Kulturë
Skënder R. Hoxha: Sibilat nëpër kohë zezonash
E diele, 18.09.2011, 04:57 PM
VARGJE SIBILIKE
SKËNDER R. HOXHA
SIBILAT NËPËR KOHË ZEZONASH
1.
JETA
Shënime kujtime e përralla për jetën
Për luftërat ilire e lodrat e fëmijëve të zbehtë
I mbaj të shënuara në fletore në defter shumëfletësh
Gjyshi kishe pasë kënduar për to në lahutë
Prej drurit lëkurës e bishtit të kalit jetik
Për jetën e thneglave dhe njerëzve si mumje
Që e kanë shpuar terrin me ndo’i kleçkë pishe
E për Ditën e Re mbase kanë ëndërruar...
2.
VARGONJTË
Hallkë me hallkë lidhen e ygjaten vargonjtë e rëndë
Herë shkurtohen ndrydhin mishin e brejnë eshtrat
Në labirintet e tuneleve strehohen breshkat e urta
Hardhucat nxjerrin kokën për një çik frymëmarrje
Përgjojnë zhurmën rrëmujën e dielli ua verbon sytë
Gjarpri në ethe ndërron lëkurën shtatë herë në stinë
E vargonjtë lëkunden gumëzhijnë e kërcasin në beton
Të vdekurit trembshëm prekin sarkofagun me ballë.
3.
AKSIONI
Plot njerëz bredhin në cytje të kalamendur hutuar
Shkojnë e vijnë nëpër pirgje të ënërrimit mortor
Duken sit ë papunët komodë por nervozë
E të rraskapitur E acari shtrëngon e bën të veten
Duke thither gjakun nga palca e eshtrave të tharë
Sa interesante është jeta në rrëmujë në AKSION
Kur prej haresë memoriale çdo njeri në bebëza prej varrin
E vdekja u duket e ëmbël shpëtimtare e njerëzishme
4.
ZAGUSHIA
E frymëmarrja ishte e rëndë nga kundërmim baruti
Kur retë e mugëta gllabëronin cep me cep horizontin
Nëpër frëngjitë e shtëpive me rrasa e fije myshqesh
Gërhatja e burrave ka shkyer perden e natës së metaltë
Zagushia kështu u ka ngulfatur të tjerët në fyt me litar
E do të tjerë kanë vdekur mistershëm sin ë përrallë
Të masakruar nëpër bodrume me ujë akuj e acar
Ah si nuk janë edhe ata që i zhdukën për nga’i fjalë
5.
NËNDETËSJA
Kushedi sa mila nën det ka gjurmuar
Karvani i z ii nëndetëseve të harbuara
Për t’i gjetur skeletet e algjeve të fjetura
Në fund të detit të tuurbullt të çuar peshë
Profetërit në qiell kanë qeshur me nëntokën
Atëbotë kur është prehur me misteret e agut
Në hapërim të bardhë rrugës DHIATAVE të reja
Ku idhujt do të pyesin: “Jam, apo nuk jam”?
6.
MELANKOLIA
Dhe tokës era flokët do t’ia nxjerrë
Në ditët e saj të lindjes së madhe
E bebëzat mbufaten nga ndjenja të ndrydhura
Për etjen e verbuar midis meteorëve.
Atëherë u trontit edhe jehu i vrazhdë i daulles
Së akorduar në ikonat e dasmës së thneglave
Por atëbotë askush s’ka ditur të flaës për lindjet
Dhe kështu melankolia ka marrë fund në cytje!
7.
GJARPRI
Nën rrasa të zeza rri gjarpri katil
Helm e ka kokën helm e ka gjakun shpirtin
Kur të kafshon ai të ënjtet tërë trupi
Të rrokin ethet e të vjen me vjellë
Shumë njerëz të helmuar e gjetën amshimin
Pjellë e keqe janë të vegjlit e tij
Kostarët një ditë ia prenë kokën me kosa
Një livadh u qelb prej asaj stërvine
8.
ËNDRRA
Shtigjeve të errta ëndrra më çoi ke varrezat n’pyll
Katër të vdekur dolën nga varret dhe floën me mua!
I pari më tha: - Më qitën ujë në hundë e vdiqa
I dyti më tha: - Më shtinë marhamën në fyt e vdiqa
I treti më tha: - Më shtinë në bodrum të akullt e vdiqa
I katërti më tha: - Më qëlluan me çekan në kokë e vdiqa
Ata sërish hynë në varret e amshimit, mua më doli gjumi
Atë natë nuk fjeta nga ankthi që më ngulfatte për ta!
9.
MJEGULLA
Ku mbetën njëqind tufë delesh me ogiça
Ku mbetën njëqind barinj me shkopinj në dorë
Pse s’u kthyen më njëqind kalorës me kuaj të bardhë
Pse mbetën të verbër e memecë njëqind njerëz të urtë
Legjenda thotë: ka rënë një MJEGULL e mugët e atëbotë
Delet me ogiça i ka ngrënë ujku në mal
Barinjtë e kalorësit i zuri kallukanxha e mortjes
Të tjerët mbetën udhëkryqeve të pa sy e të pa gjuhë!
10.
KORBI
Të gjitthë thonë se KORBI është egërsirë namkeqe
Me flatra të zeza si futa pa asnjë të bardhë
Llafazan e grabitqar mbi të gjitha sojet tjera
Çerdhen e ngre diku thellë në majë të skëterrës
Thonë ushqehet vetëm me mish e gjak harabeli
Vallë si diti natyra të krijojë këtë “stoli”?
Që me flatra të hapura ia shëmton bukurinë diellit
Atëherë errësirë, korb në tokë, korb në qiell!...
11.
SHQETËSIME
Hej, ç’keni bërë kështu o të marrë?
Ç’janë gjithë këto kafka të paidentifikuara?
Hej, pse jeni dehur atëbotë me lojë në altar?
Pse mbetën gjithë këto mumje atë ditë e sot?
Hej, kush ju tha se të vdekurit nuk ngjallen?
Të privuarit nga jeta prapë do të këndellen!
Hej, folni!
12.
PASQYRA
Veç një Yll Deti e vura për pikëçuditëse
Në mesin e boshatisur të këtij shekulli
Në pasqyrë vërejta kalimthi flokët e thinjur!
O, Zot, pse këto Lindje kaq të vonuara?
13.
HIJET
Ndjenjat fluturojnë nga parzma për në lartësi
Hijet e Zeza kishin vrenjtur qiellin n’horizont
Nuset u martuan dhe mbetën shtatëzëna me djaj
Disa thane: Nuk jemi dasmorë të këtyre dasmave
Dhe Hijet Namzeza ngritnin bajraqe mbi oxhaqe
E tymi shkruante elegjinë në ajër të pastër
Bastarden e të gjitha dasmave të thneglave
Psalm që nënat i la kërcura me duar në gji!...
14.
PËRMBYSJA
Tok me ciklonin errësirën therëse përmbysjen
Rrokulliset tatëpjetës një botë e tërë e qelbur
Kur në Oqeanin e Fildishtë të Fushëbetejave
Shihet fundosja e një anijeje me vela përrallorë
Një Kuçedër verbohet në ngjyrat e Ylberit
E mbufatur me gjakun e ëmbël të hijeve të urta
Toka e Qielli bëjnë sehir ka hi uruar DIELLI
Çel perden e dritës për në përqafim thneglash!
15.
ÇASTE
Nganjëherë nuk mund të gjej fillin as mbarimin e botës
Fjalës. Nuk më ndihmojnë Galileu, Gagarin as Amstrongu
As Don Kishoti me gomarin e tij të lodhur, atëherë
Më lodhin pikat e shiut në strehën e shtëpisë sime përdhese
Lavirja ma bën me sy nga skaji i trotuarit në rrëmujë
Hamleti më ndaloi me gotën e helmit në dorë, tymi i cigares
sime vizaton diçka fantastike, diçka të çuditshme
në gishtërinjtë e mi të zverdhur – kohë e Jul Cezarit!...
16.
LOJË
Në një kohë kur ujqit ulërinin në mal
Sokaqeve hajnisht lehte një qen zhelan.
Thonë: qeni i keq të sjellë ujkun në torishtë
Përralla rritej e bëhej legjendë e gjallë
E populli dridhej shkrihej gjallonte në drojë
Rreth Kalit të Trojës disa thoshin: duket si lojë.
Ujku syskuqur kolovitej me qengja në gojë
Në qeshje cinike disa prapë thoshin: është lojë…
17.
ORBITA
Ec e preke flatrën e verdhë të atij zogu
Që shkon e ngrihet vengër gjithnjë lartësive
Të pakufij për të gjetur dehje në hullitë
E mjegullës së vrarë lie mbi tokë të harruar
Nga vrushkujt e rimuar të lotëve qiellorë,
Por, fund ii kalërimeve shpesh është tragjedi
Që mbillet në ethe e koka njerëzish të etura
Për të pushtuar skajin e ORBITËS së Diellit!
18.
DJE
Mbi një shtyllë bote kishte zbritur një Re e Zezë
Kalorësit vazhdonin lodrimet nëpër lëkurën e vet
E krenarë e quanin veten në Olimpiadën e Mordjes
Kur dasmat e thneglave bëheshin nëpër vreshta
Në trajta të ndryshme shihej njeriu i shekullit të marrë
Duke shkelur tërbueshëm rrezet e Diellit të Parë!
Atëbotë sihin bërë ujq edhe njerëzit e tokës së urtë
Dikush shkrihej si qiriu e dikush qeshte si lavire!...
19.
VDEKJA
Atëherë pahetueshëm gjithçka mori rrugën e përmbytjes
E plakat thyenin frikën me përralla për Nastradinin
Barinjtë me shkopinj matnin kohën e lindjes së Diellit
Të ëndërruar e dikush hapte varre n’majë të kodrave
Pa ditur kush do të vdesë: disa apo të gjithë?
Se mjegulla kishte fshehur të gjitha gjurmët
Si ëndrrat e dimrit që s’dëftojnë, veë kur fosilet
Do t’i mbledhë ndonjë Gjeneral i Ushtrisë së Vdekur!
20.
KOHA
Vrapojnë ditët deri në Olimpiadën e theqafjes
Duke e shkelur njëra-tjetrën pa mëshirë,
Vrapojnë ditës si kuaj të harlisur të tërbuar
Nën troket e kalorësve të moshuar në perëndim.
Prapë do njerëz qeshen e zgërdhihen e KOHA
Rrotullohet e qepallën e vë buzë oqeanit –
Do njerëz po shkojnë, disa po vijnë, hej!
Kalorës të lëndinave të rimuara me lot.
21.
THNEGLAT
Kalimtarë, mos i shkelni këta karvane nëpër trotuare!
Hej thnegla, mos e ndalni ritin e dasmës së nisur!
Prej atij zgurit të lisit jetik keni dalë një ditë –
DASMËN e keni nisur nën strehë me qerren me qilima
Këngën e keni akorduar me jehun e lahutës së vjetër
E kandilat e keni ndezuar NË ZEMRAT TONA me unur.
22.
DASMA
SHpeshherë flasim për ditët e haresë
Të lindjes së këngës për shkëmbin jetik
Që nuk diti të flaës as shekuj me radhë
Por koha ngarendi pafrenueshëm n’gjakim
Drejt diellit përcëllues midis shkrepave
Në prehrin shkreptor ku dasma zuri fill
Dhe lindi këngën e parë nga gjiri i varfër
I hieroglifeve të muzës ruajtur në parzmë…
23.
ALTERNATIVË
As pranverë as verë as dimër është
As mëngjes as mbrëmje as mesditë e dylltë
E gjyshja prapë më tregon përralla të moçme
Buzë oxhakut Apolloni e pshurri pështymën
E vet. Nga majë e Olimpit e thërras Eolin
Edhe tash më kot u fishkëllon erërave, se
Egërsirat e uritura thekshëm ulërijnë diku!
Unë e Orfeu akordojmë telat e lyrës plakë…
24.
MARSEJEZA
Zemërthyer e të kapitur njerëzit u çuan një ditë
Si mumje të verdha me koska të ligshtuara
E thanë: Mjaft më, duam bukën e ëndërruar!
Me tfurq, shetën e sëpata u ngritën kah qielli,
Me diellin në ballë e tokën në zemër një ditë
U kthyen me këngën bardharake marsejezë
Hieroglif i parë ndër buzë të shkrumbuara
Dritë neoni për njëmijë gjenerata që po vijnë…
25.
SODITJE
Dhe një ditë pas shtatë bjeshësh u lind
Si strall si ëndërr e patravajë n’fusha e shkrepa
E kalorësit mbetën të hutuar në mjegullën mortore
Në dasmën pa nuse që merrte fund të padëshirueshëm
Pa e stolisur qerren me më të Bukurën e Dheut
Dhe pa bërë mrekullira të tjera në hartën gjeografike
Sepse nga i shtati pas hi tokës u lind Kënga
E cila thuri legjenda për idhujt e ikur n’log zanash…
26.
PËRQAFIMI
Dy bjeshkë kur të takohen lindet përqafimi
Nga unat e ndezura ngrihen n’qiell xixat –
Dasma madhohet në do zemërshkrepa kahmot të etura
Pse pra kënga të mos këpusë telat e sharkisë plakë
Pse të mos ulërijë daullja me lëkurë të dhisë?
Kur dy degë të një lisi takohen – është përqafim
Kur dy gjatësi në hapësirë përputhen – është barazim.
Sonte zogjtë le të këndojnë pa frenim n’zabel!...
27.
DHURATA
Tash vargu im qesh me gjurmët e djajve të ikur
E shfrenueshëm vjen e më përgëzon si fëmija
E mu në zemër zë vend. Qeshet me vuajtjet e tij
Dhe torturat që e shpënë buzë varrit n’mal
Qeshet, vjen e më shtrëngon e më shëron
Me më të Bukurën e Dheut dhuratë imja jetike,
Të zënë në bishtin e kalit hakërrues
Të kalorësve të erërave të harbuara!...
28.
PRANVERA
Apokalips i fshehur në ugarin e arave
Përrallë e humbur në Botën e Çudirave
Ku je Elizabetë ku je Pranverë e Tretë?
Dimri i keq bëri të ftohtë me acar –
Shumë njerëz kanë vdekur shumë trungje tharë
Por, pas natës vjen dita e pas dimrit pranverë
Qëndro krenare Elizabetë!
Ngrihuni të gjithë e putheni ylberin në ballë!...
29.
KULLA
Kënga këndellet në aortën e tokës së kuqe
Djersa rrëshqet çurg me erë guri e shkëmbi.
Themelet e KULLËS sonë i nisëm bash n’furtunë,
Kur përrallë e djallit kafshon edhe e bërë shpuzë!
Ustallarë, me kujdes vini një themel të fortë –
Kudo në bazamentin e gëmadhave iliriane!
Vini shkëmbinj granite si stërgjyshërit tanë –
Se KULLË E LARTË, dukagjinçe, vërtet!
30.
KËSHTJELLA
Profetët e kanë ruajtur në zemër e në gjuhë
Për natyrën e saj dhe të Bukurën e Dheut virgjër
Që esëll rrinte diku n’altar e s’e shihte njeri –
Në ballin e saj ishte shkruar ideali fisnik
I qenieve të etura për jetën malësorçe n’shkrepa
Përballë shtrëngatave muzë stoike e pathyeshme
Kurorë triumfi e historie – Ti e lashta KALA…
PS: Këto vargje sibilike janë shkruar gjatë viteve tetëdhjetë të shekullit të XIX dhe janë botuar në librin poetik “Kalorësit e mortit”, botoi “Fjala”, Prishtinë, 1992. Kujtoj se ia vlen të ribotohen e të lexohen edhe tash. – Autori.