E marte, 24.11.2020, 02:54 PM (GMT)

Komente » Radovani

Fritz Radovani: “Shqipnia Nanë, si nata pa hanë!”

E marte, 12.04.2011, 06:59 PM


SHQIPNIA  NANË  SI  NATA  PA  HANË..!

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Ndryshimet demokratike në Europë dashje ose padashje na detyruen me ba disa ndryshime edhe ne të “përkushtuemve” të parimeve të botës marksiste anadollake, që me vendosmeni të “pathyeshme” i qendronte besnik trashigimtari i fronit Ramiz Alia. Kur  gjithë Bota kishte sjellë sytë nga qielli dhe falnderonte Zotin për ndryshimet paqsore dhe pagjakderdhje në krejt Europen Lindore, në Shqipni filluen me u ndigjue krisma armësh, e viktimat e para të tyne ishin disa fshatarë të mashtruem nga spijunët e sigurimit që posa kishin fillue me zbatue porositë “sekrete” të dhanuna nga naltë, ishin “direktivat” që po ua shpërndante partia komuniste elementave të vet, si gjithmonë në kohë të vështira.

Ishin disa “malësorë” që nuk kishin harrue gjaqet e vjetra! Edhe pse asnjeni nuk e njihte “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, të cilin vetë Ramiz Alia në “Revolucionin Kultural” të vitit 1967 e kishte “djegë me zjarrin” e partisë, ua kujtoj në vitin 1991, për me fillue një gjakderdhje të re dhe me largue mendjen e njerzve nga vrasësit e kriminelët që pafarë frike i organizonin këto “gjakmarrje”. Ishin pikërisht ata që e meritonin plumbin të parët!

Në Shqipni gjithshka fillon alaturka, edhe “demokracia” filloi ashtu!

Errësina filloi me u përhapë në gjithë vendin edhe pse hidrocentralet punonin ditë e natë pa pushue asnjë minut. Filloi papunsia në masë. Mungesa e dritave solli pasoja e paknaqsi të mëdha në popull. Aty këtu u dogj ndonjë shkollë dhe sigurisht prindët ishin të paknaqun nga ndryshimet që po baheshin se fëmijët tue mos pasë shkolla silleshin gjithë ditën rrugash ...Me ba një shkollë të re nuk mjafton ndertesa, po duhen sa e sa banka e paisje tjera...Rinia filloi me mendue me kerkue rrugën e “Lirisë” drejtë piramidave! Edhe asaj Ramiz Alia ia plotsoi dëshirën: “Kapni të gjallë, pushkatoni të mbështetur për murë, lidhni me tela të kufirit në hunjë dhe ashtu të çvishur duke ua parë plagët e armëve, i lini të qelben... ashtu të mbuluem me miza i shetisni ndër qytete...e, kush të dojë le të ndjekin rrugën e tyre!”... E tirani...sot asht i lirë...shetitë edhe Europen dhe Ameriken, e kur do me folë për “t’ ardhmen” e Popullit Shqiptar, pritet edhe në Prishtinë nga “shokët” e vjeter të tarikatit vet...madje, jep edhe “leksione” për demokracinë!

Askush nuk e sheh “fëtyren” e tij...të vërtetë! As vetë Presidenti i Republikës së Shqipnisë Bamir Topi, që paturpsisht pranon me u ulë në një tavolinë me te. Nuk e sheh as Kryetari i Kuvendit Popullor...as deputetet “bashkpunëtorë” të tij, as “mjekët” që ua kanë mjekue smundjet veseve të rinisë, tue i shoqnue në spitalet e Frances me shishet e urines së tyne ndër xhepat e pasaportave diplomatike, e sot, si shpërblim drejtojnë edhe shtetin ...Nuk ua shohin surratin e tyne as ata që ditë e natë punojnë për pasunimin e tyne, madje edhe ua sigurojnë kapitalet e tyne në miljona e miljona euro ndër bankat Perëndimore...as ata, që dikur...u torturonin e u masakronin nga këta terroristë gjahilë e kriminelë, e sot u shkojnë mbrapa me gjetë rrugës ndonjë “cent” që u bie nga xhepat kur nxjerrin shamijat e flliquna tue fshi jargun e drogës që i kullon nga turinjtë e tyne të palamë e të parruem të mjekrrave të pista “moderne”...të cilat, kombinojnë me veshjet e grave e vajzave të tyne të “qytetnueme” që po sjellin nga Arabia...e bota e jashtme... në gradaçelet e pallatet ma luksoze të Tiranës dhe të Shqipnisë së “re”...Kuku... për “ne”...

E kush nga “ata” guxon me dalë në Rinas...me pritë një prift që luftoi turqit, e prap ma vonë Esad Pashën tonë, e që për Flamurin e Gjergj Kastriotit nuk pranoi me u rikthye në besimin e nanës së vet, po luftoi edhe kundër Haxhi Qamilit..?

E prap një tjetër Malësor i “pabindun” ndaj sulltanit tonë, “kur na bashkë me te” dhe, besoj e keni lexue fjalën e kryeministrit tonë, “kemi pushtue botën...dikur!!”, u çue edhe ky me disa “kaurra” të Hotit e vuni atje në Maje të Deçiçit  Flamurin me “sorren” e Atij “tradhëtarit” të Stambollit, tue dashtë me na nxjerrë nga haremet tona e “me na çue në hamamxhikët modern të Krajl Nikollës së Malit të Zi”!...

E çka nuk po ndigjojmë me veshë...deri ate që as turqit vetë nuk e kanë ditë deri tashti se: “Kemi ndrrue Fenë e jemi ba musliman për mos me u sllavizue!”...e kjo botohet ndër gazetat e kryeqytetit Tirana!!

Atëherë, si do të marrin pjesë qeveritarët tonë në Festen e 100 vjetorit të ngritjes së Flamurit nga Dedë Gjo’ Luli në Deçiç..?

Pse, si mendoni ju, do të këpusin “mijra e mijra fije që na lidhin qeverinë tonë me qeverinë turke”, për hirë të një Malësori “kryethyem” që nuk iu bind sulltanit “tonë”?...

Jo, kurrë...Po a e dini sesa humbim “ne” nga bankat islamike që kemi në Tiranë, me shkue në Festa të tilla që në fund të fundit “këta njerëz” nuk janë as të “besimit” tonë?

Cili nga Gjaku i Dedë Gjo’ Lulit ishte deri dje komunist? – Asnjeni ! Mirë se nuk deshtën me hy në partinë që formuen serbet në Shqipni, të punonin me sigurimin “tonë”, apo edhe ai u krijue nga UDB – ja e Titos...E si të shkojmë “na me teserat e PPSh” ndër xhepa, në Tuz, kur ata toka ua dhame vetë Jugosllavisë që në Mukje, pikërisht atëherë kur formueme këte parti që sivjet edhe do ti festojmë 70 vjetorin e themelimit të saj, atëherë kur shokët komunistë nuk donin me u “sllavizue”...por me mbetë anadollakë!! Pse, si kujtoni ju se padashjen tonë e lame me u shkrrye për tokë atë copë “zhele” në Tiranë, me 21 janar 2011, jo, jo, Ai ishte Flamuri i Gjergj Kastriotit, për të cilin Dedë Gjo’ Luli dha jeten bashkë me dy djelmët e vet...e sa tjerë deri tek Prekë Cali e Gjelosh Luli me shokë! Nuk mund të shkelim mbi “idealet e partisë sonë”?...Kaq e ma shumë nuk ka! “Europa po desht duhet të na pranojnë kështu si jemi!” ka thanë Nexhmije Hoxha... “Të gjitha ata miljona që kemi ne në bankat e saja i kemi!!..Për këte ne kemi dhanë edhe prova të tjera: “Çka u kemi ba na katolikëve, nuk ua ka ba as turku as shkjau!”

Kjo asht e vertetë...

“Shqipnia Nanë, si nata pa hanë!”

 

Melbourne, 13 Prill 2011.



(Vota: 19 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora