Kulturë
Aurela, te fshehtat dhe sekretet e saj
E shtune, 02.02.2008, 12:56 AM
Nga Ilda Çaushi
Aurela Gaçe |
Kemi lënë pas vitin 2007, ndërsa ka nisur një vit tjetër. Si ka qenë viti që shkoi për ju?
Tani që bëj bilancin them, që ka jo pak gjëra që mund t’i kisha bërë më ndryshe. Megjithatë e them me bindje se 2007-a si vit në tërësi, më mirë nuk bëhet…
Cila është ideja jote për lumturinë?
Në radhë të parë mund të zgjasë me sekonda. Lumturia mund të jetë shumë sekondare. Mund të them që jam e lumtur, sepse ideja ime për lumturinë është pasuria shpirtërore, por edhe të kesh ca para më shumë nuk është asnjëherë keq. Pastaj lumturi është të jetosh me atë që të jep më shumë kënaqësi. Të bësh atë që di të bësh më mirë, kjo të bën të lumtur.
Cila është frika jote më e madhe?
Frika ime më e madhe është të martohem. Kam shumë frikë të martohem. Por nga ana tjetër, më tremb vetmia. Ndonjëherë kur nuk më bie telefoni gjatë gjithë ditës, mërzitem dhe më duket sikur jam vetëm. Vetmia është e frikshme.
Cilin person në jetë admiron më shumë?
Motrën time, Blertën. Në Amerikë jetoj me të dhe në fakt ajo ka qenë edhe arsyeja e largimit tim, pasi unë dhe ime motër jemi shumë të lidhura. E kam rritur vetë në fakt, e më dukej si detyrim ikja me të. Ajo tashmë është rritur dhe është bërë ashtu si unë e doja, shumë e fortë dhe e zonja. Kemi një lidhje mjaft të veçantë, madje edhe në muzikë fjala e saj ka shumë peshë tek unë. Është një kritike e imja, kjo edhe pasi ka një shije të tmerrshme për artin. Fakti që edhe studion për aktrim, por edhe duke njohur të renë më ndihmon dhe nuk më lë mua të vjetrohem. Më servir gjëra të reja të cilat edhe do t’i kem në albumin tim. Ajo që më thotë është se duhet t’i mëshoj shumë tregimit të vetvetes. Është një gjë që nëse do të jesh mirë nuk duhet ta tregosh këtë vetëm me flokët, apo me look-un në tërësi.
Cila është cilësia që çmon më shumë te vetja?
Kam shumë cilësi, por vlerësoj më shumë besnikërinë. Dhe unë jam e tillë. E urrej gënjeshtrën, tradhtinë.
Po tek të tjerët?
Edhe tek të tjerët e vlerësoj shumë besnikërinë. Po ashtu edhe sinqeritetin. Në fakt atë që vlerësoj tek vetja e dua edhe tek të tjerët.
Në cilat raste gënjen?
Vetëm kur më duhet. Dhe në të vërtetë edhe ato raste që e bëj gënjej shumë keq. Më lexohet menjëherë gënjeshtra, sepse më tradhton fytyra.
Cila është ekstravaganca jote më e madhe?
Te look-u im ekstravaganca më e madhe mendoj se ka qenë mbajtja për tetë muaj e kokës tullë. Dhe ku në një Shqipëri, ku gjithë njerëzit më thoshin, përse? Ndërsa në tip ekstravaganca më e madhe është liria që i kam lejuar unë vetes.
Çfarë pëlqen më shumë në pamjen tënde?
Ah, më pëlqen goja dhe sigurisht dhëmbët.
Çfarë nuk të pëlqen?
Jam mësuar që të mos kem komplekse me veten. Shpesh mendoja të isha pak më e gjatë për shembull. Por kur jam në skenë nuk e mendoj më këtë gjë. Po mund të them se jam mësuar ta dua veten kështu si jam dhe kjo është gjë pozitive.
Cilët janë personat që nuk i duroni dot?
Mend shitësit, fodullët. Prej andej vijnë të gjitha të tjerat. Është siç thonë shkodranët “kur të hyn vetja në qejf”. Këta lloj njerëzish ma shpifin me vërtet.
Cilën quan pikën më të ulët të mjerimit?
Këtë që përmenda më sipër. Është mjerim të mos njohësh veten. Është mjerim të mos duash veten tënde.
Cila është fjala apo fjalia, që përdor më shpesh?
“Ke parasysh”. Është një shprehje që e përdor pafund dhe im atë është personi që ma vë shpesh në dukje.
Cila është pendesa jote më e madhe?
E kam një, por s’mund ta them.
Kush apo cila është dashuria më e madhe e jetës tënde?
Po të flas për njeri është ime motër. Për të mund të bëja çdo gjë që ishte e pamundur të mundur. Ndërsa për sa i përket të tjerave mbetet muzika. Të paktën për momentin ajo është dashuria ime më e madhe, por nëse do të bëhem nënë mendoj se do të jetë fëmija im.
Shumë njerëz pyesin përse nuk jeni martuar?
Eh. Arsyeja përse nuk jam martuar është se kam frikë nga pronësimi. Kam frikë nga rutina. Dhe të jem e sinqertë nga të gjithë ata njerëz të martuar që njoh dhe që kam takuar deri më sot asnjë nuk më ka thënë se është plotësisht e lumtur. Njoh shumë pak çifte që janë të lumtur dhe kjo më tremb. Përse ta bëj atë gabim unë që kanë bërë edhe të tjerët.
Ku dhe kur ke qenë më e lumtur?
E di si e gjej dhe e marr lumturinë unë: sa herë që jam në publik, sa herë që jam e qetë, sa herë që jam me miq, me njerëz të dashur, sa herë që jam me një mikun tim, sa herë që jam me njerëzit që dua. Pastaj është dhe tjetra që unë e di çfarë kërkoj dhe ja dal dhe kjo më jep lumturi. Ndërsa mbaj mend kur kam qenë fëmijë, 11 vjeç dhe që e kujtoj si një moment të lumtur ka qenë lindja e motrës sime. Unë ia kisha vënë emrin Blerta, që kur ajo ishte në bark. Edhe kur lindi e trajtoja si kukull, qaja kur qante ajo, e qeshja kur ajo qeshte.
Çfarë talenti do të doje të kishe?
Në të vërtet talenti që unë do të doja të kisha nuk lidhet aspak me atë që unë bëj. Unë e dua muzikën por në këtë fushë duhet të dish të bësh edhe pak biznes. Mua nuk ma jepet shumë. E do të doja shumë të kisha pak talent në biznes. Në këtë fushë e ndiej veten të çarmatosur.
Ku do të doje të jetoje?
Ajo që do të më pëlqente të jetoja gjithmonë është buzë detit. Por në një qytet të zhurmshëm. Tani e dua shumë zhurmën, gjallërinë, ndoshta kur të shkoj 60 vjeç nuk do të më pëlqejë, por tani e dua jetën e gjallë në 24 orët e ditës.
Cila është gjendja shpirtërore aktuale?
Jam e mbushur shpirtërisht. Ndihem e plotësuar.
Cila është arritja jote më e madhe?
Arritja më e madhe është kur jam duke performuar “live” në audiencë, në skena, ku televizionet nuk kanë mundur t’i kapin, kur njerëz nga të gjitha krahinat dhe moshat bëhen një dhe u mbushen sytë me lot. Këto nuk janë vetëm emocione që përjeton por edhe arritje.
Nëse do të zgjidhje për t’u rimishëruar, çfarë do të doje të riktheheshe në tokë?
E bukur kjo. Nuk e kam menduar ndonjëherë në fakt. Megjithatë do të më pëlqente të isha një tigër, sepse përveçse kanë sy të bukur janë edhe shumë kafshë të zgjuara.
Cila është gjëja më e çmuar, që ke?
Jeta. Ajo është gjëja më e çmuar që kemi dhe që duhet ta vlerësojmë.
Kush janë heronjtë e tu?
Prindërit e mi. Jam kjo që jam prej edukatës që kam marrë nga ata.
Kush janë shkrimtarët e tu të preferuar?
Aktualisht më pëlqen Paolo Coelho, prej të cilit kam lexuar disa vepra. Ndërkohë kur isha fëmijë im atë lexonte shumë libra dhe më kanë mbetur në mendje veprat e Dritëro Agollit dhe Ismail Kadare.
Cila është karakteristika jote?
Natyra ekspresive. Jam e lexueshme në atë që ndiej.
Çfarë vlerëson te meshkujt?
E vlerësoj një mashkull kur të respekton, të dëgjon.
Po te femrat?
Më pëlqejnë femrat, që janë të zonjat e vetes, që ja dalin mbanë dhe i arrijnë pikësynimet, që i vendosin vetes.
Po te miqtë?
Mik i mirë është ai që të gjendet pranë në të mirë e në të keq. Një njeri që është i gjindshëm për ty, ndodhet aty për ty sa herë ke nevojë.
Kur ka qenë hera e fundit, që ke falur para dhe për çfarë i keni dhënë?
Para ndodh që i lë bakshish një taksisti, i fal një lypësi, apo që i jap një të afërmi. Realisht do doja të kisha fuqi financiare të falja më shumë.
Besoni në Zot?
Po besoj se është një Zot mbi të gjithë.
Cila është lutja që përdorni më shumë gjatë ditës?
Nuk hyj tek njerëzit që luten. Sigurisht kur jam në ankth gjëja e parë që them është “Më ndihmo”.
Po e shara që përdorni më shumë gjatë ditës?
Në shqip nuk po e them (qesh). Ndërsa anglisht të vjen vetvetiu “Fuck”.
Mendoni se burrat nxehen më shumë kur zihen me gratë, apo me shokët?
Sigurisht që me gratë… (qesh)
Kur keni qenë për herë të fundit në teatër dhe cili ka qenë?
Hera e fundit ka qenë pikërisht në Shqipëri. Ishte shfaqja “Pamje nga ura”, shfaqje që më la vërtetë mbresa.
Libri që keni në duar si titullohet?
Aktualisht po lexoj librin “Femra që dashurojnë tepër”, i autores Nora Woods.
Çfarë është gjëja që nuk të pëlqen në jetë?
Ajo që nuk më pëlqen është se ne njerëzit luftojmë, luftojmë dhe harrojmë të mendojmë për shumë gjëra. Na e zënë kokën vogëlsirat dhe harrojmë që diku në një cep të botës njerëzit vdesin për bukë. Nuk më pëlqen që nuk ka një balancë në botë, që gjysma e botës jeton mirë dhe gjysma tjetër jo.
Cila është motoja jote?
Të jap dhe të marr dashuri në çdo lloj situate me miq, me familjen, me publikun.
Si do të doje të vdisje?
Do të doja të vdisja jo shumë e vjetër, e trukuar bukur. Kam imazhin e personazheve, që vdesin të bukur. Sido që të vinte do doja që të mos isha vetëm.