E shtune, 27.04.2024, 05:19 AM (GMT+1)

Mendime

Ben Andoni: I bie me...Topin

E diele, 27.01.2008, 08:45 PM


I bie me...Topin

Nga Ben Andoni

Në një banderolë, që është poshtë "Grand"-it, është e shkruar keq "Mirëseardhe zotëri president". Si për të përforcuar shqipen e rëndë, dritat në shkronjat e hotel "Grand"-it mungojnë dhe në një cep shkruajnë vetëm Prish.i.. Por, të pestë yjet janë. Në këtë tollovi allashqiptare, fotoja e billboard, realizuar nga Dem Rreli, është kudo nëpër Prishtinë, ndërsa në anën tjetër është gjithmonë Ramushi me "We need you". Të dy të qeshur.

Kosova e ka pritur e organizuar Presidentin Bamir Topi shoqëruar nga shpura e madhe e tij, me fëmijët që kanë shprehur mirënjohjen dhe krejt indiferencën e të mëdhenjve. Në fakt, Kosova në ditët e fundit ndjen më shumë nevojën që t‘i shpëtojë letargjisë së statusit që po zgjat bajagi shumë. "Zëri i Rinisë" e ka çuar diku nga 4 shkurt deri më 10 mars, kurse ustallarët e vërtetë, amerikanët, shpejt dhe një ditë të diel. Për fat, administrata amerikane ka vepruar me forcë, ndërsa gazetat serbe ditët e fundit pretendojnë se amerikanët po bëjnë luftë ndaj administratës evropiane. Zëvendësja e ndihmësit të sekretarit shtetëror, Rozmari Di Karlo, që është në Kosovë, deklaroi në Prishtinë se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet sa më parë. Pas mbledhjes me kryetarin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, deklaroi se është e lumtur se ka parë që institucionet e Kosovës janë të gatshme për t‘i respektuar të drejtat e komuniteteve, të cilat janë përfshirë në qeveri. Ajo ka përshëndetur përcaktimin e institucioneve të Kosovës për të realizuar planin e ndërmjetësit ndërkombëtar, Marti Ahtisari, referuar medias vendase. Sllovenisë i është kërkuar që ta njohë e para, ndërsa duhet që deri në atë ditë të ketë mundësi të fitojë Tadiç dhe serbët të nënshkruajnë Asocimin.

Në këtë vazhdë, ardhja e Topit, e cila do të zgjasë për të gjithë fundjavën, mund të thuash se është fare e vakët. I vetëm protokolli zyrtar duket se e ka mbajtur gjallë. Presidenti Topi ka përsëritur sloganet për qëndrimin e Shqipërisë, por me një fjalim që dallon dukshëm nga politikanët patetikë vendas. Dhe, duke qeshur, ka thënë se Shqipëria me shpirt është e para, por diplomatikisht nuk do jetë e para. "Njohja nga Shqipëria do të bëhet... Jemi para një momenti historik: do ta bëjmë njohjen në një moment që do ta shikojmë të arsyeshme. Statusi do të jetë një premis për qetësimin e Ballkanit. Ne jemi pjesë e aspiratës euroatlantike. Ne do të vazhdojmë me frymë moderne. Bashkësia ndërkombëtare do të sigurojë paqe". Këto kanë qenë fjalitë e Topit, të përsëritura për gjithë pasditen nga media kosovare. E, Shqipëria, mbi të gjitha, do të mbështesë dhe nëse do të ketë embargo. Më pas, Topit i është dashur koha e plotë, që në prani të shpurës së tij të marrë mirënjohjet. Përveç Komunës së Prishtinës dhe nga Universiteti i Prishtinës, mirënjohja për rolin e tij ka qenë në përcaktimin e shtetësisë së Kosovës. Nënzë është bërë pak ajgare me kontributin e tij, veç periudhës së shkurtër të gjashtëmujorit, që ai është në postin kortezial të Presidentit të shtetit shqiptar.

Në rrugë, teksa ka dalë me shpurën e tij, ai është përcjellë pa ndonjë entuziazëm dhe si një zyrtar i thjeshtë.

Ndërkohë, vetë kosovarët duket se janë më të fokusuar në problemin e tyre të statusit dhe mbi të gjitha përditshmërinë. Grandioziteti, që e kanë veshur zyrtarët kosovarë, e ka mbuluar disi indiferencën e njerëzve. Njerëzit janë më të prirur të dëgjojnë të fundit, që lidhet me statusin dhe fundin e kësaj gjendjeje pa fund. Flitet për shpejt. Por, në Kosovë, nuk të thuhet asgjë për simbolet, apo dokumentin themeltar. "Do të bëjmë një aktivitet që do të kushtëzohet nga udhëzimet e pushtetit qendror, por jo... nuk jam shumë për bujë...", shprehet kryetari i Komunës së Mitrovicës, Rexhepi, që do t‘i duhet të përballet ndoshta me një nga reagimet më të këqija të serbëve.

Serbët e thjeshtë të Kosovës janë krejt të tulatur, por duket se e kanë marrë "qetësisht". Graçanica është fytyra e vërtetë e serbëve. Të lodhur dhe pa shpresë presin. Në manastir, Artemija është larguar, ndërsa ndonjë i ri, që vjen, thjesht ndez qiri dhe ikën. Më agresivë mbeten serbët e veriut, por zhurma e tyre është e përhershme. Topi nuk ka qenë fare i përcjellë prej tyre. Ndërkohë presin të fitojë Tadiç, kurse i vetmi sinjal pozitiv i serbëve është se kanë nënshkruar një marrëveshje me zyrtarët rusë për kalimin e gazsjellësit nga Rusia. Me këtë rast, Tadiç, i ka thënë BETA-s se "Serbia është e gatshme për kompromis, por është konsekuente se procesi domosdo duhet të shkojë përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo vlen për të gjitha misionet të cilat janë në domenin paqësor". "Edhe herë tjetër kemi pasur probleme në histori, por kemi mbijetuar. Do durojmë. Në fund është një zgjidhje", na thotë Rada Trajkoviç, një nga figurat militante të serbëve të Kosovës në Graçanica.

Vetëm se nuk "e dinë" që amerikanët taktikisht pretendojnë që pavarësia të shpallet një të diel, që të mos kihet parasysh që rusët të mbledhin Këshillin e Sigurimit. Ndërkohë që evropianët po lëvizin në kuadrin e një zyre, që ata e quajnë Zyra e Mbrojtjes Civile.

Perëndimorët po lajnë atë që kanë bërë në dhjetëra vjet me shqiptarët, thonë si me shaka në Kosovë. Kurse me vizitën e Topit kanë gjetur mundësi që të shprehin emocionet e tyre. Çuditërisht edhe rusët e kanë zbutur qëndrimin dhe kanë deklaruar se nëse vendet perëndimore do të njohin pavarësinë e Kosovës, jo domosdoshmërish Rusia do të njohë pavarësinë e Osetisë Jugore dhe Abkahazinë.

Larg të gjithave, problemi më i madh tash nuk është më pavarësia, por e ardhmja. Tash, në Kosovë, pavarësia është arritur në mendjen e njerëzve prej kohësh, por nuk është arritur fytyra e të ardhmes së tyre ekonomike. Pjesa më e madhe e të rinjve janë të papunë. Është 49-51% e popullsisë në papunësi. Ndërsa mungon krejt e ardhmja. Mungesa e investimeve është evidente, ndërsa popullsia ka një të ardhme, që nuk është aq optimiste. Kosova do të ketë sfida, që këmbët e saj të dobëta duhet ta përballin me shumë sfidë. E vetmja gjë pozitive është se kosovarët kanë filluar prej kohësh që të mos e llogarisin më Serbinë. Dhe, të jetojnë të vetëm. Madje, edhe veçmas Shqipërisë. Nuk i tuten bllokadës, të pretenduar nga serbët. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë ka thënë për "Express" se në rast të bllokadës eventuale, Kosova mund të përballet me kriza afatshkurtra, mirëpo nuk mund të krijohet alarm dhe bizneset të mos grumbullojnë rezerva të grurit në hambarët e tyre.

Presidenti Topi me ardhjen e tij ka siguruar dhe për këtë. Duket se Kosova tash ka pak fat. Dhe, atë nuk mund ta japë askush. Përveç destinit, që është prej dekadash në shpirtin e kosovarëve. Zoti i do guximtarët, dhe Kosova e meriton me atë që ka bërë. Këtë e shikon në buzëqeshjen e Topit në billboard-et në Kosovë dhe në sloganet e shkruar keq të mirëseardhjes.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora