E premte, 26.04.2024, 11:14 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

“Asnjë hetim në Kukës për ‘kampet’ e UÇK-së”?

E marte, 11.01.2011, 07:47 PM


Gazeta SHQIP, 2011-01-10

Sulejman Dida (KERKO ...)

Drejtësia shqiptare nuk ka marrë asnjë kërkesë nga EULEX-i

Drejtësia ndërkombëtare duhet të hetojë edhe krimet serbe gjatë pranverës së vitit ‘99 ndaj popullsisë civile të Hasit. Pas pjesës së raportit të Dik Martit, sipas të cilit në Komunën Bicaj ka varre masive të civilëve serbë të luftës së viteve 1998 dhe 1999, tani del në dritë një tjetër akuzë, ajo e bazave të UÇK-së në Kukës dhe Has për keqtrajtim të civilëve gjithnjë në periudhën e luftës në pranverë të vitit 1999. Për këtë të fundit, sipas shtypit, EULEX-i do të hetojë pikërisht në Kukës dhe në Has, përkatësisht në fshatin Cahan, që është pjesë e Bashkisë Krumë. Gjatë ditëve dhe javëve të fundit, kur nuk kanë munguar komentet dhe kundërargumentet lidhur me atë çfarë ka shkruar Marti në raportin denigrues, as në Bicaj të Kukësit dhe askund në Qarkun e Kukësit nuk ka udhëtuar asnjë prokuror i EULEX-it dhe i asnjë forumi tjetër për të hetuar, edhe pse autoritetet vendore dhe institucionet përfaqësuese të qeverisë deklaruan publikisht se janë të hapur ndaj çdo hetimi për akuzat që ngrihen. Dhe dalja në dritë e një dokumenti, sipas të cilit EULEX-si do të hetojë në Kukës dhe Has, jo për varre masive, por për baza të UÇK-së, pritet me ftohtësi nga institucionet vendore, ndonëse në tërësi akuzat kundër UÇK-së komentohen si përpjekje dashakeqe kundër luftës për liri të popullit të Kosovës.

Kryetari i qarkut

Gati të gjithë tregojnë se lidhur me raportin e Martit befasia ndodhi në dhjetor të vitit të shkuar kur u fol për varre masive në Bicaj. EULEX-i, pas autoriteteve në Kukës, mund të hetojë dhe duhet të hetojë jo vetëm për bazat e UÇK-së, por për çdo akuzë të Martit, në mënyrë që ai raport dashakeq të marrë përgjigjen që meriton. Kryetari i Qarkut të Kukësit, Shefqet Bruka, në atë kohë kryetar i këshillit të rrethit të Kukësit, i cili ditë më parë hodhi poshtë si shpifje qëllimkeqe thëniet e Martit për varre masive në Kukës dhe tha se mirëpriste çdo hetim lidhur më këtë shpifje, të njëjtin qëndrim për hetime shfaq edhe tani në rastin e bazave të UÇK-së. Duke dhënë mendimin e tij edhe si ish-kryetar i rrethit në atë kohë, Bruka thotë se në Kukës, në pranverën e vitit 1999, ka pasur shumë gazetarë nga e gjithë bota që ndiqnin zhvillimin e ngjarjeve dhe nuk do të kalonte pa rënë në sy një gjë e tillë. “Këtu në kohën e luftës së Kosovës ka pasur të instaluar rreth 3 mijë gazetarë të huaj nga të gjitha kontinentet, nga vendet mike, por edhe nga vendet kundërshtare, si nuk paskan rënë në sy në atë kohë gjëra të tilla? Unë mund të deklaroj se kushdo është i lirë në përputhje me ligjet të vijë dhe të bëjë hetime, dhe garantoj se ka për të vërtetuar se Marti bën shpifje”, tha kryetari i Qarkut të Kukësit, Shefqet Bruka.

Institucionet e tjera

Prokurorët e EULEX-it ende nuk kanë udhëtuar në Kukës, të paktën asnjë prej autoriteteve vendore nuk është kontaktuar prej tyre. Drejtues të Policisë së Qarkut në Kukës tregojnë se rajoni i Kukësit ende nuk është “vizituar” nga prokurorë të EULEX-it. “Ende asnjë përfaqësues i EULEX-it nuk ka udhëtuar në Kukës dhe Has për hetime lidhur me akuzat e Dik Martit, por as e kemi përmendur këtë gjë në takimet e rregullta që i bëjmë me homologët e rajonit të Prizrenit, ku janë prezentë edhe përfaqësues të EULEX-it”, tha një drejtues i lartë i Policisë në Kukës. Edhe Prokuroria, siç del nga burime të afërta me të, si dhe Gjykata e Rrethit të Kukësit nuk kanë pasur kërkesa të tilla që të lidhen me hetimet për akuzat e Martit, ndonëse praktika të këtij lloji kanalizohen nëpërmjet dikastereve qendrore të të dyja vendeve, siç është edhe rasti ekstradimit të kosovarëve të kapur nga Policia e Kukësit, por që kërkohen për vuajtje dënimi në vende të tjera. “Takohemi shpesh me prokurorë dhe avokatë nga Kosova, që vijnë këtu për çështje të personave që ndiqen penalisht, apo që duhen ekstraduar, por asnjëherë nuk kemi diskutuar hetime personash për akuzat e Martit”, tha një gjykatës në Kukës.

 

Akuza qendrore: S’kemi dijeni për këto baza

Gazeta SHQIP,2011-01-10

Kampet në Cehan?

Flet kryeplaku i fshatit: Nuk ka ardhur asnjë grup hetuesish

Prokuroria e Përgjithshme thotë se nuk ka asnjë kërkesë nga EULEX-i apo nga autoritetet ndërkombëtare për bashkëpunim në lidhje me disa kampe të supozuara të UÇK-së në territorin tonë. “Deklaratat e individëve të ndryshëm apo edhe të prokurorëve të huaj në Kosovë janë të dhëna për të cilat Prokuroria e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë dijeni dhe për të cilat nuk është njoftuar apo paraqitur kërkesë për hetim nga asnjë organ hetimor ndërkombëtar”, thanë burimet, duke shtuar se kundërshton me forcë çdo insinuatë se institucionet shqiptare janë bërë pengesë për hetimin e kësaj çështjeje.

Ndërkohë fshati Cahan, i cili përflitet në aktakuzën e një prokurorit të EULEX-it, ndodhet 5 km larg qytetit të Krumës dhe është në përbërje të kësaj bashkie. Kryetari Bardhyl Peka thotë se është i befasuar negativisht për çfarë thuhet për Cahanin, një fshat i vogël malor, banorët e të cilit kanë vuajtur pasojat e luftës, më saktë pasojat e bombardimeve të ushtrisë serbe në atë kohë. “Jemi krejt të hapur ndaj çdo hetimi dhe besoj se kështu do të çmontohet çdo shpifje”, tha Peka, duke shtuar se nga ana tjetër drejtësia ndërkombëtare duhej të hetonte edhe vrasjen e civilëve nga granatimet e vazhdueshme të serbëve në kufirin e Kosovës, të cilën e mbanin të pushtuar. Kryeplaku i fshatit Cahan, Qamil Cahani, i kontaktuar me telefon thotë se ende nuk është kontaktuar nga askush. “Edhe në atë kohë thuhej se serbët po bombardojnë bazat e UÇK-së dhe na shembnin shtëpitë tona e na i vrisnin familjarët në oborr”, thotë kryeplaku, duke e quajtur akuzën e bërë nga prokurori amerikan i EULEX-it për baza të UÇK-së ku janë keqtrajtuar civilët, si një sulm tjetër kundër këtyre njerëzve të thjeshtë. “Marti përbën një segment të politikës shoviniste serbe për të njollosur luftën e drejtë të UÇK-së. Më parë, prokurorët duhet të hetojnë për ato që kanë bërë në fshatin tonë serbët, këto duhet të japin llogari për jetët e humbura dhe shkatërrimin e fshatit”, tha një banor, duke përshkruar faktin që në pranverën e vitit 1999 serbët kanë bombarduar sistematikisht fshatrat e Hasit në pjesën e Shqipërisë, me demek po qëllojmë bazat e UÇK-së. Siç dihet në ata muaj të luftës serbët mbollën me mina më shumë 1400 hektarë tokë pyje dhe kullota në krejt brezin e kufirit në brendësi të fshatrave të Hasit dhe ku u shënuan rreth 40 të vdekur dhe më shumë se 20 të plagosur në radhët e banorëve.

 

Çamët, peticion kundër deputetit europian Dik Marti

Gazeta SHQIP, 2011-01-10

Fier

Kryesia e Partisë për Drejtësi dhe Unitet në Fier ka bërë një peticion kundër deklaratës së raportuesit të Këshillit të Europës Dik Marti. Drejtues të kësaj partie në Fier janë angazhuar paraditen e së dielës me qëllim mbledhjen e firmave për peticionin. Anëtarë dhe drejtues të PDU-së në Fier dhe Patos janë vendosur në qendër të qytetit të Fierit dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve për t’u bashkuar kundër Martit që përdhosi shqiptarët. Nimet Musai, kryetari i PDU-së për Fierin, u shpreh se çamët e Fierit dhe të gjithë vendit do të kërkojnë rrëzimin e rezolutës së Dik Martit. “Duke qenë se Partia për Drejtësi dhe Unitet është parti që ka në themel të saj çështjen kombëtare me të drejtë kërkon mbrojtjen e cenimit të shtetit. Ndaj kemi marrë këtë nismë me qëllim hedhjen poshtë të rezolutës”, ka thënë Nimet Muasi. Deri në orët e pasdites numri i personave që i janë bashkëngjitur kësaj nisme peticioni kanë qenë mbi 400 të tillë. Personave që kanë përkrahur peticionin kundër Dik Martit u merren gjeneralitetet, si dhe numri i kartës së identitetit apo pasaportës. Më 21 janar, në Asamblenë e Këshillit Europian deputeti Shpëtim Idrizi do të kërkojë rrëzimin e rezolutës.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora