Editorial
Thanas L. Gjika: Kush mund ta shpëtojë Shqipërinë
E diele, 23.01.2011, 07:59 PM
Kush mund ta shpëtojë Shqipërinë
Nga Dr. Thanas L. Gjika
Eshtë shprehur këto ditë ideja se shpëtimi i vendit do të vijë prej rinisë shqiptare të edukuar me frymë Euro-Atlantike në universitetet e vendit dhe jashtë. Për këtë thuhet se kjo rini duhet të organizohet dhe të dalë si forcë politike për të drejtuar pakënaqësinë e popullit e për të krijuar Shqipërinë demokratike europiane…
Por rinia shqiptare as ka dalë e as mund të dalë si forcë politike e pavarur për të drejtuar shoqërinë shqiptare. Përderisa në politikën shqiptare do të kemi në krye njerëzit e lidhur me ish nomenklaturën komuniste, të cilët i projektoi si lob politik Ramiz Alia, thirrje të tilla do të mbeten vetëm thirrje te paefektshme, sepse pa prerë kokat e gjelave të vjetër, nuk mund të këndojnë këngën e tyre gjelat e rinj.
Sherret, grindjet e fyerjet prej rrugacësh që dëgjojmë në parlament prej të dy forcave politike, organizimi i demostratave popullore jashtë regullave të lojës demokratike: forcat e PD-së disa vjet më parë me arkivolin e Azem Hajdarit goditën derën e Kryeministrisë, sot forcat e PS-së të pajisura me gurë e shkopinj sulmuan Kryeministrinë e policinë, tregojnë se të dyja palët ecin sipas projekteve të Katovicës. Ato bëjnë vetëm zhurmë, trazira, mashtrime, vjedhje, për të pasuruar ish komunistët e besnikët e tyre.
E kemi thënë dhe herë tjetër, po e themi edhe sot: Pjellat e inkubatorit komunist nuk dijnë c’është pozita e opozita. Shqipëria do të gjejë qetësinë dhe do të marrë rrugën e mbarrë drejt Europës kur të vijnë në pushtet forcat e vërteta opozitare të Komunizmit, pra ish nacionalistët, ish të përndjekurit e ndërgjegjes, të shpronësuarit…
Mbasi të happen dosjet, midis bijve të këtyre forcave mund të gjejmë ata bij e bija të denjë për të na qeverisur si duhet, mjaft më me bijtë dhe besnikët e ish nomenklaturës komuniste, të cilët korruptojnë dhe manipulojnë cdo pushtetar e opozitar!