E merkure, 04.12.2024, 06:31 PM (GMT)

Kulturë

Genta Ismaili, ja pse bota e muzikës është e çuditshme…

E shtune, 02.02.2008, 01:17 AM


Nuk konsiderohet koncert nëse mblidhen më pak se tri mijë njerëz

Nga Leontina NIKA

Genta
Këngëtarja e suksesshme kosovare Genta Ismaili, sapo ka nxjerr në treg albumin e saj muzikor, por ajo nuk pushon së punuari, pasi gjatë qëndrimit të saj në Amerikë kohët e fundit ka realizuar katër këngë në anglisht që priten të dalin së shpejti. Bota e muzikës për këngëtaren Ismaili është shumë e çuditshme, sepse të fut në labirinte dhe eksplorime të zhanreve të ndryshme muzikore. Ajo thekson faktin se “ndihet mirë në të gjitha këngët që i flenë në shpirt. Ndërsa në lidhje me të dashurin e saj Milotin të cilin e ka dhe menaxher ajo thotë se ndihet jashtëzakonisht mirë dhe e lumtur. 

Sapo mbyllët vitin 2007, si do e përkufizoni këtë vit dhe çfarë shpresoni nga 2008?

Viti që lamë pas ishte një vit mjaft i dendur nga ana e angazhimeve profesionale, si me pjesëmarrjen në koncertet e shumta, gjithashtu edhe në realizimin e disa projekteve personale. Ndërsa në vitin që sapo kemi hyrë, pres një vit edhe më të ngjeshur këtu kam parasysh edhe risitë e mia me albumin, si dhe këngët e reja, shpresoj që do të pëlqehet dhe të dëgjohet me ëndje nga adhuruesit e mi.  Nuk dua të anashkaloj kurrsesi edhe çështjen e pavarësisë së Kosovës të cilën e presim të gjithë dhe do na gëzojë në këtë vit historik.

Në fund të vitit pamë një përmbledhje këngësh të ndryshme si dhe bashkëpunimin me Getoarin. Si lindi ky projekt?

Ndër projektet e shumta ishte edhe bashkëpunimi me Getin, i cili pati mjaft sukses dhe ideja ishte që t’i kushtohet një këngë në stilin tonë, heroit tonë i cili gjendet në Hagë, z. Ramush Haradinaj. Gjithashtu realizova edhe dy këngë në gjuhën shqipe dhe në anglisht. Gjatë qëndrimit tim në Amerikë përfundova katër këngë në gjuhën angleze që së shpejti do të dalin në treg.

Një risi në muzikën tuaj ishte edhe balada që ju realizuat së fundmi, kjo do të thotë që keni dëshirë të eksploroni në rryma të ndryshme muzikore dhe në cilën rrymë ndiheni më mirë?

Mund të them që ndihem mirë në të gjitha këngët që më flenë në shpirt. Bota e muzikës është interesante, sepse të shpie në rryma të ndryshme,  nuk do të përcaktohem me ndonjë lloj termi, se në cilin lloj stili ndihem më mirë.

Kohët e fundit u vu re distancimi juaj në pjesëmarrjen në festivale, mos vallë ky është një distancim ndaj garave? 

Jo nuk ishte një distancim, por isha e fokusuar në projekte të tjera, shpresoj në të ardhmen se do të bëj këngë edhe për ndonjë festival.Shpesh ju karakterizoheni nga energji të theksuara interpretative sidomos në kërcim.

Ku qëndron sekreti apo lidhja me fushën e kërcimit?

Është thjesht një ndjesi e imja, që në momentin kur dal në skenë, jam në botën e muzikës dhe të këndimit. Shpeshherë edhe njerëzit e afërt më thonë që kur dal në skenë ndryshoj. Dua  të them që e kam në shpirt kërcimin dhe e ndiej së bashku me muzikën që e kultivoj. Nuk di se si ta shpjegoj, nuk është një gjë që unë e ushtroj, apo e përgatis, thjesht më vjen prej zemrës dhe prej këngës.

Çfarë mund të zbuloni në lidhje me projektet tuaja më të fundit muzikore?

Kam përgatitur pesë këngë së fundmi. Katër janë këngët që përfundova në USA  në gjuhë angleze të cilat i punova me producent amerikan, si dhe një këngë që realizova për vitin e ri në gjuhën shqipe, ku jam duke xhiruar edhe klipin, që do të dalë pas 2-3 javësh.

Muzika për ju konsiderohet profesion, hobi apo pasion?

Profesion dhe pasion.

Flitet se ju fitoni shumë para me muzikën. A mund të na thoni një shifër për një koncert tuajin?

Nuk jam nga ato këngëtaret që kanë koncerte shumë të shpeshta, sepse nuk konsiderohen koncerte ato të cilët mbledhin më pak se 3.000 njerëz,  një herë në muaj, apo dy herë varet nga sezoni, përveç atij të verës që jam gjithnjë në koncerte dhe fitoj aq sa e meritoj.

Paratë që ju fitoni i shpenzoni të gjitha, apo i depozitoni në bankë?

Shpenzoj mjaft, por sigurisht që depozitoj për të ardhmen.

Ju keni menaxher të fejuarin tuaj. A është e vështirë, të kufizon apo të ndihmon ky fakt?

Ky fakt më ndihmon shumë, është më e lehtë të punosh me një njeri që ka një profesion të njëjtë dhe që e njeh mirë këtë natyrë pune, siç është show-biznesi.

Si mund ta përkufizoni lidhjen tuaj ?

Unë gjithmonë me plot zemër i përgjigjem kësaj pyetje, sepse kam një lidhje plot dashuri dhe shumë të shëndoshë, s’kam pse të fsheh asgjë si tani ashtu edhe në ditët e para që kemi qenë bashkë.  E  kam treguar që jam një femër e dashuruar dhe kam një njeri shumë të mirë afër.

Gjatë realizimit të klipeve sa për qind  e ideve janë tuajat dhe sa i lini dorë të lirë shtëpisë diskografike?

Për sa i përket pamjes sime të gjitha idetë janë të miat, skenat në shumicën e rasteve  janë në dorën e regjisorit të kompanisë, sigurisht që vulën e pëlqimit ja vëmë unë dhe Miloti.

Mund të na rrëfeni disa nga momentet më interesante gjatë xhirimit të klipit me Getoarin?

Edhe pse ishte një ditë shumë e lodhshme, ka pasur momente që kemi qeshur shumë dhe jemi argëtuar duke xhiruar. Ndërsa si moment të vështirë do thosha se ishte vetë vapa e madhe.

Që një klip të jetë i realizuar çfarë duhet të ketë sipas jush?

Pikë së pari të ketë skenar të mirë, në përshtatje me tekstin e këngës, pastaj të ketë një organizim të fortë e të qëndrueshëm. Dhe mbi të gjitha të ketë kohë të mjaftueshme, por po të kishte kushte edhe në ambientet e xhirimeve, siç janë garderobat, edhe kushtet klimatike, nuk do ishte keq.

Për ju përbën problem të kënduarit LIVE, dhe a mendon se në këtë mënyrë shpalosen më së miri vlerat artistike të këngëtarit?

Për mua të kënduarit live, nuk paraqet asnjë problem. Në këtë mënyrë tregohen më së miri vlerat e një artisti. Të kënduarit live në kushtet dhe rrethanat e biznesit kosovar janë shumë të kufizuara. Shpresoj që në të ardhmen do të punohet më shumë rreth këtij problemi, sepse unë nëse nuk i kam pas vetes minimumi 10 anëtarë të bandës, për mua nuk është 100% live. Kërkon shpenzime të mëdha, por qëndron në planet e mia, realizimi i një koncerti të tillë, edhe në Tiranë.

Sa ndikon pamja juaj e jashtme ne suksesin tuaj?

Një këngëtare e suksesshme duhet të ketë të gjitha komponentët si në pamjen e jashtme, edhe në potencën e zërit, i cili është parësor. Paraqitja skenike dhe pamja fizike  janë pjesë plotësuese e suksesit. Në rradhë të parë është zëri dhe interpretimi, padiskutim.

Sa vëmendje i kushtoni look-ut tuaj në skenë dhe në jetën e përditshme. Sa ndryshojnë nga njëri- tjetri?

Nga skena dhe përditshmëria jam krejt ndryshe. Në ditët e zakonshme jam shumë sportive, nëse s’kam ndonjë obligim kuptohet. Ndërsa në skenë look-u im është shumë më i rafinuar dhe i përshtatur me këngën në klipe dhe me ambjentin në koncerte. Mendoj që për look-un e skenës kujdesem në maksimum, sepse duhet më shumë vëmendje dhe kombinim. Look-u është në varësi të veshjes me të cilën prezantohem.

Shpesh është përfolur nga këngëtarë të ndryshëm për prekjen e skenës së MTV po nga ana juaj. Sa e synon Genta në të vërtetë këtë dhe kur mendoni se do e realizoni këtë ëndërr?

Ende nuk e kam synuar MTV-në, nuk është prononcim direkt i imi, mirëpo jam duke punuar fort. Duhet punuar shumë për këtë gjë, dhe së shpejti mendoj që do të bëhet zhgandërr si i themi ne. (qesh)  



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora