E diele, 28.04.2024, 03:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder R. Hoxha: Figurat kombëtare e historike në poezinë e Hasan Hasanit

E hene, 25.04.2011, 06:31 PM


(Rilexime me shkas)

 

FIGURAT KOMBËTARE E HISTORIKE

NË POEZINË E HASAN HASANIT

 

Nga Prof. SKËNDER R. HOXHA

 

Kur lexojmë (apo rilexojmë) librat poetikë “Muza shqiptare” dhe “Idhuj adhurimi”, të botuara kah fundi i shekullit të kaluar, poeti Hasan Hasani kishte dëshmuar se sonetin e ka formën më të preferuar poetike, ku më së miri artikulonte shpërthimet e tij lirike. Mjeshtërinë e vargëzimit sonetik në këto dy libra e formëson me pesëmbëdhjetë kurora me sonete, në “Muza shqiptare” dhe dhjetë kurora sonetesh në “Idhuj adhurimi”, kushtuar figurave kombëtare, historike (të penës dhe të pushkës), si dhe atyre të letërsisë, të kulturës shpirtërore, të traditës etj. Ndërkaq, në  këtë trajtesë tonën jemi të motivuar, që kryesisht, të shkoqisim përshtypjet që lënë vargjet e kurorave me sonete kushtuar figurave kombëtare e historike, edhe si tematikë edhe si realizime poetike.       

     Përmbledhja me kurora sonetesh “Muza shqiptare” (NB Rilindja, Prishtnë, 1997), është libër poetik që paraqet një sistem të ashpër të vargut, të fjalës, të rimës, të muzikalitetit në krijimin e sonetit. Këtu janë përfshirë pesëmbëdhjetë kurora sonetesh, ku secila përfundon me magjistralin. Këto kurora sonetesh u kushtohen figurave të shquara të kombit, të historisë, të letërsisë, duke filluar nga Pjetër Bogdani, Ismail Qemali, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, Nëna Tereze, Ernest Koliqi, Musine Kokalari, Martin Camaj, Nermin Vlora Falaski, Anton Kçira, e për të vazhduar me figura të tjera të kulturës, si: Bajrush Doda, Shkurte Fejza, pastaj kurorat sonetike për Kosovën e viteve nëntëdhjetë, për babanë e tij, Mal Shabanin, për të përfunduar librin me kurorën për të birin, Butrintin.

   

Historia e thënë në vargje

 

    Poeti Hasani, si rrallëkush më parë, zgjodhi temën për të vargëzuar për këto figura. Ai, gjatë kësaj pune vërehet se kishte mishëruar ndjenjën e adhurimit e të frymëzimit dhe i kurorëzoi ato me përkushtimin poetik Kurorat e soneteve realizojnë këtë përkushtim të autorit, kurse lexuesit i ofrojnë portrete, të dhëna bografike, të bëma me vlera të kalitura kombëtare, historike, letrare, kulturore, humanitare, etj., për këto figura. Vetë titulli i kurorës me sonete “Yll mes yjesh vetëtin”, me të cilën niset ky libër, sikur hedh një rreze drite në historinë tonë të moçme e të errët: “Gjysh i thinjur. Gjysh i bardhë/ Emrin tënd të gurt’ në gojë/ Fëmijët n’djepa na janë zbardhë”, thotë poeti në sonetin III (f. 9), kushtuar Pjetër Bogdanit. Ndërsa kurora me sonete “Plak urtak mençurak”, që i kushtohet plakut të Vlorës, Ismail Qemali, na ofron vargje ku gjejmë një kapitull të lavdishëm të historisë sonë kombëtare. Për Marigonën që kishte qëndisur flamurin që do ta ngriste Ismail Qemali me trimat e tij, ai thotë: “Marigona e skuqur gjak ngjan në shtatoret/ (…), Një flamur të qëndisur ajo në gji e sjell/ Të larë me lot e këngë, me gjak e me guxim/ Dy kokat e shkabës së zezë shpalos në diell” (f. 25), ndërsa skenat tjera të nohura – të shenjta, i pasqyron me vargjet: “Idhulli i dhembjeve historisë ia bekon mitet/ E kreshniku n’tirq galana ulet mbi një gju/ Rrok atë copë flamuri zemra mos t’i fiket/ E puth, e shtrëngon n’gjoks, n’sy loti gurëzu’.” (soneti V, f. 26). Pra, është fjala këtu për aktin kur Isa Boletini përulet para flamurit dhe e puth atë. Në këtë kurorë sonetesh, gërshetohen në vargje edhe figura të tejra kombëtare, siç ishte ajo e Isa Boletinit: “Bukuri e fyellit i zbret n’qerpikët e bardhë/ Kosovarët që solli gjysmën e zemrës n’Vlorë” (po aty, f. 26). Ndërsa vargjet: ”Plak urtak mençurak ngurosi edhe katallanin/ Ai mjekërrbardhi që zjarri i digjej n’zemër/ Ishte plaku syshkabë që po trondiste Ballkanin/ Plaku shtatëdhjetëvjeçar që atdheut i dha emër” (f. 27),  vijëzojnë poetikisht e historikisht atë ngrehinën e portretit dhe veprës së I. Qemailit. Poetit, në këtë përshkrim – përkushtim  historie i vjen ndoresh të përkujtojë edhe trojet etnike: “Thonë nuk pat fund gëzimi në trojet etnike/ N’Kosovë e Çamëri … Nga Ulqini deri n’Nish” (soneti VI, f. 27). E që pas shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar (1912), poeti ofron edhe kohët tona me vargje, ngase: “Kënga po lindte ndër nipat e Skënderbeut”, kurse lahuta e Gjergj Fishtës: “Shan Parisa e Londra, t’Evropës korba të zi” (po aty), natyrisht, kjo është edhe protesta e poetit për hilet që na i kishin bërë nëpër kohë. Por, tash: “Vlora heshtë mbi shoqe n’brigje t’Adriatikut” (f. 31). Më tej, poeti do të fisnikërojë figurën e Ismail Qemalit, shembëlltyrën e tij, jehonën e veprës dhe zërit të tij: “Fytyra dhe emri yt shtojnë bukurinë ndër dete/ Vlora ruan kujtim flamurin që ia fale historisë,” (soneti XIII, f. 34), për kthesën e madhe historike, sepse në robërinë tonë shekullore: “Pesëqindvjet n’pullaze kënduan veç hutina” (po aty, f. 34).

     Në mesin e yjeve poeti gjen Atë Shtjefën Gjeçovin, ndaj i kishte kushtuar kurorën me sonete me titull “Yjet rrinë zgjuar”. Me të drejtë atë e quan korife: “Shih si rizgjohet gjaku, kënga, dashuria, Lkeni/ O Korife mbi supe ngarkove dhembjet rrapin!” (f. 37)  në kohën kur kohëzeza fëmijët në djepa i shndërroi në pleq dhe: “Tejpërtej Hasit dhe Gurit të Thatë përmbi/ Shkretëruan rrufetë At i shenjtë i urtë,” (f. 38). Mirëpo, muzat janë muza, dhe jo lehtë marrin këtë epitet. Ato kanë idealin e shenjtë dhe, siç thotë poeti: “Tehut të thikës ecin muzat drejt në ardhmëri”(f. 41). Në vargjet e kurorës me sonete për Homerin shqiptar, Atë Gjergj Fishtën, thotë: ”Po e hapim një faqe libri t’shekujve martirë” (f. 52), ku titulli “Eshtrat s’i tretë uji as dheu”, sikur bëhet emruesi i përbashkët i urtisë, stoicizmit, i mbijetimit të qenies kombëtare përballë stuhish. Ai ishte idhull dhe poeti nuk kursehet pa thënë: “Ati ynë zulmëmadh o idhulli ynë shenjtëror” (f. 53, ku përmend edhe Tëbanat e Curr Ulës, Hyllin e Dritës, Vraninën, Zanat Arbërore, Tomor e Shkëlzen, Bjeshkë të Nemuna e Tarabosh, Kronin e Akullit etj., emra vendesh e kreshtash shqiptare kah malësorët ruanin besën e nderin shqiptar, si dhe Motrën e Avdisë, Oso Kukën, Lavdinë e Dedë Gjo Lulit, Tringën e nuset e Malësisë, protagonistë që edhe sot e nesër mbajnë të gjallë traditën shqiptare si dhe fuqinë e veprës “Lahuta e Malësisë” të Gjergj Fishtës. Ndërkaq, në sonetin e VII ( f. 58) të kësaj kurore, Fishtës i drejtohet me: “O Promethe i këngës, trung dhe rrënjë e motit”, duke pasur besimin edhe në rojet mitike të kombit, se: “Hyjnitë na rrëfyen për muzat e zanat shqiptare” (f. 59), si dhe: “Andaj At I Madh, këngës sonë i dhe zjarr e flakë/ Mbaje gjallë shpirtin e kombit që në ne po rron”/ (soneti XIV, f. 65).

     Gonxhe Bojaxhiut - Nënës Tereze, poeti Hasan Hasani ia kishte kushtuar një kurorë sonetesh, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së saj, titulluar “Nënë e lindur thellë ndër yje”, (f. 67). Këtë figurë unikate prej humanistes së formatit botëror, autori e skalit si me daltë e bizë për të thënë në mënyrë universe shpirtin e veprën e saj. Për këtë, ai, me mburrje, përsërit vargun: “Na ishte njëherë dhe do t’jetë gjithmonë”, sepse asaj madhështia e urtisë i rri mbi vetull kurorë dhe është “Nënëmadhe”. Ndaj, atë, në një varg të sonetit VI, f. 72, e këndon: “O Nënë e urtisë – dritëyll e mirësisë’ (…) “N’bebëzat tua tetëdhjetë lule kanë çelur”. Në vargje të kësaj kurore sonetesh gjejmë se Nëna Tereze është yll mbi yje, ajo është: “Nëna jonë e urtë… O Nëna jonë e madhe” (f. 74), sepse ajo “zemra shëron, plagë e shpirtëra t’thyer” (f. 75). Ngase është kështu, “Muzat për Ty këndojnë çdo mbrëmje e agim” – thotë poeti (shih, f. 77).

     Në vargun e muzave shqiptare, Hasani kishte thurur kororë sonetesh për shkrimtarin Ernest Koliqi. Atë e quajti “Muza e Taraboshit”, por edhe “Orë e maleve përtej detit, ah e Narçizit Pasqyrë” (f. 93). Ndërsa kurorën me sonete kushtuar shkrimtares Musine Kokalari, e cila, derisa vdiq, një jetë e kaloi në burgje, internime dhe kampe përqendrimi, e titulloi “Në një cep hëne e largët xixëllonte liria”. Që në vargun e parë, të sonetit të parë, poeti kishte thënë: “Musine quhet dhembja që shtrihet nëpër stinë” (f. 97), ku bashkë me vargjet e tjera metaforike, si: “Idhull adhurimi në mes shpirtrave të adhuruar” (f. 100); “Nuse pa nusëri e dhëndërr nëpër çeli mëmëdheu” (f. 101); “Gjellë e gatuar kuzhinave të stepave egërcake”; “Kafshim ëndrrash e dhembje e përgjakur n’errësi” (7. 108); “Frymëmarrja mbush qelitë, kthinat dhe burgjet” (po aty), shprehin valët e vuajtjeve që koha nepërkë ia kishte vënë mbi supe shkrimtares Musine, në një anë, si dhe dhembjen poetike në anën tjetër. Ndërkaq, përkundër të gjitha atyre vuajtjeve, vargu: “Erërat as stuhitë s’e përulën shpirtin shkëmb” (f. 102), shpreh karakterin e fortë e sfidues të shkrimtares.

     Adhurimi i poetit për figura kombëtare e letrave shkon edhe përtej detrave, ngjitet edhe majave të kalave. Kështu, “Ylber mbi kala”, kishte quajtur kurorën e soneteve për Martin Camajn. E spikat jetën dhe veprën e tij, bashkë me shqetësimet, rebelimet, baticat e baticat që i kishte sjellë jeta etj., e për ta vënë atë përtëritjen e tij edhe në maje të kalasë: “Muzë shkodrane përtëritet lart në kështjellë” (f. 125). Harfë e Antikës poeti e quan Nermin Vlora Falaskin, stërmbesën e Ismail Qemal Vlorës, së cilës gjithashtu i kishte kushtuar një kurorë sonetesh. Vetë poeti për këto sonete kishte thënë: “Kur shkruaj këto sonete si Petrarka i madh dikur,/ Nora, Tringa, Shota e Zanat dehen në kushtrim – Elena Gjikë e Arbërisë mbi parmakët e tokës purpurt” (f. 130). Ajo ishte studiuese, ndaj: “Me trandafil n’dorë hyn korridoreve t’lashtësisë” (po aty). Pastaj përshkruan aftësitë e saj: “Nuse si Sibiliat me zjarr e fyell e gjak Arbëror/ Pushtova zemrat si këngë zogu n’Kampala n’Bogota” (f. 132) dhe për origjinën: “Dole nga gjiri i harruar i një shpelle të largët/ Me fuqi rrufeje u vendose mes nesh këtu n’Kosovë” (f. 134). Gjithashtu në sonetët e tjera dominojnë vargje që artikulojnë momente të çmalljes së zonjës Nermine kur kishte ardhur në Kosovë, pa lënë anash edhe vargjet që evokojnë kohën e Ismail Qemalit. Libri përmbledh edhe disa kurora sonetesh, të cilat tematikisht dhe artistikisht nuk qëndrojnë larg këtyre që i morëm në shqyrtim. 

     

Përmendore poetike

       

      Po me këtë tematikë, pra duke pasur për motiv figurat kombëtare e historike, letrare etj.  të popullit tonë, poeti Hasani kishte shkruar dhe botuar përmbledhjen tjetër me kurora sonetesh “Idhuj adhurimi” (Jeta e re, Prishtinë, 1998). Për vëllimin poetik “Idhuj adhurimi” vetë autori kishte thënë se: “Është vazhdimësi e librit të kurorave “Muza shqiptare”, por me një titull gati të ngjashëm, pra “Idhuj adhurimi”. Pra, këto personalitete, përveç se muza, për mua ishin idhuj adhurimi.” Në këtë libër autori ka përmbledhur dhjetë kurora sonetesh që ua kishte kushtuar, gjithashtu, figurave të shquara, figurave të adhuruara, figurave që për të ishin muza. Librin e nis me kurorën me sonete kushtuar të tre vëllezërve Frashëri, me titull “Qëndresë martirësh” dhe nëntitullin e përkushtimit “Abdyl, Naim e Sami Frashërit”. Vëllezërit Frashëri poeti i quan yje: “Tre yje frashnjotë të dehur në gjakim” (soneti 1, f. 5), e për të vazhduar me spikatjen e vlerave të tyre kulturore, kombëtare e historike në vargje: “O martirë të fjalës – të gjuhës madhështi” (f. 7); “Zërat e tre vëllezërve u bënë përmendore”, “Dhe shkruan historinë me faqe t’përgjakur”, (f. 8), vargje që ngërthejnë sublimën e këtyre figurave të shquara kombëtare, duke iu dhuruar atyre këtë përmendore poetike. Ata ishin dhe mbetën të shenjtë. Për Abdylin kishte vargëzuar: “I këngës dhe i fjalës je o i shenjti Abdyl -/ Stuhisë s’iu përule si në bjeshkë ai bredh!” (f. 9). Ndërkaq, Naimit, ndër të tjera, i referohen edhe vargjet: “Ndoqe rrugën e Dylit, vëllait tënd të madh/ Atomin e fundit e shpenzove për tokë – atdhe” (f. 14). E Samiun e quan idhull mendjendritur: “O Sami bej Frashëri, o idhull mendjendritur” (f. 16). Në këtë kurorë sonetesh, H. Hasani përimton poetikisht se vëllezërit Frashëri, përveç që ishin të dijes e të penës, kishin shpirtin atdhetar, ata ishin të guximshëm. Për këtë kishte thënë: “Me kokë nën shpatë frashnjotët u gdhinë/ Nuk iu tremben vdekjes, sulltanëve në fron,” (f. 10). Për të ngadhënjyer në rrugën e tyre të shenjtë, në atë kohë, ishte vështirë: “Ngadhnjimtarë muzgjesh të varur nën çengele” (f. 13), por ata: “Si tre yje hytë thellë n’malin e urtë thinjosh/ Që historisë qërpikët kahmot ia ka zbardhur” (f. 15), sepse ishte koha kur “Që drejtësia paturpshëm na shkeli në thembra” (po aty). Sakrifica dhe vepra e vëllezërve Frashëri, në vargje të këtij poeti mbetët, jo vetëm e paharruar, por: “Zëri juaj frashnjotë, jehonë qëndron mbi kulla” (f. 17), njëherit edhe e ngrehur në vend meritor, vërtet atje në lartësi fortesash ku e kanë vendin.

 

Vargje të pashlyeshme në panteonin poetic

 

     Në faqet vijuese të librit hasim kurorën me sonete “Baca i Dragobisë”, që i është kushtuar figurës së shquar të kombit tonë, Bajram Currit. Poeti kishte thënë në vargje aspiratat e atdhedashurisë, rrugëtimin e plakut të maleve, të bacës së Dragobisë, deri në flijim, ashtu sikurse i kanë hije dhe e meritojnë burrat e kombit. Pasi në tri-katër sonetet e para të kësaj kurore vargëzohet për Dragobinë, mjegullat e bjeshkëve, ëndrrat e zhgjëndrrat e plakut të urtë, bjeshkët e Bjeshkëve të Nemuna, malësorët (bashkëluftëtarët), shtatëdhjetë motmotet e tij, që bashkë jepin një si skenografi të atdheut, bëjnë atë prelydin e apostrofimeve të mëdha. Vargjet: “Ball i Dragobisë, o yll gjaku vetëtime” (f. 24), “Dif dragua n’këngë e dasma ti na prin” (f. 25), janë një emërtim poetik – metaforik për patriotin, e për këtë: “Idol malli ndër breza im At t’ruan Bacë” (f. 24), kishte thënë poeti. Me një notë të veçantë krijuese poeti e kishte nisur këndimin për aktin e mundshëm të tradhtisë: “Marshon kolonë tradhtie. Ku vete koka?” dhe se aty ishin: “Njëmijë, dymijë bukëpërmystë nën diell/ N’trok pas Plakut t’Maleve të thinjura” (f. 25). Por, Plaku i Maleve ishte: “Roje bjeshkësh, roje burrash, syrin gacë” (f. 26), …, dhe ai: “Ngritet Plaku, shtron shaminë, bukën – tokë/ Që solli mbrëmë n’shpellë Kadri Mehmeti,/, …, Shpatullën e pulës e shikoi mbi prak/ “Na paska pre n’bukë t;vet i pabesi!”, janë vargje parandjejnë kobin dhe e mallkojnë atë, sipas atyre elementeve tradicionale që i ka ndërthurur autori.

     Ndërkaq, “për atë ditë kobzezë”, për momentet e pas rënies së heroit të kësaj kurore me sonete, poeti Hasani kishte shpërthyer me: “O ditiramb, o gjak yni, historia kuqëlon”, …,  “Në Dragobi trëndafilat derdhin aromën”, …, dhe se nga ajo dhembje: “Njëmijë ofshamë n’çardaqe diku n’Malësi” (f. 29). Bajram Curri ishte dhe mbeti krenaria e kombit, ndaj: “Baca Plak, kur t’kujtojmë, gjejmë kreninë/. …, Kosovës si Ante i fale bukuri dhe emër”, ndërsa përgjigjja e Plakut të Maleve: “Shtatëdhjetvjet s’më ka lidh’ kral as mbret”, që i përgjigjet thirrjes tradhtare: “A po lidhesh Plak, a po vdes?”, është bërë varg që i jep sonetit 11 (f. 30) jo vetëm fuqinë poetike, por varg që shpreh edhe artin e stoicizmit tradicional shqiptar. Dhembjen e madhe dhe shtrirjen e saj për këtë figurë kombëtare, për këtë “Feniks burrërie…”,  poeti e kishte thënë: “Ç’po vajton Shkëlzeni, më tutje Valbona”, …, “Ajo pushkë mori Kosovën sh’pi për sh’pi” -/ Si lulëkuqe duf i dhembjes këtu bleron!” (f. 31). Si në legjenda e balada të moçme, heroi kombëtar, edhe pse vritet nuk vdes: “E i vdekur Bacë Bajrami udhëton me kalë/ Nëpër bjeshkë, mal më mal, shpellë më shpellë -/ Oh, sa krenar Plak i thinjur rri në shalë!”. Më në fund, poeti, duke personifikuar: gurin, shpellën, pishën, diellin. tokën etj., i vë në veprim dhe me narracion mitik, rrëfejnë e mallkojnë: “Guri: Roje i bëra …/, Shpella: Këngë i këndova…/, Gurra: Ia shova etjen …/, Pisha: Roje i bëra…/, Dragobia: E rrita trimin…/, Valbona: Këndova këngë …/, Toka: N’troje etnike…/ (pjesë vargjesh nga soneti 14, f. 33). Kjo mënyrë e këngëtimit, megjithë dimensionet epike, ka alfabetin universal dhe qenësinë unikate. Ndryshe, këto vargje i vënë çatinë kësaj kurore me sonete për Bajram Currin dhe mbesin ngrehinë e pashlyeshme në panteonin poetik të kësaj tematike.       

     Pastaj vijnë kurorat me sonete: Gur i heshtur guri (kushtuar: Hivzi Sulejmanit), Besën kullat ruajnë (Esad Mekulit), Engjëll i urtisë (Anton Çettës), Ora e Lumës (Miftar Spahisë), Psallmë për mikun (Vinçenc Malajt), Falë hirit tënd (Azem Shkrelit), Udhëtimi në purpur (Beqir Musliut) dhe Dhembje e bukur bjeshke (Fatime Sokolit). Edhe këto dhjetë kurora me sonete, sa ka ky libër, në fund kanë edhe magjistralin, që njëherit plotëson rregullat teorike të sonetit. Përmbajtjen dhe dimensionet poetike të vargjeve për këto figura ( që nuk vdesin) të historisë së kulturës sonë, poeti sikur ia del t’i përmbledh në vetë titujt e tyre.

     Në përmbyllje të këtij shkrimi duhet thënë se kurorat me sonete të këtyre dy përmbledhjeve të Hasan Hasanit, kushtuar figurave kombëtare e historike shqiptare, ishin lapidare për muza e idhuj adhurimi. Ato nuk ishin vetëm biografi, jetëshkrime, ditirambe, introdukta…, por, ato ishin edhe përtej tyre. Ishin dhe mbetën një histori e thënë në vargje, mbetën përmendore poetike.

 



(Vota: 10 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora