E premte, 26.04.2024, 07:27 PM (GMT+1)

Editorial

Isa Mulaj: TVSh – T’i Vjelim Shqiptarët!

E shtune, 29.01.2011, 09:00 PM


TVSh – T’i Vjelim Shqiptarët!

 

Ne duhet të përkujdesemi për njëri-tjetrin më shumë, dhe ta ngarkojmë më pak njëri-tjetrin me tatime -- Bill Archer

 

Nga Isa Mulaj

Udhëheqës i Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike (INEPRA)

 

Titullohet kështu për shkak të mos qasjes së Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në pjesën veriore të shtetit që kontrollohet nga strukturat paralele serbe, dhe synimit për t’i vjelë ata të cilët ATK mundet. Nuk është kjo risi ose e papritur. Fillet e saj datojnë që nga korriku i vitit 2008 kur Kuvendi i Kosovës miratoj ndryshimet shkatërruese në skemën tatimore të propozuara nga Qeveria, të cilave pjesërisht ua kishin dhënë izën edhe subjektet që përfaqësojnë bizneset, siç janë Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (AmCham).

 

Propozimi i ri i Qeverisë në largim (dhe njëkohësisht i asaj në rikthim) për rritje pagash 50 për qind për shërbyesit civil në administratën publike, dhe synimi për t’i mbuluar këto shpenzime duke e ngritur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSh)  nga 16 në 19 për qind, tani ka alarmuar edhe përfaqësuesit e shteteve të kuintit, Zyrës Ndërkombëtare Civile dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Është kjo vetëm njëra prej metodave të shumta të eksperimentimit Milgram dhe Zimbardo kundër popullsisë së Kosovës, duke përjashtuar serbët në pjesën veriore të shtetit që “vetadministrohen”.

 

Ministria e Ekonomisë dhe Financave (MEF) me politikat e saj ekonomike nuk e sheh të arsyeshme orientimin më të madh në dogana dhe akciza ku të hyrat nga normat për cigare dhe karburante do ta mbushnin më së shumti arkën e shtetit. Ju e dini sa pompa e benzinës është në Kosovë. Zyrtarisht thuhet se janë 900, ose jashtë çdo rekordi në botë për sipërfaqen dhe numrin e popullsisë së Kosovës. Edhe numri i duhan pirësve është tepër i lartë, më i lartë se në çdo shtet të Evropës për kokë banori. Këto veprimtari tregtare, pra karburantet dhe cigaret, plus kazinot dhe bastoret si shërbyese, kanë mbetur tema pa u raportuar dhe hetuar si duhet, nga frika e atyre që i udhëheqin këto biznese, e që dyshohet të jenë politikanë, duke i përfshirë edhe ata që iu kanë turrur rritjes së TVSh-së në mallrat e konsumit për ta bërë shumicën e popullsisë rrusfaj. Segmenti tjetër që do ta mbante qëndrueshmërinë buxhetore, është rritja e tatimit në pronat e shumë politikanëve të fituar ilegalisht, e në rastin më të drejtë, konfiskimi dhe shitja e atyre pronave për ta mbushur arkën e shtetit dhe evituar krizën buxhetore. Jo shitjes së ndërmarrjeve fitimprurëse siç është PTK për t’i rritur pagat e shërbyesve civilë, që këta mandej ta shpenzojnë këtë rritje për importin e mallrave dhe pajisjeve për nevoja personale dhe t’i qesin paratë jashtë Kosovës. 

 

Çka nuk po i tregon MEF-i, OEK-u, dhe AmCham-i bizneseve, medieve dhe publikut?

 

Kur para një viti e gjysmë MEF-i njoftonte se është rritur TVSh-ja për 1 për qind ose nga 15 në 16 për qind, duket sikur qëllimisht i mashtronte tatimpaguesit për t’ua marrë gati gjashtëfishin e asaj rritjeje. Të njëjtin sekret publik po e përdorë edhe tani si “informim” për publikun kur thotë se ngritja e TVSh-së mund të shkoj në 1 për qind, ose nga 16 në 17 për qind. Kështu mendohet kur flitet rreth përqindjeve. Të shohim së pari se sa para do të paguajnë konsumatorët për këtë përqindje, dhe të njëjtën shumë mandej ta kthejmë në përqindje që ta gjejmë rritjen reale. Marrim një shembull:

 

Një dritare e plastikës pa tatim kushton 50 Euro (€). Kur paguhet TVSh-ja në këtë çmim prej 16 për qind, shuma që ua merr ATK-ja është: 50x16/100 = 8€. Nëse TVSh rritet nga 16 në 17 për qind, ju do të paguani: 50x17/100 = 8,50€ ose 50 centë më shumë. Rritja reale e TVSh-së me këtë rast është 6,25 për qind, e jo 1 për qind siç po thotë MEF-i. Provë: 1/16x100 = 6,25.

 

MEF-i në një takim me bizneset e vendit ka paralajmëruar ngritjen e TVSh-së për 3 për qind, nga 16 në 19, propozim ky që ka zemëruar bizneset. OEK-u dhe AmCham-i kanë dalë me kundërshtim të përbashkët dhe arsyetime e tyre rreth pasojave që do t’i sjellë kjo ngritje. Por, kundërshtimit dhe arsyetimit të tyre i mungon edhe një sqarim – rritja nga 16 në 19 nuk është rritje prej 3 për qind. Ta provojmë. Marrim përsëri shembullin e dritares së plastikës.

 

Kur TVSh rritet nga 16 në 19 për qind, ju do të paguani:  50 x 19/100 = 9,50 €. Kështu çmimi i dritares me TVSh bëhet 59,50. A është 9,50€ rritje 3 për qind në krahasim me 8€ kur ju paguani normën e TVSh-së prej 16 për qind? Ta provojmë. 9,50 – 8,00 = 1,5 ose 1,5€ më tepër. Pak ose hiç, a po jo! Mirëpo, rritja reale në përqindje e TVSh-së me këtë rast është: 1,5/8 x 100 = 18,75 për qind. Pse është e rëndësisë kritike të dihet kjo?

 

ATK-ja nuk i merr përqindjet nga ju për arkën e shtetit si gjëra abstrakte, por paratë si gjëra konkrete. Nëse ju mendoni se me rritjen e normës së TVSh-së nga 16 në 19 ose 3 për qind siç po thotë MEF-i, OEK-u, dhe AmCham-i duhet të paguani 30 euro më shumë në ditë, e keni gabim. Ju do t’i paguani 187,5€ në vend të 30€ vetëm nga rritja e TVSh-së për 3 pikë të përqindjes të cilës subjektet e lartpërmendura i thonë “rritje për 3 për qind”. Llogarisni tash kur në vend të 300€ në emër të asaj rritje për 3 pikë të përqindjes ju do t’i paguani 1 875€. Çfarë është dallimi ndërmjet këtyre dy numrave dhe shumave në para? I “vogël”, a po jo!

 

Zgjidhja për rritjen “3 për qind”: Ngritja e çmimeve ose kalimi në sektorin joformal

 

Që shumica e bizneseve t’i mbijetojnë rritjes së TVSh-së prej 18,75 për qind në tregues monetar, ekzistojnë dy zgjidhje. E para, t’i ngritin çmimet e produkteve dhe shërbimeve. Siç u theksua më lartë, rritja e çmimit të dritares si pasojë e rritjes së normës së TVSh-së nga 16 në 19 për qind, është për 1,5€. E shprehur në përqindje kjo rritje është: 1,5€ /58€x100 = 2,59 për qind. Kjo rritje do të ishte e domosdoshme për ta mbajtur vijimësinë e tanishme të rezultateve afariste, por problemi është se fuqia blerëse e popullsisë ka rënë ndjeshëm.

 

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), vetëm gjatë vitit 2009 në Kosovë janë shuar mbi 1 100 biznese. MTI përmend një varg shkaqesh të moçme për këtë shuarje të madhe dhe anashkalon atë kryesorin – rritjen e TVSh-së për 6,67 për qind, ose ngritjen e normës së tij nga 15 në 16 për qind që filloj së zbatuari në fillim të atij viti. Sa biznese do të shuheshin brenda një viti pas rritjes së TVSh-së për 18,75 për qind, dhe çfarë do të ndodh me buxhetin e shtetit i cili është në krizë dhe ende i pa miratuar?

 

E dyta, për t’i ikur gjahut të MEF-it për shuarje masive të bizneseve, shumica do të detyrohen ta ushtrojnë veprimtarinë në sektorin joformal ose të mos paguajnë tatime fare, por edhe këtu do ta kenë vështirë të mbijetojnë, sepse në sektorin joformal konkurrenca është më e fortë dhe më e drejtë se në atë formal. Sipas deklarimeve të ATK-së, gjatë vitit 2010 nuk dihej nëse rreth 20 000 biznese kanë falimentuar, apo janë duke vepruar në sektorin joformal. Prandaj, konstatimi se ekonomia joformale mund të luftohet në kohën kur synohet të rritet TVSh-ja, janë përralla.

 

Punonjësit në sektorin qeveritar dhe administratës publike nuk krijojnë gjë të frytshme ose të mençur në atë pozitë që shërbejnë. Ata janë vetëm shpenzues të buxhetit për nevoja private. Propozimi për rritjen e pagave të tyre për 50 për qind, është synim i qartë për shkatërrimin e bizneseve, popullsisë, dhe vetë shtetit gjysmak e sakat të Kosovës. Shkaku i këtyre politikave ekonomike shqiptarët po detyrohen të marrin rrugët e rrezikshme të emigrimit, madje duke gjetur vdekjen në lumin Tisa, dhe duke u ngrirë si femra të reja gjatë kalimit ilegal të kufirit ndërmjet Bosnjës dhe Kroacisë. Mirë që ka shpëtuar fëmija i saj dyvjeçar, e aq më mirë do të ishte nëse ai fëmijë nuk kthehet kurrë në Kosovë jo vetëm për t’i përjetuar, por as për të dëgjuar për eksperimentet e politikave të mbrapshta ekonomike.     

 

A mos janë duke u nxitur këto emigrime nga Kosova, që rezultojnë edhe në humbje të jetës, nga politikat ekonomike në emër të luftës për “liri, çlirim nga robëria shekullore dhe regjimet barbare” siç propagandohet shpesh me fraza bajate dhe të pakripa të cilave moti u ka dalë boja edhe tek ajo balena në oqeanin paqësor? Ata që i shpëtuan “regjimeve barbare” në Kosovë, duket se nuk do t’i shpëtojnë një regjimi edhe më të tmerrshëm – atij të politikave ekonomike në Kosovën e “lirë, të pavarur dhe demokratike”, prandaj detyrohen të gjejnë vdekjen edhe në lumenjtë e shteteve prej nga vinin regjimet barbare në Kosovë! Kush janë barbarët e qytetarëve të Kosovës, sot?!



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora