E shtune, 27.04.2024, 02:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Mihai Antonescu: Anatomia e dashurisë shqiptare dhe themelimi i fjalëve

E marte, 25.01.2011, 08:56 PM


Anatomia e dashurisë shqiptare dhe themelimi i fjalëve

 

Nga Mihai Antonescu

 

Sa herë që shijoj perla të këtilla lirike, të latuara nga zanat e Dardanisë, më kaplon ëndja për ta përqafuar një femër kosovare, për ta shëruar nga pavdekësia e një bregu legjendar të cilin Zoti e ka bërë të pavdekshëm. Për këmbim, do t’ia jap një lot në të cilin e kam rrumbullakësuar historinë e botës me krejt hidhërimin dhe ëmbëlsinë e saj, për ta shpëtuar nga trishtimi. Pastaj, që të dy do të fshihemi në një ikonë ndërmjet të shenjtërve, para dhe pas përmbyjtjes, për të dëgjuar të mermerosur lutjet e atyre që qëndrojnë para nesh me gjunjtë e ngulitur thellë në trupin e atdheut tonë të përbashkët. Ngase, si mund ndryshe ta afroj dhe kuptoj „Anatominë e dashurisë” së Sabile Bashës, nëse jo si një  shpalim të përmallimit ndaj shenjtërisë dhe vuajtjes, mbi gjethet e Itakës dhe mbi stuhinë e rikthimit të përjetshëm të qenjes në vetveten e saj? Poetja e tubon vetvetiu në fjalë esencën e gjendjeve përcaktuese, përreth të cilave, të çliruar duke qenë, do të ishte e mjaftueshme etja për mirëkuptim dhe transfigurim definitiv: „Më tregonin/ Se sa e kishin lënduar/ tokën, shpirtin e shtatin/ Merre me mend/ edhe dhembjen/ e kishin lënduar/ Më thanë/ Pse e vrave pritjen/ Në Itakë/ Kur binte shi/ Sa tekanjoze ishte stina/ Athua vetëm një stinë/ Për aq shekuj/ Dhe mbrëmë/ Penelopat u dëshpëruan, lum miku/ Unë i pashë/ Me këta dy sy/ Duke i grisur këmishët/ Dhe vellot e bardha/ I pashë duke i shkulur flokët/ Lotët si kokrra rrushi/ Në kupë i pinin – verë të kuqe/ Itakë/ Penelopat janë mplakur/ Nga pritja e gjatë/ Në udhëkryq vitesh.” (Dhembje).

 

Përshkrime të mbrujtura me hijeshi halucinante mbi platformën e një historie që marshon sot e kësaj dite rrugëve të botës për afirmimin e bijve të shqipes që dinë të duan, të luftojnë, të triumfojnë, edhepse ujku i zi mundohet t’i qesë në harresë: „Në peronin pa numër/ Ndodhte një storie mitike/ Ofshamat e pritjes/ Zhbironin mëngjesin e përhitur/ Vaji i fëmijëve/ I trembte rrufetë// Dhe në atë stinë pa stinë/ Peroni pa numër/ Përcillte pelegrinët e fundit/ Të ardhur nga dika.../ Kaherë të harruar nga.../ Hajt lum mikja, sonte/ Po qe se mundesh bjeri në fije/ Kësaj kohe katrahurë/ Kur qesh e qan.../ Me sy të trembur/ Treni pa peron/ Edhe sot kërkon vend/ Për  gjymtyrë të lodhura/ Që të ndërroi imazhin/ Të gruas – nënë” (Peroni pa emër).

 

Fëmija që gjallëron përjetësisht mbi vertikalen e ndritur të familjes, me arësye të drejta për ta shpënë kohën dhe kujtimet në drejtim të ardhmërisë që kërkon të jesh i denjë dhe i paharruar nga të tjerët, kalon nëpër vargjet e Sabile Bashës me madhështinë e Zotit të mbështjellë në pelerinën stelare të besimit dhe përjetësimit të mirësisë:  „Babai im/ Besonte në zot/ Besonte në njerëz/ Besonte në dashuri// Babai im/ Ishte  njeri/ Malësor krenar/ Dhe çdo damar i tij/ Lëngonte për blerësi// Babai im/ Besonte në miqësi,/ Besonte në fjalë/ E mbante besën/ Epte edhe kokën/ Kapte edhe pushkën/ Kur i preknin Nënë –Tokën.// Besonte babai im…” (Babai im)

 

Trashëgimi: buzëqeshje e skalitur në tulin e atdheut, në disponim të shikimit dhe turbullimit të qenjes: „Asnjë buzëqeshje/ Nuk i ngjanë qeshjes/ Së vogëlushit tim/ Kur lozë me rrezet e diellit/ Dhe hijen e muros në gurë/ Dhe brohorit/ -rroftë Itaka –Nënë!”.  (Perspektivë-Retrospektivë). Sabile Keçmezi-Basha e njeh shkencën e përpilimit të tekstit fiks në gjysmën e tij, ndëmjet përçuesit dhe receptorit si pjesë e një tërësie që nuk mund të bëhet e kapshme veçse përmes fqinjësisë: „Qëndrojmë/ Dhe ngadalë i ekspozohemi/ Erës e diellit/ Kohës dhe pavdekësisë// Ekspozohemi/ Si statuja të lodhura/ Në parqe të panjohura/ Vetëm emri e mbiemri/ Na bëjnë real. (Qëndrojmë).

 

Duke bërë fjalë për dashurinë, poetja shfrytëzon teknikat shumë pak të përdorura në tekstet e sivëllezërve të kohës dhe gjeneratës së saj, ngase, te Sabile Basha koncepti ka një kuptim, sa distributiv, po aq i kapshëm dhe i kuptueshëm përmes peshës dhe rëndësisë, duke synuar shkrirjen, tretjen, bashkëngjitjen me vetveten: „Është një vend në botë ku/ Nuk mbërrihet kurrë/ Ia ofroj zemrën, ajo më digjet shqim.// Është një vend diku ku mrizon dashuria/ E ndjell me gjethe po vjeshta e zhvesh/ Pastaj e mbyll në shpirt e ai i kthen në valë// Është një vend në botë ku merr frymë dashuria/ E shëmbëllej me varre ato bëhen gurë/ E mbyll në vete e nuk vdes më kurrë!” (Dashuria). Ndryshe thënë, durimi është kurora e fitimtarëve, ndërsa librat janë përmasat e vlerave të atyre që i shkruajnë. Vëllimi respektiv, totalisht, është një fitore e shpirtit në poezi, dhe një poezi e triumfit të kësaj peteshe të shkëlqyer, e cila na kundron si një zanë Dardanie me syrin e fjalës së saj të frymëzuar.

 

(Sabile Keçmezi-Basha, Anatomia e dashurisë, Përktheu Baki Ymeri, Bukuresht 2009).



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora