Editorial
Ramiz Bojaj: Kosovëfobia
E diele, 17.04.2011, 07:59 PM
Kosovëfobia
Fantazmogoria serbe si plan okult kundër shtetit të Kosovës merr përmasat e një agresioni të jashtëm, i cili vjen si ftesë për luftë të re në Ballkan. Ne, shqiptarët duhet të veprojmë si forcë uniforme, (njënacionale) në mënyrë që të ndiejmë peshën të cilën realisht e kemi si komb me ndikim gjeostrategjik. Kohezioni brendakombëtar duhet mbështetur në konceptin etnohistorik dhe gjeopolitik në mënyrë qe çështja kombëtare shqiptare të hyjë në epokën e re të frymës së bashkimit të natyrshëm nacional (në sistemin modern), pavarësisht integrimeve.
Shkruan: Ramiz BOJAJ
Fobia serbe ndaj shtetit të Kosovës, merr guximin të atakojë edhe gjenezën nacional-shqiptare. ‘Pajtimi’ historik shqiptaro-serb, i proklamuar nga presidenti serb, Boris Tadiç, dërguar Tiranës zyrtare, për ‘zgjidhjen e konteksteve territoriale dhe historike në Kosovë’, nënkupton ripublikimin e politikës hegjemoniste të Millosheviqit për ndarjen etnike të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst mëtohet të krijohet etnitet ‘historik’ sllav, duke iu kundërvënë realhistorisë, autoktonisë dhe etnisë shqiptare. Në fakt është kërkuar ‘pajtimi’ për Serbinë e madhe.
Rizgjimi shqiptar
Fantazmogoria si plan okult kundër Kosovës
Diplomacia e Kosovës, nuk duhet shpërqendruar nga realiteti nacional-politik i Kosovës Lindore, krahinë kjo e cila i është nënshtruar agresionit special të Serbisë. Në Kosovën Lindore, vazhdon të ndodh spastrim i heshtur etnik. Këtë e dëshmon edhe përfaqësuesi i shqiptarëve të kësaj ane, Riza Halimi, i cili thekson se në bisedimet Kosovë-Serbi, përfshirja e përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit është i domosdoshëm. “Shqiptarët e Kosovës Lindore i janë nënshtruar dhunës dhe presionit të shtuar nga Serbia, dhe në këtë kontekst kërkojmë me shumë të drejta në të gjitha evenimentet. Këtë nismë duhet filluar delegacioni i Kosovës dhe të kërkojë nga Serbia, plotësimin e kritereve të reciprocitetit në kontekstin nacional”. Citimi i qeveritarëve tanë duke thënë se dialogu Kosovë-Serbi, ndihmon rrugën e integrimeve dhe njohjen e realitetit ballkanik, mund të tingëllojë si shabllon, por jo edhe si diplomaci ose pjekuri politike. “Dialogi Kosovë-Serbi do të përmbyllet me njohjet reciproke mes dy shteteve, duke shpejtuar rrugën e integrimeve për në strukturat euroatlantike”. Por ambasadori francez Zhan Fransoa Fitu, nënvizon se bisedimet Kosovë–Serbi dhe integrimet në BE janë çështje të ndara. “Bisedimet nuk janë rrugë e procesit të integrimeve evropiane. Kosova dhe Serbia sikurse edhe vendet tjera të rajonit duhet të punojnë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, por nuk duhet ngatërruar procesin e bisedimeve me atë të integrimeve”.
Realpolitika hapi i parë i faktorizimit shqiptar
Parimi i uniformitetit nacioanl është i vetmi segment, i cili do të ruajë indentitetin shqiptar përballë kulturave universale.
Segmentin realpolitik rreth faktorizimit shqiptar në Ballkan e ka prekur diplomati i njohur shqiptar(ish-president i Shqipërisë), Alfred Moisiu, duke theksuar se Kosova është krahinë e Shqipërisë. "Kosovën e quaj krahinë të Shqipërisë, sepse ashtu edhe është në fakt, ngjajshëm me Labërinë, Mirditën dhe viset tjera të Shqipërisë. Pra mirditorët janë mirditorë, labët janë labë dhe kosovarët janë kosovarë, por shqiptarë janë të gjithë. Pra pikërisht ne duhet të mësohemi, jo për veten tonë, por për të tjerët të cilët duhet të mësohen të na njohin dhe pranojnë si komb unik. Ne jemi një komb që padrejtësisht na ndanë, dhe në mënyrë shumë grabitqare. Ne duhet të zgjohemi edhe sot të flasim e veprojmë si komb unik, sepse ‘uji fle, por hasmi nuk fle’. Kohezioni brendakombëtar duhet mbështetur në konceptin etnohistorik dhe gjeopolitik në mënyrë qe çështja kombëtare shqiptare të hyjë në epokën e re të frymës së bashkimit të natyrshëm nacional. Në këtë kontekst, duke prezantuar teorine realpolitike në të cilën gjenden shqiptarët në Ballkan(në rrafshin etnik), shton domosdoshmërinë e riorganizimit të frymës etnike në mënyrë që bashkëkombasit tanë në Kosovën Lindore (Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc), Maqedoni, Mal të Zi, si dhe vëllazëria çame të ngriten në prioritetet e politikës dhe diplomacisë shqiptare (Shqipëri-Kosovë). Në këtë kontekst jo vetëm se do të mbrohen interesat tona nacionale(faktorizimi i shqiptarëve në Evropë), por kjo do të tehuajësonte edhe interesat hegjemoniste serbe, për eksterritore në pjesën veriore të Kosovës. Fantazmogoria serbe si plan okult kundër shtetit të Kosovës merr përmasat e një agresioni të jashtëm, i cili vjen si ftesë për luftë të re në Ballkan. Ne, shqiptarët duhet të veprojmë si forcë uniforme, (njënacionale) në mënyrë që të ndiejmë peshën të cilën realisht e kemi si komb me ndikim gjeostrategjik. Kohezioni brendakombëtar duhet mbështetur në konceptin etnohistorik dhe gjeopolitik në mënyrë qe çështja kombëtare shqiptare të hyjë në epokën e re të frymës së bashkimit të natyrshëm nacional (në sistemin modern), pavarësisht integrimeve.
(Autori është publicist, analist dhe drejtor për marrëdhënie me publikun në Institutin për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike).