E premte, 26.04.2024, 02:51 PM (GMT+1)

Kulturë

Pierre-Pandeli Simsia: Të jesh qeraxhi në shtëpinë tënde

E merkure, 06.02.2008, 11:12 PM


Të jesh qeraxhi në shtëpinë tënde.

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Pierre-Pandeli Simsia
Kush nuk e pa Rivierën Shqiptare, atë perlë të artë dhe nuk u dashurua me të, që me bukurinë dhe virgjinitetin e saj ka mahnitur jo vetëm shqiptarët, por edhe të huajt e shumtë që kanë ardhur të vizitojnë Shqiperinë?!
Ishte rinia e viteve 70-të ajo që do të fillonte ta stoliste, duke i thurrur asaj perle fustanin e artë me tarracat shkallë-shkallë, ku gjelbërimi i agrumeve dhe ullinjve do t'i shkëlqente si thesar mbi hapësirën e pafund të detit të blujtë, të qetë e të kristaltë.
Është merita e popullit të bregut të detit që ka ditur të mbajë atë nuse të bukur vite me radhë, që stolitë e saj mos t'ia merrnin të tjerët. Sa herë ajo "nuse" e bukur tërhoqi vëmendjen e regjisorëve të shumtë t'i merrnin pamjet e saj e t'i vendosnin në filmat e tyre?! Kush nuk u befasua kur panë duart e arta të popullit shqiptar të lënë atje bashkë me djersën e punës në ato brezare?!
Riviera ishte e vetmja pasuri shqiptare që u lejohej turistëve të huaj në ato vite të merrnin me vete fotografitë me pamjet e saja mahnitëse.
Ishte kjo mrekulli që nuk do ta linte Artistin e Merituar Luan Zhegu, pa i kenduar një këngë. Sa here do t'i shihte ato kodra të gjelbëruara të shtrira deri në breg të detit, do të frymëzohej më thellë për të nxjerrë tingullin e tij të mrekullueshëm.

Petro Marko na ka lënë të freskët Kakomenë.

Sa origjinale, të freskët e të pasur na e ka sjellë atë pjesë të Rivieres Shqiptare, Kakomenë e tij, shkrimtari ynë i madh Petro Marko në veprat e tij gjigande "Një emër në katër rrugë" dhe "Një natë e dy agime"?!
Dhe Kakomeja e Petros qendron atje, ku Lëndina e Lotëve vazhdon të "rrëfejë" rënkimin e nënave, motrave, nuseve, për djemtë, vëllezërit, burrat e tyre, që ua rrëmbeu kurbeti i shkretë, ku zhurma e dallgëve të detit vazhdon përsëri të "rënkojë" Vajzën e Valëve, ku balta e kurorës së ullirit qendron ende e lagur dhe, nëse do provojmë të "shtrydhim" prapë atë baltë, përsëri ajo do të rrjedhë lot. Menduam se u mbyll njëherë e përgjithmonë ajo portë rrënkuese, dhimbje dhe loti e asaj Lendine Loti, duke menduar, se nuk do të kthehen kurre ato vite të kurbetit, por ja që erdhi një ditë dhe ajo portë u hap përsëri dhe vazhdon të jetë sërish e hapur për të përcjellë me dhimbje bijtë dhe bijat e atij vendi në rrugën e gjatë e të mundimshme, në rrugën e dhimbshme ... të kurbetit...
Dhe nuk qenka e thënë. Ja, vjen një ditë që, as lotët e baltës, as dhimbjen e tokës mëmë për bijtë e saj të larguar, as klithmën e Vajzës së Valëve, as frymëzimin e Petro Markos, as kujdesi i bregdetasve, nuk do t'i ndalte dot "shkesët" shqiptarë t'ia jepnin Kakomenë e bukur, pjellore dhe të argjendtë një të huaji për ta "çvirgjëruar".
Jemi mësuar tashmë, duke e trashëguar, që çdo gjë e huaj, cilado qoftë ajo, të na duket e bukur, paçka se bukurinë e kemi ne vetë në shtëpinë tonë dhe dimë ta ndërtojmë po aq bukur.
Ja një firmë e huaj franceze i vjen Kakomesë duke ndertuar jo pak, por 400 vila një dhe dykateshe, duke e pagëzuar edhe me një emër të bukur "fshat turistik". Ato vila, vetëm nga emri, franceze, na duken fantastike, të paimagjinueshme.

Pse në Kakome nuk u ndërtua nje fabrikë?

Çfarë do të kenë më tepër ato vila të huaja që do të ndërtohen, nëse qeveritë shqiptare nëpër vite, në vend të tyre të kishin menduar të ndërtonin atje një fabrikë gjigande të përpunimit të ullirit dhe agrumeve, duke bërë të mundur edhe punësimin e qindra njerëzve, në të njëjtën kohë do mbyllte një pjesë të plagës së papunësisë dhe të shtegëtimit jashtë atdheut. Sigurisht, ndërtimi i vilave në Rivieren e virgjër do të rrisë interesin e turizmit disamujor në Shqipëri, por jo të gjitha të ardhurat e fitimit do t'i marrim ne, se është i huaji në mes. Qeveria shqiptare duhej të mendohej mirë më parë se të jepte O.K. në një kohë që Bregu i Detit është boshatisur nga njerëzit duke marrë rrugën e kurbetit për të nxjerrë bukën e gojës, atë bukë, që shteti i tyre nuk ua siguron dot. A do mund t'i gëzohemi ne atyre vilave të huaja në Perlën tonë, kur ne vetë na duhet të paguajmë tek i huaji për të pushuar në shtepinë tonë ?!Megjithatë loja mbaroi, ligji u miratua, drita jeshile iu hap të huajve të vijnë e të ndërtojnë fshatin turistik me vilat e bukura, duke u bërë pronarë të tyre. Ndersa ne, qeraxhinj në atdheun tonë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora