E premte, 26.04.2024, 02:41 PM (GMT+1)

Mendime

Shpat Bregu: Rreth debatin Qose-Kadare

E hene, 14.11.2011, 09:02 PM


Rreth debatin Qose-Kadare

 

Nga Shpat Bregu

 

Duke lexuar artikullin e Lis Bukurocës “Patologjia e polemikës”,  “zemra shqiptare”, 6 nëntor 2011, të cilin ai para disa vjetësh ia paskësh dërguar “Shekullit”, por nuk qenkësh botuar i plotë, më kujtua ky shkrim imi. Edhe unë e kam shkruar atëherë kur debatonin Qose e Kadare për identitetin tone. Unë, këtë shkrim, me sa më kujtohet, e kam shkruar në formë komenti lidhur me debatin, megjithëse, si koment, paksa i gjatë. Mirëpo, për shkak të dobësive të mia lidhur me përdorimin e kompjuterit, me gjasë nuk pata arritur ta dërgoja. Meqenëse ky problem, por edhe të tjera që shkarazi ceken  në shkrimin tim, edhe sot e tërë ditën janë aktuale, vendosa që shkrimin t’ia dërgoj “Zemrës Shqiptare”, me shpresën se mund ta publikojnë. Po e dërgoj ashtu siç e kam shkruar atëherë, pa ndonjë ndryshim. I vetmi ndryshim është se, ndërsa atëherë e kam pas dërguar me emrin e vërtetë dhe shkronjën e pare të mbiemrit, këtu, te “zemrashqiptare”, po vazhdoj të paraqitem me këtë emër e mbiemër të trilluar.

 

Janë të ndara mendimet në lidhje me debatin (zënkën) Qose-Kadare mbi identitetin tonë. Të ndara edhe për sa i përket „tifozllëkut“,  edhe për sa i përket dilemës se u desh apo nuk u desh ky debat. Unë, për aq sa kam mundur, i kam lexuar shkrimet e shumta në lidhje me zënkën në fjalë dhe, sa më shumë shkrime që lexoja, aq më shumë bashkohesha me ata që mendonin „Çka na u desh fare ky debat?“.

Mirëpo, së pari, dua që edhe unë, krejt shkurt, ta them mendimin tim për dy protogonistët e debatit,  e pastaj,  përsëri shkurt, lidhur me disa shkrime që kanë të bëjnë me të.

Nga paraqitjet e tyre në lidhje me këtë problem, shihet se Qosja dhe Kadare kanë mëri të vjetra, dhe problemin „identiteti shqiptar“ e kanë marrë si prerteks për të qëruar hesapet ndërmjet veti. Këtë e dëshmojnë më së miri fjalët fyese që përdorin ata kundër njëri-tjetrit, madje, pikërisht në ato momente, horrojnë se debatojnë për një problem shumë të ndieshëm mbarëkombëtar dhe e bombardojnë, pa mëshirë, njëri-tjetrin, me të qena e të paqena.

Për sa i përket problemit „ identiteti shqiptar“, po marrë guximin që edhe unë t’i them pak fjalë.

Historikisht dihet se ne jemi të vjetër, së paku afro 3000 vjet. Dihet, gjithashtu, se ne i kemi populluar në vazhdimësi këto troje, ku jetojmë sot, madje edhe më gjerë, dhe kemi një gjuhë të përbashkët e doke e zakone të njëjta. Këto troje, ku kanë jetuar të parët tanë dhe ku vazhdojmë të jetojmë sot ne, janë pjesë e Evropës, madje janë në atë pjesë, ku ka lindur edhe një pjesë kulturës së saj. Këto, siç e kanë thënë edhe të tjerë para meje, janë faktorët krijues të identitetit tone. Kjo është dëshmia më e madhe se ne jemi pjesë e Evropës dhe kemi identitet evropian e jo aziatik a ndonjë identitet tjetër. Prandaj, nuk duhet kurrfarë argumenti tjetër për të dëshmuar këtë.

Kadare, me të drejtë e mbron aq me ngulm këtë identitet tonin, por atij sikur nuk i  mjaftojnë këta faktorë për të dëshmuar identitetin evropian të popullit tonë, por kërkon ndihmë nga feja.

Askush, me mendje në kokë, nuk mund ta mohoj se feja jonë e parë, pas paganizmit, ka qenë feja e krishterë. Për këtë nuk ka nevojë t’i  bindim të tjerët e aq më pak europianët e sotëm, të cilët  e dinë fare mirë se cilët jemi ne dhe pse një pjesë e madhe  jona ka ndërruar fenë. Këtë fare mire e di edhe Rexhep Qosja, i cili,  në trajtesën e tij ”Realiteti i shpërfillur”, pasi me të drejtë ngre zërin kundër tendencave për krijimin e një identiteti të ri kombëtar kosovar dhe të një gjuhe të re standarde për këtë ”identitet”, sulet kundër pikëpamjeve të Kadares, duke përdorur, po ashtu, faktorin ”fe”. Dhe, ç’është më e keqja, me këtë ”faktor” identitetit tonë mundohet t’i jap një ngjyrë tjetër. Ai, në trajtesën e tij, shkon aq larg sa që harron se Kadare shkruan për identitetin shqiptar dhe, duke u kapur pas ndonjë fjale të tij, e akuzon atë për ”qërim hesapesh”, në radhë të pare me shqiptarët me besim islam e pastaj edhe me turqit, arabët dhe me botën islame në tërësi. Dhe, Rexhep Qosja, si avokat i mirë, në atë trajtesë, i mbron ata dhe islamizmin në përgjithësi nga ”antiislamisti” Kadare. Ai zgjatet  e stërzgjatet aq shumë në mbrojtje të islamizmit dhe të botës islame në përgjithësi, sa që bëhet tejmase i mërzitshëm dhe, po të mos dihej se kush është R. Qosja, cila është vepra e tij, do të mbushej mendja t’i thoshe: Zotëri, mjekrrën e ke, mund ta zgjatësh edhe ca, ndërro veshje dhe, po deshe, merr rrugën e shko bashkohu me sivëllëzrit e tu!

Kjo mbrojtje që ai i ben botës islame nga ”sulmet” e Kadaresë, sikur zbehin ato qëndrime të drejta që ai, në trajtesën e tij, ka për disa probleme që e preokupojnë botën shqiptare sot. Ai ka plotësisht të drejtë kur thotë se ”Arsyeja e vërtetë pse shqiptarët dëshirohen më pak se të tjerët në Bashkimin Evropian në të vërtetë është joevropa e sotme në jetën e tyre të sotme politike dhe shtetërore, janë mentaliteteti, shprehitë, sjelljet, veprimet…”

Edhe fakti se  pjesa më e madhe e besimtarëve shqiptarë i përkasin besimit islam, mund të jetë një nga shkaqet pse nuk na do Evropa, por, shkaku kryesor, siç e thotë edhe Qosja, është joevropianizmi ynë. Për të qenë evropian, duhet të sillesh si evropian, ndërsa ne, me sjelljet tona, me veprimet tona të përditshme (mendoj për një pjesë të madhe të shqiptarëve, pa dallim feje a krahine), për ditë e më tepër po dëshmojmë se jemi larg të qenurit evropianë.

Evropa nuk do vrasës, nuk do kriminelë e trafikantë. Ajo ka pasur mjaft të vetët. Ka edhe sot, por i lufton me ngulm. Ajo, para se ne shqiptarët të na identifikojë si të krishterë a myslimanë, na identifikon si vrasës, kriminelë, trafikantë e çka jo tjetër. Kështu, sepse në sytë e evropianëve, një identitet të tillë për ne kanë krijuar bandat kriminale shqiptare, fatkeqësisht të shumta.  Pa i çrrënjosur këto dukuri shumë të shëmtuara, nuk duhet pretenduar hyrjen në Bashkimin  Europian. Të tillë çfarë jemi, edhe po qe se një ditë të gjithë do të konvertoheshim në katolikë, Evropa prapë nuk do të na donte. Por, edhe po të na pranonte, do të duhej të thoshim: ”Jo, ju faleminderit, ende nuk jemi gadi, kemi edhe ca punë për të bërë!”

Debati Qose-Kadare, si i tillë, nuk do të ishte i dëmshëm. Debatet do të duhej të shërbenin për t’i zgjidhur problemet. Mirëpo, ky debat, në një farë mënyre, nxori në shesh shumë të ”palara” tona. Lexues të shumtë, duke bërë tifozllëk, po barrikadohen në njërin a në krahun tjetër, pa e lodhur mendjen se bëhet fjalë për dy shqiptarë, të cilët edhe mund të kenë mendime të ndryshme a të gabuara. Ata nuk po gjykojnë mendimet e tyre apo gjykojnë vetëm kuturu, por i hidhen në shpinë njërit apo tjetrit, varësisht nga simpatia apo, çka është edhe më keq, varësisht nga cila anë shqiptare është. Shembulli më i keq është Maks Velo, i cili me atë shkrimin e tij “Qoseizmi, ose teoria e urrejtjes” shprehet me një urrejtje të shfrenuar, do të thosha fashiste, jo vetëm kundër Rexhep Qoses, por kundër të gjithë shqiptarëve të besimit islam. Ai i quan tradhtarë shqiptarët e besimit islam, sikur na qenkan fajtorë ata, që gjyshërit a stërgjyshërit e tyre paskan qenë të detyruar ta ndërrojnë fenë. Ai me këtë quan tradhtarë edhe të mëdhnjtë e kombit, si Abdyl Frashërin, Sylejman Vokshin, Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, pastaj mijëra e mijëra të tjerë, të cilët  kanë luftuar kundër atyre që kishin qëllim, jo vetëm të na ndërrojnë fenë, por edhe të na zhbëjnë tërësisht si popull. Unë mendoj se ky Velo “intelektuali” (e çuditshme: intelektual dhe të bëjë përgjithësime të tilla, të mos dallojë individin nga tërësia!), me këtë paraqitjen e tij, ka treguar vetë se ku ndodhet. Ka dëshmuar se mbiemrit të tij do t’i përshtatej shumë mire një ”–s” apo një ”-viq”, mirëpo, në këtë shkrim timin nuk do të mund ta bëja këtë, sepse kështu do të fyeja me qindra e mijëra vëllezër e motra shqiptare të besimit ortodoks. Do të fyeja Papa Kristo Negovanin, Themistokli Gërmenjin, Fan Nolin e mijëra e mijëra bijë e bija të asaj pjese të popullit tonë, të cilët luftuan kundër armiqëve të shumtë për liri e dinjitet kombëtar.

Kur pata dëgjuar se Maks Velo, për shkak të qëndrimeve të tija, qe rrahur nga një fanatik, më pat ardhur keq dhe pata menduar: ”Aty ku nuk funksionon shteti, aty ku nuk  respektohet ligji, mund ta pësojë gjithkush, edhe intelektuali edhe çdo kush tjetër, dhe kriminelët të shpëtojnë pa një therrë në këmbë”, ndërsa, sot mendoj: ”E more, Maks Velo, po të kishte shtet dhe po të respektoheshin ligjet,  ti do të duhej që, për fyerje dhe për antishqiptarizëm, atë pjesë të jetës që të ka mbetur, ta kaloje në ndonjë qeli të errët!”

Fare prapa Maks Velos nuk mbetet as Migjen Kelmendi, i cili, me atë paçavuren e tij ”Java”, ka vite që merret me politikë përçarëse brendashqiptare. Edhe ky, sikur Maksi e disa të tjerë bashkëmendimtarë të tyre, debatin Qose-Kadare apo shkrimet lidhur me këtë debat, i ka shfrytëzuar për të vjellë helm e vrer antishqiptar. Ky far”analisti”, ”gazetari” madje edhe ”gjuhëtari” i madh, në një shkrim të tijin me titull ”Ka ZOT!”, 1 qershor 2006, nuk zgjatet shumë për debatin Qose-Kadare, por e thotë atë çka  “i zien përbrenda”: ”Tevona, une ia gjej nji të mirë kësaj polemike. Tirana tok me krejt opionistat e vet, nuk i quen ”kolosë” të dy. Vetëm njanin: Kadarenë. Dhe këtu ma n’fund , u treguen të sinqertë”. Ndërsa, në  shkrimin  ”SESELJ” P’EJ TIRANE, të botuar, si reagim ndaj shkrimit të Maks Velos, po në atë paçavuren e tij, të dates 22 qershor 2006, pos të tjerash shkruan: ”Maks Velo me këtë reagim të mbushun me këso përgjithësime e kualifikime ksenofobe, vetëmsa i dha za dhe e publikoi nji paragjykim dominant në mënyrën e të menduemit për Kosovën në Tiranë, që e kam të ditun që nga ai viti i largët e i afërt 1992.” Ky fare ”analisti” sharlatan, nërsa Velon, me të drejtë e akuzon për përgjithësime, përgjithësime të tilla bën edhe vetë. Identifikon Tiranën, d.m.th. tërë Shqipërinë, me Maks Velon a të tjerët si ai. Nuk di të kujt punë e kryen ky njeri, por jam i bindur se edhe ky është i denjë që mbiemrit të tij t’i shtohet prapashtesa

”-viq”, por qe do që ka një emër, që nuk do të mund kurrsesi ta fyeja në këtë mënyrë. As kelmendasit trima e atdhetarë nuk do të mund t’i fyeja kështu. Mund të them vetëm këtë: Me turp i mbajtë edhe emrin edhe mbiemrin!

Vetë fryma e debatit Qose-Kadare dhe reagimet e shumta rreth tij, të shumtën tendenciozë e me qëllim të keq, më bën të mbaj anën e atyre që mendojnë se nuk na është dashur ky debat. Ndoshta, do të kishte qenë më mire të lihet populli të bëjë jetën e tij, pa ngarkesa fetare e krahinore. Dikur nuk kuptohej se kush cilës fe a krahinë i takonte, ishim shqiptarë dhe ajo mjaftonte. Sot, mjerisht, po ndodhë ndryshe.

Këtë shkrim timin, megjithëse nuk jam fare fetar, do ta përfundoja me një lutje: Zot, mbroi shqiptarët nga ”shqiptarët”!



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora