E enjte, 22.04.2021, 04:32 AM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Në Himarë, ku dhe zoti vjen i ftuar

E shtune, 17.09.2011, 05:59 PM


Në Himarë, ku dhe zoti vjen i ftuar.

 

Përsiatje  reth librit “ Guri i rrëndë në vend të vet” të Kristo Çipës dhe grupit himarjot të drejtuar prej tij.

 

Nga Timo Mërkuri

 

1-Ndërsa lexoja librin  poetik të Kristo Çipës “Guri i rrëndë në vend të vet”, pikërisht në momentin kur çfletoja faqen 14, gjatë leximit të vjershës “Jam nga Piluri mbi dete”,  te vargjet …Atje te lisat me hije/ Ku ka selinë perëndia…, pikërisht aty e gjeta vehten në pozicionin më të çuditshëm që mund ta mendojë çdo lexues. Në vend që të lexoja qetësisht vargjet, unë i këndoja ato. I këndoja sipas melodisë  të njohur të grupit të Kiço Çipës, grup i cili njihet si Grupi i Himarës.

Unë po e këndoja librin varg pas vargu  e vjershë pas vjershe. Herë  duke e vënë vehten në rolin e marësit dhe herë  duke marë rolin e hedhësit me atë…hajde deee… magjike. Dhe më së shumti, duke i logatur  vargjet vetmevete.

Ishte hera e parë që më ndodhte kjo, ndajë mornica më shkuan nëpër trup. Se të nisësh të lexosh e të përfundosh  duke kënduar ato që lexon… dhe aqë e zakonëshme nuk është.  S’di pse mu kujtua fakti se libri i leximit në shkollat fillore quhet libër këndimi, pavarësisht se s’ka të bëjë fare me nota muzikore dhe me këngë. Por ama, ato zëra fëmijësh, tek lexojnë në kor fjalët dhe fjalitë, veç me cicërima zogjsh të ngjasojnë. E këngë më të bukur se  ajo e zogjve  në pranverë, ju siguroj unë që nuk është dëgjuar ndonjëherë. Edhe kjo mund të ketë qënë një arsye që Naim Frashëri dhe rilindasit e tjerë, abetaret që hartonin i quanin thjeshtë; Këndonjëtorja  e…çunave. Gjithsesi, libra për t’u kënduar.  Zvëndësimi i  foljes “lexoj” me foljen “këndoj” ose edhe barazvlefshmëria midis tyre, s’di pse të krijon një ndjenjë kënaqsie dhe  mburjeje për diapazonin  harmonik të konceptimeve në gjuhën tonë.

Pse jo edhe si një dëshmi e lashtësisë së kësaj gjuhe.

Dhe mua, vetëtimthi më erdhi si një ndihmë edhe  kujtimi i asaj fjalës së famëshme të  Zhan Zhak Russoit  se gjuhët  në lashtësi të thellë kanë qënë këngë para se të shndroheshin në  biseda të folura. Pak a shumë kështu është shprehur filozofi i madh frances. Por unë ju them se kur nisa të lexoj librin e Kristos, as që e kisha mëndjen te ky filozof. Ky mu kujtua vetëm kur e kapa veten “ gafil” në këngë e sipër, në vënd që të isha në lexim e sipër.

Pa e tjerur muhabetin gjatë e gjatë, unë ju them se nuk kam bërë faj e as gabim. Dhe në rast se ka këtu ndonjë faj apo gabim, këtë e ka vetëm Kristo Çipa dhe vjershat e tij.

 

2- Sepse këto vjersha, nuk të shijojnë kur i lexon. As i ulur në tavolinë të punës dhe as i shtrirë në divan. Sepse këto, më shumë se sa vjersha apo poezi, janë tekste këngës që vetëm mund të këndohen nga një grup iso-polifonik. Si ai grupi i Himarës që e drejton vetë Kristo Çipa. Ashtu po.Vetëm kur e këndon e shijon poezinë e tij. Njësojë si rakinë e Pilurit more mik, kur e sheh në shishe a në gotë, stë thotë gjë. Por ama kur e rrëkëllen një dopio me eks atëherë…E po atëherë, i tund njëherë supet, si shqiponja kur rreh krahët majë shkëmbit, para fluturimit dhe… Dhe bota është e jotja. Dhe i shpall kësaj bote krenarisht;- Jam nga Piluri me derte/ Supe lart me krenari/ Trimërinë e kam me vete/ Zgjuarsinë e mbaj në sy. Në Himarë, vetëm si himarjot mund të jetosh dhe vetëm himarjotshe mund të këndosh  sepse; Këtu në vëndet e mia/Ku dhe zoti vjen i ftuar/…/ Mbretëron vetëm liria/ Flamur tjetër ska pranuar/Jo mor jo spranon/ Mos e prekni zemrën tonë/Lulen që ka çel zambaku/ Për flamurin me shqiponjë/Kemi derdhur një  lumë gjaku.

Më pas, me sytë e mëndjes shoh se si, me atë tundje të lehtë të supeve, të gjithë pjestarët e grupit, afruar njeri me tjetrin, me një zë, i shpallin botës krenarinë himarjote me  vargjet;- Kjo është Himara që thonë/Dielli përmbi shqiponjë.

Dhe pas kësaj, opo pas kësaj, në heshtjen e pas stuhishme të këngës, të duken se nisin të ecin malet e Vetëtimës dhe detyrimisht ti hap rrugën. Se të duket se Kristua të paralajmëron me vargun aqë të bukur të këngës së Damianit;- Hapu vetëtimë se shkova. Sepse, kur kalojnë  himarjotët, edhe vetëtimat ndërojnë rrugë. Po s’më besoni mua, pyesni Sulltan Bajazitin që desh la kokën nën shpatën e Damian Himarjotit kur   i sokëlliu pranë çadrës perandorake;- Ku je Sulltan i oborit/…Ktheu prapa prej Anadolli.

Po kini lexuar histori, do  ju kujtohet se edhe vete Qesari i Madh u kërkoi leje himarjotëve që të kalonte nëpër shtigjet që do ta lejonin e do ja caktonin ata, në ndjekje të Pompeut.

Apo ndoshta do ju kujtohet Homeri i  lashtë kur te Odiseja dëshmon se;-…Përballë është Himara me burrat e saj trima e të papërkulur.  Sa për muhabet, jashtë teme, thotë gjë Homeri për fshatin apo qytetin tuaj. E pra ne;- Këtu kemi qënë,(që në kohët homerike) e do jemi këtu -deklaron bardi  i Himarës, Kristua ynë.

Jo më kot Gjon Kastrioti zbarkoi në Himarë, jo më kot populli e quajti atë  Princi Himarjot, ndonëse;-Erdhe/Po s’kish ardhur moti/Të nxitoi historia/Djali ynë Gjon Kastrioti / Princ i vendeve të mia.

 

3-Te lexosh ( këndosh) vargjet e Kristo Çipës, aqë me tepër  kur i dëgjon të kënduara  nga grupi  i famshëm himarjot që ai vetë e drejton, ju siguroj unë se është si të jetosh në një prill të pambarim ( O zot i vërtetë/Mos e mbaro prillin/Dua vajzërinë…),është si të jetosh një dashuri të furtunëshme, ashtu siç janë dallgët e detit që përplasen brigjeve. Përplasen e thërmohen nëpër shkëmbenj  e përsëri kthehen  me vrull e stërkala. Kristua na thotë se janë dufet e shpirtit të Vajzës së valëve. Por po të shikosh më me hollësi, në daç tekstin e këngëve në daç edhe melodinë e tyre, konstaton një gjë;- Këngët (po i quaj këngë edhe këto vjersha të Kristos, sepse këngë vërtet janë) himarjote kanë më shumë hapërsirë në strukturën  dhe melodinë e tyre, më shumë gjërësi (mu bë zëmra sa shtatë dete -shkruan një tjetër  bard  pilurjot), më shumë kaltërsi, në raport me këngët  e trevave të ndryshme, psh të Labërisë, të cilat karakterizohen  më tepër nga kulmet, nga majat. E thënë me fjalë më të thjeshta, himarjotët i këndojnë më shumë dashurisë sesa  heroizmave  e trimërive. Më të ëmbëla dhe më njerëzore janë këngët që i këndohen një vajze të dashuruar, sepse te kjo dashuri e ka fillesën e saj edhe ajo trimëria e nesërme.

Kjo është pasqyrim real i botës shpirtërore të himarjotit, me shumë gjerësi e thellësi kaltëroshe, me stërkala të stërpikura si yjet në jetën dhe botkuptimin e tyre. Çdo gjë është e lidhur me kaltërsinë e detit, mandje dhe zëmërimi e dufi i shpirtit kur çfaqet, çfaqet si një dallgë e stërmadhe që mbulon çdo gjë e vë përpra çdo pengesë. Dhe pasi fashitet, brigjeve,  buis prilli me lule e këngë zogjsh. Apo këngë himarjotësh, është e njëjta gjë. Këngë që i këndojnë  …dy syve të dashuruar;- Rinë/Që kur bota s’ta pa synë/ Dielli e hëna mërdhinë… Sepse ata dy sy;- Sytë e mi kobure/ Qëllonin mbi djemtë… Dhe sikur do të shpallë devizën e kësaj jete himarjote thotë;-Në këtë botë s’rimë/O miq më besoni/Sa të mbyllim sytë/Puthni,dashuroni.

Dhe po qe se doni të dini kush është vajza, bardi e e skicon në vargje për ta pikturuar të plotë në melodi kur thotë;-Moj e vogëla lanete/E bukur si hëna sefte/Si flokë bore në ecje/Me një tundje perëndeshe/Me ato naze bëre bujë/Mos ma bëj mëndjen rrëmujë.

Krejt ndryshe nga shumë krijime poetike të kohës së sotme ku vajza e dashuruar pikturohet si një statuje, e bukur por e ngrirë në pozën e bukurisë, gjer në atë fazë sa që dyshon se e gjitha kjo është thjeshtë një pjellë fantazie, Kristo Çipa në veçanti dhe kënga himarjote në tërësi, portretin e vajzës së dashuruar e japin    lëvizje, në ecje, duke ardhur apo duke ikur kjo është tjetër gjë. Dhe shpesh herë kjo lëvizje e vajzës, veshur me të kaltërtën e detit është dhe në zgrip  të shtegut a të jetës;- Mos mu çfaq si dallgë Joni/ Labovite xhinde honi/Në kohën kur qesh limoni/Për avazet që dëgjoni/Shpirtinë mos e trazoni/Mjegullën mos e kërkoni/Se zemrën time lëndoni/Dhe në vdeksha mos besoni/ Labovite xhinde honi.

Ky portret  dashurie në ecje, shpesh me vrap e rrallë me çap, ka ndikuar edhe ritmin e  melodisë së këngës. Dhe me që dolëm te ky shteg, unë shpesh kam pyetur veten në se te kënga himarjote e grupit të Kristo Çipës ka lindur e para  melodia e më pas teksti apo kanë lindur të dyja njekohësisht. Se që të ketë lindur fillimisht teksti, e më pas melodia, këtë unë e përjashtoj kategorikisht. Dhe në rast se edhe vetë Kristua do më thotë se ka lindur teksti në fillim, unë do ti kujtojse ai vete këtë tekst e ka krijuar duke kënduar. Dhe unë do ti kujtoj atij se  vargjet;- Më mbeti syri më mbeti/Te shkalla në anë të detit/U bë gur ky durim shkreti/Po dhe gur durimi treti…,pra këto vargje vetëm këndohen kur krijohen dhe pastaj kur të keshë nge ulesh dhe i shkruan.

Kristua e di këtë, e dinë dhe shokët e tij të grupit, por ju që i lexoni këto radhë, dijëni se perlat e këngës himarjote kështu kanë lindur, nëpër shpërgej kënge, dhe më pas janë shkruar. Kështu ka lindur kënga “Moj Katina nina nina”,”Kush është lule vilajeti” e Nase Benit , kënga “ Nëntëqint e dhjetë viti”dhe shumë e shumë të tjera.

Ky është  procesi i zakonshëm në laboratorin krijues të bardëve himarjotë.

Doni ta  konkretizojmë  edhe njëherë këtë  tezë? Le të marim këngën Saranda me vargjet magjike;-Si shpirti/ Në ëndër/Si qelqi/Me hire/Vetë nëna/Të deshi/ Saranda …Vetë Zoti/Kish zbritur/Mbi valë/Kur ty /Të krijoi/Sarandë.

Stili i këtyre vargjeve të kujton stilin e tekstit të Neço Mukos, pikërisht te kënga kushtuar Sarandës. Por më brilante, më elegante. Se sa për melodinë…unë mendoj se atë melodi e ka krijuar vetë Zoti, aqë e magjishme është. Kristua dhe shokët e tij vetëm sa e kanë kënduar. Dëgjojeni miqtë e mi dhe ju siguroj që do më jipni të drejtë. Se po dëgjuat këngën “ Pikë loti moj Fotinë” , ju siguroj që do dridheni siç dridhem unë sa herë që e dëgjoj. Dhe sidomos kur dëgjoj vargjet;- Yjet u gremisën/ Dhe fatet u nxinë/Unaz e kurorës/E treti florinë…Lisat na u thanë/U tret Nase Labi/Bie një këmbanë/Çiftin prêt altari.

Mornica të kalojnë nëpër trup kur këndohet vargu;-Bijë o Fotinoooooooo, me një zë që ngjitet shigjetë  në qiell, sikur do të godasë atë fat të zi, ardhur nga …qielli, ndoshta, të çiftit të fejuar Nase Labit dhe Fotinë Spires, çift që i priti më kot altari sepse …vellon moj Fotinë / E bëre pisqollë..

Dhe pastaj të duket se një tokmak të godet fortë në kokë e të plandos në shesh te vargjet;- Lug e verës mori vrer/Pse e mbyllët atë derë.

4-Unë  kam shkruar shpesh herë për grupin e Neço Muko Himarjotit dhe të Lefter Çipës, mandje edhe me një farë mburjeje. Një farë mburjeje, jo për ata, por për veten time që kollosë të tillë janë nga viset e mia. Dhe jo shumë larg, pas shtatë maleve, por njeri nip nga Piluri(Neço Muko) dhe tjetri bashkëfshatar i imi. Unë mburem me ata, por që të jem i sinqertë me veten dhe me juve, unë kam shumë “borxhe” për të larë, qoftë me  iso-polifoninë himarjote qoftë me kollosët e tjerë të këngës himarjote. Akoma sju kam thënë asgjë për Koço Çakallin e Pano Kokaveshin, bashkëpuntorë të Neço Mukos. Por në rast se Neço Muko dhe grupi i tij, kanë meritën e madhe të  të krijimit të “avazit” himarjot, një kollos tjetër erdhi mote më pas, për ti dhënë  elegancën, finesën dhe burrërinë kësaj kënge. Të dëgjosh këngën “ Vajzë e valeve” të kënduar nga  Dhimitër Varfi dhe grupi i tij himarjot, thua me vete;- O zot! Ta dëgjoj dhe njëherë, pa le të vdes.Të duket se dëgjon korin e ëngjëjve, ose së paku mua kjo ndjenjë më  pushton sa herë e  dëgjoj

Sepse Dhimitër Varfi, çuditërisht dhe padrejtësisht mbetur në hije, është pikërisht “skulptori që e lëmoi monumentin himarjot “, duke  bërë të duken më bukur në dritën e diellit finesa e linjave, ngjyra e tingujve dhe në përgjithësi madhështia e monumentit.

Pastaj erdhi  Lefter Çipa me “Asamblin Pilurjot” i cili i ngjit në majë dhe ska ndërmënd të zbresë ndonjëherë.

Por erdhi një kohë tjetër, ikën këngëtarët kurbeteve, duke mbartur në trastat e shpirtit këngët e viseve të mia. Duket se vëndi ngeli shkretë, pa zogj e pa këngë.

Por ja, nga Piluri zbriti në Himarë një djalë i ri, (për librin e të cilit ju fola më sipër), duke fërshëllyer një melodi. E dëgjoi një shok i tij, ish pjesmarës i grupit të Pilurit dhe ju afrua duke fërshëllyer. E po e ka thënë dhe perëndia vetë, që dy pilurjotë bëjnë një grup iso-polifonik.Njëri marës dhe tjetri kthyes,Kristua dhe Vasil Mërkuri.

Po ja që  këtij grupi ju shtuan dhe dy gra, Eleni Mërkuri, ish hedhësia e grupit të Pilurit dhe Eleni Joshi, ish pjestarja e grupit të Himarës. Dhimitraq Bala, një nga kthyesit më të mirë të iso-polifonisë shqiptare, nuk vonoi të vinte.Harilla Dhimojani,Qëndro Zeneli dhe Foto Leka erdhën erdhën duke mbajtur iso , ashtu siç kishin mbajtur vite me radhë në grupin e Himarës,Kuçit dhe të Kudhësit. Vendim Kapaj, pasi shëtiti në skenat e mbi 40 vendeve të botës me  fyellin e tij,erdhi natyrshëm te ky grup. Thua se janë mbledhur  yjet në një kostelacion.. Por nuk përpiqen  këta yje të shkëlqejnë veç e veç. Shkëlqimin e tyre ja japin këngës, asaj kënge himarjote për të cilën është folur shumë pak, ndonëse grupi ka marë shumë çmime. E pra,unë mund tju them se, në rast se grupin e Neço Mukos, të Dhimitër Varfit dhe të Lefter Çipës do ti vlerësonim si floriri i kurorës himarjote, grupi i Kristo Çipës  është pa dyshimin më të vogël, margaritari i kësaj kurore.

Dëgjojani këngët dhe do më jipni të drejtë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora