E marte, 15.06.2021, 01:11 AM (GMT+1)

Kryeshkrim

Ardian Ramadani: Rreziku nga sajesa monstër komb kosovar

E premte, 15.04.2011, 07:59 PM


Rreziku nga sajesa monstër komb kosovar

 

Nga Ardian Ramadani

 

Në kohën kur shqiptarët gjenden në prag të finalizimit të ëndrrave të tyre për bashkim shpirtëror, gjuhësor, ekonomik e kësisoj politik, fill pas pavarësimit të Kosovës, në shkurt të 2008 por edhe më herët, filloi dukshëm të shfaqet mendimi për kombin kosovar, identitetin kosovar, gjuhën kosovare. Këto thirrje të nxitura nga doktrina e shtetit-komb, pra shteti kosovar, kombi kosovar, kanë qenë edhe më përpara, por dukshëm filluan të shfaqeshin pas pavarësisë së Kosovës. Kosova si shtet qytetar sipas pakos së Ahtisarit, nuk kishte nevojë për hapjen e këtij debati, sepse ai nuk na shpien asgjëkund. Idetë e analistëve të ndryshëm që tentonin dhe tentojnë me çdo kusht të faktorizohen dhe të dalin nga anonimiteti, se normale është krijimi i kombit kosovar, gjuhës apo identitetit kosovar, duke u bazuar tek frankofonët e Belgjikës apo Zvicrrës, harronin se në Belgjikë komuniteti frankofon i njohur me emrin si valonët, flasin gjuhën frënge e jo gjuhën valone, që qysh në fillim bie ndesh me thëniet e këtyre analistëve se duhet krijuar gjuha kosovare duke u mbështetur te këto ide dhe kësisoj kjo ide e tyre nuk është funksionale. Valonët frëngjishtfolës në Belgjikë e kanë ndjenjën e tyre të identitetit të lidhur me simbolet e përbashkëta të atyre franceze në Francë, sikurse simboli i gjelit, apo flamuri bleu blanc rouge. Edhe pse kanë lojalitet ndaj shtetit federativ belg, respektojnë shtetin e tyre, punojnë për atë shtet, ata nuk shfaqin mendime për krijim të gjuhës valone, siç nxitojnë të deklarojnë disa analistë shqiptarë nga Kosova për një gjuhë kosovare. Frëngjishtfolësit nga Belgjika apo Zvicrra kanë lidhje direkte me shtetin e Francës për shumë çështje, madje Franca ka ndikim direkt në këto shtete. Këto shtete kanë gjuhë zyrtare frëngjishten, janë tubuar përkrah Frankofonisë, si dhe gjuhën e kanë të institucionalizuar. Shqiptarët ende nuk janë faktor për të institucionalizuar gjuhën e tyre sepse ende nuk janë faktorë apo pjesë e ndonjë organizate sikurse UE-ja, apo ndonjë organizatë tjetër sikurse Frankofonia, e leje më shteti i Kosovës dhe thirrjet për krijim të identitetit gjysmak kosovar apo gjuhës kosovare. Teoria e Smithit se kombi është vetëm një hap larg të qenit shtet nuk përkon me realitetin e shqiptarëve, sepse ndjekja fjalë për fjalë e kësaj pikëpamje smithiane nga ana e disa shqiptarëve nga Kosova apo edhe nga vise të tjera të banuara me shqiptarë është e gabuar, sepse kombi shqiptarë është i konsoliduar nga pikëpamja kombëtare dhe gjuhësore. Ajo që po konsolidohet në Kosovë janë institucionet politike dhe sistemi politiko-institucional. E kjo nuk do të thotë se kjo arsyeton tezën për krijim të identitetit kombëtar kosovar apo gjuhës kosovare, sepse kjo do të ishte një goditje e fortë për shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi si dhe luginës së Preshevës dhe Bujanocit. Identiteti kombëtar shqiptar nuk mund të fragmentarizohet duke u bazuar në regjione apo qytete, sepse nëse do të ishte ashtu atëherë shqiptarët do të fillonin të përçaheshin edhe më tutje duke krijuar gjuhën kosovare, gjuhën preshevare, kumanovare, tetovare e kështu me radhë. Identiteti kombëtar te shqiptarët është ndërtuar qysh moti, para se të formësohet shteti tek shqiptarët. Andaj edhe kjo thirrje besoj se do të ngelet vetëm thirrje për të dal ndokush nga anonimiteti. Nacionalizmi etatik apo shtetëror nuk duhet të shërbejë për shqiptarët si guidë, në vend të tij nacionalizmi gjuhësor, kulturor apo kombëtar duke u bazuar tek të qenit shqiptarë është më se i nevojshëm dhe nuk ka nevojë të rishikohet, sepse kemi punë të tjera për të bërë. Iniciativa për një shqipe standarde nga ASHAK e Kosovës (Koha ditore, 26 qershor 2004) për krijimin e dy varianteve të shqipes nuk përkon me realitetin, sepse dihet historikisht se shqiptarët janë ndarë në disa shtete si pasojë e politikave të mëdha, andaj imponimi i fragmentarizmit shqiptar në aspekt gjuhësor dhe kulturor do të sillte shthurjen totale kombëtare të tyre. Krahas prejardhjes së përbashkët, gjuha shqipe, pavarësisht veçorive dialektore, ka qenë themelore dhe është edhe më tej karakteristike për identitetin kombëtar shqiptar, për mbijetesën e tij në shekuj gjatë pushtimeve të ndryshme, apo edhe pas ndarjes së padrejtë të shqiptarëve në disa organizime shtetërore. Sipas të madhit Gjergj Fishta gjuha ka qenë përcaktuese për kombin shqiptar. Kjo si e tillë ka qenë sepse kjo gjuhë nuk flitet nga askush tjetër, buron nga gjuha pellazgo-ilire dhe ka ndikim edhe tek krijimet e kombeve dhe gjuhëve të tjera evropiane. Sipas Fishtës gjuha imponohet ose me forcë të armëve ose me forcë të kulturës apo qytetërimit, pra është analogjik me doktrinën franceze Risheljane për imponim me qytetërim dhe me gjuhë. Shqiptarët përulen ndaj figurave historike nga cilido rajon i banuar me shqiptarë, ndjenjën e përuljes ndaj shqiponjës e kanë permanente, e andaj nuk ka nevojë që kjo ndjenjë e kultivuar me shekuj të thyhet brenda natës nga nevojtarët e daljes nga anonimiteti. Shqiptarët me gjithë praninë e dy shteteve, dhe me prezencën e tyre në disa organizime shtetërore duhet të jenë lojal ndaj gjuhës, flamurit kombëtar, si dhe të kenë të qartë thënien e Manjanit i cili e quan gjuhën shqipe si: ”gjuhë të mrekullueshme që i përngjan një vendburimi të pasur, mbi të cilin mjafton të përkulesh, si dhe të mbledhësh kokrriza ari filologjik”. Gjuha shqipe si gjuhë Japetike, si gjuhë e folësve të racës së bardhë dhe djalit të Nohut, duhet të mbetet e vetmja gjuhë për shqiptarët, sepse gjuha kosovare do të ndikonte në krijimin e gjuhëve maqedono-shqiptare, preshevare etj, pra në krijim të gjuhëve të bazuar në organizime shtetërore, e valonët e Belgjikës dhe frëngjishtfolësit e Zvicrës, thuan se flasin gjuhën frënge e jo atë belge, apo zvicerane, pra nuk bazohen në gjuhë sipas organizimeve shtetërore.

    Andaj tentativa për identitet kosovar, gjuhë apo kulturë kosovare e bazuar në përçarjen e shqiptarëve, në humbjen e orientimit të tyre, në humbjen e kohezionit kombëtar është rrezik jo vetëm për thyerjen e kombit shqiptarë anembanë viseve ku jetojnë shqiptarët, por edhe si pengesë për kyçje në UE dhe organizatat tjera. Por, tentativat e tilla janë dëshmuar se janë vetëm tentativa të individëve që kanë nevojë të njihen nga të tjerët, përmes tezave dhe hipotezave të gabueshme, si dhe si ide që do të mbeten vetëm si gjurmë të një ”tentative” alogjike dhe absurde. Tentime të tilla ka pasur nëpër shekuj nga sunduesit sllav të cilët kanë dashur t`i ndajnë shqiptarët në shqiptarë të mirë dhe të këqij sipas rajoneve ku jetojnë, a dihet se këto rajone vijnë si pasojë e ndarjes së shqiptarëve nëpër Vilajete nga ana e Osmanëve, pra këto tentime kanë mbetur vetëm tentime dhe nuk kanë pasur efekt. Andaj edhe këto tentime të këtyre lloj analistëve janë dhe do të mbesin pa efekt dhe të venitura. Ndërsa nevoja e pasurimit të gjuhë shqipe është më se e domosdoshme, sepse ajo duhet të pasurohet si e tillë, e ndoshta të rishikohet ndonjëherë, por nuk duhet të humbë bërthamë e saj të ndërtuar me aq shumë mund nëpër shekuj, e në veçanti nga ideologët e Rilindjes Kombëtare, ndërkaq e standardizuar më 1972.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora