E shtune, 27.04.2024, 05:58 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Luan Çipi: Erdhëm edhe ne në Amerikë (II)

E enjte, 17.03.2011, 08:57 PM


 

ERDHËM EDHE NE NË AMERIKË

 

Nga Luan Çipi

 

Pjesa e dytë

 

Për ne, Adela, nusja jone e kujdesshme, kishte përgatitur me durim e lezet një dhomë gjumi të posaçme. Kishte zgjedhur me kujdes, përgatitur e varur në muret e saj dhjetë korniza me fotografi formatesh të ndryshme, ku ishin ekspozuar pa përjashtim njerëzit me të dashur: të tre fëmijët tanë me burrat, nusen dhe të gjithë trashëgimtarët tanë. Sa futeshim në dhomë dhe te muri përballë, si të ishin të vërtetë, na përshëndesnin një nga një, të gjithë njerëzit tonë të dashur. Ne ndjeheshim midis të tyre të lumtur, të mbuluar nga ngrohtësia  e familjes së madhe karakteristike shqiptare.

Në dhomën tonë të gjumit ishin tre dollap të mbushur me çdo gjë të nevojshme. Dy prej tyre ishin  vendosur në mur, që nga ndërtimi i shtëpisë sipas stilit Amerikan që e pamë kudo, ndërsa i treti ishte blerë posaçërisht për ne dhe brenda tij kishte çdo gjë që na duhej si: bishame, rrobdëshambër, kanotiere e  ndërresa, peshqirë gjithfarësh, sapunë,detergjent, parfume,kremra, pasta e furça dhëmbësh, makinë roje, krehër, furça rrobash e deri gërshëre, penj, gjilpëra e prese thonjsh.

Takimin e parë me shqiptarë në Çikago e bëmë me djemtë e Dalan Luzaj me Rudin dhe Jamarberin, shoke të hershem të tim biri, ardhur para 20 vjetësh  në Amerikë nga Vlora, atëherë djem te rinj dhe tani të martuar e me fëmije. Ata erdhën për vizite, sipas traditës shqiptare, shoqëruar me familjet e tyre.

 Familja e Dalan Isuf Luzajt, ai vetë dhe gruaja e tij e mrekullueshme Buqja, me tradita familjare vlonjate të hershme shumë të çmuara, rritën dhe edukuan me durim e sakrificë tre djemtë e tyre Rudin, Jamarbrin, Gerin  dhe vajzën, po aq të mirë e të bukur Sonilën. Ata u shkolluan, u integruan plotësisht në punë, në jetë e në shoqëri dhe krijuan familjet e tyre të kamura në Amerikë, me  koncepte amerikane e trashgimëri  traditash cilësore shqiptare të besës dhe mikpritjes.  Për tim bir Kamanin dhe të zgjedhurën e tij, Adela Petraq Kolën, qysh para 15 vjetësh, kur ata  sapo erdhën në Çikago, nga kjo familje rrallë patriotike shqiptare u pritën me shume ngrohtësi, duke i përfshirë bujarisht në gjirin e tyre të ngrohtë, si pjesëtarë në familje, me të drejta të njëjta.

                                    

 Në Amerikë, mjekt me diploma shqiptare Adela me Kamanin u martuan, u punësuan fillimisht duke kryer çdo lloj pune deri kamerier e shpërndarës picash, ndihmësmjek e asistentmjek, plotësuan studimet, duke njësuar diplomat me ato te mjekut human amerikan, kryen specializime të mëtejshme Adele për organet e brendshme e mjeke spitali dhe Kamani për anestezi-reaminacion, derisa u punësuan në profesionin e tyre të mjekut në spitalet e klinikat përkatëse. Po këtu ata lindë dy djemtë e tyre të mbarë, që përpiqen t’i mirërrisin dhe t’i edukojnë me kujdes, ne nivelin dhe kushtet superiore të amerikanit, duke iu ngulitur njëkohësisht tradita më të mira shqiptare, si dhe mësimin e gjuhës amtare.

Duke shkruar këto përshtypje nga vizita në Amerikë dhe takimi i përmallshëm me tim bir, Kamanin e ri, me shkoj mendja  gati 100 vjet më parë, tamam  në vitin 1913. Babai im që dhe ai quhej Kaman udhëtoi me anie të zakonshme, me plotë rreziqe e të papritura nga Vlora ne Brindisi dhe prej andej në Amerikë. Ai punoi në punë vështira krahu për gati dhjetë vjet. Flinte, me tre shokë të tij gjirokastrit në një krevat me turne. Dhe ja, historia përsëritet, në kushte të tjera, kur Kamani i ri, doktor në mjekësinë humane amerikane, përballet me vështirësi të reja të rritjes dhe të konsolidimit, po jeton në nivele bashkëkohore, si të gjithë vendasit e këtij shteti të bekuar nga Zoti, që falë punës dhe demokracisë, qëndron në pararojën e njerëzimit.

                                                                                            *

Nga telefoni, që e ka koston më të lirë se në Shqipëri (ndërsa pagat mbi tetë herë më të larta), po dhe nëpërmjet kompjuterit, u lidha me shokët, miqtë dhe të afërtit e mi në Amerikë dhe Kanada. Mora të parën motrën time të dashur Teutën. Ajo ka ardhur, bashkë me të shoqin e saj Edmond Reçi, te e bija Sonila. Mbesa Sonila, e martuar me piktorin Sokol Buza, trashëgimtar i  familjes së piktorëve të shquar Abdurahim Buza dhe Kujtim Buza. Ata kanë vite në Amerikë dhe kanë lindur këtu në Henrin, një djalë të mbarë dhe si e pashë nga afër, të bukur dhe të shëndetshëm. Mbesa ime Sonila Edmond Reçi, juriste në Shqipëri, ka kryer këtu disa studime për master pas universitar dhe është specializuar për biznes ekonomi. Amerika hap horizonte pa kufi për çdo të ri të vullnetshëm. Dhe, me sa pash, shumë të rinj nga Shqipëria janë integruar plotësisht me mënyrën e  jetës së përparuar amerikane.

Së dyti bisedova në telefon me shokun tim të dashur të fëmijërisë, të rinisë dhe deri vonë në pleqëri, njeriu e ditur  e shumë të dashur, dr.as.prof. Sezai Bazaj. Ai, me vajzën, djali, gruan dhe trashëgimtarët e tij, banon në New York. Më erdhi mirë që bisedova gjatë me shokun tim të mirë, të ditur e me vlerë, me atë që pati meritat kryesore për krijo]imin e Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës dhe që jo më kot u emërua  rektori i parë i tij. Ai u shkarkuar në ajër, nga prijësit e Partisë,  kur kthehej pas një vizite turistike në ShBA, ashtu siç bëri diktatori Stalin, kur shkarkoi në ajër, pa mbërritur në Atdhe, marshallin  Zhukov, thjeshtë se mendonte të ishte kundërshtar i tij politik. Ja, kjo është politika partiake staliniste në Shqipëri, që frenon zhvillimin dhe me brutalitet shkel ligjet, mohon punët dhe përpjekjet e njerëzve pasionant e të përkushtuar për arsimim, dije shkencore e përparim dhe pa shkak të shkel me këmbë dhe të hedh poshtë, si të jesh llozhër.

                      

Një ditë tjetër fola gjatë në telefon me shokun e fëmijërisë, të shkollës dhe të punës, me atë që të gjithë i flisnim shkurtër me dashuri dhe intimitet Zako, me Zeqir Xhelon nga Karabashi i Vlorës, po qe dhe ai banon ne New Yorkun  e madh të Amerikës. Ai edhe në moshë 75 vjeçare punon, si ekonomist, sepse pati mirësinë dhe vullnetin e madh të mësojë në moshë të madhe anglishten e Amerikës dhe të njësoj nivelin arsimor universitar me sukses,si dhe ka ndjekur e përfunduar disa specializime pasuniversitare, të nevojshme për t’u punësuar në administratën amerikane. Zakua i mirë ka ndikuar që të shkollohen e të specializohen këtu në Amerikë, jo vetëm fëmijët e tij të zellshëm, po ka tërhequr dhe një mbesën e vetë çupën e Flamur Liços, për të cilën ai ndjen kënaqësinë të thotë se i tejkaloi parashikimet dhe shkallën mirënjohjes, se jo vetëm përfundoi me rezultate maksimale studimet, por u bë dhe mjaftë e kërkuar në profesionin e saj si ekonomiste. Kjo më gëzon shumë dhe mua, që te sukseset e pasardhësve të Zeqir Xhelos, shokut dhe mikut tim të dashur të fëmijërisë, shikoj të plotësuar talentin e hershëm të tij për ekonominë, statistikën dhe matematikën dhe vullnetin e tij të pashoq për punët shkencore.

Pas një jave  mora në telefon një tjetër shqiptaro-amerikan, shokë të shkollës së mesme financiare në Tiranë, përmetarin Tasho Joanidhi, ish kontabilist e financier në zë. I ardhur bashkë me fëmijët Tashua e kalon kohën më së shumti me Shqipërinë dhe Përmetin e tij të dashur, duke shëtitur kur i jepet mundësia nga një stacion radioteleviziv te tjetri, duke u takuar direkt, apo duke biseduar në telefon me miq shqiptarë në Amerikë e gjetiu. Më tha se takohet ose bisedon në telefon çdo ditë me Thoma Dervishin, një tjetër shok të mirë shkolle e profesioni. Lëvizja me autobus këtu ne Amerikë për pleqtë është falas, ndërsa në përgjithësi bisedat telefonike janë me çmime relativisht të ulëta. Këto nuk ishin problem për Tashon, që përfitonte nga politikat shtetërore sociale si, asistencë të fituar si azilant politik dhe ulje të tjera në tarifat për qira, drita, ujë etj. Tashua më pyeti një për një për shokët e përbashkët nga Vlora e Tirana dhe shprehu keq ardhjen e thellë për ndonjë që nuk rron më. Ai më shpjegoi se priste me padurim muajt e verës, kur e kalon kohën shumë më këndshëm e dobishëm se merret me punimin e bahçes dhe shërbimet në zarzavatet që mbjell, prashit, plehëron dhe vjel me duart e tij, ende të forta.

                                               

 Thuajse çdo ditë bisedojmë në telefon apo lidhemi nëpërmjet kompjuterit me Petraq Palin, Sillo Muçkën, Axhem Gjonin, Niko Gjyzarin, Spiro Naqon, Robert Martikon, Reshat Kripën, Namik Shametin dhe shokë të tjerë në të gjithë botën, që tani është afruar si asnjë herë. Lajmet për Shqipërinë, shokë, miqtë dhe të afërtit janë objekt i përhershëm  bisede e diskutimi.

Një ditë u lidha dhe folëm gjatë me Tekiun, vëllain e shokut tim të hershëm Qamil Gjonzeneli. Të gjithë djemtë e kësaj familje të nderuar patriote vlonjate kanë emigruar herët, qysh në vitet e para pas demokracisë për në Amerikë, ku qysh para 50 vjetësh është vendosur i pari shoku im Qamili, vëllai më i madh i tyre. Ai, ish kampion noti dhe mësues fizkulture në Shqipëri, pati guximin e rrallë të përshkonte me not distancën Sarandë- Korfuz, u hodh në Greqi dhe arriti deri në Amerikë, ku dhe studioi e doli një ingjiner i shquar i elektronikes. Pas kësaj vëllezërit e tij Tekiu, Murati dhe Memishau, në Shqipërinë komuniste, u ndoqën e u persekutuan dhe përballuan në kurriz të tyre reprezaljet dhe dhunën komuniste, duke vuajtur dhjetëra vite burg, internim e punë të rënda fizike, po duke ruajtur kurdoherë krenarinë .

                

Teki Gjonzeneli, një burrë zakoni dhe me prirje letrare, artistike e sportive, midis të tjerave është kujdesur për nxjerrjen në drite të ditarit të xhaxhait të gruas së vetë, patriotit Reshat Agaj, nga familja e shquar e Agajve të Smokthinës në Vlorë. Një kopje të printuar të origjinalit të këtij libri, Tekiu, nëpërmjet vëllait të tij , Memisha Gjonzenelit, ma dërgoi mua dhe më porosite diç të shkruaja, pasi ta lexoja atë.

Jam i bindur që unë nuk do ta kënaq si e meriton mikun tim Teki Gjonzeneli me respekt dhe adhurim, po ashtu si kam mundur, shkrova këto fjalë me këtë rast:

Sapo mbarova së lexuari  librin e Reshat Agaj ‘Vëllai i Pengut”, dërguar nga shoku im Teki Gjonzeneli, që në të njëjtën kohë është kujdesur edhe për botimin e librit. Ndjeva dhimbje edhe keqardhje për kalvarin fatal të jetës së tij të mundimshme dhe jam ende i shokuar dhe i çuditur nga rrjedha e ngjarjeve.

Në këtë libër interesant Reshat Agën si njeri, e gjeta ashtu si e prisja: Të shkolluar, kontabilist, bankier, stenograf gazetar, përkthyes dhe gjithnjë  atdhedashës.

 Reshta Agaj është treguar modest  me jetëshkrimin e tij, për më tepër që është pinjoll i një familjeje fisnike e patriotike. Njëkohësisht ai paraqitet si njeri paqësor, i urtë e i sjellshëm, po pa inisiativa vendimtare të guximshme për një lider dhe intelektual aktiv, ndërkohë edhe pa ekstremitete partiake,  çka duket rastësor dhe pa evidentim të dukshëm të deklaruar, qoftë dhe në veprimtarinë e tij si ithtar i Partisë Mbretërore.

E prisja librin me padurim, meqë pa ditur saktësisht biografinë e Reshat Agajt, kam polemizuar për të, duke i dalë krahë në setet internetike të Diasporës, konkretisht te “Tribuna Shqiptare”, kur unë mendoja se kisha të bëja me një përkrahës aktiv të ideologëve nacionalist të Ballit Kombëtar. Kjo, meqë nga ç’kisha dëgjuar për Reshatin  nga bashkëkohësit, e kam pandehur atë thjesht një idealist nacionalist, pasardhës të  Skënder Muços, apo të kushërinjve të tij trima: Ago Agos e Lahe Nures.

Por, nëpërmjet ditarit, padyshim një pasqyrim besnik i të vërtetave të jetës së tij, mësova se atë, siç thotë dhe vet, nëpërmjet ëndrrave të shumta që shpjegon, për mua deri në  mistifikim, duket se ngjarjet e kanë venë pa mëshirë përpara. Hallet, prapësitë e të papriturat e kanë ndjekur nga pas gjithë jetës së tij të vetmuar larg familjes, farefisit dhe Atdheut. Ato kanë qenë tepër të mundimshme e të paqeta aqsa ai i shpjegon ndodhitë dhe tersllëqet e shumta, si shtyrje rastësore të fatit të tij të keq e të parathënë nga ëndrrat.

Analizuar me gjakftohtësi dhe jashtë momenteve oportune, disa veprime të Reshat Agos të duken, jo vetëm rastësore, po dhe  të pamenduara mirë e të përshpejtuara, po të gjykojmë e të kemi parasysh bagazhin e tij intelektual të spikatur për kohën dhe rrethin përkatës shoqëror e familjar të Agajve të Smokthinës. Le t’i analizojmë ngjarjet, sipas rrjedhës kronologjike:

-Reshati bie dakord dhe vendos të kthehet nga Shkodra në Tiranë, nisur nga rastësia e gjetjes së një okazioni për të lëvizur me makinën e malazezve, kur shokët, bashkëpunëtorët, të afërtit deri xhaxhai (Agua) dhe daja (Xhemili), si dhe udhëheqësit e tij ideologjik Mit’hat Frashri e Isuf Luzaj, etj. nisen drejt kufirit.;

-Reshati bashkohet pa vetëdije dhe vullnetarisht inkuadrohet në njësitet partizane që  lëvizin drejt veriut;

-Reshati  i beson Kadri Hazbiun deri në fund të jetës së tij, si  dhe Hysni Kapos, për faljen e jetës së vëllait të vetëm, Petrefit dhe pranon të arratiset në Greqi, duke lenë familjen dhe Ritën,  gruan e tij, mandej që i shfaqi dyshimin se ishte me barë;

-Pranon t’u shërbejë italianeve, me që italishten e dinte, aq mirë sa edhe shqipen;

-Pranon të lejë punën e mirë shtetërore në Postat e Kanadasë, për të shkuar në Amerikë, në shërbim të Mbretit;

- I zhgënjyer nga disa shqiptarët dhe vlonjatët e tij, kalon në ekstremitete përgjithësuese derisa e heq plotësisht dhe përfundimisht besimin te ata, ndërkohë që idealizon disa bamirës shqiptarë nga Gostivari, derisa porosit e dikton pasardhësit për krushqi e lidhje jetësore me ta.

-Reshati i zhgënjyer  nga jeta, duke qenë për mbi 40 vjet larg Ramicës së tij të dashur, gruas së adhuruar dhe fëmijës së dhembshur dhe i zhgënjyer, i lodhur e pesimist, në fund, i këshillon (për mua duke e shtyrë më tej pafundësisht enigmën, pasigurinë dhe fatalitetin) fëmijët e tij: “Kurrë mos ia hapni të fshehtat e zemrës asnjë njeriu në botë, qoftë mik, gjak, apo fis i afërm”.

Mendoj se në këto drejtime Reshat Agaj edhe vetë nuk është fare i sigurt, nëse ka bërë më të mirën e mundshme për të frenuar rrjedhshmërinë fatkeqe të ngjarjeve.

 Po këto janë gjykime të vonuara, jashtë kontekstit kohor dhe pa asnjë dobi. Ato ngjarje të mbrapshta, jo vetëm janë shfaqur në ëndrrat dhe fatthënat, po dhe kanë ndodhur gjatë jetës së tij fatkeqe, pa mundësi rikthimi.

Shpjegimet e mësipërme, që u dhanë si detyrim për porosinë e mikut tim Teki Gjonzeneli thjeshtë duke lexuar ditarin e jetës së tij, nuk ia ulin vlerat tërësore patriotit Reshat Agaj. Ai ngelet një nacionalist shqiptar i padyshimtë, veprimtar shoqëror i përpjekur dhe përkthyes i spikatur.

 

Çikago, 17 Mars 2011



(Vota: 8 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora