Editorial
Avni Halimi: Vjedhja kulturore si institucion
E merkure, 26.01.2011, 08:58 PM
Vjedhja kulturore si institucion
Në Maqedoni paska vetëm kulturë maqedonase, art maqedonas! Këtë duhet ta kuptojë bota! Këtij kuptimi duhet t’i japin peshë edhe shqiptarët me heshtjen e tyre mortore para projekteve për diskriminim total kulturor
Nga Avni Halimi
Kohë më parë, në një debat të gjërë të zhvilluar në shoqërinë gjermane rreth multikulturalizmit, u shpreh edhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila sikur vuri pikën mbi “i” në këtë debat. Zonja Merkel tha: “Multikulturalizmi në Gjermani ka dështuar plotësisht”!
Më vitin 1960 Gjermania përjetoi “një invazion” nga infermieret koreane. Atëbotë nga Korea e Jugut kishin ardhur mbi 8 mijë infermiere dhe, pothuajse asnjëra nuk kishte shprehur dëshirë të qëndroj më gjatë se 3 vjet, aq sa ishte parashikuar edhe kontrata me ministrinë gjermane për shëndetësi. Gjatë këtij debati rreth multikulturalizmit, një nga ato infermiere, tashmë në moshë, tregon arsyet se pse kishte mbetur si mijëra shoqe të saj në Gjermani! Që në fillim ajo dhe të gjitha koreanet e tjera ishin ndjerë si në atdheun e tyre, ku pa kurrfarë problemi kishin ndjerë identitetin e vet korean, ishin përmbushur me vlera kulturore koreane, për asnjë moment nuk ishin ndjerë të diskriminuara kulturalisht, kishin qenë të lira, të stimuluara e të përkrahura në ushtrimin e jetës kulturore e shpirtërore koreane. “Sa më shumë na merrte malli për Korenë aq më shumë e donim Gjermaninë”- ishte deklarata e infermieres. Dhe përkundër kësaj deklarate shumë objektive, përkundër kësaj të vërtete të pamohueshme, del Angela Merkel dhe si burrështetase e madhe shpreh brengën e vet - “multikulturalizmi në Gjermani ka dështuar”!
Në këtë vijë, çka do të duhej të thoshte kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, për shqiptarët autoktonë të Maqedonisë! Le t’i hidhet një sy programit vjetor të ministrisë për kulturë për vitin 2011 dhe do të shihet se aty kryeministri aktual, me synimet e veta raciste, na del një figurë me pamje lubie. Natyrisht, ky program mbështetet në platformën kombëtare të programit partiak të DPMNE-së, në strategjinë nacionale të qeverisë, në projektet nacionale antishqiptare të planifikuara dhe të zbatuara me dekada! Edhe programi i sivjetshëm është një pasqyrë që shumë qartë reflekton angazhimin patologjik nacional kundër çdo gjëje shqiptare që frymon në Maqedoni.
Ushtrimi i ligjshëm i diskriminimit
“I lumturueshmi” Gruevski gati ka rënë në delir nga zhvillimet kulturore etnike! Është në gjendje të shkatërrojë edhe shtetin për njeriun (në këtë rast Elizabeta Kanceska Milevskën) i cili po përkujdeset për këtë lumturi prej padroni. Këtë komoditet absolut ndjeshëm ia ka shtuar edhe korrektësia politike e liderit të BDI-së, z. Ali Ahmeti, i cili edhe më tej vazhdon t’i rrijë lepe peqe (në fjalë) kryeministrit të vet. Po qe se i bëhet një analizë e gjithanshme programit të sivjetshëm të ministrisë për kulturë, fare lehtë mund të konstatojmë se, edhe sivjet, kjo ministri, ka marrë bekimin e BDI-së për të ushtruar ligjërisht diskriminim kulturor deri në përmasa të racizmit kundër shqiptarëve.
Sipas këtij programi, të botuar kohë më parë, të shqyrtuar e të mbrojtur edhe nga Këshilli Nacional për Kulturë (etnikisht i pastër maqedonas) si dhe nga përfaqësues nga Akademia maqedonase, bëhet e qartë se ky vit, në sferën e kulturës do të jetë ekskluzivisht i kulturës maqedonase. Kultura shqiptare do të margjinalizohet deri në mohim ekstrem.
Asnjë fjalë deri më sot nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, asnjë fjalë e asnjë reagim apo kundërshtim më të ashpër të institucioneve kulturore, të shoqatave apo të subjekteve fizike që merren me aktivitete kulturore shqiptare. Me sa shihet, është urdhër i prerë “respektoni programet e miratuara dhe mos na e prishni rehatinë prej vasali në qeverinë e Gruevskit”!
A e dinë “shqiptarët” e Ali Ahmetit që vegjetojnë tepër të fishkur në qeverinë maqedonase sa nga buxheti i përgjithshëm prej 3.414.641.000,00, prej të cilit 625.000.000,00 do të shkojnë për veprimtari kulturo-artistike e shpirtërore kurse pjesa tjetër do të shkojë për përfundim të projekteve kapitale si dhe për projektet e reja të paralajmëruara nga ministresha Elizabeta Kançevska Milevska, pra, nga kjo shumë, sa do të shkojnë për kulturë shqiptare? Realisht do të duhej mbi 800 milion denarë, përkatësisht rreth 200 milion denarë! Shifrat aktuale flasin se për vitin 2011 nuk janë ndarë më shumë se 25 milion denarë për të gjitha aktivitetet kulturore shqiptare që zhvillohen qoftë nga institucionet, shoqatat apo edhe personat fizikë.
Njësia organizative nuk është teatër
Nëse analizohen dy vitet e fundit të kësaj qeverie fare lehtë shihet se në sferën e kulturës buxheti shtetëror ka qenë gjithnjë në rritje ndërsa projektet kulturore shqiptare si dhe buxheti për kulturën shqiptare ka qenë gjithnjë në rënie marramendëse. Kulturës shqiptare sot i është zënë fryma, po mbahet gjallë me ndonjë infuzion titujsh, ku me vlerë ku pavlerë, më tepër të përkthyer se sa origjinal. Për shembull, nëse sivjet kanë kaluar 75 tituj në gjuhën shqipe, në maqedonisht do të botohen 280 tituj me program, ndërsa jashtë programit edhe 100 tituj të Nobelistëve si dhe 450 tituj nga letërsia botërore.
Kohë më parë, një i mendermëthenshëm i BDI-së, del dhe pa fije turpi, para qytetarëve të Shipkovicës deklaron një gënjeshtër që për njëmijë vjet nuk do të prek tokën! Ai tha se për Universitetin e Tetovës kemi përkthyer 1000 tituj! 1000 tituj shkencor! E vërtetë është se deri më tani, nga projekti i vitit 2007, kur u kërkua që të përkthehen 500 tituj universitar nga shumë profesorë botëror, deri më tani në gjuhën maqedonase janë përkthyer rreth 230 tituj, dhe, në ndërkohë, qeveria e angazhoi Ministrinë e Arsimit që të bëhet gati edhe për 500 tituj të tjerë, projekt ky që hala nuk ka filluar. Sipas funskionarit të BDI-së na del se, për këto dy vjet sa “qeveris” ai, shqiptarët kanë përkthyer dhe botuar në ditë nga një libër e gjysëm! Në të gjitha universitetet shqiptare, po të mblidhen bashkë, nuk do të mund të gjenden 1000 tituj shkencor nga autorë botëror të përkthyer në gjuhën shqipe.
Këta të BDI-së dalin dhe thonë se kryeministri ka ngrirë punësimet e maqedonasëve në të mirë të punësimit të shqiptarëve, ndërsa nuk dinë se si ta demantojnë deklaratën e ministreshës për kulturë që thotë se për këto dy vite ka punësuar rreth 450 veta në administratë e nëpër institucionet kulturore shfrytëzues të buxhetit natyrisht, të gjithë maqedonasë.
A ka, për shembull, Sekretariati i z. Ademit, pasqyrë mbi të punësuarit në 130 institucionet nacionale kulturore të vendit! Sa shqiptarë janë të punësuar nëpër ato institucione! Gjendja është vajtuese, siç është vajtuese edhe kënaqësia e disa “shqiptarëve” të BDI-së për themelimin e Muzeut të Alfabetit, por pa kokërr buxheti për sivjet. Po e mbajnë sihariq për popullin themelimin e “teatrit shqiptar” në Kumanovë! Ndërkohë që bëhet fjalë për themelimin e Teatrit maqedonas në kuadër të Shtëpisë së Kulturës në Ohër, ndërsa në Qendrën Kulturore “Trajko Prokopiev” në Kumanovë është në procedurë qeveritare themelimi i njësisë organizative për shfaqje shqiptare! Pra, diku teatër maqedonas e diku njësi organizative për shfaqje shqiptare! Për vitin 2011, sipas programit vjetor, shfaqje shqiptare do të jenë 14 ndërsa për opinionin maqedonas do të ketë çdo javë nga një premierë, pra, mbi 50 shfaqje.
Ëndrra ideologjike e DPMNE-së dhe përgjumja vasale e BDI-së
Të gjitha analizat, por, edhe zhvillimet dhe kahjet në Ministrinë e Kulturës flasin se, ky dikaster ka për synim avancimin ekskluzivisht të kulturës maqedonase si dhe prezantimin ekskluzivisht të saj nëpër botë, ndërsa për qëllim ka diskriminimin e tërësishëm të kulturës shqiptare deri në përmasat e realizimit të asaj ëndrre ideologjike të prishjes së realitetit multikulturor të Maqedonisë. Natyrisht, ky synim racist duhet ndalur disi. Në ç’mënyrë?
Fillimisht, me anë të analizave dhe fakteve konkrete duhet të alarmohet i gjithë faktori ndërkombëtar për këtë diskriminim të rëndë kundër kulturës shqiptare në Maqedoni. Mbase do të duhej të mendohej edhe për krijimin e një komisioni bipartizan i përfaqësuar proporcionalisht dhe i cili do të duhej të votonte me Badinter kalimin e programit vjetor të ministrisë së kulturës. Shqiptarët kanë kuadro dhe potencial për të udhëhequr dhe zhvilluar institucione nacionale që urgjentisht do të duhej të themelohen, si: muze të ndryshëm (historik, folkorik, etnologjik, arkeologjik, botanik), nëpër të gjitha qendrat ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni, të themelohen teatro shqiptare, institute të ndryshme (ai i letërsisë, i historisë, i gjuhës, etj), të themelohen dhe të ngrihen objekte si qendra apo shtëpi kulturore shqiptare nëpër nëpër komuna shqiptare në Maqedoni dhe jo vetëm salla sportive sa për t’i mbledhur shqiptarët aty e për t’u rrahur barbarisht nga policia maqedonase, siç ndodhi këto ditë në Saraj të Shkupit. Asesi nuk duhet të kalojë në kuvend buxheti shtetëror pa ditur se si do të ndahet, në rastin konkret, buxheti i ministrisë, dhe pa u arritur vendim se 25 për qind nga buxheti i veprimtarive kulturore do të ndahet për veprimtari kulturore e artistike shqiptare, kërkesë kjo e shtruar dhe e elaboruar gjërësisht në Ofertën Politike të PDSH-së. Nëpër të gjitha intitucionet kulturore shfrytëzues të buxhetit shtetëror të punësohen sa më shpejt shqiptarë sipas përfaqësimit proporcional, aty ku mund të plotësohen kushtet! Të sillet vendim që në qendrat botërore të mos zhvillohen aktivitete kulturore nga Maqedonia pa u përfshirë proporcionalisht edhe kultura shqiptare.
Kultura dhe civilizimet e nëndheshme tashmë në mënyrë nonshalante po vidhen dhe po emërtohen si maqedonase. Mbi 300 mijë artefakte të zbuluara gjatë vitit të kaluar nga gërmimet arkeologjike, që të gjitha u përvetësuan dhe u bënë “pasuri e kulturës së lashtë maqedonase”! Vjedhja e vlerave nëntokësore është në përfundim e sipër, tashmë nacionalizmi i verbuar maqedonas është në ofensivë të vjedhjes së vlerave që shihen, që preken, që përjetohen, në ofensivë të vjedhjes së hapësirës, të realitetit kulturor e krijues! Në Maqedoni paska vetëm kulturë maqedonase, art maqedonas! Këtë duhet ta kuptojë bota! Këtij kuptimi duhet t’i japin peshë edhe shqiptarët me heshtjen e tyre mortore para projekteve për diskriminim total kulturor.