Kulturë
Vangjush Ziko: Apokalipsi ynë
E hene, 25.04.2011, 07:54 PM
APOKALIPSI YNË
Vangjush ZIKO
DRITAT E TOKËS
Det me drita.
Të verdha.
Të kuqe.
Shumëngjyrëshe.
S' janë drita parajse.
Të ferrit do të jenë.
Drita
me shkëlqim paraje
dhe lumturie të rremë.
Ëndrra të ndritshme,
Të dridhëshme.
Ëndrra të frikëshme.
Çdo gjë sëprapthi.
Bota
veshur me lëkurë vetëtitëse
gjarpëri.
KOMETA
Nuk kam parë kometën.
Në Bethleem
s' kam qenë n' atë shekull.
Kur Zoti
dha shenjën për botën tonë të vdekur.
Përkulur mbi grazhd
puthi Birë,
Mesinë.
Me buzë drite e puthi.
U verbuam.
Dhe s' u verbuam.
I besuam.
Dhe s' i besuam.
Ia mbërthyem Birë
pas kryqit...
Ndezim kometën
çdo vit.
Kometë që s' ndrit,
prej letre...
S' digjemi vetë.
APOKALIPSI YNË
Apostulli
shkroi për ne Apokalipsin.
Zbuloi atë
që s' e shohim dot.
Ne na verbon eklipsi
edhe një pikë lot.
Sa të butë jemi
në ëndërr
dhe dashuri!
Sa bukur thonjtë fshehim
mjeshtërisht.
Mbeten gërvishtjet
në zemër,
në shpirt.
Plagët i qepim me lazer.
Për nervat
kemi elektroshok...
Kur jeta jonë do zbrazet
nga qelbi q' e ndot.
Apokalipsin tonë
kush do ta shkruaj.
Ç' apostull do na e huaj.
Me ç' ngjyrë do hidhet në letër...
Veç ngjyrën e gjakut mos ketë.