Kulturë
Vullnet Mato: Gabel guraliu
E premte, 15.04.2011, 07:15 PM
Vullnet Mato
GABEL GURALIU
Gabeli me mustaqet
një pëllëmbë e ca,
ka një bark të rrumbullt
sa dy fuçi birrash,
ka pranë dy dashnore
me sisë të mëdha,
ka xhepa të ënjtur
me para vjetërsirash.
Gabeli bllokon klubin,
këndon tallave,
vë përpara qengjin
të pjekur në tavë,
hedh te kamerieri
bakshish në tabaka,
sa i paguan pronari
punën për një javë.
Kur më pa mua,
që më ka komshi,
u gajas së qeshuri
me zërin e çjerrë.
“Çoi nga unë një birrë
atij robit aty!”
thirri kamerierin
me urdhër të prerë.
Dhe tha:”Kam gjynah
për atë rob zoti,
se mban dritën ndezur.
deri në sabah.
Bën libra në vapë,
a kur than së ftohti,
dhe e paguajnë të hajë
supë si kalama!”
U ndjeva aq keq
sa desha të lë klubin,
por dashnorja e dehur,
më ktheu si zuzare:
“Pije aga, për mua,
se unë ta heq turpin,
po ama mes sisëve
kokën ta shtyp fare!:”