuar; në fakt, thotë Roy, këta janë myslimanë të ç’kulturalizuar, të distancuar nga kulturat tradicionale myslimane.

 

Pas atentatit të Ukës kundër ushtarëve amerikanë, një gazetar i së përditshmes Koha e Re në Shkup dhe imam në xhaminë Isa Beg, Ramadan Ramadani, pasi dënoi këtë atentat, vuri në dukje atë që duhet të ishte e dukshme për këdo:

 

“Ashtu sipas raportimit në media, një shqiptar me prejardhje nga Kosova dhe shtetësi gjermane, me nofkë arabe, që falej pas një hoxhe maroken, kishte dashur që, sipas tij, të hakmerrej për çështje nderi në Afganistan, të cilat i ka parë në Youtube-in amerikan!... përveç gishtit, në këtë krim nuk kishte gjë tjetër shqiptare.”

 

Në botën në të cilën jetojmë, atashimi i radikalizmit me një territor të caktuar nuk qëndron përherë drejt në qasjen me realitetin fluid global. Atashimi i këtij faji nëpërmjet asocimit, sjell jo vetëm analiza të gabuara, por mjegullon edhe gjykimin për raste të mirëfillta, potenciale radikalizmi. Vëllezërit Duka dhe Arid Uka ishin produkte të një kohe dhe një realiteti social sa të largët po aq të ndryshëm nga ai dibran apo kosovar, nga ishin larguar prindërit e tyre. Ata ishin konsumatorë të materialeve në internet, materiale që efektuan perceptimet e tyre të aktivizmit fetar në një botë fluide globale ku identitetet fetare shpesh lëvizin në një fushë pa lidhje me një territor fizik.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora